Kishat rrëfejnë
«Papa hedh në gjyq kishën.» «Inkuizicioni dhe antisemitizmi: Kisha po përgatit ‘mea kulpa’ e saj.»a «‘Mea kulpa’ për olokaustin.» «Metodistët u kërkojnë ndjesë indianëve të Amerikës Perëndimore.»
A KE lexuar tituj si këta? Duket se me një shpeshtësi në rritje, kishat po pranojnë fajin dhe po kërkojnë ndjesë për atë që kanë bërë gjatë shekujve. Mjetet e informacionit publik po nxjerrin vazhdimisht në pah ‘mea kulpa’ të reja nga papa.
Kur papa kërkon falje
Mes viteve 1980 dhe 1996, Gjon Pavli II ‘pranoi fajet historike të kishës ose kërkoi falje’ të paktën 94 herë, thotë komentuesi i Vatikanit Luixhi Akatoli në librin e tij Quando il papa chiede perdono (Kur papa kërkon falje). Sipas Akatolit, «në Kishën Katolike, vetëm papa mund të thotë me të drejtë ‘mea kulpa’». Dhe këtë e ka bërë, duke iu referuar faqeve më të debatuara të historisë katolike: kryqëzatave, luftërave, përkrahjes së diktaturave, ndarjes nëpër kisha, antisemitizmit, inkuizicionit, mafies dhe racizmit. Në një memorandum dërguar kardinalëve në vitin 1994, (i cili nga disa është konsideruar si dokumenti më i rëndësishëm i pontifikatit), Gjon Pavli II propozoi «një rrëfim të përgjithshëm dhe mijëvjeçar të mëkateve».
Disa prelatë kanë ndjekur shembullin e papës. Në dhjetor të vitit 1994, gazeta italiane Il giornale raportonte: «Shumë peshkopë amerikanë dolën në televizor dhe kërkuan publikisht falje.» Për çfarë? Sepse kishin nënvlerësuar problemin e priftërinjve pedofilë, në dëm të shumë viktimave në moshë të re. Në janar të vitit 1995, gazeta La Repubblica raportoi mbi «një gjest pa precedent në historinë e katolicizmit bashkëkohor»: trajtohej problemi i heshtjes së papa Piut XII në lidhje me olokaustin. Në janar të 1995-s, e njëjta gazetë raportoi se ipeshkvia gjermane kërkoi falje për «fajet e shumta» të katolikëve romakë, që përkrahën krimet e nazistëve. Kisha të ndryshme protestante i janë nënshtruar, gjithashtu, autokritikës.
Pse?
Bibla na inkurajon të kërkojmë falje kur jemi në faj dhe shumë janë ata që i duartrokasin kishat, kur i nënshtrohen autokritikës. (Jakovit 5:16) Por, pse po e bëjnë këtë kishat? Si duhet të ndikojë kjo në mënyrën se si i konsiderojmë ato?
[Shënimi]
a Latinisht për «faji im», pjesë e një lutjeje katolike (Confiteor ose «rrëfej»), gjatë së cilës besimtari përsërit këtë shprehje.