BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/7 f. 20-24
  • Një pikëpamje e krishterë për zakonet e funeralit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një pikëpamje e krishterë për zakonet e funeralit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të lidhura nga një besim
  • Ç’të themi për «pastrimin seksual»?
  • Ceremonitë e përgjimit të të vdekurit
  • Shërbime dinjitoze funerali
  • A janë të pranueshme rrobat e veçanta të zisë?
  • Shmangni imitimin e zakoneve jobiblike
  • Funeralet e krishtere​—Dinjitoze, të thjeshta dhe të miratuara nga Perëndia
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për funeralet?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
  • A duhen nderuar të vdekurit?
    Zgjohuni!—1999
  • Të planifikojmë për njerëzit tanë të dashur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/7 f. 20-24

Një pikëpamje e krishterë për zakonet e funeralit

VDEKJA e papritur, e menjëhershme, e një personi të dashur është veçanërisht tragjike. Ajo sjell së pari një tronditje, e ndjekur nga dhimbje intensive emocionale. Të shohësh një person të dashur tek bie në gjumin e vdekjes pas një lëngate të gjatë e të dhimbshme është ndryshe, por pikëllimi dhe ndjenja e humbjes së thellë mbeten.

Pavarësisht nga rrethanat e vdekjes së një personi të dashur, të pikëlluarit kanë nevojë për mbështetje dhe ngushëllim. Një të krishteri të pikëlluar mund t’i duhet të përballojë edhe persekutimin nga ata që këmbëngulin në mbajtjen e zakoneve jobiblike të funeralit. Kjo gjë është e zakonshme në shumë vende të Afrikës, si edhe në disa pjesë të tjera të tokës.

Çfarë do ta ndihmojë një të krishterë të pikëlluar për t’iu shmangur zakoneve jobiblike të funeralit? Si mund të japin mbështetje bashkëbesimtarët në kohë të tilla sprovash? Përgjigjet e këtyre pyetjeve u interesojnë të gjithë atyre që duan të kënaqin Jehovain, sepse «forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë, është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe të vejat në mjerimin e tyre dhe ta mbash veten pa njollë nga bota».—Jakovit 1:27, BR.

Të lidhura nga një besim

Një faktor i përbashkët që lidh shumë zakone funerali është besimi se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë në një botë të stërgjyshërve që nuk mund të shihet. Për t’i qetësuar ata, shumë persona që mbajnë zi ndihen të detyruar të kryejnë disa rituale. Ose kanë frikë se do t’i mërzitin fqinjët që besojnë se, po të mos bëhen ritualet dëmi do të bjerë mbi të gjithë komunitetin.

Një i krishterë i vërtetë nuk duhet të dorëzohet ndaj frikës së njeriut dhe të marrë pjesë në zakone që shkaktojnë pakënaqësinë e Perëndisë. (Fjalët e urta 29:25; Mateu 10:28) Bibla tregon se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm, sepse thotë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Predikuesi 9:5, 10) Prandaj, Perëndia Jehova e paralajmëroi popullin e tij të kohëve të lashta që të mos përpiqej të qetësonte të vdekurit apo të mos komunikonte me ta. (Ligji i përtërirë 14:1; 18:10-12; Isaia 8:19, 20) Këto të vërteta biblike bien ndesh me shumë zakone të përhapura funerali.

Ç’të themi për «pastrimin seksual»?

Në disa vende të Afrikës Qendrore, nga bashkëshorti i mbetur i ve pritet që të ketë marrëdhënie seksuale me një të afërm të ngushtë të të ndjerit. Nëse kjo nuk bëhet, besohet se i vdekuri do të dëmtojë familjen që ka mbetur. Ky ritual quhet «pastrimi seksual». Por Bibla e përkufizon çdo marrëdhënie seksuale jashtë martesës si «kurvëri». Duke qenë se të krishterët duhet të ‘largohen nga kurvëria’, me guxim ata e refuzojnë këtë zakon jobiblik.—1. Korintasve 6:18.

Merrni rastin e një vejushe me emrin Mërsi.a Kur i vdiq burri në vitin 1989, të afërmit donin që ajo të kryente pastrimin seksual me një të afërm mashkull. Ajo refuzoi, duke shpjeguar se rituali ishte në kundërshtim me ligjin e Perëndisë. Të zhgënjyer, të afërmit u larguan pasi e shanë. Një muaj më vonë ata bastisën shtëpinë e saj, duke i hequr fletët e llamarinës nga çatia. «Feja jote mund të kujdeset për ty»,—i thanë ata.

Kongregacioni e ngushëlloi Mërsin e madje i ndërtoi asaj një shtëpi të re. Fqinjëve u bëri kaq shumë përshtypje saqë disa vendosën të merrnin pjesë në projekt, e madje gruaja katolike e kryeplakut ishte e para që solli bar për çatinë. Sjellja besimplotë e Mërsit i inkurajoi fëmijët e saj. Katër prej tyre e kanë bërë tashmë dedikimin ndaj Perëndisë Jehova dhe njëri nga ata kohët e fundit ka ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim.

Për shkak të zakonit të pastrimit seksual, disa të krishterë e kanë lënë veten të detyrohen për t’u martuar me një jobesimtar. Për shembull, një burrë i ve në moshën 70-vjeçare u martua në mënyrë të nxituar me një vajzë të re që ishte e afërmja e gruas së tij të vdekur. Duke bërë këtë, ai mund të pohonte se kishte kryer pastrim seksual. Megjithatë, një drejtim i tillë bie në kundërshtim me këshillën e Biblës që të krishterët duhet të martohen «vetëm në Zotërinë».—1. Korintasve 7:39, BR.

Ceremonitë e përgjimit të të vdekurit

Në shumë vende, personat që mbajnë zi mblidhen në shtëpinë e të vdekurit dhe rrinë zgjuar gjithë natën. Përgjimi i të vdekurit shpesh përfshin gosti dhe muzikë me zë të lartë. Besohet se kjo gjë qetëson të vdekurin dhe mbron nga shtrigëria familjen që ka mbetur. Mund të mbahen edhe ligjërata pompoze për të fituar favorin e personit të vdekur. Pas një ligjërate, personat që mbajnë zi mund të këndojnë një këngë fetare para se një individ tjetër të ngrihet për të folur. Kjo gjë mund të vazhdojë deri në agim të ditës.b

Një i krishterë i vërtetë nuk merr pjesë në këto ceremoni ku përgjohet i vdekuri gjithë natën, pasi Bibla tregon se të vdekurit nuk janë në gjendje të ndihmojnë apo të dëmtojnë të gjallët. (Zanafilla 3:19; Psalmi 146:3, 4; Gjoni 11:11-14) Shkrimet e dënojnë praktikën e spiritizmit. (Zbulesa 9:21; 22:15) Megjithatë, një vejushe të krishterë mund t’i duket e vështirë t’i parandalojë të tjerët që të mos bëjnë praktika spiritiste. Ata mund të këmbëngulin që ta përgjojnë të vdekurin gjithë natën në shtëpinë e saj. Çfarë mund të bëjnë bashkëbesimtarët për të ndihmuar të pikëlluarit e krishterë që hasin këtë mjerim të mëtejshëm?

Pleqtë e kongregacionit shpesh kanë qenë në gjendje t’i mbështetin familjarët e krishterë të të ndjerit, duke arsyetuar me të afërmit dhe me fqinjët. Pas një arsyetimi të tillë, këta individë mund të bien dakord të largohen nga shtëpia në mënyrë paqësore dhe të mblidhen përsëri për shërbimin e funeralit një ditë tjetër. Po, ç’të themi nëse disa bëhen agresivë? Përpjekjet e vazhdueshme për të arsyetuar mund të sjellin si rezultat dhunën. ‘Një skllav i Zotërisë nuk ka nevojë të luftojë, por duhet ta mbajë veten të kufizuar në të ligën.’ (2. Timoteut 2:24, BR) Prandaj, nëse të afërmit e papajtueshëm agresivisht marrin në dorë situatën, një e ve e krishterë dhe fëmijët e saj mund të mos jenë në gjendje ta parandalojnë këtë. Por ata nuk marrin pjesë në asnjë ceremoni të rreme fetare që ndodh në shtëpinë e tyre, sepse ata i binden urdhrit të Biblës: «Mos hyni nën një zgjedhë bashkë me të pabesët.»—2. Korintasve 6:14.

Ky parim aplikohet edhe për varrimin. Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në këngët, lutjet ose ritualet e drejtuara nga një shërbëtor i fesë së rreme. Edhe nëse të krishterët që janë pjesëtarë të rrethit të ngushtë familjar e konsiderojnë të nevojshme të jenë të pranishëm në një shërbim të tillë, ata nuk marrin pjesë.—2. Korintasve 6:17; Zbulesa 18:4.

Shërbime dinjitoze funerali

Shërbimet e funeralit të drejtuara nga Dëshmitarët e Jehovait nuk përfshijnë rituale të bëra për të qetësuar të vdekurin. Kudo që të bëhet funerali: në Sallën e Mbretërisë, në dhomën e funeraleve, në shtëpinë e të vdekurit ose në varreza, mbahet një fjalim biblik. Qëllimi i fjalimit është të ngushëllohen të pikëlluarit, duke shpjeguar atë që thotë Bibla mbi vdekjen dhe shpresën e një ringjalljeje. (Gjoni 11:25; Romakëve 5:12; 2. Pjetrit 3:13) Mund të këndohet një këngë e bazuar në Shkrime dhe shërbimi mbyllet me një lutje ngushëlluese.

Kohët e fundit, një shërbim i tillë funerali u mbajt për një Dëshmitare të Jehovait që ishte edhe motra më e vogël e Nelson Mandelës, presidenti i Afrikës së Jugut. Pas shërbimit, presidenti e falënderoi sinqerisht oratorin. Të pranishëm ishin shumë autoritete të shquara dhe zyrtarë të lartë. «Ky është funerali më dinjitoz që kam ndjekur ndonjëherë»,—tha një ministre e kabinetit.

A janë të pranueshme rrobat e veçanta të zisë?

Dëshmitarët e Jehovait mbajnë zi për vdekjen e personave të tyre të dashur. Ashtu si Jezui, ata mund të derdhin lot. (Gjoni 11:35, 36) Por ata nuk e konsiderojnë të nevojshme bërjen publike të pikëllimit të tyre me anë të ndonjë simboli të jashtëm. (Krahaso Mateun 6:16-18.) Në shumë vende, nga vejushat pritet që të vishen me rroba të veçanta zije, për të qetësuar të vdekurin. Këto rroba duhet të mbahen për disa muaj ose edhe për një vit pas funeralit dhe heqja e tyre është rast për një festë tjetër.

Mostregimi i shenjave të zisë konsiderohet një fyerje ndaj personit të vdekur. Për këtë arsye, në pjesë të Suazilandit krerët e fiseve i kanë dëbuar Dëshmitarët e Jehovait nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Megjithatë, këta të krishterë besimplotë kanë gjetur gjithnjë kujdes nga vëllezërit e tyre frymorë që jetojnë në vende të tjera.

Gjykata e Lartë e Suazilandit ka nxjerrë vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait, duke pohuar se ata duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë dhe në tokat e tyre. Në një rast tjetër, një vejushe të krishterë iu lejua të qëndronte në pronat e saj, pasi kishte nxjerrë një letër dhe një regjistrim në kasetë, në të cilën burri i saj i ndjerë kishte pohuar qartësisht se gruaja e tij nuk duhej të vishte rroba zije. Kështu, ajo pati mundësi të provonte se po i tregonte me të vërtetë respekt burrit të saj.

Ka shumë vlerë të thuhen qartësisht udhëzimet për funeralin para vdekjes së dikujt, veçanërisht në vende ku janë të përhapura praktikat jobiblike. Shqyrtoni rastin e Viktorit, një banor i Kamerunit. Ai e specifikoi me shkrim programin që duhej ndjekur në funeralin e tij. Në familjen e tij kishte shumë njerëz me influencë që i përkitnin një kulture, e cila kishte tradita të forta në lidhje me të vdekurit, duke përfshirë edhe adhurimin e kafkave njerëzore. Meqë Viktori ishte një anëtar i respektuar i familjes, ai e dinte se kafka e tij do të trajtohej në këtë mënyrë. Prandaj, ai dha udhëzime të qarta se si duhej ta bënin Dëshmitarët e Jehovait funeralin e tij. Kjo i bëri më të lehta gjërat për vejushën dhe për fëmijët e tij dhe në komunitet u dha një dëshmi e mirë.

Shmangni imitimin e zakoneve jobiblike

Disa që kanë njohuri nga Bibla, kanë pasur frikë të dilnin të ndryshëm nga të tjerët. Për të shmangur persekutimin, ata janë përpjekur të kënaqin fqinjët e tyre, duke dhënë dukjen e jashtme se po mbajnë zakonin tradicional të përgjimit të të vdekurit. Edhe pse është për t’u lavdëruar vizita te familjarët e të ndjerit për t’u dhënë ngushëllim personal, kjo nuk kërkon që të mbahet një shërbim i vogël funerali në shtëpinë e të vdekurit çdo natë para funeralit faktik. Bërja e kësaj mund t’i pengojë vëzhguesit, meqë mund t’u japë përshtypjen se pjesëmarrësit nuk besojnë në të vërtetë atë që thotë Bibla mbi gjendjen e të vdekurve.—1. Korintasve 10:32.

Bibla i nxit të krishterët ta vënë adhurimin e Perëndisë në vendin e parë në jetën e tyre dhe të bëjnë një përdorim të mençur të kohës së tyre. (Mateu 6:33; Efesianëve 5:15, 16) Por, në disa vende, aktivitetet e kongregacionit janë shtyrë për një javë ose më shumë për shkak të një funerali. Ky problem nuk është unik vetëm për Afrikën. Në lidhje me një funeral, një raport nga Amerika e Jugut thotë: «Tri mbledhje të krishtere patën një prani jashtëzakonisht të ulët. Shërbimi në fushë nuk u mbështet për pothuaj dhjetë ditë. Edhe njerëzit jashtë kongregacionit dhe disa studentë biblikë u habitën dhe u zhgënjyen kur panë disa nga vëllezërit dhe motrat që merrnin pjesë në aktivitetet e funeralit.»

Në disa komunitete, familjarët e të ndjerit mund të ftojnë disa miq të ngushtë në shtëpinë e tyre për të ngrënë diçka të lehtë pas funeralit. Por në shumë pjesë të Afrikës, qindra nga ata që marrin pjesë në funeral shkojnë në shtëpinë e të vdekurit dhe presin të bëhet një festë, ku shpesh flijohen kafshë. Disa që shoqërohen me kongregacionin e krishterë kanë imituar këtë zakon, duke dhënë përshtypjen se po mbajnë festimet zakonore për të qetësuar të vdekurin.

Shërbimet e funeralit të mbajtura nga Dëshmitarët e Jehovait nuk vënë barrë të rëndë mbi familjarët e të ndjerit. Prandaj nuk duhet të jetë e nevojshme të bëhet një rregullim i veçantë që të pranishmit të japin para për të mbuluar shpenzimet për një funeral të ekzagjeruar. Nëse vejushat e varfra nuk mund të përballojnë shpenzimet e domosdoshme, të tjerët në kongregacion pa dyshim do të jenë të gëzuar t’i ndihmojnë. Nëse një ndihmë e tillë është e pamjaftueshme, pleqtë mund të marrin masa për të siguruar ndihmë materiale për ata që e meritojnë.—1. Timoteut 5:3, 4.

Zakonet e funeralit nuk bien gjithnjë në kundërshtim me parimet e Biblës. Kur bien në kundërshtim, të krishterët janë të vendosur për të vepruar në harmoni me Shkrimet.c (Veprat 5:29) Edhe pse kjo mund të sjellë më tepër mjerim, shumë shërbëtorë të Perëndisë mund të dëshmojnë se i kanë kaluar me sukses këto sprova. Ata e kanë bërë këtë me ndihmën e Jehovait, «Perëndisë së çdo ngushëllimi» dhe me ndihmën e dashur të bashkëbesimtarëve që i kanë ngushëlluar ata në mjerimin e tyre.—2. Korintasve 1:3, 4.

[Shënimet]

a Në këtë artikuj janë përdorur emra zëvendësues.

b Në disa grupe gjuhësore dhe kultura, termi «përgjoj të vdekurin» i aplikohet një vizite të shkurtër për të ngushëlluar personat e pikëlluar. Mund të mos jetë e përfshirë asgjë jobiblike. Shiko Zgjohuni!, 22 maj, 1979, faqet 27-28, anglisht.

c Atje ku zakonet e funeralit ka të ngjarë të sjellin sprova të rënda mbi të krishterët, pleqtë mund t’i përgatitin kandidatët për pagëzim në lidhje me atë që mund të shtrihet para tyre. Kur mblidhen me këta për të diskutuar pyetjet nga libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë, një vëmendje e kujdesshme i duhet dhënë pjesëve «Shpirti, mëkati dhe vdekja» dhe «Bashkimi i feve». Që të dyja këto pjesë kanë pyetje të padetyrueshme për diskutim. Këtu pleqtë mund të sigurojnë informacion rreth zakoneve jobiblike të funeralit, kështu që kandidati për pagëzim ta dijë se çfarë kërkon Fjala e Perëndisë prej tij, nëse do të ballafaqohet me këto situata.

[Kutia në faqen 23]

Të bekuar për qëndrimin e tyre të patundur

Sibongili është një vejushë e guximshme e krishterë që jeton në Suaziland. Pas vdekjes së burrit të saj kohët e fundit, ajo refuzoi të ndiqte zakonet për të cilat shumë mendonin se do të qetësonin të vdekurin. Për shembull, ajo nuk e rruajti kokën. (Ligji i përtërirë 14:1) Tetë pjesëtarë të familjes u zemëruan për këtë dhe ia rruajtën kokën me forcë. Ata i ndaluan edhe Dëshmitarët e Jehovait që të bënin vizita në shtëpi për t’i dhënë ngushëllim Sibongilit. Megjithatë, individë të tjerë të interesuar në mesazhin e Mbretërisë ishin të lumtur ta vizitonin atë me letra inkurajimi të shkruara nga pleqtë. Ditën kur nga Sibongili pritej që të vishte rrobat e veçanta të zisë, ndodhi diçka e çuditshme. Një anëtar me influencë i familjes bëri një mbledhje për të diskutuar refuzimin e saj për t’u përshtatur me zakonet tradicionale të zisë.

Sibongili raporton: «Ata më pyetën nëse bindjet e mia fetare më lejonin të shprehja keqardhje duke veshur fustane të gjata të zeza zije. Pasi kisha shpjeguar pozicionin tim, ata më thanë se nuk do të më detyronin. Për habinë time, të gjithë më kërkuan të falur që më kishin keqtrajtuar dhe më kishin rruajtur kokën kundër vullnetit tim. Të gjithë më kërkuan t’i falja.» Më vonë, motra e Sibongilit shprehu bindjen e saj se Dëshmitarët e Jehovait kanë fenë e vërtetë dhe kërkoi një studim biblik.

Shqyrtoni një shembull tjetër: Një burrë afrikano-jugor me emrin Benjamin ishte 29 vjeç kur dëgjoi për vdekjen e papritur të babait të tij. Në atë kohë, Benjamini ishte i vetmi Dëshmitar në familjen e tij. Gjatë shërbimit të varrimit, nga të gjithë pritej të kalonin në rradhë përreth varrit dhe të hidhnin një grusht dhe mbi arkivol.d Pas varrimit, të gjithë pjesëtarët rrethit të ngushtë familjar e rruajtën kokën. Meqë Benjamini nuk mori pjesë në ritualet e tyre, fqinjët dhe pjesëtarët e familjes parathanë se ai do të ndëshkohej nga fryma e babait të tij të vdekur.

«Duke qenë se e vura besimin tim në Jehovain, nuk më ndodhi asgjë»,—thotë Benjamini. Pjesëtarët e familjes e vunë re se si shkuan punët me të. Me kohë, një numër prej tyre filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Perëndisë. Po Benjamini? Ai ndërmori veprën e ungjillëzimit në kohë të plotë. Vitet e fundit ai ka pasur privilegjin e shkëlqyer për t’u shërbyer kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait si një mbikëqyrës udhëtues.

[Shënimi]

d Disa mund të mos shohin asgjë të gabuar të hedhin lule ose një grusht dhè mbi një varr. Megjithatë, një i krishterë do ta shmangë këtë praktikë nëse komuniteti e konsideron atë si një mënyrë për të qetësuar të vdekurit ose nëse ajo është pjesë e një ceremonie të drejtuar nga një shërbëtor i fesë së rreme.—Shiko Zgjohuni!, 22 mars 1977, faqe 15, anglisht.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo