Cila është e ardhmja e tokës sonë?
«Asnjë shekull tjetër nuk barazohet me shekullin e 20-të për nga dokumentimi i dhunës barbare civile, numri i konflikteve të zhvilluara, turmat e refugjatëve, milionat e njerëzve të vrarë nëpër luftëra dhe harxhimet e pafundme për ‘mbrojtje’»,—pohon World Military and Social Expenditures 1996. A do të ndryshojë ndonjëherë kjo situatë?
Apostulli Pjetër u kujtoi të krishterëve një premtim të bërë nga Perëndia shekuj më parë: «Sipas premtimit [të Perëndisë], presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13) Fjalë të tilla ishin fillimisht pjesë e profecisë së Isaisë. (Isaia 65:17; 66:22) Izraeli i lashtë përjetoi një përmbushje paraprake, kur kombi u rivendos në tokën e tij të premtuar, pasi ishte mbajtur rob për 70 vjet në Babiloni. Duke përsëritur premtimin e ‘qiejve të rinj dhe të tokës së re’, Pjetri tregoi se kjo profeci do të përmbushej ende në një shkallë edhe më të madhe: mbarëbotërore!
Vendosja e kushteve të drejta në të gjithë tokën është vullneti i Perëndisë dhe kjo do të bëhet me anë të Mbretërisë së tij qiellore me Krishtin si Mbret. «Një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:4) Një paqe dhe siguri e tillë e plotë në tokë, është ajo që Jezui i mësoi ithtarët e tij të pritnin dhe të luteshin me atë që zakonisht quhet Ati ynë ose Lutja e Zotërisë, e cila thotë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.»—Mateu 6:9, 10.
A do të të pëlqente të jetoje në një botë që është po aq e drejtë sa dhe qielli? Kjo është shpresa, të cilën Bibla ia ofron kujtdo që me gjithë zemër kërkon ta njohë Perëndinë dhe të jetojë sipas rrugëve të tij të drejta.