Mirënjohëse për një jetë të gjatë në shërbim të Jehovait
TREGUAR NGA OTILI MIDLËND
Nga fundi i shekullit të 19-të, anije lundrimi ishin renditur pranë njëra-tjetrës në portin e Kopervikut, në Norvegjinë perëndimore. Në ato ditë, njerëzit dhe kuajt tërhiqnin karroca nëpër rrugë. Për ndriçim, njerëzit përdornin llamba vajguri, ndërsa shtëpitë prej druri të lyera me të bardhë ngroheshin me dru dhe qymyr. Unë linda atje në qershor të 1898, e dyta nga të pesë fëmijët.
NË VITIN 1905 babai ishte i papunë, kështu që shkoi në Shtetet e Bashkuara. Ai u kthye tre vjet më vonë, me një valixhe të mbushur me dhurata emocionuese për fëmijët dhe me pëlhura mëndafshi e gjëra të tjera për mamanë. Por gjërat më të vyera të tij ishin vëllimet nga Charles Taze Russell, të titulluara Studime mbi Shkrimet.
Babai nisi t’u tregonte miqve dhe të afërmve gjërat që kishte mësuar nga këta libra. Në mbledhjet që bëheshin në famullinë e zonës sonë, ai përdorte Biblën, për të treguar se nuk ka ferr të zjarrtë. (Predikuesi 9:5, 10) Në 1909-n, viti pasi babai u kthye nga Shtetet e Bashkuara, vëllai Russell vizitoi Norvegjinë dhe mbajti fjalime në Bergen dhe Kristiania, tani Oslo. Babai shkoi në Bergen që ta dëgjonte.
Shumica e njerëzve e akuzuan babain për përkrahje të mësimeve të rreme. Më vinte keq për të dhe e ndihmoja t’u shpërndante fletushka biblike fqinjve. Në vitin 1912, i dhashë një fletushkë mbi ferrin, vajzës së një kleriku. Ajo më shau mua dhe babain. Mbeta e shtangur nga fakti që vajza e një kleriku mundi të përdorte një të folur të tillë të ulët!
Në Kopervik na vizituan herë pas here edhe studentë të tjerë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, duke përfshirë Teodor Simonsenin, një orator i aftë. Unë ftoja njerëz për fjalimet që ai mbante në shtëpinë tonë. Përpara fjalimit ai i binte qestes dhe këndonte, ndërsa pas fjalimit këndonte një këngë përmbyllëse. Ne kishim respekt të thellë për të.
Një vizitore tjetër në shtëpinë tonë ishte Ana Andersen, një përhapëse apo shërbëtore në kohë të plotë. Ajo udhëtonte nga qyteti në qytet anembanë Norvegjisë, kryesisht me biçikletë, duke u dhënë njerëzve literaturë biblike. Dikur ajo kishte qenë oficere në Ushtrinë e Shpëtimit dhe njihte disa oficerë të Ushtrisë së Shpëtimit në Kopervik. Ata e lejuan të mbante një fjalim biblik në shtëpinë e tyre të mbledhjeve dhe unë ftova njerëz për të ardhur dhe për ta dëgjuar.
Një përhapës tjetër që na vizitoi në Kopervik, ishte Karl Gunberg. Ky burrë modest, i qetë, por me humor, shërbeu periodikisht edhe si përkthyes në zyrën e degës në Oslo. Vite më vonë, punuam atje së bashku.
E ndikuar nga pikëpamjet fetare
Në atë kohë, shumica e njerëzve jo vetëm që kishin besim të fortë në Perëndinë dhe në Bibël, por edhe bindje të rrënjosura, të tilla si ato tek ferri dhe tek Triniteti. Prandaj, kur Studentët e Biblës u mësuan se këto doktrina nuk ishin në përputhje me Biblën, u bë bujë. Unë u ndikova nga akuzat e rënda të fqinjve tanë se babai ishte një heretik. Madje njëherë i thashë: «Ajo që mëson ti, nuk është e vërtetë. Është herezi!»
«Eja këtu Otili,—më inkurajoi ai,—dhe shiko se çfarë thotë Bibla.» Pastaj ai më lexoi nga Shkrimet. Si rezultat, besimi im në të dhe në atë që mësonte, u rrit. Ai më inkurajoi të lexoja Studimet mbi Shkrimet, kështu që gjatë verës së 1914-s, shpesh ulesha e lexoja në një kodrinë me pamje nga qyteti.
Në gusht të 1914-s, njerëzit u grumbulluan jashtë ndërtesës së gazetës lokale dhe po lexonin për shpërthimin e Luftës I Botërore. Aty ia behu babai dhe pa se ç’po ndodhte. «Faleminderit Perëndi!»,—shpërtheu ai. Në shpërthimin e luftës ai njohu përmbushjen e profecive biblike, rreth të cilave kishte qenë duke predikuar. (Mateu 24:7) Atëherë, shumë Studentë të Biblës besonin se së shpejti do të merreshin në qiell. Kur kjo nuk ndodhi, disa u zhgënjyen.
Qëndrimi im për të vërtetën biblike
Në 1915-n, në moshën 17-vjeçare, përfundova shkollën e mesme dhe fillova të punoja në botë në një zyrë. Atëherë fillova të lexoja rregullisht Kullën e Rojës. Por në Kopervik, mbledhjet e rregullta filluan të mbaheshin jo më përpara se 1918-a. Si fillim, ne që merrnim pjesë ishim vetëm pesë. Lexonim botimet e Shoqatës Watch Tower, të tilla si Studime mbi Shkrimet dhe e trajtonim materialin me anë të pyetjeve dhe përgjigjeve. Megjithëse të tjerëve mamaja u fliste mirë për Studentët e Biblës, nuk u bë kurrë një prej nesh.
Në zyrën ku punoja, duke filluar nga 1918-a, u njoha me Anton Saltnes, të cilin pata mundësi ta ndihmoja të bëhej një Student i Biblës. Në këtë kohë, u bëra lajmëtare e rregullt dhe u pagëzova në një asamble në Bergen, në vitin 1921.
Në maj të 1925-s, në Örebro të Suedisë kishte një asamble për të gjithë Skandinavinë. Të pranishëm ishin më shumë se 500 veta, duke përfshirë edhe Joseph F. Rutherford, presidentin e Shoqatës Watch Tower. Rreth 30 prej nesh udhëtuan nga Oslo me tren, në një vagon të rezervuar.
Në këtë asamble u njoftua se në Kopenhagen të Danimarkës, do të vendosej një degë e zyrës për Evropën Veriore, që të kujdesej për veprën e predikimit në mbarë Skandinavinë dhe në shtetet balltike. Uilliam Dei nga Skocia u caktua që të mbikqyrte veprën e predikimit. Ai ishte shumë i pëlqyer dhe shpejt u bë i njohur si Skocezi i Madh. Në fillim, vëllai Dei nuk kishte fare njohuri për asnjë gjuhë skandinave, kështu që gjatë mbledhjeve dhe asambleve ulej në fund dhe kujdesej për fëmijët, kështu që prindërit e tyre mund të përqendroheshin në atë që po thuhej në podium.
Kulla e Rojës e 1 marsit 1925, trajtonte kapitullin 12 të Zbulesës dhe shpjegonte se ky kapitull flet për lindjen e Mbretërisë së Perëndisë dhe se kjo lindje ndodhi në qiell në vitin 1914. M’u duk e vështirë për t’u kuptuar, kështu që e lexova artikullin disa herë. Kur më së fundi e kuptova, u ndjeva shumë e lumtur.
Kur në kuptueshmërinë tonë mbi çështjet biblike janë bërë rregullime, disa janë penguar dhe janë tërhequr nga populli i Perëndisë. Por kur një rregullim i tillë ka qenë i vështirë për t’u kapur, gjithmonë e lexoja materialin disa herë dhe përpiqesha të kuptoja mënyrën e arsyetimit. Nëse nuk e kam kuptuar ende shpjegimin e ri, pres sqarimin. Herë pas here jam shpërblyer nga një durim i tillë.
Shërbimi në Bethel
Për disa vite punova si llogaritare, sekretare dhe si revizore administrative. Në vitin 1928, ai që ishte kujdesur për llogaritë financiare të Shoqatës, u sëmur dhe iu desh ta linte Bethelin. Meqenëse kisha përvojë në një punë të tillë, m’u kërkua ta kryeja unë. E fillova shërbimin në Bethel në qershor të 1928-s. Hera-herës vëllai Dei na vizitonte dhe reviziononte llogaritë që kisha bërë unë. Familja jonë Bethel mori drejtimin edhe në veprën e predikimit në Oslo, ku atëherë kishim vetëm një kongregacion.
Disa prej nesh e ndihmuan vëllain Sakshamer që shërbente për transportin në Bethel, në paketimin dhe dërgimin e Epoka e artë (tani Zgjohuni!). Vëllezërit Simonsen dhe Gunberg ishin mes atyre që dhanë ndihmë. Kaluam një periudhë të bukur, shpesh duke kënduar këngë, ndërsa punonim.
E sigurt në shpresën e Mbretërisë
Në vitin 1935 arritëm të kuptojmë se «shumica e madhe» nuk ishte një klasë qiellore dytësore. Mësuam se në vend të kësaj, ajo përfaqëson një klasë që mbijeton mjerimin e madh dhe që ka mundësinë për të jetuar përgjithmonë në Parajsën mbi tokë. (Zbulesa 7:9-14) Me këtë kuptueshmëri të re, disa prej atyre që i kishin marrë emblemat e Përkujtimit, e kuptuan se shpresa e tyre ishte tokësore dhe e ndërprenë marrjen e tyre.
Megjithëse nuk kam pasur kurrë dyshime për sa i përket shpresës sime qiellore, shpesh kam menduar: ‘Përse më dëshiron Perëndia?’ Ndihesha e padenjë për një privilegj të tillë të madh. Si një grua trupvogël dhe e ndrojtur, më dukej e çuditshme ta mendoja veten si një mbret që sundon bashkë me Krishtin në qiell. (2. Timoteut 2:11, 12; Zbulesa 5:10) Megjithatë, përsiatesha mbi fjalët e apostullit Pavël që «jo shumë të fuqishëm» ishin thirrur, por «Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, që të turpërojë gjërat e forta».—1. Korintasve 1:26, 27, BR.
Aktiviteti gjatë Luftës II Botërore
Më 9 prill 1940, Norvegjia u pushtua nga trupat gjermane dhe shpejt vendi ra në duart e tyre. Si rezultat i luftës, shumë persona u bënë të ndjeshëm ndaj mesazhit të Mbretërisë. Nga tetori i 1940-s deri në qershor të 1941-shit, ne shpërndamë më shumë se 272.000 libra dhe broshura. Kjo do të thotë që secili prej më shumë se 470 Dëshmitarëve që ishin atëherë në Norvegji, dhanë mesatarisht më shumë se 570 libra dhe broshura gjatë atyre nëntë muajve!
Më 8 korrik 1941, Gestapoja vizitoi të gjithë mbikëqyrësit drejtues dhe u tha se nëse vepra e predikimit nuk do të ndalej, ata do të dërgoheshin në kampet e përqendrimit. Pesë oficerë të policisë gjermane erdhën në Bethel dhe konfiskuan një pjesë të madhe të pronës së Shoqatës Watch Tower. Familjen Bethel e larguan që andej dhe e morën në pyetje, por asnjëri prej nesh nuk u burgos. Së fundi, më 21 korrik 1941, ndërtesa e Shoqatës, Inkognitogaten 28 B, u konfiskua dhe vepra jonë e predikimit u ndalua. U ktheva në Kopervik dhe zura një punë në botë, për të mbajtur veten.
Në atë kohë, babai po shërbente si pionier. Një ditë, nazistët erdhën dhe bastisën shtëpinë e babait. Ata morën të gjithë literaturën e tij, duke përfshirë Biblat dhe treguesit biblikë. Gjatë kësaj periudhe ne morëm vetëm një sasi të paktë ushqimi frymor. Për të qëndruar të fortë frymësisht, studiuam herë pas here librat e vjetër, të tillë si libri Qeveria dhe vazhduam të predikonim.
Mjerisht, në shumë vende vëllezërit ishin përçarë. Disa ishin të mendimit se ne duhej të predikonim hapur dhe të shkonim nga shtëpia në shtëpi, ndërsa të tjerët mendonin se duhej të punonim në mënyrë më sekrete, duke i kontaktuar njerëzit në mënyra të tjera. Kështu që vëllezër të shquar, që më parë kishin bashkëpunuar shumë mirë dhe që i donim aq shumë, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Përçarja ndërmjet tyre më shkaktoi në zemër një dhimbje më të madhe se çdo situatë tjetër në jetën time si Dëshmitare.
Përtëritja e aktivitetit pas luftës
Pas luftës, në verën e vitit 1945, vëllai Dei vizitoi Norvegjinë dhe mbajti mbledhje në Oslo, Skien dhe Bergen. Ai u bëri thirrje vëllezërve që të hiqnin dorë nga grindjet dhe të gjithëve atyre që dëshironin të vepronin kështu, u kërkoi të ngriheshin në këmbë. Të gjithë u ngritën! Grindja u zgjidh një herë e mirë në dhjetor të 1945-s, pas një vizite të Nathan H. Knorr, atëherë president i Shoqatës Watch Tower.
Ndërkohë, më 17 korrik 1945, mora një telegram nga shërbëtori i degës, vëllai Enok Öman, ku thuhej: ‘Kur mund të kthehesh në Bethel?’ Disa vëllezër thoshin se unë duhej të qëndroja në shtëpi dhe të kujdesesha për babain tim, i cili në atë kohë i kishte kaluar të 70-at. Por babai më inkurajoi që të rifilloja shërbimin në Bethel, gjë që unë e bëra. Në vitin 1946, Marvin F. Anderson, një vëlla nga Shtetet e Bashkuara, u bë mbikëqyrësi ynë i degës dhe vepra e predikimit u riorganizua.
Gjatë pushimeve të verës, unë kthehesha në Kopervik për të parë familjen time. Dy vëllezërit dhe dy motrat e mia nuk u bënë Dëshmitarë, por ndaj babait dhe ndaj meje ishin gjithmonë miqësorë. Njëri prej vëllezërve u bë komandant porti dhe kapiten, ndërsa tjetri ishte mësues. Megjithëse materialisht kisha pak, babai u thoshte atyre: «Otili është më e pasur se ju.» Ishte e vërtetë! Ajo që kishin fituar ata, nuk mund të krahasohej me pasuritë frymore që po gëzoja unë! Babai vdiq në moshën 78-vjeçare, në vitin 1951. Mamaja kishte vdekur në vitin 1928.
Një moment kulmor në jetën time ishte pjesëmarrja në kongresin ndërkombëtar të popullit të Jehovait në qytetin e Nju Jorkut, në vitin 1953. Atë vit, fusha botërore e kaloi numrin prej 500.000 lajmëtarësh dhe në kongres ishin të pranishëm më shumë se 165.000 vetë! Përpara kongresit të 1953-shit, punova për një javë në Bethelin e Bruklinit, qendra e organizatës së Jehovait në tokë.
Duke bërë atë që mundem
Vitet e fundit shikimi më është keqësuar, për shkak të perdeve në sy. Me syze me numër të madh dhe me një lupë, ende mund të lexoj pak, kur shkronjat janë të mëdha. Edhe motrat e krishtere më vizitojnë dhe lexojnë për mua dy herë në javë, gjë për të cilën jam shumë mirënjohëse.
Edhe aktiviteti im i predikimit është i kufizuar. Gjatë verës, motrat e krishtere më kanë nxjerrë herë pas here jashtë me karrigen time me rrota, në një vend ku mund të predikoj sadopak. Gjithashtu, unë u dërgoj rregullisht revista dhe broshura shkollave në Kopervik, të tilla si shkolla fillore ku kam qenë nxënëse rreth 100 vjet më parë. Jam e kënaqur që e kam ende të mundur të jem një lajmëtare e rregullt.
Një gjë favorizuese është që dhoma e ngrënies dhe Salla e Mbretërisë ndodhen në të njëjtin kat me dhomën time në Bethel, i cili që prej 1983-shit ndodhet në Ytre Enebak, jashtë Oslos. Kështu, jam në gjendje të shkoj në adhurimin e mëngjesit, për të ngrënë dhe në mbledhjet tona me anë të një karroce mbajtëse. Jam e lumtur që mund të shkoj ende nëpër kongrese dhe asamble. Kënaqem kur takoj vëllezër që i kam njohur prej shumë vitesh, si dhe vëllezër e motra të reja dhe shumë fëmijë të bukur.
Duke e mbajtur besimin deri në fund
Është një bekim që këtu në Bethel të jesh e rrethuar nga një popull aktiv, i këndshëm dhe frymor. Kur fillova shërbimin tim në Bethel, e gjithë familja përbëhej nga ata që kishin shpresë qiellore. (Filipianëve 3:14) Tani, kushdo në Bethel me përjashtimin tim, pret me padurim të jetojë përgjithmonë në tokë.
Vërtet, ne prisnim që Jehovai t’i ndërmerrte veprimet më herët. Megjithatë, gëzohem tek shoh shumicën e madhe që bëhet gjithnjë e më e madhe. Çfarë rritjeje kam parë! Kur mora pjesë në shërbim për herë të parë, në mbarë botën ishin afërsisht 5.000 lajmëtarë. Tani janë më shumë se 5.400.000! Në të vërtetë, unë kam parë ‘më të voglin të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm’. (Isaia 60:22) Ne duhet të rrimë në pritje të Jehovait, siç shkroi profeti Habakuk: «Edhe sikur të duhej të vononte, vazhdo të rrish në pritje të tij, sepse patjetër do të dalë i vërtetë.»—Habakuku 2:3, BR.