Një dasmë shumë e veçantë
NË VERI të Mozambikut shtrihet një luginë e bleruar, e rethuar nga male të bukura, disa shkëmborë, të tjerë të mbuluar nga bimësia e harlisur. Këtu ndodhet fshati Fingoe. Në netët e kthjellëta të dimrit, qiejtë vezullojnë nga yjet dhe hëna është kaq e shndritshme, saqë ndriçon shtëpitë me çati prej kashte të banorëve të fshatit. Ja, pra, në këtë ambient fantastik u bë një dasmë e rrallë.
Qindra njerëz ecën për orë, madje për ditë të tëra, që të merrnin pjesë në këtë rast të veçantë. Disa përshkuan vise të shkreta dhe të rrezikshme, të banuara nga hienat, luanët dhe elefantët. Përveç bagazhit personal, shumë vizitorë kishin sjellë me vete pula, dhi dhe perime. Pasi mbërritën në fshat, u drejtuan për në një zonë të hapur, e përdorur normalisht për kongreset e krishtere. Ndonëse të lodhur nga udhëtimi, ata ishin të lumtur dhe fytyrat e tyre të qeshura pasqyronin një pritje të paduruar për atë që do të ndodhte.
Kush ishin ata që do të martoheshin? Ishin shumë! Po, një numër i madh çiftesh. Nuk ishin pjesë e ndonjë dasme sensacionale në masë. Përkundrazi, ato ishin çifte të sinqerta dhe me një motivim të fortë, të cilat më parë nuk kishin pasur mundësi t’i regjistronin martesat e tyre, sepse jetonin në vise të thella, shumë larg zyrave të regjistrimit. Të gjitha këto çifte u bënë të vetëdijshme për standardet hyjnore në lidhje me martesën, kur studiuan Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ato mësuan se për t’i pëlqyer Krijuesit të tyre, Nismëtarit të martesës, duhej të martoheshin sipas ligjeve të vendit, ashtu si Jozefi dhe Maria vepruan në përputhje me kërkesat e regjistrimit që ekzistonin në kohën e lindjes së Jezuit.—Luka 2:1-5.
Përgatitjet për ngjarjen
Zyra e Degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Mozambik, vendosi t’i ndihmonte. Fillimisht, u kontaktuan Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme në kryeqytetin e vendit, Maputo, për të përcaktuar se cilat procedura kërkoheshin nga ligji. Më pas, misionarët në qytetin kryesor të provincës së Tetes u vunë në kontakt me autoritetet lokale, për të bashkërenduar më tej rregullimet. Nga noteria dhe nga zyra e gjendjes civile u caktua një datë që misionarët dhe zyrtarët të udhëtonin drejt fshatit Fingoe. Ndërkaq, zyra e degës u dërgoi kongregacioneve të përfshira në këtë çështje një letër me shpjegime, ku jepeshin udhëzime. Si Dëshmitarët, ashtu edhe zyrtarët lokalë, mezi e pritnin këtë ngjarje të rrallë.
Të dielën, më 18 maj 1997, tre misionarë bashkë me disa zyrtarë qeveritarë, mbërritën në Fingoe. Për strehimin e zyrtarëve, autoritetet lokale kishin përgatitur vende të rehatshme pranë ndërtesës së administratës. Megjithatë, zyrtarëve të ardhur u bëri kaq shumë përshtypje mikpritja e Dëshmitarëve të Jehovait, saqë preferuan të qëndronin bashkë me misionarët në kasollet e improvizuara. Ata u habitën, kur morën vesh se njëri prej kuzhinierëve ishte plak në kongregacionin lokal dhe se mbikëqyrësi udhëtues ndodhej mes vullnetarëve që bënin punët më të rëndomta në përgatitjet për dasmën. Po kështu, vunë re edhe se misionarët ishin gjithnjë në humor e që pa u ankuar, rrinin në një kasolle të thjeshtë dhe laheshin duke përdorur një bidon të vogël. Kurrë më parë nuk kishin parë një lidhje të tillë të fortë mes njerëzve me prejardhje kaq të ndryshme. Por, ajo që u la më shumë mbresa ishte besimi i shfaqur me bërjen e sakrificave të mëdha, për t’u vënë në harmoni me ligjin e vendit dhe me rregullimin e Perëndisë.
Një rast i gëzuar
Sapo mbërrinin, çiftet përgatiteshin menjëherë për fazën e parë të martesës: marrjen e një certifikate lindjeje. Të gjithë pritnin me durim në radhë, përballë ekipit të regjistrimit civil, për të paraqitur të dhënat e tyre personale. Pastaj mbanin një radhë tjetër, që të dilnin në fotografi, pas së cilës shkonin tek ekipi i dërguar nga zyra e gjendjes civile, për të marrë letërnjoftimet. Më pas, ktheheshin tek ekipi i regjistrimit civil, për përgatitjen e certifikatës shumë të dëshiruar të martesës. Pas kësaj, me durim qëndronin në këmbë, duke pritur që t’u thërritnin emrin me megafon. Dorëzimi i certifikatave të martesës ishte një skenë emocionuese. Krijohej një gëzim i madh, ndërsa secili çift mbante lart certifikatën e vet të martesës, si një trofe të çmuar.
E gjithë kjo ndodhi nën diellin përvëlues. Por megjithatë, gëzimi i rastit nuk u prish nga nxehtësia dhe pluhuri.
Burrat ishin veshur të rregullt, shumë me xhaketa dhe kravata. Gratë ishin veshur në mënyrën tradicionale, që përfshinte edhe një copë të gjatë plot ngjyra të gjalla, e quajtur capulana, të vënë në bel. Disa prej tyre mbanin foshnje të mbështjella me një copë të ngjashme.
Punët shkuan mirë, por ishin tepër veta për të mbaruar brenda një dite të vetme. Kur ra mbrëmja, zyrtarët qeveritarë, me dashamirësi vendosën të vazhdonin punën me çiftet. Ata thanë se nuk mund t’i linin «vëllezërit tanë» të pritnin, pas një sakrifice kaq të madhe që kishin bërë për të shkuar atje. Kjo frymë bashkëpunimi dhe vetësakrifikimi do të kujtohet gjithmonë.
Bashkë me natën erdhi edhe i ftohti i madh. Ndërkohë që disa kishin ku të rrinin nëpër kasolle, shumica e çifteve ndodheshin jashtë, të strukura përreth zjarrit. Kjo s’e pakësoi dot lumturinë e rastit. Mbi kërcëllitjen e zjarreve ngrihej tingulli i të qeshurave dhe i këngëve të kënduara me katër zëra. Shumë tregonin historira nga udhëtimi i tyre, duke shtrënguar fort dokumentet e sapomarra.
Kur u thye nata, disa morën guximin të shkonin në qendër të fshatit për të shitur pulat, dhitë dhe perimet e tyre, që të kontribuonin për pagimin e shpenzimit të regjistrimit të martesës. Shumë i bënë me të vërtetë «fli» ato kafshë, duke i shitur shumë më lirë sesa vlera reale e tyre. Për të varfërit, një dhi është diçka e çmuar dhe e kushtueshme; megjithatë, ata ishin të gatshëm t’i bënin këto sakrifica për t’u martuar dhe për t’i pëlqyer Krijuesit.
Vështirësitë e udhëtimit
Disa prej çifteve kishin përshkuar largësi të mëdha për të shkuar atje. Kështu ndodhi me Shambokon dhe gruan e tij, Hakulera. Ata e treguan historinë e tyre natën e dytë të kësaj ngjarjeje, ndërsa ngrohnin këmbët pranë zjarrit. Megjithëse 77 vjeç, me një sy të verbër dhe me shikim të dobët në tjetrin, Shamboko udhëtoi këmbëzbathur për tri ditë, i shoqëruar nga pjesa tjetër e kongregacionit, sepse ishte i vendosur ta bënte ligjor bashkimin e tij 52-vjeçar.
Anselmo Kembo, 72 vjeç, jetonte me Nerin prej pothuajse 50 vjetësh. Pak ditë përpara udhëtimit, iu ça keqazi këmba nga një gjemb i madh, ndërsa kultivonte plantacionin e tij. E çuan nxitimthi në spitalin më të afërt, që të mjekohej. Megjithatë, vendosi ta bënte në këmbë udhëtimin, duke u çapitur me dhimbje nëpër rrugën drejt Fingoes. Iu deshën tri ditë. Anselmo nuk mundej ta përmbante gëzimin e tij, ndërsa mbante në dorë certifikatën e martesës.
Një i sapomartuar tjetër që vlen të përmendet, ishte Evans Sinoia, një ish-poligamist. Kur mësoi të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, vendosi ta bënte ligjor bashkimin me gruan e tij të parë, por ajo refuzoi, duke e braktisur për një burrë tjetër. Gruaja e tij e dytë, që, gjithashtu, po studionte Biblën, pranoi të martohej me të. Që të dy ecën përmes një rajoni të rrezikshëm, të banuar nga luanët dhe nga kafshë të tjera të egra. Pas një udhëtimi tri-ditor, edhe ata ia dolën të martoheshin ligjërisht.
Të premten, pesë ditë pasi kishin mbërritur misionarët dhe zyrtarët, puna ishte përfunduar. Rezultati ishte 468 letërnjoftime dhe 374 certifikata lindjeje të lëshuara. Numri i certifikatave të lëshuara të martesës ishte 233! Atmosfera ishte euforike. Pavarësisht nga rraskapitja, të gjithë ishin të mendimit se një gjë e tillë ia vlente. Pa dyshim, ky rast do të mbetet i ngulitur në mënyrë të pashlyeshme në mendjet dhe në zemrat e të gjithë atyre që morën pjesë. Ishte vërtet një dasmë shumë e veçantë!