Jerusalemi: A është ‘mbi shkakun tënd kryesor për gëzim’?
«Gjuha ime le të më ngjitet pas qiellzës, . . . nëse nuk do ta ngrija Jerusalemin mbi shkakun tim kryesor për gëzim.»—PSALMI 137:6, BR.
1. Çfarë qëndrimi mbajtën shumë të mërguar hebrenj ndaj qytetit të zgjedhur të Perëndisë?
QË NGA viti 537 p.e.s., kur hebrenjtë e parë të mërguar u kthyen në Jerusalem, kishin kaluar afërsisht shtatë dekada. Tempulli i Perëndisë ishte rindërtuar, por qyteti është ende i rrënuar. Ndërkohë, në mërgim ishte rritur një brez tjetër. Pa dyshim që shumë prej tyre ndiheshin si psalmisti, i cili këndoi: «Nëse të harroj, o Jerusalem, dora ime e djathtë le të bëhet harraqe.» (Psalmi 137:5, BR) Disa prej tyre bënë më shumë sesa thjesht e kujtuan Jerusalemin; me veprimet e tyre ata provuan se Jerusalemi ishte ngritur «mbi shkakun [e tyre] kryesor për gëzim».—Psalmi 137:6, BR.
2. Kush ishte Ezdra dhe si u bekua ai?
2 Për shembull, shqyrto rastin e priftit Ezdra. Edhe përpara se të kthehej në atdheun e tij, ai kishte punuar me zell për interesat e adhurimit të pastër në Jerusalem. (Ezdra 7:6, 10) Për këtë gjë, Ezdra pati një bollëk bekimesh. Perëndia Jehova e nxiti zemrën e mbretit pers që t’i jepte Ezdrës privilegjin për të drejtuar një grup të dytë të mërguarish që u kthyen në Jerusalem. Për më tepër, mbreti u dha atyre një kontribut të madh në ar dhe argjend «për të zbukuruar shtëpinë e Jehovait».—Ezdra 7:21-27, BR.
3. Si e tregoi Nehemia se Jerusalemi ishte meraku i tij kryesor?
3 Rreth 12 vjet më vonë, një hebre tjetër, Nehemia, ndërmori një veprim vendimtar. Ai shërbente në pallatin pers në Shushan. Nehemia kishte një pozitë të lartë si kupëmbajtësi i mbretit Artakserks, por për të ky post nuk përbënte «shkakun kryesor për gëzim». Përkundrazi, ai ishte i dëshiruar të shkonte dhe të rindërtonte Jerusalemin. Për muaj të tërë, Nehemia u lut për këtë dhe prandaj Perëndia Jehova e bekoi. Sapo mori vesh merakun e Nehemisë, mbreti pers i dha forca ushtarake dhe letra që e autorizonin të rindërtonte Jerusalemin.—Nehemia 1:1–2:9.
4. Si mund ta tregojmë se adhurimi i Jehovait është mbi çdo shkak tjetër që mund të kemi për gëzim?
4 Pa dyshim, Ezdra, Nehemia dhe shumë hebrenj që bashkëpunuan me ta, treguan se adhurimi i Jehovait, me qendër në Jerusalem, ishte më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, se ishte ‘mbi shkakun e tyre kryesor për gëzim’, domethënë mbi çdo gjë tjetër për të cilën mund të gëzonin. Ç’inkurajim janë individë të tillë për të gjithë ata që sot e konsiderojnë po njësoj Jehovain, adhurimin e tij dhe organizatën e tij të drejtuar nga fryma! A je edhe ti i tillë? A e tregon me anë të qëndrueshmërisë sate në vepra të perëndishme se shkaku yt më i madh për gëzim është privilegji i adhurimit të Jehovait së bashku me popullin e tij të dedikuar? (2. Pjetrit 3:11) Si inkurajim i mëtejshëm në lidhje me këtë, le të shqyrtojmë rezultatet e shkëlqyera të udhëtimit të Ezdrës në Jerusalem.
Bekime dhe përgjegjësi
5. Cilat bekime të pasura morën banorët e Judës në ditët e Ezdrës?
5 Grupi prej rreth 6.000 të mërguarish që u kthyen me Ezdrën, solli për tempullin e Jehovait kontribute në ar dhe argjend. Sipas vlerësimit të sotëm monetar, ato arrinin shumën prej rreth 35 milionë dollarësh. Ky kontribut ishte rreth shtatë herë më i madh sesa kontributi në ar dhe argjend që kishin mundur të sillnin të mërguarit e parë. Sa mirënjohës duhet t’i kenë qenë Jehovait banorët e Jerusalemit dhe të Judës për gjithë këtë mbështetje të madhe njerëzore dhe materiale! Por bekimet e pasura nga Perëndia sjellin edhe përgjegjësi.—Luka 12:48.
6. Çfarë zbuloi Ezdra në atdheun e tij dhe si reagoi ai?
6 Pak kohë më vonë, Ezdra zbuloi se shumë hebrenj, përfshirë edhe disa priftërinj dhe pleq, e kishin shkelur Ligjin e Perëndisë duke u martuar me gra pagane. (Ligji i përtërirë 7:3, 4) Ai ishte me të drejtë shumë i shqetësuar për këtë dhunim të besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë. «Sapo dëgjova për këtë gjë, grisa veshjen time dhe xhyben time pa mëngë, . . . dhe qëndrova ulur i shtangur.» (Ezdra 9:3, BR) Pastaj, në praninë e izraelitëve që ishin tërë ankth, Ezdra e derdhi zemrën e tij në lutje drejtuar Jehovait. Tek dëgjonin të gjithë, Ezdra u kujtoi mosbindjen e Izraelit në të kaluarën, si dhe paralajmërimin e Perëndisë për atë që do të ndodhte nëse do të martoheshin me banorët paganë të vendit. Ai përfundoi: «O Jehova, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, sepse ne jemi lënë si popull i ikur, si këtë ditë. Ja tek jemi përpara teje në fajësinë tonë, sepse për shkak të saj është e pamundur të qëndrojmë përpara teje.»—Ezdra 9:14, 15, BR.
7. (a) Cilin shembull të shkëlqyer la Ezdra në mënyrën e trajtimit të keqbërjes? (b) Si reaguan fajtorët në ditët e Ezdrës?
7 Ezdra përdori fjalën «ne». Po, përfshiu edhe veten, ndonëse personalisht nuk ishte fajtor. Shqetësimi i thellë i Ezdrës bashkë me lutjen e tij të përulur, prekën zemrat e popullit dhe e nxitën atë për vepra të denja pendimi. Ata përcaktuan vullnetarisht një mjekim të dhimbshëm: të gjithë ata që kishin dhunuar Ligjin e Perëndisë do t’i dërgonin gratë e tyre në vendet e veta, bashkë me fëmijët që u kishin lindur. Ezdra qe dakord me këtë masë dhe i inkurajoi fajtorët që ta zbatonin. Me autoritetin që i ishte dhënë nga mbreti pers, Ezdra kishte të drejtën t’i ekzekutonte ose t’i dëbonte nga Jerusalemi dhe Juda të gjithë shkelësit e ligjit. (Ezdra 7:12, 26) Por duket se nuk iu desh të ndërmerrte një veprim të tillë. «I gjithë kongregacioni» tha: «Na takon të bëjmë tamam sipas fjalës sate.» Për më tepër, ata rrëfyen: «Në këtë çështje jemi rebeluar në një masë të madhe.» (Ezdra 10:11-13, BR) Në kapitullin 10 të Ezdrës renditen emrat e 111 burrave që iu bindën plotësisht vendimit, duke i larguar gratë e tyre të huaja dhe fëmijët që u kishin lindur prej tyre.
8. Pse veprimi i prerë i largimit të grave të huaja ishte në interes të të gjithë njerëzimit?
8 Ky veprim ishte jo vetëm në interes të Izraelit, por edhe të të gjithë njerëzimit. Nëse për të ndrequr gjërat nuk do të ishte bërë asgjë, izraelitët mund të ishin asimiluar nga kombet përreth. Nëse do të kishte ndodhur kështu, linja e pasardhjes deri te Fara e Premtuar, e cila do të sillte bekime për gjithë njerëzimin, do të ishte infektuar. (Zanafilla 3:15; 22:18) Kjo do ta vështirësonte përcaktimin e identitetit të Farës së Premtuar si pasardhëse e mbretit David nga fisi i Judës. Rreth 12 vjet më vonë, kësaj çështjeje jetësore iu kushtua përsëri vëmendje, kur «fara e Izraelit vazhdoi të ndahej nga gjithë të huajt».—Nehemia 9:1, 2; 10:29, 30, BR.
9. Cilën këshillë të mirë u jep Bibla të krishterëve që janë të martuar me jobesimtarë?
9 Çfarë mund të mësojnë nga ky tregim shërbëtorët e sotëm të Jehovait? E pra, të krishterët nuk janë nën besëlidhjen e Ligjit. (2. Korintasve 3:14) Në vend të saj, ata i binden «ligjit të Krishtit». (Galatasve 6:2) Kështu, një i krishterë i martuar me një jobesimtare pajtohet me këshillën e Pavlit: «Në qoftë se ndonjë vëlla ka një grua jobesimtare dhe megjithatë, ajo është dakord të jetojë bashkë me të, ai të mos e lërë.» (1. Korintasve 7:12, BR) Për më tepër, nga pikëpamja biblike, të krishterët e martuar me jobesimtarë kanë detyrimin që të përpiqen për të pasur një martesë të suksesshme. (1. Pjetrit 3:1, 2) Shpesh, bindja ndaj kësaj këshille të shkëlqyer ka sjellë si rezultat bekimin që zemra e bashkëshortëve jobesimtarë ka ndryshuar në lidhje me adhurimin e vërtetë. Madje disa janë bërë të krishterë besimplotë të pagëzuar.—1. Korintasve 7:16.
10. Çfarë mësimi mund të nxjerrin të krishterët nga 111 izraelitët që i larguan gratë e tyre?
10 Megjithatë, rasti i izraelitëve që i larguan gratë e tyre të huaja u jep një mësim të shkëlqyer të krishterëve beqarë. Këta të krishterë nuk duhet të fillojnë të shoqërohen për t’u njohur me persona të seksit të kundërt, të cilët nuk janë bashkëbesimtarë. Shmangia e një marrëdhënieje të tillë mund të jetë e vështirë, madje e dhimbshme, por është rruga më e mirë që duhet ndjekur, për të pasur bekimin e vazhdueshëm të Perëndisë. Të krishterëve u është urdhëruar: «Mos u vini në mënyrë të pabarabartë nën një zgjedhë me jobesimtarët.» (2. Korintasve 6:14, BR) Çdo i krishterë beqar që dëshiron të martohet duhet të ketë ndër mend vetëm martesën me një bashkëbesimtar të vërtetë.—1. Korintasve 7:39.
11. Ashtu si burrat izraelitë, në ç’mënyrë mund të sprovohemi sot në lidhje me shkakun tonë për gëzim?
11 Kur u është tërhequr vëmendja se po marrin një drejtim jobiblik, të krishterët kanë bërë rregullime edhe në aspekte të tjera. (Galatasve 6:1) Herë pas here, revista Kulla e Rojës ka identifikuar sjelljen jobiblike që do ta skualifikonte një person si pjesë e organizatës së Perëndisë. Në vitin 1973, për shembull, populli i Jehovait arriti të kuptonte plotësisht se abuzimi me drogën dhe përdorimi i duhanit janë mëkate serioze. Për të ndjekur një rrugë të perëndishme, ne duhet «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës». (2. Korintasve 7:1, BR) Një numër i madh Dëshmitarësh e morën për zemër këtë këshillë biblike; ata qenë të gatshëm të vuanin nga simptomat fillestare të lënies së drogës dhe duhanit, vetëm e vetëm që të mbeteshin pjesë e popullit të pastër të Perëndisë. Një drejtim i qartë biblik është dhënë edhe në lidhje me çështjet seksuale, veshjen, krehjen dhe zgjedhjen e mençur të punës, zbavitjes dhe muzikës. Cilatdo qofshin parimet e Biblës me anë të të cilave na tërhiqet vëmendja, le të tregojmë se jemi gati për t’u «rindrequr», ashtu si 111 burrat izraelitë. (2. Korintasve 13:11, BR) Kjo do të tregojë se privilegji i adhurimit të Jehovait bashkë me popullin e tij të shenjtë ‘ngrihet mbi shkakun tonë kryesor për gëzim’.
12. Çfarë ndodhi në vitin 455 p.e.s.?
12 Pasi tregon episodin që kishte të bënte me gratë e huaja, Bibla nuk na thotë se çfarë ndodhi në Jerusalem gjatë 12 vjetëve që pasuan. Pa dyshim, për shkak të prishjes së shumë lidhjeve martesore, fqinjët e Izraelit u bënë më armiqësorë. Në vitin 455 p.e.s., Nehemia mbërriti në Jerusalem me një shpurë ushtarake. Ai ishte emëruar qeveritar i Judës dhe kishte sjellë letra nga mbreti pers, në të cilat autorizohej të rindërtonte qytetin.—Nehemia 2:9, 10; 5:14.
Kundërshtim nga fqinjët ziliqarë
13. Çfarë qëndrimi shfaqën fqinjët e hebrenjve që kishin fe të rreme dhe si reagoi Nehemia?
13 Fqinjët me fe të rreme e kundërshtuan qëllimin për të cilin kishte ardhur Nehemia. Udhëheqësit e tyre e kërcënuan duke i thënë: «Mos po rebeloheni kundër mbretit?» Duke treguar besim te Jehovai, Nehemia u përgjigj: «Perëndia i qiejve është Ai që do na japë suksesin dhe ne vetë, shërbëtorët e tij, do të ngrihemi dhe duhet të ndërtojmë; por ju vetë nuk keni pjesë, as pretendim të drejtë, as përkujtim në Jerusalem.» (Nehemia 2:19, 20, BR) Kur filluan riparimet e murit, po këta armiq u tallën: ‘Çfarë po bëjnë hebrenjtë e dobët? Mos do t’i sjellin në jetë gurët nga pirgjet e gërmadhave prej pluhuri? Sikur kundër tij të hidhej një dhelpër, patjetër që do ta rrëzonte murin e tyre prej guri.’ Në vend që t’u përgjigjej këtyre komenteve, Nehemia u lut: «Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse jemi bërë objekt përçmimi dhe bëj që sharja e tyre të kthehet mbi kokat e atyre vetë.» (Nehemia 4:2-4, BR) Nehemia e la në vazhdimësi këtë shembull të shkëlqyer të mbështetjes te Jehovai.—Nehemia 6:14; 13:14.
14, 15. (a) Si e përballoi Nehemia kërcënimin me dhunë nga ana e armiqve? (b) Si kanë qenë në gjendje Dëshmitarët e Jehovait ta vazhdojnë veprën e tyre frymore ndërtuese, pavarësisht nga kundërshtimi i egër?
14 Për të përmbushur caktimin e rëndësishëm të predikimit, edhe sot Dëshmitarët e Jehovait mbështeten te Perëndia. Kundërshtarët përpiqen ta pengojnë këtë vepër duke i tallur. Herë pas here, individë që kanë interes për mesazhin e Perëndisë dorëzohen, sepse nuk mund t’i durojnë talljet. Kur nuk arrijnë gjë me anë të talljeve, kundërshtarët zemërohen dhe u drejtohen kërcënimeve për dhunë. Kështu u ndodhi ndërtuesve të mureve të Jerusalemit. Por Nehemia refuzoi të frikësohej. Përkundrazi, ai i armatosi ndërtuesit kundër sulmeve të armikut dhe e forcoi besimin e tyre duke thënë: «Mos kini frikë për shkak të tyre. Mbani në mend Jehovain, Atë që është madhështor dhe frikësues, dhe luftoni për vëllezërit tuaj, bijtë tuaj dhe bijat tuaja, gratë tuaja dhe shtëpitë tuaja.»—Nehemia 4:13, 14, BR.
15 Ashtu si në ditët e Nehemisë, Dëshmitarët e Jehovait janë të pajisur më së miri që të vazhdojnë veprën e tyre frymore ndërtuese, pavarësisht nga kundërshtimi i egër. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar një ushqim frymor që forcon besimin, i cili ka bërë të mundur që populli i Perëndisë të jetë i frytshëm edhe atje ku vepra është e ndaluar. (Mateu 24:45, BR) Si rezultat, Jehovai ka vazhduar ta bekojë popullin e tij me rritje në mbarë tokën.—Isaia 60:22.
Probleme të brendshme
16. Cilat probleme të brendshme kërcënonin frymën e ndërtuesve të murit të Jerusalemit?
16 Ndërsa rindërtimi i murit të Jerusalemit shkonte përpara dhe muri lartësohej, puna bëhej më e vështirë. Kjo ndodhi kur doli në dritë një problem, i cili kërcënonte frymën e ndërtuesve luftarakë. Për shkak të mungesës së ushqimit, disa hebrenj e kishin të vështirë të siguronin ushqime për familjet e tyre dhe t’i paguanin taksat qeverisë perse. Hebrenjtë që ishin më të pasur u dhanë hua ushqime dhe para. Por në kundërshtim me Ligjin e Perëndisë, izraelitëve më të varfër iu desh të linin peng tokat dhe fëmijët, si garanci se do t’ua kthenin paratë me interes. (Dalja [Eksodi] 22:25; Levitiku 25:35-37; Nehemia 4:6, 10; 5:1-5) Tani huadhënësit po i kërcënonin se do t’u merrnin tokat dhe se do t’i detyronin t’i shitnin fëmijët si skllevër. Nehemia u indinjua për këtë qëndrim materialist pa dashuri. Për të siguruar bekimin e vazhdueshëm të Jehovait mbi punën për rindërtimin e murit të Jerusalemit, ai veproi me shpejtësi.
17. Çfarë bëri Nehemia që të ishte i sigurt për bekimin e vazhdueshëm të Jehovait mbi punën e ndërtimit dhe me çfarë rezultati?
17 U morën masat për një «asamble të madhe» dhe Nehemia u tregoi qartë izraelitëve më të pasur se ajo që kishin bërë nuk i kishte pëlqyer Jehovait. Pastaj, u bëri thirrje fajtorëve, përfshirë edhe disa priftërinj, që të kthenin të gjithë interesin që kishin marrë, si dhe të kthenin tokat që ua kishin marrë në mënyrë të paligjshme atyre që nuk mund ta paguanin interesin. Është për t’u lavdëruar që fajtorët thanë: «Ne do t’ua rikthejmë dhe nuk do të kërkojmë asgjë prej tyre. Do të bëjmë tamam siç po thua ti.» Këto nuk ishin fjalë të kota, pasi Bibla thotë se «populli vazhdoi të vepronte sipas fjalës [së Nehemisë]». Dhe i gjithë kongregacioni lavdëroi Jehovain.—Nehemia 5:7-13, BR.
18. Për cilin qëndrim janë bërë të njohur Dëshmitarët e Jehovait?
18 Ç’të themi për ditët tona? Në vend që të jenë shfrytëzues, Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të njohur për qëndrimin e tyre bujar ndaj bashkëbesimtarëve dhe njerëzve të tjerë që janë ndodhur në situata të rënda. Ashtu si në ditët e Nehemisë, kjo ka sjellë si rezultat shprehje të shumta lavdie për Jehovain. Por në të njëjtën kohë, «skllavi i besueshëm dhe i matur» e ka parë të domosdoshme dhënien e këshillave biblike mbi çështjet e biznesit dhe mbi nevojën për të shmangur shfrytëzimin lakmitar të të tjerëve. Në disa vende është zakon që të kërkohet një çmim nuseje tepër i lartë, por Bibla paralajmëron qartë se personat lakmitarë dhe grabitësit nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (1. Korintasve 6:9, 10, BR) Reagimi i mirë i shumicës së të krishterëve ndaj një këshille të tillë, të sjell ndër mend ata hebrenj që e kuptuan se duke shfrytëzuar vëllezërit e tyre më të varfër, po mëkatonin.
Muri i Jerusalemit përfundohet
19, 20. (a) Çfarë ndikimi pati përfundimi i murit të Jerusalemit mbi kundërshtarët fetarë? (b) Cilën fitore kanë përjetuar Dëshmitarët e Jehovait në shumë vende?
19 Pavarësisht nga gjithë ai kundërshtim, muri i Jerusalemit u përfundua brenda 52 ditësh. Si ndikoi kjo te kundërshtarët? Nehemia tha: «Sapo të gjithë armiqtë tanë dëgjuan për të dhe të gjitha kombet që na rrethonin e panë, ranë shumë në sytë e atyre vetë dhe e morën vesh se kjo punë ishte bërë nga Perëndia jonë.»—Nehemia 6:16, BR.
20 Sot, kundërshtimi i armiqve ndaj veprës së Perëndisë vazhdon në mënyra dhe vende të ndryshme. Megjithatë, miliona njerëz e kanë kuptuar kotësinë e kundërshtimit që u bëhet Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, merr rastin e orvatjeve që u bënë në të kaluarën për t’i dhënë fund veprës së predikimit në Gjermaninë naziste, në Evropën Lindore dhe në shumë vende të Afrikës. Të gjitha këto orvatje kanë dështuar dhe tani shumë njerëz e pranojnë se ‘vepra jonë po kryhet prej Perëndisë’. Ç’shpërblim ka qenë ky për besimplotët veteranë, të cilët kanë bërë që në këto vende adhurimi i Jehovait të ‘ngrihej mbi shkakun e tyre kryesor për gëzim’!
21. Cilat ngjarje domethënëse do të shqyrtohen në artikullin vijues?
21 Në artikullin vijues, do të rishikojmë disa ngjarje të rëndësishme që çuan në përurimin e gëzueshëm të murit të rindërtuar të Jerusalemit. Do të shohim edhe se si po afrohet përfundimi i një qyteti shumë më të madh, i cili do t’i sjellë dobi të gjithë njerëzimit.
A të kujtohet?
◻ Si u gëzuan Ezdra dhe të tjerë për Jerusalemin?
◻ Cilat ishin gabimet për të cilat Ezdra dhe Nehemia i ndihmuan shumë hebrenj që t’i ndreqnin?
◻ Çfarë mësimesh mund të nxjerrësh nga tregimet ku flitet për Ezdrën dhe Neheminë?
[Figura në faqen 15]
Shqetësimi kryesor i Nehemisë ishte Jerusalemi dhe jo puna e nderuar në Shushan
[Figurat në faqet 16, 17]
Ashtu si Nehemia, ne duhet të lutemi për udhëheqjen dhe forcën e Jehovait, që të vazhdojmë në caktimin tonë shumë të rëndësishëm në veprën e predikimit