BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/8 f. 21-24
  • Jeta dhe predikimi në hijen e një vullkani

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jeta dhe predikimi në hijen e një vullkani
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Kërcënimi i vullkanit
  • Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë aktivë
  • Si mund të përgatiteni?
  • Paralajmërim në një shkallë më të madhe
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/8 f. 21-24

Jeta dhe predikimi në hijen e një vullkani

«ËSHTË një përvojë frikësuese. Mund t’i ngjajë fare mirë fundit të botës, për të cilin flet Bibla. Çdo çast duhet të qëndrojmë syçelë dhe të kemi një qëndrim të mirë para Perëndisë Jehova.» Këto janë fjalët e Viktorit, një Dëshmitar i Jehovait, ndërsa tregon përvojën që ka pasur duke jetuar shumë pranë vullkanit Popocatépetl, i njohur gjerësisht me emrin Popo, në Meksiko.

Ky vullkan që uturin ka hyrë në lajmet ndërkombëtare që prej vitit 1994.a Autoritetet arritën në përfundimin se çdo gjë që përfshihet në një rreze prej 30 kilometrash nga krateri, ndodhet në një zonë me rrezikshmëri të lartë. Ana jugore e vullkanit është veçanërisht e rrezikshme, sepse krateri është i anuar në atë drejtim dhe ka disa përroska të thella, nëpërmjet të cilave lava dhe balta mund të dalin nga krateri.

Natyrisht, shumë janë ata që pyesin veten se çfarë do t’i ngjasë qytetit të Meksikos sikur të ndodhë një shpërthim i madh i vullkanit. A është në rrezik ky qytet? Veç kësaj, në jug të vullkanit, në shtetin Morelos, ka gjithë ata njerëz. A janë edhe ata në rrezik? Si është jeta në hijen e vullkanit, kur nuk e di se ç’do të sjellë e nesërmja?

Kërcënimi i vullkanit

Qendra e qytetit të Meksikos ndodhet rreth 70 kilometra në veriperëndim të Popocatépetlit, megjithëse disa periferi ndodhen jo më larg se 40 kilometra prej vullkanit. Teknikisht, i gjithë rajoni metropolitan me një popullsi prej 20 milionë banorësh, ndodhet jashtë zonës së rrezikut. Megjithatë, në varësi nga drejtimi i erës, kjo zonë mund të preket nëse nga vullkani del një sasi e madhe hiri.

Zakonisht, pasojat e hirit vullkanik janë më të rënda në anën lindore të vullkanit. Kjo zonë përfshin qytetin e Pueblës dhe disa qytete e fshatra më të vogla me afro 200.000 veta, që jetojnë brenda zonës me rrezikshmëri të lartë. Të dielën e 11 majit 1997, vullkani hodhi në ajër tonelata hiri dhe e shpërndau nëpër gjithë zonën, duke arritur deri në shtetin e Verakruzit, më shumë se 300 kilometra në lindje. Në zonën në jug të vullkanit, në shtetin Morelos, ka disa qytete dhe fshatra me një popullsi të përgjithshme prej 40.000 banorësh, që, gjithashtu, mund të jenë në rrezik të madh.

Mes gjithë kësaj situate, Dëshmitarët e Jehovait jetojnë dhe predikojnë. Në qytetin e Meksikos, ka më shumë se 90.000 prej tyre, në rreth 1.700 kongregacione. Dega e Shoqatës Watch Tower ndodhet jashtë qytetit të Meksikos, në verilindje të tij, rreth 100 kilometra larg vullkanit. Në këtë degë shërbejnë më shumë se 800 vullnetarë, përveç rreth 500 vullnetarëve të tjerë që po punojnë për një projekt të madh ndërtimi. Të gjithë ndodhen jashtë zonës së rrezikut.

Në shtetin Morelos ka rreth 50 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, me më shumë se 2.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Disa prej këtyre kongregacioneve, që ndodhen në Tetela del Volcan dhe në Hueyapan, janë vetëm 20 kilometra larg kraterit. Gjithashtu, në lindje të shtetit të Pueblas, ka kongregacione me afro 600 lajmëtarë, që jetojnë jo më larg se 20-30 kilometra nga vullkani. Sigurisht që këtyre mund t’u kanoset një rrezik serioz.

Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë aktivë

Me gjithë kërcënimin e vazhdueshëm, Dëshmitarët e Jehovait nuk e kanë ndalur veprën e tyre të predikimit në këtë zonë. Gjithashtu, ata kanë vazhduar të ndjekin programin e tyre të mbledhjeve të krishtere, i cili, në këto rrethana të pafavorshme, u jep një ndjenjë uniteti dhe besimi. (Hebrenjve 10:24, 25) Në një raport nga njëri prej kongregacioneve, pohohet: «Në qëndrimin e njerëzve kundrejt lajmit të mirë, ka ndodhur një ndryshim që bie në sy. Në një fshat të vogël, për shembull, kohët e fundit 18 veta kanë pranuar studime biblike në shtëpi.»

Një kongregacion tjetër, që ndodhet 20 kilometra larg vullkanit, raporton: «Rritja ka qenë e jashtëzakonshme. Ky kongregacion u formua në nëntor të 1996-ës. Gjatë gjashtë muajve që pasuan, u kualifikuan për të marrë pjesë në shërbimin në fushë 10 individë. Disa lajmëtarë jetojnë vetëm 20 kilometra larg kraterit. Atje mbahen mbledhjet e krishtere dhe janë të pranishëm pothuajse 40 veta.»

Magdalena, e cila jeton në San Agustín Ixtahuixtla, Puebla, vetëm 25 kilometra larg vullkanit, ka vazhduar të jetë aktive në drejtimin e studimeve biblike. Ajo tregon se çfarë ndodhi pas një shpërthimi të madh.

«Na njoftuan se duhej të largoheshim nga shtëpitë, gjë që e bëmë nën një shi hiri. Me gjithë situatën urgjente, mendja më shkoi te familja Dorado, e cila studionte Biblën me mua. Bashkë me disa vëllezër shkuam në shtëpinë e Doradove që t’i ndihmonim të transferoheshin në një vend më të sigurt. Në qytetin fqinj Puebla, komiteti i ndihmave i Dëshmitarëve të Jehovait ishte vënë tashmë në veprim. Familjes Dorado i bëri shumë përshtypje mënyra se si na trajtuan atje. Vëllezërit tanë të krishterë na kishin përgatitur që më përpara vendet ku do të strehoheshim. Nuk na mungoi asgjë, edhe pse ishim shumë larg shtëpisë. Kjo familje kishte marrë pjesë në disa mbledhje në Sallën e Mbretërisë, por mbeti e befasuar nga dashuria e treguar prej vëllezërve që s’i kishte takuar kurrë më parë. Disa javë pasi u kthyem në shtëpitë tona, kjo familje filloi të ndiqte rregullisht të gjitha mbledhjet. Pas pak kohësh u kualifikuan si lajmëtarë të lajmit të mirë. Tani, dy prej tyre janë pagëzuar. Kanë shërbyer si pionierë ndihmës për disa muaj dhe po bëjnë planet për të filluar shërbimin si pionierë të rregullt.»

Marta, një 20-vjeçare që jeton 21 kilometra larg kraterit, nuk lejoi që një paaftësi fizike ta pengonte të shfrytëzonte çdo rast për të predikuar. Ajo e mësoi të vërtetën tre vjet më parë, kur vullkani u bë edhe një herë aktiv. Për të marrë pjesë në veprën e predikimit, në vend që të përdorë një karrocë invalidësh, të cilën do ta drejtonte me vështirësi në terrenin e rrëpirët ku jeton, ajo nget gomarin. Me atë gomar, ajo shkon edhe në mbledhje. Marta i është shumë mirënjohëse Jehovait që ajo është pjesë e vëllazërisë së dashur, sepse për të hipur dhe për të zbritur nga gomari, ajo varet nga ndihma e motrave të kongregacionit. Çdo muaj, ajo kalon mbi 15 orë në shërbim.

Në këto zona të izoluara, Dëshmitarët e Jehovait hasin shpesh presione nga fqinjët e tyre, për të kremtuar bashkë me ta festat fetare. Në Tulcingo, një fshat që ndodhet rreth 20 kilometra larg vullkanit, një burrë u caktua që të mblidhte kontribute nga Dëshmitarët për kremtimet. Me durim, vëllezërit i shpjeguan se përse nuk mund të merrnin pjesë në ato festa fetare. Ky burrë ishte kaq ngulmues në përpjekjen e tij për të marrë para nga vëllezërit, saqë filloi të shoqërohej me ta, duke njohur kështu edhe disa prej bindjeve të tyre. Teksa gjente përgjigjet e pyetjeve të tij në Biblën e vet katolike, ai provonte gëzim. Ka një vit që ai, gruaja dhe vajza e tij ndjekin rregullisht mbledhjet dhe ai ka shprehur dëshirën për t’u bërë lajmëtar i lajmit të mirë.

Si mund të përgatiteni?

Studiuesit e vullkaneve vazhdojnë studimet e tyre dhe nxjerrin raporte zyrtare për Popocatépetlin kërcënues, por askush nuk e di me të vërtetë se çfarë do të ndodhë ose kur. Sipas mjeteve të informacionit publik dhe njerëzve që jetojnë në atë zonë, ky vullkan mund të shpërthejë në çdo moment. Kërcënimi është real. Sigurisht, autoritetet janë shumë të shqetësuara dhe dëshirojnë të bëjnë gjithçka mundin për të qenë gati në rast urgjence. Por kuptohet që për të bërë një paralajmërim, ata duhet të jenë të kujdesshëm, sepse nuk duan t’i japin shkas një eksodi në masë, nëse nuk ekziston një rrezik i afërt. Ç’duhet të bëjë, pra, një person?

«Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen»,—thotë një fjalë e urtë biblike. (Fjalët e urta 22:3) Prandaj, rruga e mençur është të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u siguruar, ndërsa dera e mundësive për këtë është ende hapur dhe jo të ‘shkojë tutje’, sikur s’ka për të ndodhur kurrë asnjë gjë, duke luajtur me këto forca të tmerrshme natyrore. Me këtë sy e shohin problemin Dëshmitarët e Jehovait në këtë zonë.

Kohët e fundit, përfaqësues nga Zyra e Degës së Shoqatës Watch Tower u takuan me mbikëqyrës udhëtues të shtetit Puebla, të cilët mbajnë kontakt të vazhdueshëm me kongregacionet në zonën e rrezikshme. U bënë plane që mbikëqyrësit udhëtues dhe anëtarë të një komiteti ndihmash të vizitonin secilën prej familjeve që jetonte jo më larg se 25 kilometra nga krateri. Këto familje u ndihmuan që të merrnin në konsideratë mundësinë për të dalë nga zona e rrezikshme përpara se të fillonte paniku i shpërthimit. U morën masa që në qytetin e Pueblës të transferoheshin dhe strehoheshin 1.500 veta. Disa familje shkuan në qytete të tjera, ku do të banonin me të afërmit e tyre.

Paralajmërim në një shkallë më të madhe

Tymi, zjarri dhe uturimat nga Popocatépetli janë tregues të qartë se po afrohet një shpërthim. Të gjithë ata që dëshirojnë të ikin për të shpëtuar, duhet t’ua vënë veshin paralajmërimeve që bëhen nga autoritetet dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Dëshmitarët e Jehovait në zonën pranë vullkanit janë vazhdimisht syhapur për t’u siguruar se çdo gjë është në rregull, si dhe për të ndihmuar të tjerët që ta shohin rrezikun dhe të bëjnë diçka përpara se të jetë tepër vonë.

Në një shkallë më të madhe, Dëshmitarët e Jehovait janë syçelë edhe ndaj ngjarjeve botërore në dritën e profecive të Biblës. Luftërat, tërmetet, uria, sëmundjet dhe krimet janë po aq domethënëse sa dhe veprimtaria e një vullkani. Ato janë elemente të një shenje të përbërë, për të cilën Jezui tha se do të shënonte «përfundimin e sistemit të gjërave». Ndonëse askush nuk e di me saktësi se kur do të vijë ky fund, s’ka asnjë dyshim se ardhja e tij është shumë, shumë e afërt.—Mateu 24:3, 7-14, 32-39, BR.

Sot ekziston nevoja urgjente që njerëzit, kudo qofshin, ta marrin seriozisht paralajmërimin e Jezuit: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.» (Luka 21:34) Qartë, kjo është rruga e mençur që duhet ndjekur. Ashtu si shenjat paralajmëruese të vullkanit nuk duhen marrë lehtë, ne nuk duhet të shpërfillim afrimin e Birit të njeriut, Jezu Krishtit, i cili nxiti: «Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni.»—Mateu 24:44.

[Shënimi]

a Për këtë vullkan kërcënues, fliste revista Zgjohuni!, 8 mars 1997, anglisht.

[Figurat në faqen 23]

Marta (mbi gomar) dhe të tjerët dëshmojnë në hijen e Popocatépetlit

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo