BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/9 f. 25-28
  • Zemra ime gufon nga mirënjohja

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Zemra ime gufon nga mirënjohja
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mirënjohës për shembujt e shkëlqyer
  • Qëndrimi im për të vërtetën
  • Mirënjohës për shërbimin tim
  • Fitimi i një shoqeje besimplotë
  • Mirënjohës për jetën tonë së bashku
  • Shtatëdhjetë vjet që kam kapur cepin e rrobës së një judeu
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • S’kam reshtur kurrë së mësuari
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Një ndryshim caktimi në moshën 80-vjeçare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/9 f. 25-28

Zemra ime gufon nga mirënjohja

TREGUAR NGA XHON UIN

Sa e sa herë ngrita krye për të mos shkuar në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait! Shtiresha sikur më dhimbte stomaku ose koka, çdo gjë vetëm e vetëm që të shmangia vajtjen atje. Por vendosmëria e mamasë sime bënte që gjithmonë sëmundje të tilla të zhdukeshin menjëherë dhe unë e shihja veten duke bërë me të ato tre kilometra për në Sallën e Mbretërisë, duke e dëgjuar tek diskutonte për Fjalën e Perëndisë me një shoqe të moshuar.

KJO gjë më dha një mësim të vlefshëm: Prindërit nuk duhet të ndalen asnjëherë së qeni të vendosur në një mënyrë të dashur, për atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. (Fjalët e urta 29:15, 17) Ata nuk duhet të harrojnë kurrë urdhrin hyjnor për të ‘mos hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin’. (Hebrenjve 10:25) Ndërsa shoh pas në jetën time, sa mirënjohës jam që nëna ime më bëri të kryej atë që është më e mira për mua.

Mirënjohës për shembujt e shkëlqyer

Megjithëse babai im ishte një jobesimtar, ai ishte tolerues në lidhje me bindjet e nënës, kur ajo u bë Studente e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Në vitin 1913, mamaja shkoi për të dëgjuar fjalimin publik «Përtej varrit», të mbajtur nga Charles T. Russell, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower. Por, ajo arriti vonë dhe të gjitha vendet ishin të zëna. Kështu që u ftua për t’u ulur bashkë me të tjerët që kishin ardhur vonë, pranë podiumit, pikërisht ngjitur me Pastorin Russell. Ai fjalim i la mbresa të thella. Të nesërmen fjalimi u botua në gazetën lokale; ajo mori një kopje të saj dhe e lexonte herë pas here.

Pas mbledhjes, mamaja dorëzoi një copë letër ku kishte shkruar emrin e saj dhe shpejt një Student i Biblës u vu në kontakt me të. Pas njëfarë kohe, ajo filloi të shpërndante fletushka biblike nga shtëpia në shtëpi në qytetin tonë të lindjes, në Gluçester të Anglisë. Që kur të dyja motrat e mia dhe unë ishim shumë të vegjël, merrnim pjesë me mamanë në veprën e predikimit.

Kur Heri Frensis, një Student i zellshëm i Biblës, u transferua në Gluçester, mamaja i bëri një pritje të ngrohtë. Shpejt, ai tregoi një interesim personal për mua dhe inkurajimi i tij qe një faktor i madh që më vonë u bëra pionier, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë. Shembulli i vëllait Frensis më dha një mësim të rëndësishëm: Më të rriturit duhet të kërkojnë gjithmonë mënyra për t’i inkurajuar ata që janë më të rinj.

Kur mamaja ime u bë një Studente e Biblës, të tjerë në Gluçester bënë po ashtu. Megjithatë, disa pleq të kongregacionit filluan të mendonin tepër për veten dhe disa anëtarë të klasës, siç quhej atëherë kongregacioni, filluan të ndiqnin individët. Në një mbledhje, disa ia bënin me shenjë në kurriz mamasë, që të ngrinte dorën pro disa pleqve. Por mamaja e dinte se ata nuk po jepnin shembullin e duhur dhe nuk pranoi që të votonte e kërcënuar prej tyre. Në atë kohë, nga fundi i 1920-s, shumë u larguan nga kongregacioni dhe nuk ecën më në udhën e së vërtetës. (2. Pjetrit 2:2) Megjithatë, mamaja nuk devijoi kurrë nga mbështetja besnike e organizatës, duke dhënë kështu një shembull të shkëlqyer për mua.

Qëndrimi im për të vërtetën

Më në fund, në qershor 1939, kur isha 18 vjeç, u pagëzova në lumin Severn. Po atë vit u emërova edhe shërbëtor për repartin e akustikës. Në ato ditë ne përdornim një makinë të madhe transkriptimi që bënte të buçiste nëpër sheshe mesazhi «Feja është një grackë dhe një dallavere». Në atë kohë theksi vihej tek demaskimi i hipokrizisë dhe i mësimeve të rreme të të ashtuquajturit krishterim.

Një herë unë ndodhesha në ballë të një procesioni, duke mbajtur një banderolë që në njërën anë shpallte «Feja është një grackë dhe një dallavere» dhe në anën tjetër «Shërbejini Perëndisë dhe Krishtit Mbret». Në krah të procesionit ndodhej një kalë i vogël që kishte afishe të mëdha në të dyja anët e kurrizit, të cilat përmbanin lajmërimin për fjalimin publik. Ç’pamje duhet të ketë qënë ai procesion në qytetin shumë fetar të Gluçesterit!

Megjithë vështirësitë financiare në shtëpi, mamaja më inkurajoi të bëhesha pionier. Kështu, në shtator të 1939-s, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, mbërrita në caktimin tim të parë si pionier në Limington, një qytet i vogël në Uaruikshir. Qyteti ishte shtëpia e disa klerikëve të dalë në pension.

Në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, përdornim një gramafon të lehtë, me të cilin transmetonim fjalime të Joseph F. Ruthaerford, atëherë president i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Nga ana tjetër, makina jonë e transkriptimit (e cila mund të përdorej për auditore më të mëdha), ishte shumë më e rëndë dhe ne e transportonim me një karrocë fëmijësh. Disa herë klerikët, të inatosur me mesazhin që demaskonte fenë e rreme, na përzinin nga territori i tyre i banimit. Por ne nuk na lëshoi zemra. Jehovai e bekoi punën tonë dhe sot në Lemington mund të gjendet një kongregacion prej më shumë se njëqind Dëshmitarësh.

Në vitin 1941, ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore bënte kërdinë, u transferova në Uelz, ku shërbeva si pionier në qytetet Hevërforduest, Kermarthen dhe Ureksham. Si shërbëtor në kohë të plotë, unë isha i përjashtuar nga shërbimi ushtarak, por njerëzit nuk e vlerësonin pozicionin tonë asnjanës. Kështu që unë dhe shoku im, u denoncuam si spiunë apo si anëtarë të kolonës së pestë. Një natë, policia rrethoi shtëpinë tonë rimorkio. Shoku im, që sapo ishte kthyer nga puna si ekskavatorist qymyri, nxorri kokën jashtë për të parë se kush ishte. Fytyra e tij ishte e mbuluar nga pluhuri i qymyrit dhe policisë iu duk sikur ai ishte gati për një sulm komando. Na u desh të jepnim shpjegime.

Në caktimet tona, u bekuam në mënyrë të pasur! Një herë, kur isha në Kermarthen, John Barr nga zyra e degës në Londër (tani anëtar i Trupit Udhëheqës), na bëri një vizitë inkurajuese. Në atë kohë, në Kermarthen kishte vetëm dy lajmëtarë; tani, ka më shumë se njëqind. Tani në Ureksham ka tri kongregacione dhe kohët e fundit pata privilegjin të dedikoj një Sallë të shkëlqyeshme Mbretërie në Hevërforduest.​—1. Korintasve 3:6.

Mirënjohës për shërbimin tim

Ndërsa ndodheshin në Suansi, në jug të Uelzit, shokut tim, Don Rendëll nuk i ishte dhënë përjashtimi nga shërbimi ushtarak. Ai u burgos, megjithëse shpjegoi se nuk mund të shkonte me ndërgjegje për të luftuar kundër bashkë të krishterëve në vende të tjera. (Isaia 2:2-4; Gjoni 13:34, 35) Për ta inkurajuar atë, si dhe për t’u dhënë një dëshmi fqinjve, vendosa pranë burgut makinën e transkriptimit dhe vura fjalime biblike.

Megjithatë, grave të asaj zone nuk u pëlqeu kjo dhe ndërmorrën grumbullimin e parave, që të paguanin ushtarë për të na rrahur mua dhe shokun tim. Ne u larguam, duke vrapuar sa mundnim (unë shtyja edhe karrocën me makinën e transkriptimit), duke kërkuar mbrojtjen në Sallën e Mbretërisë. Por kur arritëm atje, ajo ishte e mbyllur me çelës! Vetëm ndërhyrja në kohën e duhur e policisë na shpëtoi nga një e rrahur vendçe.

Ishte e dukshme që incidenti u bë i mirënjohur. Ca kohë më vonë, kur po predikoja në fshatin pranë Suansi, një burrë më tha në mënyrë miratuese: «Krishterim është ai që mbroni ju, ashtu si i riu në Suansi që shpalli me guxim atë që besonte dhe që iu desh të vraponte për t’u mbrojtur.» Sa u çudit kur mori vesh se ai i ri, isha unë!

Të shërbeje si pionier në ato vite lufte, nuk ishte e lehtë. Nuk kishim shumë për sa i përket të mirave materiale të botës, por atë që kishim, e vlerësonim dhe e gëzonim. Gjithmonë merrnim furnizime të rregullta ushqimi frymor dhe nuk kemi munguar në mbledhje asnjëherë, përveçse kur ishim sëmurë. Bleva një biçikletë të vjetër dhe në të vendosëm kosha të mëdhenj, për të mbajtur një gramafon, si dhe literaturën biblike. Ndonjëherë bëja me biçikletë 80 kilometra në ditë! Shërbeva si pionier për pothuajse shtatë vjet dhe ato ditë i kujtoj me dashuri.

Në vitin 1946, pasi Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, u ftova për të punuar në Bethel, siç quhen ndërtesat kryesore të Dëshmitarëve të Jehovait në vendet e tyre përkatëse. Betheli ynë gjendej atëherë në 34 Craven Terrace, ngjitur me Tabernakullin e Londrës. Atje gëzova shoqërinë me më të rriturit, si Alis Hart, babai i së cilës, Tom Hart, mendohet se ka qenë Dëshmitari i parë në Angli.

Fitimi i një shoqeje besimplotë

Në 1956-n u largova nga Betheli, për t’u martuar me Etin, një pioniere me të cilën isha njohur kur erdhi nga Hollanda për të vizituar motrën e saj, e cila në atë kohë jetonte në Londër. Nga fundi i luftës, Eti jepte mësime daktilografie dhe stenografie në një kolegj biznesi në Tilburg, në jug të Hollandës. Një ditë, një mësues tjetër u ofrua për ta shoqëruar në shtëpi me biçikletë, që të sigurohej se ajo mbërriti shëndoshë e mirë. Ai ishte një katolik romak. Kur arritën, pasoi një diskutim me prindërit protestantë të Etit. Lindi një miqësi dhe mësuesi u bë një vizitor i shpeshtë në shtëpinë e tyre.

Pak kohë pas përfundimit të luftës, ky mësues erdhi në shtëpinë e Etit, duke bërtitur: «Kam gjetur të vërtetën!»

«Mendova se ti the që e kishe të vërtetën kur ishe një katolik romak!»​—iu përgjigj babai i Etit.

«Jo!​—ia ktheu ai i emocionuar.​—Janë Dëshmitarët e Jehovait ata që e kanë të vërtetën!»

Ajo mbrëmje dhe shumë të tjera që e pasuan atë, u kaluan me një diskutim të zjarrtë biblik. Pak kohë pas kësaj, Eti u bë një pioniere. Në shërbim, edhe ajo ndeshi kundërshtimin e hidhur, i cili në Hollandë vinte nga Kisha Katolike Romake. Fëmijët, të shtyrë nga priftërinjtë, prishnin bisedat e saj kur shkonte nga shtëpia në shtëpi dhe njëherë i shkatërruan biçikletën. Ajo e çoi biçikletën tek një riparues, i cili më parë kishte pranuar një broshurë prej saj. «Shiko ç’kanë bërë fëmijët!»,​—i tha ajo me lotë në sy.

«Por ti mos u dorëzo,​—ia ktheu me përzemërsi ai burrë.​—Ti po bën një vepër të shkëlqyeshme. Për riparimin e biçikletës s’do të të marr asgjë.» Në fakt, kështu bëri.

Eti vuri re se priftërinjtë nuk u bënë merak për kopetë e tyre, derisa Eti nisi të studionte Biblën me ndonjë prej tyre. Atëherë priftërinjtë dhe murgeshat vinin rrotull për të minuar besimin e njerëzve si tek Bibla, ashtu dhe tek Jehovai. Pavarësisht nga kjo, ajo gëzoi shumë studime të frytshme biblike.

Mirënjohës për jetën tonë së bashku

Pas dasmës, Eti dhe unë u caktuam në veprën udhëtuese në Angli dhe për pothuajse pesë vjet vizituam kongregacionet për t’i forcuar frymësisht. Më pas mora një ftesë për të ndjekur klasën e 36-të të Galaadit, që mbahej në qendrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork. Kursi prej dhjetë muajsh, që përfundoi në nëntor të 1961-shit, kishte si qëllim veçanërisht stërvitjen e burrave për t’u marrë me veprën në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërkohë që unë ndodhesha larg, Eti qëndroi në Angli, në Bethelin e Londrës. Pas diplomimit tim, u caktuam së bashku atje.

Për 16 vjetët që pasuan, punova në departamentin e shërbimit në fushë, ku u mora me çështjet që kishin të bënin me aktivitetet e kongregacionit. Më pas, në 1978-n, kur vdiq mbikëqyrësi i Bethelit, Pris Hyuz, unë u emërova në vend të tij. Të qenët përgjegjës për mirëqenien e anëtarëve të familjes sonë Bethel që sa vinte e rritej (tani kemi më shumë se 260 anëtarë në familjen tonë), ka qenë një caktim shpërblyes gjatë këtyre viteve të shumtë.

Në vitin 1971, mamaja ime e dashur vdiq në moshën 85-vjeçare. Eti dhe unë u kthyem në Gluçester për funeralin, ku një vëlla trajtoi shumë mirë shpresën qiellore që kishte mamaja. (Filipianëve 3:14) Jam mirënjohës për kujdesin e dashur që motrat e mia Doris dhe Gres, i siguruan mamasë kur ishte në moshë të thyer, duke më dhënë kështu mundësinë mua dhe Etit që të vazhdonim shërbimin në kohë të plotë.

Eti dhe unë mendojmë shpesh për prindërit tanë dhe se si na rritën në një mënyrë të tillë të dashur e të vendosur. Ç’borxh të pamasë u kemi! Mamaja ime la veçanërisht një shembull të shkëlqyer për mua dhe motrat e mia, duke ndërtuar tek ne çmueshmërinë për Jehovain dhe organizatën e tij.

Vërtet, zemrat tona gufojnë nga mirënjohja, ndërsa soditim çdo ditë të re të shërbimit ndaj Atit tonë qiellor, Jehovait. Ç’Perëndi i mrekullueshëm dhe i dashur është! Psalmisti i Biblës i shprehu ndjenjat tona, kur shkroi: «Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.​—Psalmi 145:1, 2.

[Figura në faqen 26]

Me gruan time, Eti

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo