BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/1 f. 5-9
  • Të vendosur për të ndjekur udhën hyjnore të jetës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të vendosur për të ndjekur udhën hyjnore të jetës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Jezu Krishti: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Mbahuni shumë vigjilentë ndaj mënyrës se si ecni
  • «Kjo është udha. Ecni në të»
  • Kongrese emocionuese përkrahin mësimin hyjnor
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • ‘Lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë’ mblidhen me gëzim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Mësuesit e Fjalës së Perëndisë nxiten që të përmbushin detyrën e tyre
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Zbatuesit e Fjalës së Perëndisë gjejnë lumturi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/1 f. 5-9

Të vendosur për të ndjekur udhën hyjnore të jetës

Kongreset «Udha hyjnore e jetës» patën kaq shumë për t’u ofru- ar atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë! Një delegate e përshkroi kongresin si «një kohë e mrekullueshme me mësim, inkurajim dhe ndriçim».

NJË delegat tjetër tha se «kishte kaq shumë për të gëzuar, për të medituar, për të marrë». Tani le të shqyrtojmë vetë programin.

Jezu Krishti: Udha, e vërteta dhe jeta

Kjo ishte tema e ditës së parë të kongresit. (Gjoni 14:6) Fjalimi i parë shpalosi qëllimin e të mbledhurit së bashku në kongres: për t’u mësuar akoma më tej rreth udhës më të mirë të mundshme të jetës, udhës hyjnore. Jehovai e mëson popullin e tij se si të ecë në udhët e tij. Këtë e bën nëpërmjet Biblës, «skllavit të besueshëm dhe të matur» dhe frymës së shenjtë. (Mateu 24:45-47, BR; Luka 4:1; 2. Timoteut 3:16) Sa privilegj i madh është të jesh i mësuar nga Sovrani i universit!

Në harmoni me temën e ditës, fjalimi kyç ishte «Shpërblesa e Krishtit: Udha hyjnore e shpëtimit». Duke u përputhur me udhën hyjnore të jetës, është jetësore të njohim rolin e Jezu Krishtit në qëllimin e Jehovait. Oratori tha: «Pa flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, asnjë njeri, pavarësisht nga bindjet ose veprat e tij, nuk mund të marrë jetën e përhershme nga Perëndia.» Më pas ai citoi Gjonin 3:16, ku thuhet: «Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (BR) Të ushtrojmë besim në flijimin shpërblyes të Krishtit kërkon që të arrijmë në një njohuri të saktë të së vërtetës. Përfshin edhe t’i dedikojmë jetën tonë Jehovait, ta simbolizojmë këtë me pagëzimin në ujë dhe të jetojmë në përputhje me shembullin që siguroi Jezu Krishti.—1. Pjetrit 2:21.

Sesioni i pasdites filloi me një fjalim të titulluar «Udha e dashurisë nuk dështon kurrë». Këtu përfshihej edhe një diskutim varg për varg i përshkrimit të jashtëzakonshëm që Pavli i bëri dashurisë në 1. Korintasve 13:4-8. Ky ishte një përkujtues për auditorin se dashuria vetësakrifikuese është një karakteristikë identifikuese e krishterimit dhe se dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin janë karakteristika thelbësore të adhurimit të miratuar nga Jehovai.

Më pas vijoi një simpozium prej tri pjesësh me titull «Prindër: Ngulituni fëmijëve tuaj udhën e Perëndisë». Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që t’i shërbejnë Perëndisë, duke lënë një shembull të mirë në leximin dhe studimin e Fjalës së tij. Ata mund t’ua ngulitin të vërtetën fëmijëve të tyre me anë të studimit të rregullt familjar, duke e përshtatur atë për të plotësuar nevojat e familjes. Është, gjithashtu, e rëndësishme të ndihmohen fëmijët për t’u përfshirë në aktivitetet e kongregacionit dhe në shërbimin në fushë. Edhe pse të rritësh fëmijë që druajnë Perëndinë në këtë botë të ligë është një sfidë, bërja e kësaj sjell shpërblime të mëdha.

Në vazhdim të këtij simpoziumi ishte fjalimi «Lejoni Jehovain t’ju modelojë për një përdorim të nderuar». Pikërisht siç e modelon poçari një enë prej argjile, po ashtu i modelon Perëndia ata që dëshirojnë t’i shërbejnë atij. (Romakëve 9:20, 21) Këtë e bën duke siguruar këshilla në Fjalën e tij dhe me anë të organizatës së tij. Jehovai do të na ndihmojë t’i përdorim aftësitë tona plotësisht nëse ne e vëmë veten në dispozicion, nëse i përgjigjemi rasteve që dalin dhe nëse jemi të gatshëm ta lejojmë atë të drejtojë hapat tanë.

Këtë fjalim e ndoqi një pjesë entuziazmuese e programit: «Shërbim në fushën misionare.» Aktualisht, duke shërbyer në 148 vende anembanë tokës ka 2.390 shërbëtorë të krishterë që konsiderohen se kanë statusin e misionarit. Ata lënë një shembull të shkëlqyer besnikërie dhe zelli, e janë thellësisht mirënjohës për privilegjin e tyre të shërbimit në fushat e huaja. Gjatë kësaj pjese të programit në kongreset ndërkombëtare, misionarët folën për sfidat dhe gëzimet e jetës misionare.

Fjalimi përmbyllës i ditës së parë titullohej: «A ka jetë pas vdekjes?» Kjo pyetje e ka ngacmuar njerëzimin për mijëvjeçarë. Njerëzit në çdo shoqëri, janë hamendur shumë në lidhje me këtë çështje. Nuk kanë munguar përgjigjet e supozuara. Ato janë aq të ndryshme sa edhe zakonet dhe fetë e atyre që i japin ato. Megjithatë, njerëzit kanë nevojë të mësojnë të vërtetën.

Rrjedhimisht, oratori njoftoi daljen e broshurës së re 32-faqëshe me ngjyra Çfarë ndodh me ne kur vdesim? Kjo broshurë shpjegon origjinën e mësimit të pavdekësisë së shpirtit dhe tregon se si ky koncept është bërë themelor për pothuajse të gjitha fetë e botës sot. Në një mënyrë të qartë dhe tërheqëse, ajo shqyrton atë që thotë Bibla rreth shpirtit, përse vdesim dhe çfarë ndodh me ne kur vdesim. Broshura shpjegon edhe se çfarë shprese ka për të vdekurit dhe të gjallët. Çfarë bekimi do të jetë ky botim për kërkuesit e së vërtetës kudo qofshin!

Mbahuni shumë vigjilentë ndaj mënyrës se si ecni

Sa temë e përshtatshme ishte kjo për ditën e dytë të kongresit! (Efesianëve 5:15) Programi i paradites u përqendrua mbi veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Pas diskutimit të shkrimit të ditës, programi vazhdoi me fjalimin «T’i ndihmojmë njerëzit që të hyjnë në udhën drejt jetës». Duke kryer këtë vepër urgjente, është e rëndësishme të kemi një qëndrim pozitiv, duke kuptuar se ndarja e së vërtetës me të tjerët është si një privilegj, ashtu edhe një detyrë. Në shekullin e parë të e.s., shumica e njerëzve e refuzuan Fjalën e Perëndisë. Por, me gjithë kundërshtimin, kishte nga ata ‘që ishin të prirur siç duhet për jetën e përhershme dhe u bënë besimtarë’. (Veprat 13:48, 50, BR; Ve 14:1-5). Sot situata është e ngjashme. Edhe pse shumë e refuzojnë të vërtetën e Biblës, ne vazhdojmë të kërkojmë ata që do të reagojnë në mënyrë të favorshme.—Mateu 10:11-13.

Fjalimi vijues trajtoi sfidën e arritjes së të tjerëve me mesazhin e jetës. Meqë tani është më e vështirë t’i gjejmë njerëzit në shtëpi, duhet të punojmë në mënyrë të plotë dhe me mendjemprehtësi, nëse duam të arrijmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur me mesazhin e Mbretërisë. Në shumë vende, lajmëtarët e lajmit të mirë arrijnë rezultate të shkëlqyera me anë të dëshmisë me telefon dhe duke predikuar në territorin tregtar, duke arritur në këtë mënyrë ata që kontaktohen me vështirësi në vende të tjera.

Fjalimi me titull «T’u mësojmë dishepujve gjithçka që urdhëroi Krishti», u përqendrua mbi faktin se sa e rëndësishme është të bëhemi të aftë në shërbimin tonë. Aftësitë tona të mësimdhënies shtohen, ndërsa mësojmë nga të tjerët dhe zbatojmë stërvitjen e shkëlqyer që marrim në mbledhjet e kongregacionit. Duke u bërë të aftë në mësimdhënien tonë, gjejmë gëzim e kënaqësi më të madhe në veprën që bëjmë për të ndihmuar njerëzit që të mësojnë të vërtetën biblike.

Sesioni i paradites u mbyll me një fjalim mbi domethënien e dedikimit dhe të pagëzimit. Një nga argumentet e paraqitura nga oratori ishte se, nëse i besojmë plotësisht Perëndisë dhe përpiqemi me zell për të bërë vullnetin e tij, ai do të na bekojë dhe do të na mbështetë. Njeriu i mençur shkroi: «Në të gjitha udhët e tua vërja veshin atij [Perëndisë] dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:6, BR) Vetë pagëzimi i gëzueshëm ishte një pikë kulmore e kongresit që demonstroi se shumë veta kishin filluar të përputheshin me udhën hyjnore të jetës.

Pas intervalit të drekës, sesioni i pasdites filloi me fjalimin «Të shërbejmë me sytë nga jeta e pafundme». Qëllimi i Perëndisë për të pasur njerëz të bindur që t’i shërbejnë atij përgjithmonë mbi tokë do të përmbushet. Sa e përshtatshme është, pra, që t’i përqendrojmë mendimet, planet dhe shpresat tona në shërbimin e Jehovait me sytë nga përjetësia! Ndërkohë që duam ta mbajmë mirë në mend «ditën e Jehovait», është jetësore të kujtojmë se synimi ynë është të shërbejmë në përjetësi. (2. Pjetrit 3:12) Mosnjohja e kohës së saktë se kur Jezui do të ekzekutojë hakmarrjen e Perëndisë na mban vigjilentë dhe na jep mundësi të përditshme për të provuar se i shërbejmë Jehovait me motive joegoiste.

Dy fjalimet që pasuan morën në shqyrtim kapitullin 4 të letrës së Pavlit drejtuar efesianëve. Mes gjërave që u shqyrtuan ishte bekimi që kemi në «dhuratat në njerëz», burra të kualifikuar frymësisht, të cilët janë të emëruar nga fryma e shenjtë. Këta pleq sigurojnë këshilla dhe drejtim për dobinë tonë frymore. Letra e frymëzuar e Pavlit i nxit, gjithashtu, të krishterët që të veshin «personalitetin e ri». (Efesianëve 4:8, 24, BR) Një personalitet i perëndishëm përfshin cilësi, të tilla si: dhembshuria, dashamirësia, përulësia e mendjes, butësia, shpirtmadhësia dhe dashuria.—Kolosianëve 3:12-14.

Të mbahemi shumë vigjilentë ndaj mënyrës se si ecim përfshin edhe ta mbajmë veten të panjollosur nga bota, gjë që përbënte temën e fjalimit vijues. Duhet drejtpeshim në zgjedhjen e zbavitjes, aktiviteteve shoqërore dhe synimeve materiale. Duke zbatuar këshillën që gjejmë në Jakovin 1:27 për t’u mbajtur të panjollosur nga bota, kemi një qëndrim të pastër para Perëndisë dhe një ndërgjegje të mirë. Gjithashtu, mund të bëjmë edhe një jetë me qëllim dhe do të bekohemi me paqe, begati frymore dhe shoqëri të mrekullueshme.

Më pas vijoi një simpozium prej tri pjesësh me titull «Të rinj: Ndiqni udhën e Perëndisë». Duke e ditur se Perëndia i do të rinjtë dhe vlerëson përpjekjet që bëjnë për të mbajtur lart adhurimin e pastër, ata duhet t’i stërvitin aftësitë e tyre perceptuese për t’i shërbyer atij plot besim. Një mënyrë për t’i zhvilluar aftësitë preceptuese është që të lexohet përditë Fjala e Perëndisë dhe të meditohet mbi të. Nëse bëjmë këtë, mund të arrijmë të njohim udhët e Jehovait. (Psalmi 119:9-11) Aftësitë perceptuese zhvillohen, gjithashtu, duke pranuar këshillat e pjekura nga prindërit, nga pleqtë dhe në botimet e Shoqatës. Me anë të përdorimit në mënyrën e duhur të aftësive të tyre perceptuese, të rinjtë i rezistojnë shqetësimit të tepërt në lidhje me zotërimet materiale, të folurit pa respekt dhe teprimit në zbavitje që karakterizojnë këtë botë të larguar nga Perëndia. Duke ndjekur udhën hyjnore të jetës, si të rinjtë, ashtu edhe të moshuarit, mund të kenë sukses të vërtetë.

Fjalimi përmbyllës i ditës ishte «Krijuesi: Personaliteti dhe udhët e tij». Pasi theksoi se miliarda njerëz nuk e njohin Krijuesin, oratori tha: «Domethënia e vërtetë në jetë lidhet me njohjen e Krijuesit, Perëndisë tonë personal; me njohjen e personalitetit të tij dhe me bashkëpunimin me udhët e tij. . . . Ka fakte mbi botën tonë dhe mbi ne që mund t’i përdorim për të ndihmuar njerëzit që të pranojnë Krijuesin dhe të gjejnë domethënie në lidhje me të.» Pastaj oratori trajtoi dëshmitë që tregojnë ekzistencën e një Krijuesi të dashur e të mençur. Fjalimi arriti kulmin e tij me prezantimin e një libri të ri: A ka një Krijues që interesohet për ju?

«Kjo është udha. Ecni në të»

Kjo ishte tema e ditës së tretë të kongresit. (Isaia 30:21, BR) Programi filloi me një simpozium entuziazmues prej tri fjalimesh, të përqendruar mbi vizionin e Ezekielit për tempullin. Ky vizion ka një domethënie të madhe për popullin e Perëndisë sot, meqë lidhet me adhurimin e pastër në kohën tonë. Një pikë kyçe për kuptueshmërinë e vizionit është kjo: tempulli i madh frymor i Jehovait paraqet rregullimin e tij për adhurimin e pastër. Gjatë trajtimit të aspekteve të vizionit, dëgjuesit medituan mbi aktivitetin e tyre në mbështetje të veprës së bërë nga mbikëqyrësit e dashur, që i përkasin mbetjes së mirosur dhe nga anëtarët e ardhshëm të klasës së prijësit.

Më pas, gjatë paradites, pati një dramë interesante biblike, ku luanin personazhe me kostume. Drama titullohej: «Familje: Bëjeni leximin e përditshëm të Biblës një shprehi në udhën tuaj të jetës!» Aty portretizohej besimi dhe guximi i tre hebrenjve që refuzuan t’i përkuleshin shëmbëlltyrës prej ari që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor i Babilonisë. Synimi i dramës ishte që të demonstronte se Bibla jo vetëm që është një libër i historisë së lashtë, por këshillat e saj janë vërtet të dobishme sot si për të rinjtë, ashtu edhe për të rriturit.

Sesioni i pasdites ishte koha për fjalimin publik «E vetmja udhë drejt jetës së përhershme». Pasi analizoi historinë e rënies së njerëzimit në mëkat dhe vdekje, oratori përfundoi me këto fjalë që të vinin në mendime: «Shkrimi biblik si temë e kësaj dite të kongresit ka qenë Isaia, kapitulli 30, vargu 21, që thotë: “Dhe veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga. Ecni në të ju njerëz’, në rastin kur do të shkoni djathtas apo në rastin kur do të shkoni majtas.” (BR) Si e dëgjojmë ne zërin e tij? Duke dëgjuar Fjalën e Perëndisë, Biblën e Shenjtë dhe duke ndjekur drejtimin që Mësuesi ynë i Madh, Perëndia Jehova, siguron përmes saj dhe përmes organizatës së tij të krishterë të ditëve moderne. Vërtet, bërja e kësaj është e vetmja udhë drejt jetës së përhershme.»

Pas përmbledhjes së artikullit të studimit të Kullës së Rojës për atë javë vijoi fjalimi përmbyllës, i titulluar «Vazhdoni të ecni në udhën e Jehovait». Pjesërisht, aty u rishikuan pikat kryesore të programit. Pastaj oratori paraqiti një rezolutë që shprehte vendosmërinë për të vazhduar jetesën në udhën hyjnore.

Rezoluta përfundonte me këto fjalë prekëse: «Jemi të bindur që jetesa sipas parimeve, këshillave dhe paralajmërimeve biblike përbën udhën më të mirë të jetës sot dhe vendos një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të mbajmë mirë parasysh jetën e vërtetë. Mbi të gjitha, e bëjmë këtë rezolutë sepse e duam Perëndinë Jehova me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë!» Të gjithë të pranishmit e vërtetuan miratimin e tyre me një po kumbuese!

[Kutia dhe figura në faqen 8]

A ka një Krijues që interesohet për ju?

Libri i ri që mban këtë titull paraqet dëshmi bindëse të ekzistencës së Krijuesit, Jehovait dhe shqyrton cilësitë e tij. Ai është projektuar veçanërisht për ata që kanë arsim të konsiderueshëm në çështjet e botës, por që nuk besojnë te Perëndia. Ky libër me 192 faqe do të përforcojë edhe besimin e individëve që tashmë besojnë te Perëndia, duke ndërtuar vlerësimin për personalitetin dhe për udhët e tij.

Libri A ka një Krijues që interesohet për ju? nuk e supozon që lexuesi beson në Perëndinë. Në vend të kësaj, ai shqyrton se si zbulimet shkencore dhe konceptet e kohëve të fundit dëshmojnë për ekzistencën e Krijuesit. Disa kapituj janë: «Ç’gjë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?», «Si erdhi universi ynë këtu?: Debati» dhe «Sa unikë jeni!» Kapituj të tjerë marrin në shqyrtim se përse mund të jemi të sigurt që Bibla ka frymëzim hyjnor. Libri i ri jep, gjithashtu, një vështrim të përgjithshëm të Biblës, e cila zbulon personalitetin dhe udhët e Krijuesit. Libri jo vetëm që shtjellon se përse Perëndia ka lejuar kaq shumë vuajtje, por shpjegon edhe se si do t’u japë fund atyre përgjithmonë.

[Figurat në faqen 7]

Shumë veta u pagëzuan

[Figurat në faqen 7]

Broshura e re u prezantua nga A. D. Schroeder, një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait

[Figurat në faqet 8, 9]

Një dramë rrëqethëse inkurajoi leximin e përditshëm të Biblës

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo