Të qëndrojmë të lidhur ngushtë me teokracinë
«Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Dhënësi ynë i statuteve, Jehovai është Mbreti ynë.»—ISAIA 33:22, BR.
1. Pse qeverisja është një çështje shqetësimi për shumicën e njerëzve?
TEMA e qeverisjes është një shqetësim i madh për të gjithë. Një qeveri e mirë sjell paqe e mirëqenie. Bibla thotë: «Me anë të drejtësisë një mbret e bën një vend që të vazhdojë të qëndrojë.» (Proverbat [Fjalët e urta] 29:4, BR) Nga ana tjetër, një qeveri e keqe çon në padrejtësi, korrupsion dhe shtypje. «Kur ndokush i lig sundon, populli psherëtin.» (Proverbat 29:2, BR) Përgjatë gjithë historisë, njerëzit kanë provuar shumë lloj qeverish dhe mjerisht kanë ‘psherëtirë’ shpesh, për shkak të shtypjes nga sundimtarët e tyre. (Eklisiastiu [Predikuesi] 8:9) A do të ketë sukses ndonjë formë qeverisjeje për t’i sjellë kënaqësi të qëndrueshme nënshtetasve të saj?
2. Pse «teokracia» është një përshkrim i përshtatshëm i qeverisë në Izraelin e lashtë?
2 Historiani Jozef përmendi një lloj unik qeverisjeje, kur shkroi: «Disa njerëz ua kanë besuar fuqinë më të lartë politike monarkive, të tjerë oligarkive e të tjerë akoma masave. Gjithsesi, ligjdhënësi ynë [Moisiu], nuk ishte i tërhequr nga asnjëra prej këtyre formave të politikës, por i dha kushtetutës së tij një strukturë që, po të lejohet kjo fjalë, mund të përshkruhet me termin ‘teokraci’, duke e dhënë gjithë sovranitetin dhe autoritetin në duart e Perëndisë.» (Against Apion, II, 164-165) Sipas një fjalori (Concise Oxford Dictionary), teokraci do të thotë «një formë qeverisjeje nga Perëndia». Kjo fjalë nuk përmendet në Bibël, por përshkruan më së miri qeverinë në Izraelin e lashtë. Edhe pse me kalimin e kohës izraelitët patën një mbret të dukshëm, sundimtari i tyre i vërtetë ishte Jehovai. Profeti izraelit Isaia, tha: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Dhënësi ynë i statuteve, Jehovai është Mbreti ynë.»—Isaia 33:22, BR.
Çfarë është teokracia e vërtetë?
3, 4. (a) Çfarë është një teokraci e vërtetë? (b) Çfarë bekimesh do t’i sjellë teokracia gjithë njerëzimit në një ditë të afërt?
3 Që nga koha kur Jozefi shpiku këtë fjalë, shumë shoqëri janë përshkruar si teokraci. Disa prej tyre kanë qenë të vrazhda, fanatike dhe shtypëse në mënyrë mizore. A ishin ato teokraci të vërteta? Jo në kuptimin me të cilin e përdori Jozefi fjalën. Problemi qëndron se kuptimi i «teokracisë» është zgjeruar. Një enciklopedi (World Book Encyclopedia) e përkufizon atë si «një formë qeverisjeje në të cilën një shtet sundohet nga një prift ose nga priftërinj dhe në të cilin pjesëtarët e priftërisë kanë autoritet në çështjet civile e fetare». Gjithsesi, teokracia e vërtetë nuk është një qeverisje nga priftërinjtë. Ajo në të vërtetë është sundimi i Perëndisë, qeverisje nga Krijuesi i universit, Perëndia Jehova.
4 Në një ditë të afërt, e gjithë toka do të jetë nën teokracinë dhe çfarë bekimi do të jetë ky! «Vetë Perëndia do të jetë me [njerëzimin]. Dhe ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më as mbajtje zi, as klithma dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4, BR) Asnjë sundim priftëror nga njerëz të papërsosur nuk mund të sjellë një lumturi të tillë. Vetëm sundimi i Perëndisë mund ta bëjë këtë. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk përpiqen ta vendosin teokracinë me anë të lëvizjeve politike. Ata presin me durim që Perëndia të vendosë një teokraci mbarëbotërore në kohën e vet dhe në mënyrën e vet.—Danieli 2:44.
5. Ku vepron sot teokracia e vërtetë dhe cilat pyetje ngrihen rreth saj?
5 Ndërkohë, teokracia e vërtetë vepron gjithsesi. Ku? Mes atyre që vullnetarisht i nënshtrohen sundimit të Perëndisë dhe bashkëpunojnë për të bërë vullnetin e tij. Këta persona besimplotë janë mbledhur si një «komb» mbarëbotëror frymor në «tokën» e vet frymore. Ata janë mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’ bashkë me më shumë se pesë milionë e gjysmë shokët e tyre të krishterë. (Isaia 66:8, BR; Galatasve 6:16) Këta i janë nënshtruar Jezu Krishtit, Mbretit qiellor të hipur në fron nga Perëndia Jehova, «Mbreti i përjetësisë». (1. Timoteut 1:17, BR; Zbulesa 11:15) Në çfarë mënyre është teokratike kjo organizatë? Si e konsiderojnë anëtarët e saj autoritetin e qeverive botërore? Dhe si mbahet parimi i teokracisë nga njerëzit që ushtrojnë autoritet brenda kombit të tyre frymor?
Një organizatë teokratike
6. Si mund të sundohet nga Perëndia një organizatë e dukshme, njerëzore?
6 Si mund të sundohet një organizatë njerëzore nga Jehovai, i cili banon në qiejt e padukshëm? (Psalmi 103:19) Mundet, sepse ata që shoqërohen me këtë organizatë ndjekin këshillën e frymëzuar: «Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.» (Proverbat 2:6; 3:5, BR) Ata lënë që Perëndia të sundojë mbi ta, ndërsa mbajnë «ligjin e Krishtit» dhe zbatojnë parimet e frymëzuara të Biblës në jetën e tyre të përditshme. (Galatasve 6:2; 1. Korintasve 9:21; 2. Timoteut 3:16; shiko Mateun 5:22, 28, 39; 6:24, 33; 7:12, 21.) Për ta bërë këtë, ata duhet të jenë studiues të Biblës. (Psalmi 1:1-3) Ashtu si bereasit e lashtë «të fisshëm nga mendja», këta nuk ndjekin njerëzit, por verifikojnë vazhdimisht në Bibël gjërat që mësojnë. (Veprat 17:10, 11, BR; Psalmi 119:33-36) Ata luten ashtu si psalmisti: «Më mëso vetë mirësinë, gjykimin e shëndoshë dhe njohurinë, sepse në urdhërimet e tua unë kam ushtruar besim.»—Psalmi 119:66, BR.
7. Cila është radha e mbikëqyrjes në teokraci?
7 Në çdo organizatë duhet të ketë disa që të ushtrojnë autoritet ose të sigurojnë drejtim. Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë përjashtim dhe ruajnë strukturën e autoritetit që u theksua nga apostulli Pavël: «Kreu i çdo burri është Krishti; nga ana tjetër kreu i një gruaje është burri; nga ana tjetër kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3, BR) Në harmoni me këtë, vetëm burrat e kualifikuar shërbejnë si pleq në kongregacione. Dhe, megjithëse Jezui, «kreu i çdo burri», është në qiell, gjenden akoma në tokë «ata që kanë mbetur» nga vëllezërit e tij të mirosur, të cilët kanë shpresën për të sunduar me të në qiej. (Zbulesa 12:17; 20:6) Këta formojnë «skllavin e besueshëm dhe të matur» të përbërë. Të krishterët e tregojnë nënshtrimin e tyre ndaj Jezuit e në këtë mënyrë ndaj kreut të Jezuit, Jehovait, duke e pranuar mbikëqyrjen e këtij «skllavi». (Mateu 24:45-47, BR; Mt 25:40) Në këtë mënyrë, teokracia është sundim i rregullt. «Perëndia është një Perëndi, jo i çrregullimit, por i paqes.»—1. Korintasve 14:33, BR.
8. Si e mbështetin pleqtë e krishterë parimin e teokracisë?
8 Pleqtë e krishterë e mbështetin parimin e teokracisë, pasi ata e pranojnë se janë përgjegjës para Jehovait për mënyrën se si e ushtrojnë masën e tyre të kufizuar të autoritetit. (Hebrenjve 13:17) Dhe kur marrin vendime, ata mbështeten në mençurinë e Perëndisë e jo në të tyren. Në këtë aspekt, ata ndjekin shembullin e Jezuit. Ai ishte njeriu më i mençur që ka jetuar ndonjëherë. (Mateu 12:42) Megjithatë, ai u tha judenjve: «Biri nuk mund të bëjë as edhe një gjë të vetme me iniciativën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati.» (Gjoni 5:19, BR) Pleqtë kanë edhe të njëjtin qëndrim si mbreti David. Ai ushtroi autoritet me peshë në teokraci. E megjithatë, ai donte të ndiqte udhën e Jehovait e jo të vetën. Ai u lut: «Më mëso, o Jehova, në udhën tënde dhe më drejto në shtegun e drejtësisë.»—Psalmi 27:11, BR.
9. Për sa u përket shpresave të ndryshme dhe privilegjeve të ndryshme të shërbimit në teokraci, cilën pikëpamje të ekuilibruar kanë të krishterët?
9 Disa veta kanë vënë në dyshim nëse është e drejtë që autoriteti në kongregacion të ushtrohet vetëm nga burra të kualifikuar e jo nga gra ose që disa të kenë shpresë qiellore, kurse të tjerët një shpresë tokësore. (Psalmi 37:29; Filipianëve 3:20) Por, të krishterët e dedikuar e kuptojnë se këto rregullime janë paraqitur në Fjalën e Perëndisë. Ato janë teokratike. Nëse vihen në dyshim, kjo bëhet zakonisht nga ata që nuk i pranojnë parimet biblike. Përveç kësaj, të krishterët e dinë se burrat dhe gratë janë të barabartë në sytë e Jehovait, për sa i përket shpëtimit. (Galatasve 3:28) Për të krishterët e vërtetë, të qenët adhurues të Sovranit të universit është privilegji më i madh i mundshëm dhe ata janë të lumtur të zënë çfarëdo roli që Jehovai paraqet për ta. (Psalmi 31:23; 84:10; 1. Korintasve 12:12, 13, 18) Për më tepër, jeta e përhershme, qoftë në qiell, qoftë në një tokë parajsore, është me të vërtetë një shpresë e mrekullueshme.
10. (a) Cilin qëndrim të shkëlqyer shfaqi Xhonatani? (b) Si tregojnë sot të krishterët një qëndrim të ngjashëm me atë të Xhonatanit?
10 Kështu, Dëshmitarët e Jehovait i përngjasojnë Xhonatanit me druajtje Perëndie, birit të mbretit Saul. Xhonatani do të ishte bërë një mbret i shkëlqyer. Por, për shkak të jobesnikërisë së Saulit, Jehovai zgjodhi Davidin si mbretin e dytë të Izraelit. Mos u hidhërua Xhonatani nga kjo gjë? Jo. Ai u bë një mik i ngushtë i Davidit dhe madje e mbrojti atë nga Sauli. (1. Samuelit 18:1; 20:1-42) Në një mënyrë të ngjashme, ata që kanë shpresë tokësore nuk janë xhelozë për ata me shpresë qiellore. Të krishterët e vërtetë nuk janë as xhelozë për ata që ushtrojnë autoritetin teokratik në kongregacion. Përkundrazi, ata «u japin atyre më shumë se konsideratë të jashtëzakonshme në dashuri», duke njohur punën e tyre të vështirë në dobi të vëllezërve të tyre frymorë dhe të motrave frymore.—1. Selanikasve [Thesalonikasve] 5:12, 13, BR.
Pikëpamja teokratike për sundimin botëror
11. Të krishterët që i nënshtrohen sundimit teokratik si i konsiderojnë autoritetet botërore?
11 Nëse Dëshmitarët e Jehovait janë nën teokracinë, nën sundimin e Perëndisë, si i konsiderojnë ata sundimtarët kombëtarë? Jezui tha se ithtarët e tij ‘nuk do të ishin pjesë e botës’. (Gjoni 17:16) Sidoqoftë, të krishterët e pranojnë detyrimin e tyre ndaj «Cezarit», qeverive botërore. Jezui tha se ata duhet «t’i paguanin . . . Cezarit gjërat e Cezarit, por Perëndisë, gjërat e Perëndisë». (Mateu 22:21, BR) Sipas Biblës, qeveritë njerëzore «qëndrojnë të vendosura në pozitat e tyre relative nga Perëndia». Jehovai, Burimi i të gjithë autoritetit, lejon që të ekzistojnë qeveritë dhe ai pret që ato t’u bëjnë mirë atyre që janë nën juridiksionin e tyre. Kur e bëjnë këtë, ato janë «shërbëtor i Perëndisë». Të krishterët i nënshtrohen qeverisë së vendit në të cilin jetojnë, «për shkak të ndërgjegjes [së tyre]». (Romakëve 13:1-7, BR) Sigurisht, nëse shteti do të kërkonte diçka në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, të krishterët do ‘t’i binden Perëndisë si sundimtar në vend se njerëzve’.—Veprat 5:29, BR.
12. Kur të krishterët persekutohen nga autoritetet, shembullin e kujt ndjekin ata?
12 Po kur të krishterët e vërtetë persekutohen nga autoritetet qeveritare? Atëherë ata ndjekin shembullin e të krishterëve të hershëm, të cilët duruan periudha të një persekutimi të madh. (Veprat 8:1; 13:50) Këto sprova të besimit nuk ishin të papritura, pasi Jezui kishte paralajmëruar se ato do të vinin. (Mateu 5:10-12; Marku 4:17) Megjithatë, ata të krishterë të hershëm nuk iu kundërpërgjigjën persekutuesve të tyre as nuk e dobësuan besimin nën presione. Përkundrazi, ata ndoqën shembullin e Jezuit: «Kur e përbuznin ai nuk ua ktheu me përbuzje. Kur vuante ai nuk kërcënoi, por vazhdoi t’ia besonte veten atij që gjykon në mënyrë të drejtë.» (1. Pjetrit 2:21-23, BR) Po, parimet e krishtere fituan mbi provokimet e Satanait.—Romakëve 12:21.
13. Si kanë reaguar Dëshmitarët e Jehovait ndaj persekutimit dhe fushatave shpifëse kundër tyre?
13 E njëjta gjë ndodh sot. Gjatë këtij shekulli Dëshmitarët e Jehovait kanë vuajtur shumë nga sundimtarët tiranikë, pikërisht ashtu siç kishte parathënë Jezui. (Mateu 24:9, 13) Në disa vende kanë qarkulluar gënjeshtra dhe keqparaqitje nga ata që përpiqen t’i detyrojnë autoritetet që të veprojnë kundër këtyre të krishterëve të vërtetë. Megjithatë, pavarësisht nga kjo «famë e keqe», Dëshmitarët, me anë të sjelljes së tyre të shkëlqyer e rekomandojnë veten si shërbëtorë të Perëndisë. (2. Korintasve 6:4, 8, BR) Kur është e mundur, ata ua paraqesin çështjen zyrtarëve dhe gjykatave të vendit për të treguar pafajësinë e tyre. Ata përdorin çfarëdo rruge që u hapet, për të bërë një mbrojtje publike të lajmit të mirë. (Filipianëve 1:7) Por, pasi të kenë bërë të gjithë atë që munden në bazë të ligjit, ata i lënë gjërat në duart e Jehovait. (Psalmi 5:8-12; Proverbat 20:22) Po të jetë nevoja, ata, ashtu si të krishterët e hershëm, nuk kanë frikë të vuajnë për hir të drejtësisë.—1. Pjetrit 3:14-17; 4:12-14, 16.
Vëre lavdinë e Perëndisë në vend të parë
14, 15. (a) Çfarë është më kryesore për ata që mbështetin parimin e teokracisë? (b) Në cilin rast la një shembull të shkëlqyer përulësie Solomoni në pozitën e tij të mbikëqyrjes?
14 Kur i mësoi ithtarët e tij të luteshin, gjëja e parë që përmendi Jezui ishte shenjtërimi i emrit të Jehovait. (Mateu 6:9) Në harmoni me këtë, ata që jetojnë nën teokracinë kërkojnë lavdinë e Perëndisë, e jo të tyren. (Psalmi 29:1, 2) Bibla raporton se në shekullin e parë, kjo ishte një pengesë për disa që refuzuan ta ndiqnin Jezuin, sepse «donin lavdinë e njerëzve», donin që njerëzit t’i lavdëronin. (Gjoni 12:42, 43) Në fakt, duhet përulësi për t’i dhënë rëndësi Jehovait në vend se vetes sonë.
15 Solomoni tregoi një frymë të shkëlqyer në lidhje me këtë. Krahaso fjalët e tij në dedikimin e tempullit të lavdishëm që ai kishte ndërtuar, me fjalët e Nabukodonosorit në lidhje me bëmat e ndërtesave të tij. Me një krenari të ekzagjeruar, Nabukodonosori u mburr: «A nuk është kjo Babilonia e Madhe që unë vetë kam ndërtuar për shtëpinë mbretërore me forcën e fuqisë sime dhe për dinjitetin e madhërisë sime?» (Danieli 4:30, BR) Në kontrast, Solomoni me modesti i minimizoi arritjet e veta, duke thënë: «A do të banojë me të vërtetë Perëndia me njerëzimin mbi tokë? Ja! Qielli, po, vetë qielli i qiejve nuk mund të të mbajë, sa më pak, pra, kjo shtëpi që unë të kam ndërtuar?» (2. Kronikave 6:14, 15, 18, BR; Psalmi 127:1) Solomoni nuk e lartësoi veten. Ai e dinte se ishte thjesht një përfaqësues i Jehovait dhe shkroi: «A erdhi arroganca? Atëherë do të vijë çnderimi, por mençuria është me modestët.»—Proverbat 11:2, BR.
16. Duke mos lavdëruar vetveten, si kanë dalë pleqtë se janë një bekim i vërtetë?
16 Ngjashëm, pleqtë e krishterë lartësojnë Jehovain, jo vetveten. Ata ndjekin këshillën e Pjetrit: «Nëse ndonjë shërben, le të shërbejë si vartës në forcën që siguron Perëndia, kështu që në të gjitha gjërat Perëndia të mund të lavdërohet nëpërmjet Jezu Krishtit.» (1. Pjetrit 4:11, BR) Apostulli e përshkroi «pozitën e mbikëqyrësit», jo si një pozitë të rëndësishme shquarjeje, por si «një vepër të shkëlqyer». (1. Timoteut 3:1, BR) Pleqtë caktohen për të shërbyer, jo për të sunduar. Ata janë mësues dhe barinj të kopesë së Perëndisë. (Veprat 20:28; Jakovit 3:1) Pleqtë e përulur, vetësakrifikues, janë një bekim i vërtetë për një kongregacion. (1. Pjetrit 5:2, 3) «Vazhdoni t’i konsideroni me dashuri burrat e atij lloji» dhe falënderoni Jehovain që ka siguruar kaq shumë pleq të kualifikuar për të mbajtur lart teokracinë në këto «ditë të fundit».—Filipianëve 2:29, BR; 2. Timoteut 3:1.
«Bëhuni imitues të Perëndisë»
17. Në cilat mënyra e imitojnë Perëndinë ata që janë nën teokracinë?
17 Apostulli Pavël nxiti: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur.» (Efesianëve 5:1) Ata që i nënshtrohen teokracisë përpiqen të jenë sa më të ngjashëm me Perëndinë, për aq sa është e mundur për njerëzit e papërsosur. Për shembull, Bibla thotë për Jehovain: «Shkëmbi, i përsosur është aktiviteti i tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshmërisë, me të cilin nuk ka padrejtësi, ai është i drejtë dhe i ndershëm.» (Ligji i përtërirë 32:3, 4, BR) Për të imituar Perëndinë në këtë aspekt, të krishterët kërkojnë besueshmërinë, drejtësinë dhe një ndjenjë të ekuilibruar të së drejtës. (Mikea 6:8; 1. Selanikasve 3:6; 1. Gjonit 3:7) Ata shmangin shumë gjëra që janë bërë të pranueshme në botë, si imoralitetin, dëshirimin me lakmi dhe lakminë. (Efesianëve 5:5) Duke qenë se shërbëtorët e Jehovait ndjekin standardet hyjnore e jo ato njerëzore, organizata e tij është teokratike, e pastër dhe e shëndetshme.
18. Cila është cilësia kryesore e Perëndisë dhe si e pasqyrojnë të krishterët këtë cilësi?
18 Cilësia kryesore e Perëndisë Jehova është dashuria. «Perëndia është dashuri»,—thotë apostulli Gjon. (1. Gjonit 4:8) Meqë teokraci do të thotë sundim nga Perëndia, ajo do të thotë sundim nga dashuria. Jezui tha: «Nga kjo të gjithë do t’ju njohin se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35, BR) Organizata teokratike ka treguar një dashuri të jashtëzakonshme përgjatë këtyre ditëve të fundit të vështira. Gjatë konfliktit të gjenocidit në Afrikë, Dëshmitarët e Jehovait treguan dashuri ndaj të gjithëve, pavarësisht se cilit grup etnik i përkitnin. Gjatë luftës në ish-Jugosllavi, Dëshmitarët e Jehovait nga të gjitha zonat ndihmuan njëri-tjetrin, kurse grupet e tjera fetare morën pjesë në të ashtuquajturin pastrim etnik. Në nivel personal, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të zbatojnë këshillën e Pavlit: «Çdo hidhërim keqdashës dhe tërbim, dhe zemërim, dhe e bërtitur, dhe i foluri fyes, le të hiqet prej jush, bashkë me çdo ligësi. Por bëhuni dashamirës ndaj njëri-tjetrit, me dhembshuri të butë, duke falur lirisht njëri-tjetrin, ashtu si edhe Perëndia me anë të Krishtit ju fali lirisht.»—Efesianëve 4:31, 32, BR.
19. Çfarë bekimesh vijnë si tani, ashtu edhe në të ardhmen, për ata që i nënshtrohen teokracisë?
19 Ata që i nënshtrohen teokracisë gëzojnë bekime të mëdha. Ata kanë paqe me Perëndinë dhe me bashkë të krishterët. (Hebrenjve 12:14; Jakovit 3:17) Kanë një qëllim në jetë. (Eklisiastiu 12:13) Kanë siguri frymore dhe një shpresë të sigurt për të ardhmen. (Psalmi 59:9) Në të vërtetë, ata shijojnë paraprakisht se si do të jetë situata kur i gjithë njerëzimi të jetë nën sundimin teokratik. Atëherë, thotë Bibla, «ata nuk do të bëjnë asnjë dëm as nuk do të shkaktojnë rrënim në gjithë malin tim të shenjtë, sepse toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin». (Isaia 11:9, BR) Çfarë kohe e lavdishme që do të jetë! Le ta bëjmë të gjithë ne të sigurt praninë tonë në atë parajsë të ardhshme, duke qëndruar lidhur ngushtë tani me teokracinë!
A mund ta shpjegosh?
◻ Çfarë është teokracia e vërtetë dhe ku gjendet ajo sot?
◻ Si i nënshtrohen njerëzit sundimit teokratik në jetën e tyre?
◻ Në cilat mënyra ata që janë nën teokracinë kërkojnë lavdinë e Perëndisë para së tyres?
◻ Cilat janë disa cilësi hyjnore që imitohen nga ata që mbështetin teokracinë?
[Figura në faqen 17]
Solomoni e vendosi lavdinë e Perëndisë para së tijës