BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/11 f. 8-13
  • A do t’i rezistojë zjarrit vepra jote?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A do t’i rezistojë zjarrit vepra jote?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të hedhim themelin e duhur
  • Të ndërtojmë me materialet e duhura
  • A do t’i rezistojë zjarrit vepra jote?
  • Kush është përgjegjës?
  • T’i ndihmojmë njerëzit që t’i afrohen Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Libri biblik numër 47​—2 Korintasve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Libri biblik numër 46​—1 Korintasve
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Vazhdo të bësh çmos për të arritur shpëtimin tënd!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/11 f. 8-13

A do t’i rezistojë zjarrit vepra jote?

«Secili le të vazhdojë të vëzhgojë se si po ndërton mbi [themelin].»—1. KORINTASVE 3:10, BR.

1. Çfarë shprese ushqejnë të krishterët besimplotë në lidhje me dishepujt e ardhshëm?

NJË çift i krishterë vështron fëmijën që sapo u ka lindur. Një lajmëtar i Mbretërisë sheh shprehjen e etshme dhe plot interesim të fytyrës së një studenti të Biblës. Një plak i krishterë, duke mësuar nga podiumi, vëren në auditor një individ të sapointeresuar që kërkon me zell shkrimet në Biblën e tij. Këta shërbëtorë besimplotë të Jehovait i kanë zemrat plot shpresë. Në mënyrë të natyrshme ata pyesin veten: ‘A do të arrijë ky person ta dojë dhe t’i shërbejë Jehovait, e të qëndrojë besimplotë?’ Sigurisht që një rezultat i tillë nuk vjen automatikisht. Kërkohet punë për ta arritur atë.

2. Si ua rikujtoi apostulli Pavël të krishterëve hebrenj rëndësinë e veprës së mësimdhënies dhe çfarë vetëshqyrtimi mund të na nxitë të bëjmë kjo gjë?

2 Duke qenë vetë një mësues i zoti, apostulli Pavël zbuloi rëndësinë e veprës së mësimdhënies dhe të bërjes së dishepujve, kur shkroi: «Ju duhet të jeni mësues, duke pasur parasysh kohën.» (Hebrenjve 5:12, BR) Të krishterët, të cilëve iu drejtua ai, kishin bërë pak progres, po të merret parasysh se nga sa kohë ishin besimtarë. Në vend që të ishin gati të mësonin të tjerët, ata kishin nevojë t’u rikujtoheshin aspektet themelore të së vërtetës. Sot, të gjithë ne bëjmë mirë që herë pas here të analizojmë aftësitë tona si mësues dhe të shohim se si mund të bëjmë përmirësime. Janë në lojë jetë njerëzish. Çfarë mund të bëjmë?

3. (a) Me çfarë e krahasoi apostulli Pavël procesin e bërjes së një dishepulli të krishterë? (b) Si ndërtues të krishterë, cilin privilegj të madh kemi ne?

3 Në një ilustrim të zgjeruar, Pavli e krahasoi bërjen e dishepujve me procesin e ngritjes së një ndërtese. Ai filloi duke thënë: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. Ju jeni fusha e Perëndisë nën kultivim, ndërtesa e Perëndisë.» (1. Korintasve 3:9, BR) Kështu, ne marrim pjesë në një vepër ndërtimi që përfshin njerëz, ndihmojmë që ata të ndërtohen si dishepuj të Krishtit. Këtë e bëjmë si bashkëpunëtorë të Atij që «ka ndërtuar gjithçka». (Hebrenjve 3:4) Çfarë privilegji! Le të shohim se si mund të na ndihmojë këshilla e frymëzuar që Pavli u dha korintasve, për t’u bërë më të aftë në veprën tonë. Do të përqendrohemi veçanërisht në «artin e mësimdhënies».—2. Timoteut 4:2, BR.

Të hedhim themelin e duhur

4. (a) Cili ishte roli i Pavlit në veprën e krishterë të ndërtimit? (b) Pse mund të thuhet se, si Jezui, ashtu dhe auditori i tij e dinin rëndësinë e themeleve të forta?

4 Nëse duam që një ndërtesë të jetë e qëndrueshme dhe e durueshme, ajo duhet të ketë një themel të fortë. Kështu, Pavli shkroi: «Sipas dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë që m’u dha, si një drejtues i mençur i veprave, unë hodha një themel.» (1. Korintasve 3:10, BR) Duke përdorur një ilustrim të ngjashëm, Jezu Krishti foli për një shtëpi që i kishte mbijetuar një stuhie, sepse ndërtuesi i saj kishte hedhur një themel të fortë. (Luka 6:47-49) Jezui dinte gjithçka për rëndësinë e themeleve. Ai ishte i pranishëm kur Jehovai themeloi vetë tokën.a (Proverbat [Fjalët e urta] 8:29-31) Edhe auditori i Jezuit e dinte vlerën e themeleve të forta. Vetëm shtëpitë me themele të forta mund t’i mbijetonin vërshimeve të menjëhershme dhe tërmeteve që ndodhnin herë pas here në Palestinë. Por cili ishte themeli që kishte ndër mend Pavli?

5. Kush është themeli i kongregacionit të krishterë dhe si u paratha kjo?

5 Pavli shkroi: «Askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.» (1. Korintasve 3:11) Kjo nuk ishte hera e parë që Jezui ishte krahasuar me një themel. Në fakt, në Isainë 28:16 u paratha: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja ku po hedh si një themel në Sion një gur, një gur të sprovuar, qoshen e çmuar të një themeli të sigurt.’» Jehovai e kishte pasur si qëllim nga shumë kohë që Biri i tij të bëhej themeli i kongregacionit të krishterë.—Psalmi 118:22; Efesianëve 2:19-22; 1. Pjetrit 2:4-6.

6. Në ç’mënyrë apostulli Pavël hodhi themelin e duhur te të krishterët korintas?

6 Cili është themeli për të krishterët individualë? Siç tha Pavli, nuk ka asnjë themel tjetër për një të krishterë të vërtetë përveç atij themeli që është hedhur në Fjalën e Perëndisë, Jezu Krishtit. Me siguri, Pavli hodhi një themel të tillë. Në Korint, ku filozofia vlerësohej shumë, ai nuk u përpoq t’u bënte përshtypje njerëzve duke përdorur mençurinë botërore. Përkundrazi, Pavli predikoi «Krishtin e vënë në shtyllë», gjë që kombet e hodhën poshtë si një «marrëzi» të madhe. (1. Korintasve 1:23, BR) Pavli mësoi se Jezui është figura qendrore në qëllimet e Jehovait.—2. Korintasve 1:20; Kolosianëve 2:2, 3.

7. Çfarë mund të mësojmë nga referimi që i bëri Pavli vetes si «një drejtues i mençur i veprave»?

7 Pavli vërejti se ai e dha një mësim të tillë «si një drejtues i mençur i veprave». Këtë pohim ai nuk e bëri i shtyrë nga ‘uni’. Kjo ishte thjesht një njohje e dhuratës së mrekullueshme që i kishte dhënë Jehovai, atë të organizimit ose të drejtimit të veprës. (1. Korintasve 12:28) Kuptohet, sot ne nuk i kemi dhuratat e mrekullueshme që iu dhanë të krishterëve të shekullit të parë. E mund të mos e mendojmë veten si mësues që spikatin. Por në një kuptim të rëndësishëm ne jemi të tillë. Mendo: Jehovai na jep frymën e tij të shenjtë për të na ndihmuar. (Krahaso Lukën 12:11, 12.) Kemi dashuri për Jehovain dhe njohuri të mësimeve themelore të Fjalës së tij. Këto janë vërtet dhurata të mrekullueshme për t’i përdorur kur mësojmë të tjerët. Le të vendosim t’i përdorim ato për të hedhur themelin e duhur!

8. Në ç’mënyrë e hedhim si themel Krishtin te dishepujt e ardhshëm?

8 Kur hedhim si themel Krishtin, ne nuk e paraqesim atë si një foshnjë të pambrojtur në një grazhd dhe as si të barabartë me Jehovain në një trinitet. Jo, këto nocione jobiblike përbëjnë një themel për të krishterët e rremë. Në vend të kësaj, ne mësojmë se ai ishte njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, se dha jetën e tij të përsosur për ne dhe se sot ai është Mbreti i emëruar i Jehovait, i cili mbretëron në qiell. (Romakëve 5:8; Zbulesa 11:15) Ne përpiqemi edhe t’i motivojmë studentët tanë që të ecin në gjurmët e Jezuit dhe të imitojnë cilësitë e tij. (1. Pjetrit 2:21) Duam që ata të nxiten thellë nga zelli i Jezuit për shërbimin, nga dhembshuria e tij për të përulurit dhe të shtypurit, nga mëshira e tij ndaj mëkatarëve të dërrmuar prej vetë fajit të tyre, nga guximi i tij i patundur përballë sprovave. Vërtet, Jezui është një themel madhështor. Por çfarë vjen më pas?

Të ndërtojmë me materialet e duhura

9. Edhe pse Pavli ishte kryesisht një themelues, çfarë shqetësimi kishte ai për ata që kishin pranuar të vërtetën që u kishte mësuar?

9 Pavli shkroi: «Tani, nëse dikush ndërton mbi themel ar, argjend, gurë të çmuar, materiale druri, sanë, kashtë, vepra e secilit do të bëhet e dukshme, sepse dita do ta tregojë, pasi do të zbulohet me anë të zjarrit dhe vetë zjarri do të provojë se çfarë lloj vepre është vepra e secilit.» (1. Korintasve 3:12, 13, BR) Çfarë donte të thoshte Pavli? Shqyrto rrethanat. Pavli ishte kryesisht një themelues. Në udhëtimet e tij misionare, ai udhëtoi nga një qytet në tjetrin, duke u predikuar shumë njerëzve që nuk kishin dëgjuar kurrë për Krishtin. (Romakëve 15:20) Dora-dorës që njerëzit pranonin të vërtetën e mësuar prej tij, u formuan kongregacione. Pavli interesohej thellësisht për këta njerëz besimplotë. (2. Korintasve 11:28, 29) Megjithatë, vepra e tij i kërkonte që të transferohej. Kështu që pasi kaloi 18 muaj duke hedhur themelin në Korint, ai u largua për të predikuar në qytete të tjera. Sidoqoftë, ai ishte shumë i interesuar se si e çonin më tej të tjerët veprën që kishte bërë atje.—Veprat 18:8-11; 1. Korintasve 3:6.

10, 11. (a) Si i vuri në kontrast Pavli llojet e ndryshme të materialeve të ndërtimit? (b) Çfarë lloj materialesh reale ndërtimi ka të ngjarë të kenë ekzistuar në Korintin e lashtë? (c) Cilat lloje ndërtesash ka më shumë të ngjarë të jenë zjarrduruese dhe çfarë mësimi siguron kjo për bërësit e krishterë të dishepujve?

10 Duket se disa që po ndërtonim mbi themelin që kishte hedhur Pavli në Korint, po bënin një punë të dobët. Për ta nxjerrë në shesh problemin, Pavli vë në kontrast dy lloj materialesh ndërtimi: nga njëra anë arin, argjendin dhe gurët e çmuar dhe nga ana tjetër drurin, sanën dhe kashtën. Një ndërtesë mund të ngrihet me materiale zjarrduruese, të forta e të durueshme ose mund të ngrihet dosido duke përdorur materiale të lira, të përkohshme e të djegshme. Një qytet aq i madh sa Korinti pa dyshim që kishte me bollëk ndërtesa të të dyja llojeve. Aty kishte tempuj madhështorë të bërë me blloqe masive e të kushtueshme gurësh, ndoshta të veshur ose të zbukuruar me ar dhe argjend.b Këto ndërtesa të durueshme me sa duket qëndronin të madhërishme mbi barakat, kolibet dhe tezgat e tregut, të bëra me struktura druri të palatuar, të mbuluara me kashtë si çati.

11 Çfarë do t’u ndodhte këtyre ndërtesave po të binte një zjarr? Përgjigjja ishte po aq e qartë në ditët e Pavlit, sa ç’është në ditët tona. Në fakt, qyteti i Korintit ishte pushtuar dhe i ishte vënë zjarri nga gjenerali romak Mumiusi, në vitin 146 p.e.s. Shumë struktura druri, sane ose kashte, patjetër që ishin shkatërruar plotësisht. Po ndërtesat e forta prej guri, të zbukuruara me argjend dhe ar? Këto, pa dyshim kishin mbijetuar. Studentët e Pavlit në Korint fare mirë mund të kenë kaluar çdo ditë para ndërtesave të tilla; ndërtesa krenare prej guri që i kishin mbijetuar katastrofave, të cilat ua kishin kaluar nga një kohë e gjatë fqinjëve të tyre më pak të durueshëm. Sa qartë e theksoi, pra, Pavli thelbin e diskutimit të tij! Kur mësojmë të tjerët ne duhet ta konsiderojmë veten si ndërtues. Duam të punojmë me materialet më të mira e më të durueshme që gjenden. Në këtë mënyrë vepra jonë ka më shumë të ngjarë që të mbetet. Cilat janë këto materiale të durueshme dhe pse është jetësor përdorimi i tyre?

A do t’i rezistojë zjarrit vepra jote?

12. Në cilat mënyra disa të krishterë korintas po e bënin shkel e shko veprën e ndërtimit?

12 Qartë, Pavli mendonte se disa të krishterë në Korint po ndërtonin dobët. Çfarë nuk shkonte? Siç e tregon konteksti, kongregacionin e kishte pllakosur ndarja, admirimi i personaliteteve njerëzore, pavarësisht nga rreziku që përbënte kjo gjë për unitetin e kongregacionit. Disa thoshin: «Unë i përkas Pavlit», kurse të tjerë këmbëngulnin «unë [i përkas] Apolit». Duket se disa mendonin tepër për mençurinë e tyre. S’është për t’u habitur që rezultati ishte një atmosferë me mendime sipas mishit, papjekuri frymore dhe «xhelozi e grindje» të shfrenuar. (1. Korintasve 1:12; 3:1-4, 18, BR) Këto qëndrime pasqyroheshin patjetër në mësimdhënien në kongregacion dhe në shërbim. Rezultati ishte se vepra e tyre e bërjes së dishepujve bëhej shkel e shko, ashtu si vepra e ndërtimit e bërë me materiale të dobëta. Ajo nuk do t’i rezistonte «zjarrit». Për çfarë zjarri fliste Pavli?

13. Çfarë paraqet zjarri në ilustrimin e Pavlit dhe për çfarë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë të krishterët?

13 Ka një zjarr me të cilin ballafaqohemi të gjithë në jetë: sprovat e besimit tonë. (Gjoni 15:20; Jakovit 1:2, 3) Të krishterët në Korint duhej ta dinin, pikërisht siç duhet ta dimë ne sot që secili nga ata që mësojmë ne do të sprovohet. Nëse i mësojmë dobët të tjerët, pasojat mund të jenë të trishtueshme. Pavli paralajmëroi: «Nëse vepra që dikush ka ndërtuar mbi të qëndron, ai do të marrë një shpërblim; nëse vepra e dikujt digjet plotësisht, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, e megjithatë, nëse do të ndodhë kjo, do të jetë si përmes zjarrit.»c—1. Korintasve 3:14, 15, BR.

14. (a) Si mund të «pësojnë humbje» bërësit e krishterë të dishepujve, e megjithatë, si mund të fitojnë ata shpëtimin si përmes zjarrit? (b) Si mund ta zvogëlojmë sa më shumë rrezikun e pësimit të humbjes?

14 Fjalë që të vënë vërtet në mendime! Mund të jetë tepër e dhimbshme të punosh shumë për ta ndihmuar dikë që të bëhet dishepull, vetëm e vetëm për ta parë tek pengohet ndaj tundimit ose persekutimit dhe më në fund e lë udhën e së vërtetës. Pavli e pranon këtë gjë kur thotë se ne pësojmë humbje në të tilla raste. Përvoja mund të jetë aq e dhimbshme, saqë shpëtimi ynë përshkruhet si të jetë «si përmes zjarrit», ngjashëm një njeriu që humb gjithçka në një zjarr dhe mezi shpëton për vete. Po ne, si mund ta zvogëlojmë sa më shumë rrezikun e humbjes? Duke ndërtuar me materiale të durueshme! Nëse i mësojmë studentët tanë duke arritur në zemrën e tyre, duke i nxitur që të vlerësojnë cilësitë e çmuara të krishtere të tilla, si: mençuria, aftësia shquese, druajtja ndaj Jehovait dhe besimi i sinqertë, atëherë po ndërtojmë me materiale të durueshme që i rezistojnë zjarrit. (Psalmi 19:9, 10; Proverbat 3:13-15; 1. Pjetrit 1:6, 7) Ata që fitojnë këto cilësi do të vazhdojnë ta bëjnë vullnetin e Perëndisë. Shpresa e tyre është një shpresë e sigurt se do të mbeten gjallë përgjithmonë. (1. Gjonit 2:17) Por, si mund ta vëmë në përdorim praktikisht ilustrimin e Pavlit? Shqyrto disa shembuj.

15. Në cilat mënyra mund të sigurohemi se po shmangim bërjen shkel e shko të veprës së ndërtimit në lidhje me studentët tanë të Biblës?

15 Kur u mësojmë studentëve të Biblës, ne nuk duhet t’i lartësojmë kurrë njerëzit mbi Perëndinë Jehova. Synimi ynë nuk është që t’u mësojmë atyre të na konsiderojnë si burimin kryesor të mençurisë. Ne duam që ata t’i drejtohen Jehovait, Fjalës së tij dhe organizatës së tij për udhëheqje. Për këtë qëllim, kur na bëjnë pyetje ne nuk i ofrojmë thjesht pikëpamjet tona si përgjigje. Përkundrazi, i mësojmë që t’i gjejnë përgjigjet duke përdorur Biblën dhe botimet që ka siguruar «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47, BR) Për arsye të tilla të ngjashme, ne tregojmë kujdes që të mos bëhemi pronarë të studentëve tanë të Biblës. Në vend se të mbajmë mëri kur të tjerët tregojnë interes për ta, ne duhet t’i inkurajojmë studentët tanë të «zgjerohen» në përzemërsinë e tyre, duke filluar të njohin dhe të çmojnë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur në kongregacion.—2. Korintasve 6:12, 13, BR.

16. Si mund të ndërtojnë pleqtë me materiale zjarrduruese?

16 Edhe pleqtë e krishterë luajnë një rol jetësor në ndërtimin e dishepujve. Kur ata mësojnë para kongregacionit, përpiqen të ndërtojnë me materiale zjarrduruese. Aftësia e tyre e mësimdhënies, përvoja dhe personaliteti mund të ndryshojnë gjerësisht, por ata nuk përfitojnë nga këto dallime për t’i tërhequr ithtarët pas vetes së tyre. (Krahaso Veprat 20:29, 30.) Ne nuk e dimë me saktësi se përse disa në Korint thoshin: «Unë i përkas Pavlit» ose «unë Apolit». Por mund të jemi më se të sigurt se asnjëri prej këtyre pleqve besimplotë nuk e nxiti këtë mendim ndarës. Pavli nuk u miklua nga këto mendime, ai i refuzoi me forcë ato. (1. Korintasve 3:5-7) Po ashtu sot, pleqtë mbajnë në mend se ata kullotin «kopenë e Perëndisë». (1. Pjetrit 5:2, BR) Ajo nuk i përket asnjë njeriu. Prandaj, pleqtë qëndrojnë të patundur ndaj çdo tendence që një njeri të zotërojë qoftë kopenë, qoftë trupin e pleqve. Për sa kohë që pleqtë janë të motivuar nga një dëshirë e përulur për t’i shërbyer kongregacionit, për të arritur zemrat dhe për t’i ndihmuar delet që t’i shërbejnë Jehovait me gjithë shpirt, ata ndërtojnë me materiale zjarrduruese.

17. Si përpiqen prindërit e krishterë për të ndërtuar me materiale zjarrduruese?

17 Po ashtu, prindërit e krishterë janë shumë të interesuar në këtë çështje. Sa shumë dëshirojnë ata t’i shohin fëmijët e tyre të jetojnë përgjithmonë! Ja përse punojnë kaq shumë për t’ua «ngulitur» parimet e Fjalës së Perëndisë në zemër fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Ata duan që fëmijët e tyre ta njohin të vërtetën, jo thjesht si një seri rregullash ose një përsëritje faktesh, por si një udhë jete të plotë, shpërblyese dhe të lumtur. (1. Timoteut 1:11) Me qëllim që t’i ndërtojnë fëmijët e tyre për t’i bërë dishepuj besimplotë të Krishtit, prindërit e dashur përpiqen të përdorin materiale zjarrduruese. Ata punojnë me durim me fëmijët e tyre, duke i ndihmuar që të eliminojnë cilësitë që Jehovai i urren dhe të kultivojnë cilësitë që do ai.—Galatasve 5:22, 23.

Kush është përgjegjës?

18. Kur një dishepull hedh poshtë mësimin e shëndetshëm, pse mund të mos jetë medoemos faji i atyre që janë përpjekur ta mësojnë dhe ta stërvitin atë?

18 Ky diskutim ngre një pyetje të rëndësishme. Nëse dikush, të cilin ne përpiqemi ta ndihmojmë, largohet nga e vërteta, a do të thotë kjo se ne kemi dështuar si mësues dhe që me sa duket kemi ndërtuar me materiale të dobëta? Jo medoemos. Fjalët e Pavlit me siguri na sjellin ndër mend faktin se është një përgjegjësi e madhe të kesh pjesë në ndërtimin e dishepujve. Do të duam të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të ndërtuar mirë. Por Fjala e Perëndisë nuk po na thotë që ta mbajmë vetë të gjithë përgjegjësinë dhe të ngarkohemi me faj kur ata, të cilët përpiqemi t’i ndihmojmë, largohen nga e vërteta. Ka edhe faktorë të tjerë që dalin në dritë përveç rolit tonë si ndërtues. Për shembull, vëre se çfarë thotë Pavli, duke pasur parasysh madje edhe mësuesin që ka bërë një punë të dobët në veprën e tij të ndërtimit: «Ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet.» (1. Korintasve 3:15, BR) Nëse ky mësues mund të fitojë shpëtimin në fund, kurse personaliteti i krishterë të cilin ai u përpoq të ndërtonte në studentin e tij paraqitet si të «digjet plotësisht» në një sprovë të zjarrtë, çfarë përfundimi duhet të nxjerrim? Sigurisht, nxjerrim përfundimin se Jehovai konsideron përgjegjës kryesisht studentin për vendimet që merr, për sa i përket faktit nëse do të ndjekë një drejtim besimplotë apo jo.

19. Çfarë do të marrim në shqyrtim në artikullin vijues?

19 Përgjegjësia personale ose individuale është një çështje me shumë rëndësi. Ajo prek secilin prej nesh. Çfarë thotë Bibla në mënyrë specifike në lidhje me këtë çështje? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këtë.

[Shënimet]

a ‘Themeli i tokës’ mund t’u referohet forcave fizike që e mbajnë atë dhe të gjithë trupave qiellorë të qëndrueshëm në vendin e tyre. Përveç kësaj, vetë toka është ndërtuar në një mënyrë të tillë, që nuk do të «lëkundet» kurrë apo të pësojë shkatërrim.—Psalmi 104:5, BR.

b «Gurët e çmuar» të cilëve iu referua Pavli, nuk është e thënë të ishin margaritarë, si diamante dhe rubinë. Ato mund të kenë qenë gurë të kushtueshëm ndërtimi si mermeri, alabastri ose graniti.

c Pavli po vinte në dyshim shpëtimin, jo të ndërtuesit, por të «veprës» së ndërtuesit. The New English Bible e përkthen këtë varg: «Nëse ndërtesa e një njeriu qëndron, ai do të shpërblehet, nëse digjet, atij do t’i duhet të përballojë humbjen, e megjithatë ai do ta shpëtojë jetën e tij, siç mund të shpëtojë dikush nga një zjarr.»

Si do të përgjigjeshe?

◻ Çfarë është «themeli» në një të krishterë të vërtetë dhe si hidhet ai?

◻ Çfarë mund të mësojmë nga llojet e ndryshme të materialeve të ndërtimit?

◻ Çfarë paraqet «zjarri» dhe si mund të shkaktojë ai që disa të «pësojnë humbje»?

◻ Si mund të ndërtojnë me materiale zjarrduruese mësuesit e Biblës, pleqtë dhe prindërit?

[Figura në faqen 9]

Në shumë qytete të lashta, ndërtesat zjarrduruese prej guri ekzistuan bashkë me strukturat më të dobëta

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo