A i pëlqejnë Perëndisë festat e të korrave?
FRUTA që të bëjnë të të shkojë goja lëng, perime të këndshme dhe duaj të lashtash të mbara të bëra stivë, paraqesin një pikturë tërheqëse. Në kohën e të korrave, pamje të tilla stolisin altarët dhe bankat e kishave anembanë Anglisë. Në Evropë, si kudo gjetkë, festa të shumta shënojnë si fillimin, ashtu dhe mbarimin e stinës së të korrave.
Ata, jetesa e të cilëve varet nga toka, janë veçanërisht mirënjohës për prodhimin e saj. Në të vërtetë, Perëndia i kërkoi kombit të lashtë të Izraelit të kremtonte tri festa vjetore, që ishin të lidhura ngushtë me korrjet. Në pranverën e hershme, gjatë Festës së Bukëve të Ndorme, izraelitët i paraqisnin Perëndisë një demet të prodhimit të parë të korrjes së elbit. Në Festën e Javëve (apo Rrëshajët), në pranverën e vonshme, ata ofronin bukë të bëra me prodhimin e parë të korrjes së grurit. Në vjeshtë vinte Festa e Grumbullimit, e cila shënonte fundin e vitit bujqësor të Izraelit. (Dalja 23:14-17) Këto festa ishin «mbledhje të shenjta» dhe periudha gëzimi.—Levitiku 23:2; Ligji i përtërirë 16:16.
Ç’të themi, atëherë, për kremtimet e të korrave në ditët moderne? A i pëlqejnë Perëndisë?
Lidhje pagane
I shqetësuar nga natyra botërore e banketit tradicional të kohës së të korrave dhe nga dehja që lidhej me kremtimin e saj, një klerik anglez në Kornuall, Angli, në vitin 1843 vendosi të rigjallëronte një zakon mesjetar për të korrat. Mori një sasi nga gruri i parë i korrur dhe me të bëri bukë për kremtimin e kungimit në kishën e tij. Duke bërë këtë, ai përjetësoi festën e Lamasit, një kremtim «i krishterë», për të cilin disa thonë se e ka prejardhjen nga adhurimi i lashtë i perëndisë keltik, Luk.a Pra, festa moderne angleze e të korrave, ka origjinë pagane.
Ç’të themi për kremtimet e tjera që ndodhin në fund të stinës së të korrave? Sipas Encyclopædia Britannica, shumë prej zakoneve që dallojnë këto festime, e kanë origjinën e tyre tek «besimi animist në frymën e misrit [të grurit] apo misrit mëmë». Në disa rajone fermerët besonin se në demetin e fundit të grurit që duhej korrur, banonte një frymë. Për ta nxjerrë jashtë frymën, ata e përplasnin grurin pas tokës. Diku gjetkë, thurnin disa kallëza drithi në një «kukull misri» që e ruanin për «fat», deri në mbjelljen e farës vitin tjetër. Pastaj i fusnin kokrrat e pazhveshura të grurit në tokë, me shpresën se kjo do të bekonte të korrat e reja.
Disa legjenda e lidhin kohën e të korrave me adhurimin e perëndisë babilonase Tamuz, bashkëshort i perëndeshës së pjellorisë, Ishtar. Këputja e kokrrave të pjekura të grurit, ishte paralele e vdekjes së parakohshme të Tamuzit. Madje legjenda të tjera e lidhin kohën e të korrave me sakrificën njerëzore, një praktikë për të cilën Perëndia Jehova ka neveri.—Levitiku 20:2; Jeremia 7:30, 31.
Cila është pikëpamja e Perëndisë?
Mënyrat se si ka vepruar Perëndia me Izraelin e lashtë, zbulojnë qartë se Jehovai, Krijuesi dhe Burimi i jetës, kërkonte nga adhuruesit e tij devotshmëri ekskluzive. (Psalmi 36:9; Naumi 1:2) Në ditët e profetit Ezekiel, praktika e vajtimit për perëndinë Tamuz, ishte një ‘veprim i rëndë e i neveritshëm’ në sytë e Jehovait. Kjo, bashkë me ritet e tjera fetare të rreme, bëri që Perëndia t’i mbyllte veshët para lutjeve të atyre adhuruesve të rremë.—Ezekieli 8:6, 13, 14, 18.
Vëre këtë në kontrast me atë që Perëndia Jehova e udhëzoi Izraelin të zbatonte në lidhje me të korrat. Në Festën e Grumbullimit, izraelitët mbanin një asamble solemne, gjatë së cilës të rinj e të vjetër, të pasur e të varfër, jetonin në banesa të përkohshme të stolisura me gjethe të gjelbra pemësh të mrekullueshme. Për ta kjo ishte një kohë gëzimi të madh, por edhe një kohë për të reflektuar mbi çlirimin që u kishte dhënë Perëndia paraardhësve të tyre në kohën e daljes nga Egjipti.—Levitiku 23:40-43.
Gjatë festave izraelite, i paraqiteshin oferta Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë. (Ligji i përtërirë 8:10-20) Sa për besimet e lartpërmendura animiste, Bibla nuk flet asgjëkundi për prodhime të tilla si demetet e grurit, sikur të kishin një shpirt.b Shkrimet tregojnë qartë se idhujt mbeten të pashpirt, të paaftë për të folur, parë, dëgjuar, nuhatur, ndjerë apo për t’u ofruar adhuruesve të tyre ndonjë ndihmë.—Psalmi 115:5-8; Romakëve 1:23-25.
Sot të krishterët nuk janë nën Besëlidhjen e Ligjit që Jehovai përfundoi me kombin e lashtë të Izraelit. Në të vërtetë, Perëndia ‘e hoqi atë nga mesi, duke e mbërthyer në kryq [shtyllën e torturimit, BR] të Jezuit’. (Kolosianëve 2:13, 14) Shërbëtorët e sotëm të Jehovait jetojnë sipas ‘ligjit të Krishtit’ dhe u përgjigjen me çmueshmëri të gjitha atyre që siguron Perëndia.—Galatasve 6:2.
Apostulli Pavël e tha qartë se festat hebraike ishin «hija e atyre që kanë për të ardhur», duke shtuar «por realiteti i përket Krishtit». (Kolosianëve 2:16, 17, BR) Si rrjedhojë, të krishterët e vërtetë pranojnë arsyetimin biblik: «Gjërat që flijojnë johebrenjtë [kombet, BR], ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë . . . Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve.» (1. Korintasve 10:20, 21) Për më tepër, të krishterët ia vënë veshin udhëzimit për të ‘mos prekur asgjë të ndyrë’. A kanë festat e të korrave në lagjen tënde ngjyrime pagane apo të rreme? Nëse po, të krishterët e vërtetë mund të shmangin shkaktimin e pakënaqësisë Jehovait, duke refuzuar përfshirjen sadopak në një adhurim të tillë të ndotur.—2. Korintasve 6:17.
Kur një fëmijë që tregon çmueshmëri merr një dhuratë nga babai i tij, kë falënderon? Një person krejt të huaj apo prindin e tij? Nëpërmjet lutjes nga zemra, adhuruesit e Perëndisë falënderojnë çdo ditë Jehovain, Atin e tyre qiellor, për bujarinë e tij të bollshme.—2. Korintasve 6:18; 1. Thesalonikasve 5:17, 18.
[Shënimet]
a Fjala «Lamas» vjen nga një fjalë e anglishtes së vjetër, që do të thotë «masë buke».
b Mendjehollësi mbi Shkrimet thotë: «Neʹphesh (shpirt) nuk është përdorur duke iu referuar krijimit të jetës vegjetative në ‘ditën’ e tretë të krijimit (Zan. 1:11-13) apo pas saj, pasi vegjetacioni është pa gjak.»—Botuar në anglisht nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.