Vazhdo të bësh progres frymor!
Dita e pagëzimit tonë është një ditë që duhet ta çmojmë dhe ta kujtojmë gjithmonë. Në fund të fundit, ajo është dita në të cilën shpallim publikisht se kemi bërë një dedikim për t’i shërbyer Perëndisë.
PËR shumë individë kërkohen përpjekje mjaft të mëdha për të arritur deri këtu: të braktisin zakonet e hershme të këqija, të lirohen nga shoqëritë jo të shëndetshme, të ndryshojnë mënyrën e ngulitur thellë të të menduarit e të të sjellurit.
Megjithatë, ndërsa pagëzimi është një ngjarje e lumtur dhe domethënëse në jetën e një të krishteri, ai është akoma vetëm fillimi. Apostulli Pavël u tha të krishterëve të pagëzuar në Jude: «Tani që e kemi lënë doktrinën fillestare në lidhje me Krishtin, le të vazhdojmë drejt pjekurisë.» (Hebrenjve 6:1, BR) Po, të gjithë të krishterët duhet «të arrijnë në njëjtësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një burrë tërësisht të rritur, në masën e shtatit që i përket plotësisë së Krishtit». (Efesianëve 4:13, BR) Vetëm duke përparuar deri në pikën e pjekurisë ne mund të jemi me të vërtetë «të stabilizuar në besim».—Kolosianëve 2:7, BR.
Gjatë këtyre viteve të fundit, qindra mijë adhurues të sapodedikuar kanë ardhur në kongregacionin e krishterë. Ndoshta ti je një prej tyre. Ashtu si vëllezërit e tu në shekullin e parë, ti nuk dëshiron të mbetesh në një foshnjëri frymore. Ti dëshiron të rritesh, të ecësh përpara! Por si? Dhe cilat janë disa nga mënyrat me anë të të cilave mund të bësh një progres të tillë?
Duke përparuar me anë të studimit personal
Pavli u tha të krishterëve në Filipi: «Kjo është ajo për të cilën vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohurinë e saktë dhe në aftësinë e plotë shquese.» (Filipianëve 1:9, BR) Rritja në «njohurinë e saktë» është thelbësore për progresin tënd frymor. ‘Marrja e njohurisë për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin’ është një proces i vazhdueshëm, jo diçka që ndërpritet pas pagëzimit.—Gjoni 17:3.
Një motër e krishterë, të cilën po e quajmë Aleksandra, e kuptoi këtë 10 vjet pasi ishte pagëzuar në moshën 16-vjeçare. Ajo ishte rritur në të vërtetën dhe kishte qenë gjithmonë e rregullt në ndjekjen e mbledhjeve të krishtere dhe në pjesëmarrjen në veprën e predikimit. Ajo shkruan: «Gjatë muajve të fundit e kuptova se diçka ishte tmerrësisht e gabuar. Vendosa t’i bëj një shqyrtim të fortë, të ndershëm vetes, për të kuptuar se çfarë ndiej për të vërtetën dhe përse jam akoma në të vërtetën.» Çfarë gjeti? Ajo vazhdon: «Zbulova se arsyet për të cilat isha në të vërtetën ishin shqetësuese. Më kujtohet se ndërsa rritesha, theksi vihej mbi mbledhjet dhe shërbimin në fushë. Ishte sikur zakonet e studimit personal dhe lutja, në njëfarë mënyre do të zinin vend vetë. Por, kur analizova situatën time, kuptova se kjo gjë nuk ndodhi.»
Apostulli Pavël këshillon: «Deri në masën që kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull, me të njëjtën rutinë.» (Filipianëve 3:16, BR) Një rutinë mund të përcaktojë drejtimin e një ecjeje progresive. Përpara pagëzimit, pa dyshim që kishe një rutinë javore të studimit të Biblës me një mësues të kualifikuar mirë. Ndërsa u rrite në çmueshmëri, në këtë rutinë përfshive edhe përgatitjen për çdo mësim javor, duke kërkuar në Bibël shkrimet e cituara, etj. Që prej pagëzimit, a ke vazhduar ‘të ecësh me të njëjtën rutinë’?
Nëse jo, mund të të duhet të rishqyrtosh përparësitë, ‘duke u siguruar për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10, BR) Në jetën tonë mjaft të zënë, kërkohet vetëkontroll për të lënë kohë mënjanë për leximin e Biblës dhe studimin personal. Por një përpjekje e tillë ia vlen, nëse mendojmë mbi dobitë që nxjerrim. Le të shqyrtojmë përsëri përvojën e Aleksandrës. «Duhet të pranoj se pak a shumë gjatë 20 vjetëve të kaluara, isha në të vërtetën vetëm nga shkuarja në mbledhje dhe angazhimi në shërbim»,—pohon ajo. Megjithatë, ajo vazhdon: «Kam arritur në përfundimin se megjithëse këto gjëra janë të rëndësishme, vetëm ato nuk mund të më mbështetin kur gjërat fillojnë të vështirësohen. E gjitha kjo del në pah sepse zakonet e mia të studimit personal praktikisht nuk ekzistojnë dhe lutjet e mia janë të çrregullta dhe sipërfaqësore. Tani e kuptoj se duhet të ndreq mënyrën time të të menduarit dhe të filloj një program studimi domethënës, në mënyrë që me të vërtetë të mund ta njoh Jehovain dhe të filloj ta dua e të çmoj atë që Biri i tij na ka dhënë.»
Nëse të nevojitet ndihmë për të vendosur një rutinë të dobishme studimi, pleqtë dhe të krishterët e pjekur në kongregacion do të jenë të lumtur të të ndihmojnë. Përveç kësaj, artikujt që gjenden në Kullën e Rojës, 1 gusht 1995; br2 1993 dhe 15 maj 1986, angl. përmbajnë një numër sugjerimesh ndihmëse.
Nevoja për t’iu afruar Perëndisë
Një tjetër fushë në të cilën duhet të përpiqesh të bësh progres, është ajo që ka të bëjë me marrëdhënien tënde me Perëndinë. Në disa raste, në këtë aspekt, mund të ekzistojë një nevojë e ngutshme. Le të shqyrtojmë Antonin, i cili u pagëzua në një moshë të re. «Unë isha fëmija i parë që pagëzohej në familjen tonë,—tregon ai.—Pas pagëzimit, mora një përqafim të ngrohtë nga nëna. Kurrë nuk e kisha parë aq të lumtur. Gëzimi ishte kaq i madh dhe ndihesha shumë i fortë.» Por ekzistonte edhe ana tjetër e medaljes. «Për njëfarë kohe në kongregacionin tonë nuk kishte ndonjë të ri tjetër të pagëzuar,—vazhdon Antoni.—Kështu që ndihesha shumë krenar. Gjithashtu, krenohesha edhe me komentet dhe fjalimet në mbledhje. Fitimi i lavdërimit dhe i miratimit të njerëzve u bënë për mua më të rëndësishëm se dhënia e lavdërimit Jehovait. Në të vërtetë, unë nuk kisha një marrëdhënie të ngushtë me të.»
Ashtu si Antoni, disa mund të kenë bërë një dedikim më tepër nga dëshira për t’u pëlqyer të tjerëve se sa Jehovait. Megjithatë, Perëndia pret që persona të tillë t’i përmbahen premtimit të tyre për t’i shërbyer atij. (Krahaso Predikuesi 5:4.) Por, pa një lidhje personale me të, për ta është shpesh e vështirë që ta bëjnë këtë. Antoni kujton: «Gëzimi i madh që pata kur u pagëzova ishte jetëshkurtër. Nuk kishte kaluar akoma një vit pas pagëzimit kur rashë në shkelje serioze dhe u desh të qortohesha nga pleqtë në kongregacion. Sjellja e keqe e përsëritur çoi në përjashtimin tim nga kongregacioni. Gjashtë vjet më vonë pas dedikimit tim ndaj Jehovait, u arrestova dhe u burgosa për vrasje.»
Zhvillimi i një marrëdhënieje intime me Jehovain
Çfarëdo situate që të ketë, çdo i krishterë mund t’i përgjigjet ftesës së Biblës: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8, BR) Pa dyshim, kur fillove të studiosh Biblën, krijove njëfarë afërsie me Perëndinë. Mësove se Perëndia nuk është ai hyjni abstrakt që adhuron i ashtuquajturi krishterim, por një person me një emër, Jehova. Gjithashtu, mësove se ai ka cilësi tërheqëse, se është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur».—Eksodi 34:6, BR.
Megjithatë, për të jetuar në lartësinë e dedikimit tënd për t’i shërbyer Perëndisë, duhet t’i afrohesh edhe më afër atij! Në ç’mënyrë? Psalmisti u lut: «M’i bëj të njohura udhët e tua, o Jehova; m’i mëso shtigjet e tua.» (Psalmi 25:4, BR) Studimi personal i Biblës dhe i botimeve të Shoqatës, mund të të ndihmojë që të njihesh edhe më mirë me Jehovain. Edhe angazhimi i rregullt në lutje të përzemërta është i rëndësishëm. «Zbraze zemrën para tij»,—nxit psalmisti. (Psalmi 62:8, BR) Ndërsa përjeton përgjigjen e lutjeve të tua, do të ndjesh interesin personal të Perëndisë ndaj teje. Kjo gjë do të të ndihmojë që të ndihesh edhe më afër tij.
Sprovat dhe problemet paraqesin një tjetër mundësi për t’iu afruar Perëndisë. Mund të ndeshësh sfida dhe prova besimi, të tilla si sëmundjet, presionet në shkollë dhe në vendin e punës ose vështirësi ekonomike. Edhe rutina normale teokratike e marrjes pjesë në shërbim, e ndjekjes së mbledhjeve ose e studimit të Biblës me fëmijët, mund të jetë e vështirë për ty. Mos i përballo vetëm këto probleme! Lutju me zjarr Perëndisë për ndihmë, duke kërkuar udhëheqjen dhe drejtimin e tij. (Proverbat 3:5, 6) Lutju për frymën e tij të shenjtë! (Luka 11:13) Ndërsa përjeton mbështetjen e dashur të Perëndisë, do të tërhiqesh edhe më afër tij. Siç tha edhe psalmisti David «shijoje dhe shiko se Jehovai është i mirë . . . I lumtur është njeriu i shëndetshëm që kërkon strehim tek ai».—Psalmi 34:8, BR.
Ç’mund të themi për Antonin? «Fillova të mendoja për kohën kur kisha kaq shumë synime frymore që përqendroheshin në kryerjen e vullnetit të Jehovait,—kujton ai.—Ishte diçka e dhimbshme. Por në mes të gjithë dhimbjes dhe zhgënjimit, kujtoja dashurinë e Jehovait. U desh njëfarë kohe përpara se të mund t’i lutesha Jehovait, por e bëra dhe ia zbraza zemrën atij duke i kërkuar falje. Gjithashtu, fillova të lexoja Biblën dhe u habita se sa shumë gjëra kisha harruar dhe se sa pak kisha ditur në të vërtetë mbi Jehovain.» Megjithëse Antonit i duhet akoma që të përfundojë periudhën e tij të burgimit, ai merr ndihmë nga Dëshmitarët vendas dhe po ecën drejt shërimit frymor. Me mirënjohje Antoni thotë: «Falë Jehovait dhe organizatës së tij munda të heq personalitetin e vjetër dhe përpiqem të vesh të riun çdo ditë. Marrëdhënia me Jehovain është gjëja më e rëndësishme për mua tani.»
Progresi frymor në shërbimin tënd
Jezu Krishti i urdhëroi ithtarët e tij, që të jenë predikues të «lajmit të mirë të mbretërisë». (Mateu 24:14, BR) Si lajmëtar relativisht i ri i lajmit të mirë, mund të kesh një përvojë të kufizuar në shërbim. Si mund atëherë, të bësh progres frymor në mënyrë që ta ‘kryesh plotësisht shërbimin tënd’?—2. Timoteut 4:5, BR.
Një mënyrë është që të zhvillosh një qëndrim pozitiv. Mëso ta shohësh veprën e predikimit si një «thesar», një privilegj. (2. Korintasve 4:7, BR) Kjo vepër është një mundësi për të treguar dashurinë, besnikërinë dhe integritetin tonë ndaj Jehovait. Gjithashtu, na lejon që të tregojmë interesin për të afërmin. Dhënia pa rezerva e vetes në këtë drejtim, mund të jetë burim i një lumturie të vërtetë.—Veprat 20:35.
Jezui vetë, kishte një pamje pozitive për veprën e predikimit. Ndarja e të vërtetave biblike me të tjerët ishte si «ushqim» për të. (Gjoni 4:34, BR) Prandaj, motivi i tij për të ndihmuar të tjerët, mund të përmblidhet më së miri me fjalët e tij: «Dua.» (Mateu 8:3, BR) Jezui kishte dhembshuri për njerëzit, veçanërisht për ata që ishin «të zhvoshkur dhe të hallakatur» për shkak të botës së Satanait. (Mateu 9:35, 36, BR) A «do» edhe ti që t’i ndihmosh ata që janë në errësirë frymore dhe që kanë nevojë të ndriçohen nga Fjala e Perëndisë? Atëherë do të ndihesh i nxitur që t’i përgjigjesh urdhrit të Jezuit: «Shkoni, pra dhe bëni dishepuj nga njerëzit e të gjitha kombeve.» (Mateu 28:19, BR) Sigurisht, do të nxitesh që të marrësh pjesë në këtë vepër, aq sa të lejojnë shëndeti dhe rrethanat e tua.
Një çelës tjetër për të përparuar është pjesëmarrja e rregullt në shërbim, nëse është e mundur çdo javë. Kjo gjë, mund ta zvogëlojë druajtjen dhe frikën që mund ta pengojnë dikë që predikon vetëm me hope. Pjesëmarrja e rregullt në shërbimin në fushë do të të sjellë dobi edhe në mënyra të tjera. Ajo do të rrisë çmueshmërinë tënde për të vërtetën, do të të ushqejë dashurinë që ke për Jehovain dhe për të afërmin dhe do të të ndihmojë që të përqendrohesh në shpresën e Mbretërisë.
Por, ç’mund të themi nëse situata në të cilën ndodhesh e kufizon shumë pjesëmarrjen tënde në veprën e predikimit? Nëse është e qartë se nuk mund të bëhen rregullime, atëherë ngushëllohu nga fakti se Perëndia kënaqet me çfarëdo që mund të bësh, mjaft që i shërben me gjithë shpirt. (Mateu 13:23) Ndoshta mund të përparosh në drejtime të tjera, si p.sh., duke përmirësuar aftësitë e tua të predikimit. Në kongregacion, Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhja e Shërbimit sigurojnë një stërvitje mjaft të shkëlqyer në lidhje me këtë. Natyrisht, më të aftë jemi në shërbim, më shumë do ta gëzojmë atë dhe më shumë rezultate do të shohim.
Është e qartë, pra, se progresi frymor nuk duhet të ndërpritet ditën që një person pagëzohet. Në lidhje me shpresën e fitimit të jetës së pavdekshme në qiell, apostulli Pavël shkroi: «Vëllezër, unë nuk e konsideroj akoma veten se e kam kapur atë, por, ka diçka lidhur me këtë: duke i harruar gjërat prapa dhe duke u zgjatur drejt gjërave që janë përpara, unë po ndjek synimin për çmimin e thirrjes së lartme të Perëndisë, nëpërmjet Jezu Krishtit. Atëherë, të gjithë ne që jemi të pjekur, le të kemi këtë qëndrim mendor dhe nëse në ndonjë aspekt keni një tjetër prirje mendore, Perëndia do ta zbulojë qëndrimin në fjalë te ju.»—Filipianëve 3:13-15, BR.
Po, të gjithë të krishterët, pavarësisht nëse shpresa e tyre është pavdekshmëria në qiej ose jeta e përhershme në Parajsë në tokë, duhet të ‘zgjaten drejt’, duke u tendosur si të themi, për të arritur synimin e jetës! Pagëzimi yt ishte një nisje e shkëlqyer, por ai është vetëm fillimi. Vazhdo të tendosesh për të bërë progres frymor! Përmes mbledhjeve dhe studimit personal «bëhu plotësisht i rritur në aftësinë e të kuptuarit»! (1. Korintasve 14:20, BR) Ji «i aftë të kapësh mendërisht . . . gjerësinë, gjatësinë, lartësinë dhe thellësinë» e së vërtetës! (Efesianëve 3:18, BR) Progresi që bën do të të ndihmojë jo vetëm që të ruash gëzimin dhe lumturinë tani, por edhe që të fitosh një vend të sigurt në botën e re të Perëndisë, ku nën sundimin e Mbretërisë së tij qiellore, do të bësh progres përjetësisht.
[Figura në faqen 29]
Kërkohet disiplinë për të gjetur kohë për studimin personal
[Figura në faqen 31]
Një qëndrim pozitiv mund të na ndihmojë që të gjejmë gëzim në shërbim