Të nxjerrim «ujëra të thella»
NJË fjalë e urtë biblike thotë: «Këshilla në zemrën e një njeriu është si ujërat e thella, por njeriu i aftësisë shquese është ai që do t’i nxjerrë ato.» (Fjalët e urta 20:5, BR) Në kohët biblike, për të marrë ujë kërkohej shumë më tepër punë sesa në shumë vende sot. Kur Jezui i foli gruas samaritane, ajo po nxirrte ujë nga pusi i Jakobit, një pus që ishte pothuajse 23 metra i thellë!—Gjoni 4:5-15.
Siç tregohet nga Fjalët e urta 20:5, aftësia shquese e nevojshme për të nxjerrë mendimet dhe ndjenjat e thella të strehuara në zemrën e një personi, është shumë e ngjashme me përpjekjen që kërkohet për të nxjerrë ujë nga një pus. Kjo është e vërtetë në pjesën më të madhe të fushave të jetës. Për shembull, ka të ngjarë që ti të njohësh individë, të cilët gjatë shumë viteve kanë akumuluar një pasuri njohurie dhe përvoje. Nëse këta nuk janë të prirur për të dhënë vullnetarisht këshilla që nuk u janë kërkuar, mund të të duhet t’ia nxjerrësh ti. Duke treguar interes, duke i drejtuar pyetje dhe duke sonduar me takt, do të qe sikur ti të ishe duke lëshuar kovën tënde në një pus të thellë mençurie.
Këshilla e Fjalëve të urta 20:5 mbetet e vërtetë edhe në familje. Shpesh, gratë dëgjohen tek thonë: «Burri im nuk më tregon se si ndihet!» Një burrë mund të thotë: «Gruaja ime thjesht më trajton me heshtje!» Në situata të tilla, aftësia shquese është e nevojshme për të nxjerrë mendimet që ndodhen thellë në zemrën e bashkëshortit. Pyetje të bëra me takt (Ke kaluar një ditë të vështirë? Ç’ka ndodhur? Si mund të të ndihmoj?) shpesh mund t’i japin nisje një komunikimi me zemër të hapur. Duke treguar një aftësi të tillë shquese, lidhja martesore do të forcohet në dobi si të burrit, ashtu dhe të gruas.