Mbrojtja ligjore e lajmit të mirë
PËR SA kohë që njeriu ka ndërtuar qytete, ka ndërtuar edhe mure. Këto fortifikata ishin një mbrojtje veçanërisht në të kaluarën. Nga maja e kësaj pengese, mbrojtësit mund të luftonin për të mbrojtur muret, në mënyrë që sulmuesit të mos i prishnin ose t’i rrëzonin ato. Brenda mureve gjetën mbrojtje jo vetëm banorët e qytetit, por shpesh kanë gjetur strehim edhe ata që banonin në fshatrat përreth.—2. Samuelit 11:20-24; Isaia 25:12.
Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndërtuar një mur, një mur ligjor, mbrojtës. Ky mur nuk është ngritur që të izolojë Dëshmitarët nga pjesa tjetër e shoqërisë, pasi Dëshmitarët e Jehovait njihen si njerëz të shoqërueshëm dhe miqësorë. Më saktë, ai përforcon garancitë ligjore të lirive themelore për të gjithë njerëzit. Në të njëjtën kohë, ai mbron të dretat ligjore të Dëshmitarëve, në mënyrë që ata të mund ta kryejnë lirisht adhurimin e tyre. (Krahaso Mateun 5:14-16.) Ky mur mbron mënyrën e tyre të adhurimit dhe të drejtën e tyre për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ç’është ky mur dhe si është ndërtuar?
Ndërtimi i një muri ligjor mbrojtës
Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë liri fetare në vende të shumta, në disa vende ata kanë qenë objekt i sulmeve të pathemelta. Kur liria e tyre për të adhuruar, duke u mbledhur së bashku ose duke predikuar nga shtëpia në shtëpi, është vënë në dyshim, ata u kanë rënë pas çështjeve në rrugë ligjore. Në të gjithë tokën janë numëruar me mijëra çështje ligjore që përfshinin Dëshmitarët.a Jo të gjitha janë fituar. Por, kur gjykatat e shkallëve më të ulta kanë dhënë vendime kundër tyre, shpesh ata kanë apeluar në gjykatat e shkallëve më të larta. Me çfarë rezultati?
Gjatë dekadave të shekullit të 20-të, fitoret ligjore në shumë vende kanë vendosur precedentë të besueshëm që Dëshmitarët e Jehovait i kanë përdorur në çështjet e mëpasshme. Si tullat ose gurët që ngrenë një mur, këto vendime të favorshme ndërtojnë një mur ligjor mbrojtës. Nga maja e këtij muri precedentësh, Dëshmitarët kanë vazhduar të luftojnë për lirinë fetare për të praktikuar adhurimin e tyre.
Shqyrto si një shembull, çështjen e Mardok kundër Komonuelthit të Pensilvanisë, e cila u vendos prej Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara më 3 maj 1943. Pyetja që u ngrit në këtë çështje ishte kjo: A duhet të marrin Dëshmitarët e Jehovait një licensë tregtare shitjeje për shpërndarjen e literaturës së tyre fetare? Dëshmitarët e Jehovait pohonin, se ata nuk duhet të detyroheshin të bënin një gjë të tillë. Vepra e tyre e predikimit nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë tregtare. Objektivi i tyre nuk është që të bëjnë para, por të predikojnë lajmin e mirë. (Mateu 10:8; 2. Korintasve 2:17) Në vendimin e çështjes Mardok, gjykata ishte në përputhje me Dëshmitarët, duke e quajtur antikushtetuese çdo kërkesë për pagimin e taksës së licensës si një kusht paraprak për të shpërndarë literaturë fetare.b Ky vendim krijoi një precedent të rëndësishëm dhe që atëherë Dëshmitarët e kanë përdorur me sukses atë si një burim të besueshëm në shumë çështje. Vendimi i çështjes Mardok rezultoi të ishte një tullë e rëndësishme në murin ligjor mbrojtës.
Çështje të tilla kanë kontribuar shumë për të mbrojtur lirinë fetare për të gjithë njerëzit. Në lidhje me kontributin e bërë nga Dëshmitarët, në mbrojtje të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Universiteti i Cincinnati Law Review tha: «Dëshmitarët e Jehovait kanë pasur një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e ligjit kushtetues, veçanërisht duke zgjeruar kufijtë e mbrojtjes së fjalës dhe fesë.»
Forcimi i murit
Me çdo fitore ligjore muri bëhet më i fortë. Shqyrto disa vendime që janë marrë në vitet 90, të cilat kanë qenë në dobi të Dëshmitarëve të Jehovait, si edhe të dashuruesve të tjerë të lirisë kudo nëpër botë.
Greqi. Më 25 maj 1993, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbështeti të drejtën e një qytetari grek për t’u mësuar të tjerëve bindjet e tij fetare. Çështja përfshinte Minos Kokinakis, në atë kohë 84 vjeç. Si një Dëshmitar i Jehovait, Kokinakis ishte arrestuar më shumë se 60 herë që nga viti 1938, e kishin nxjerrë para gjykatës greke 18 herë dhe kishte bërë më shumë se gjashtë vjet burg. Ai ishte shpallur fajtor kryesisht sipas një ligji grek të vitit 1930 që ndalonte prozelitizmin, një ligj që ishte përgjegjës për rreth 20.000 arrestime të Dëshmitarëve të Jehovait nga viti 1938 deri në vitin 1992. Gjykata Evropiane vendosi se qeveria greke kishte dhunuar lirinë fetare të Kokinakis dhe i caktoi që të marrë një dëmshpërblim prej 14.400 dollarësh. Në vendimin e saj, Gjykata vendosi se Dëshmitarët e Jehovait janë në të vërtetë një «fe e pranuar».—Shiko Kullën e Rojës së 1 shtatorit 1993, faqe 27-31, anglisht.
Meksikë. Më 16 korrik 1992, në Meksikë, u ndërmor një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë fetare. Në atë datë u miratua ligji për Shoqëritë Fetare dhe Adhurimin Publik. Përmes këtij ligji, një grup fetar mund të fitojë status ligjor si një institucion fetar, duke siguruar regjistrimin e kërkuar. Më parë, Dëshmitarët e Jehovait, ashtu si fe të tjera në këtë vend, ekzistonin de facto, por nuk kishin një status ligjor. Më 13 prill 1993, Dëshmitarët kërkuan regjistrimin. Lumturisht, më 7 maj 1993 ata u regjistruan ligjërisht si La Torre del Vigía, A. R. dhe Los Testigos de Jehová en México, A. R., të cilat janë që të dyja shoqëri fetare.—Shiko Zgjohuni!, 22 korrik 1994, faqe 12-14, anglisht.
Brazil. Në nëntor të vitit 1990, Instituti Kombëtar për Sigurinë Sociale i Brazilit (INNS) njoftoi Zyrën e Degës së Watch Tower Society, se shërbëtorët vullnetarë në Bethel (emri i ndërtesave të degës së Dëshmitarëve të Jehovait) nuk do të konsiderohen më si shërbëtorë fetarë dhe si pasojë do t’u nënshtrohen ligjeve braziliane për fuqinë punëtore. Dëshmitarët apeluan për këtë vendim. Më 7 qershor 1996, Këshilli Ligjor i Zyrës së Ministrit të Drejtësisë së Brazilias dha një vendim në favor të pozicionit të shërbëtorëve në Bethel, si anëtarë të një urdhri fetar të ligjshëm dhe jo si punonjës jofetar.
Japoni. Më 8 mars 1996, Gjykata Supreme e Japonisë shpalli një vendim në lidhje me çështjen e arsimimit dhe lirisë fetare, për dobi të të gjithë njerëzve në Japoni. Gjykata vendosi unanimisht se duke përjashtuar Kunihito Kobajashin, për shkak se ai kishte refuzuar të merrte pjesë në stërvitjen e arteve marciale, Kolegji Industrialo-Teknik i Bashkisë së Kobes kishte dhunuar ligjin. Kjo ishte hera e parë që Gjykata Supreme jepte një vendim të bazuar në lirinë fetare të garantuar nga Kushtetuta e Japonisë. Duke ndjekur ndërgjegjen e tij të stërvitur nga Bibla, ky i ri Dëshmitar kuptoi se këto ushtrime nuk ishin në harmoni me parime të tilla biblike si ajo që gjendet në Isainë 2:4, në të cilën thuhet: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj, një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojë më luftën.» Vendimi i Gjykatës vendosi një precedent për çështjet e ardhshme.— Shiko Kullën e Rojës, 1 nëntor 1996, faqe 19-21.
Më 9 shkurt 1998, Gjykata e Lartë e Tokios shpalli një tjetër vendim të paharrueshëm që mbështeste të drejtën e një Dëshmitareje, të quajtur Misae Takeda, për të refuzuar trajtimin mjekësor që nuk është në harmoni me urdhërimin e Biblës për ‘të hequr dorë nga gjaku’. (Veprat 15:28, 29) Ky rast i është apeluar Gjykatës Supreme dhe mbetet për t’u parë nëse ajo do të mbështetë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Filipine. Në një vendim të shpallur më 1 mars 1993, Gjykata Supreme e Filipineve vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në një çështje që përfshinte të rinjtë Dëshmitarë, të cilët ishin përjashtuar nga sholla për shkak se në mënyrë të respektueshme nuk pranuan të nderonin flamurin.
Çdo vendim i favorshëm gjykate është si një gur shtesë ose si një tullë, e cila forcon murin ligjor që mbron të drejtat jo vetëm të Dëshmitarëve të Jehovait, por të të gjithë njerëzve.
Mbrojtja e murit
Dëshmitarët e Jehovait janë të regjistruar ligjërisht në 153 vende, duke gëzuar në mënyrë të ligjshme shumë liri, siç bëjnë edhe fetë e tjera të regjistruara. Pas dekadash persekutimi dhe ndalimi në Evropën Lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik, Dëshmitarët e Jehovait janë tani të njohur ligjërisht në vende të tilla si: Bjellorusia, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kirgiztani, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia dhe Shqipëria. Megjithatë, në disa vende sot, duke përfshirë edhe disa vende të Evropës Perëndimore, që kanë sisteme ligjore të vendosura prej shumë kohësh, të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait po vihen në dyshim ose mohohen seriozisht. Kundërshtarët janë duke u përpjekur aktivisht që ‘të kurdisin telashe me dekret’ kundër Dëshmitarëve. (Psalmi 94:20 BR). Si reagojnë këta?c
Dëshmitarët e Jehovait duan të bashkëpunojnë me të gjitha qeveritë, por ata duan që të kenë edhe lirinë ligjore për ta praktikuar adhurimin e tyre. Është bindja e tyre e sigurt se çdo ligj ose vendim gjykate që do t’i ndalojë ata për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë, duke përfshirë urdhërimin për të predikuar lajmin e mirë, është i pavlefshëm. (Marku 13:10) Nëse nuk mund të arrihen marrëveshje miqësore, Dëshmitarët e Jehovait do të marrin iniciativën e duhur në arenën ligjore, duke ndjekur të gjitha masat e nevojshme të apelimit që të fitojnë mbrojtje ligjore për të drejtën e tyre të dhënë nga Perëndia, për të praktikuar adhurimin e tyre. Dëshmitarët e Jehovait kanë siguri të plotë në premtimin e Perëndisë: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—Isaia 54:17.
[Shënimet]
a Për një shqyrtim të detajuar të dokumentimit ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait, të lutemi shiko kapitullin 30 të librit Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Në vendimin e çështjes Mardok, Gjykata Supreme përmbysi vetë qëndrimin e saj në çështjen e Xhons kundër Qytetit Opelika. Në çështjen Xhons, në vitin 1942, Gjykata e Lartë kishte mbështetur vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte shpallur fajtor Rosko Xhons, një Dëshmitar të Jehovait, për përfshirje në shpërndarjen e literaturës në rrugët e Opelikës, Alabamë, pa paguar taksën e licensës.
c Shiko artikujt «Të urryer për besimin e tyre» dhe «Të mbrojmë besimin tonë» në faqet 8-18.
[Kutia në faqen 21]
Në mbrojtje të të drejtave të Dëshmitarëve të Jehovait
Si pasojë e persekutimit kundër Dëshmitarëve të Jehovait, ata kanë qenë të detyruar të paraqiten përpara gjykatësve dhe zyrtarëve të qeverisë në mbarë botën. (Luka 21:12, 13) Dëshmitarët e Jehovait kanë punuar me zell për të mbrojtur ligjërisht të drejtat e tyre. Fitoret gjyqësore në shumë vende kanë ndihmuar për të mbrojtur lirinë ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, duke përfshirë të drejtën e tyre:
◻ për të predikuar nga shtëpia në shtëpi të lirë nga kufizimet e vëna mbi shitësit tregtar—Mardok kundër Komonuelthit të Pensilvanisë, Gjykata Supreme e SHBA (1943); Kokinakis kundër Greqisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) (1993).
◻ për t’u mbledhur lirisht për të adhuruar—Manousakis dhe të tjerë kundër Greqisë, ECHR (1996).
◻ për të vendosur se si mund të tregojnë, në mënyrë të ndërgjegjshme, respekt për flamurin ose emblemën kombëtare—Drejtoria Shtetërore e Arsimit në Virxhinian Perëndimore kundër Barnete, Gjykata Supreme e SHBA-së (1943); Gjykata Supreme e Filipineve (1993); Gjykata Supreme e Indisë (1986).
◻ për të refuzuar shërbimin ushtarak që dhunon ndërgjegjen e tyre të krishterë—Georgiadis kundër Greqisë, ECHR (1997).
◻ për të zgjedhur trajtime dhe ilaçe që nuk e dhunojnë ndërgjegjen e tyre—Malete kundër Shulman, Ontario, Kanada, Gjykata e Apelit (1990); Watch Tower kundër E.L.A., Gjykata e Lartë, San Huan, Porto Riko (1995); Fosmir kundër Nikolau, Nju Jork, SHBA, Gjykata e Apelit (1990).
◻ për të rritur fëmijët sipas bindjeve të tyre të bazuara në Bibël, edhe kur këto bindje vihen në dyshim në konfliktet për kujdestarinë e fëmijës—San-Loran kundër Susi, Gjykata Supreme e Kanadasë (1997); Hofman kundër Austrisë, ECHR (1993).
◻ për të pasur dhe drejtuar agjenci të ligjshme që kanë të njëjtat përjashtime nga taksat që u janë dhënë edhe agjencive të përdorura nga fetë e tjera të njohura ligjërisht—Shteti i Nju Jorkut kundër Hering, SHBA, Gjykata e Apelit (1960).
◻ për të marrë, për ata që janë emëruar në ndonjë lloj shërbimi special në kohë të plotë, të njëjtin trajtim takse të favorshme që u është dhënë edhe punonjësve fetarë në kohë të plotë të feve të tjera—Instituti Kombëtar për Sigurinë Sociale të Brazilit, Brazilia, (1996).
[Figura në faqen 20]
Minos Kokinakis me gruan e tij
[Figura në faqen 20]
Kunihito Kobajashi
[Burimi i figurës në faqen 19]
Enciklopedia e Plotë e Ilustrimeve/J. G. Heck