Ata qëndruan të vendosur mes persekutimit nazist
INTEGRITETI sypatrembur i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë naziste, qëndron në kontrast të hapur me pozitën që morën kishat e të ashtuquajturit krishterim. Kjo është vërejtur nga profesori Xhon Vais, në librin e tij Ideologjia e vdekjes (Ideology of Death). Ai shkruan:
«Në vitin 1934, Kisha Evangjeliste këmbëngulte se nazistët duheshin ‘mirëpritur nga luteranizmi’ dhe falënderonte ‘Zotërinë Perëndi’ që u kishte dhënë gjermanëve një ‘kryezot të përshpirtshëm dhe të denjë për besim’. . . . Një peshkop protestant u shkroi klerikëve të tij: ‘[Hitlerin] na e ka dërguar Perëndia.’» Vais vazhdon: «Kisha Metodiste Gjermane . . . ishte dakort me peshkopin Dibelius, se Hitleri e kishte shpëtuar Gjermaninë nga një revolucion i pashmangshëm bolshevik, duke sjellë paqe dhe stabilitet . . . Kisha Mormone i këshilloi besnikët e saj se kundërshtimi ndaj Hitlerit ishte dhunim i ligjit të mormonëve.» Më tej, ai vazhdon: «Katolikëve u ishte thënë se ishte një detyrë e shenjtë t’i bindeshin shtetit të ri, një detyrë që nuk u praps kurrë, madje edhe pasi tmerret e kryera në Evropën Lindore iu bënë të njohura klerit.»
Por, ç’të themi për Dëshmitarët e Jehovait? Profesori Vais thekson se «si një grup, vetëm Dëshmitarët e Jehovait u rezistuan nazistëve». «Mijëra prej tyre u burgosën,—vazhdon profesori Vais,—e megjithatë çdo Dëshmitar i dërguar në një kamp përqendrimi kishte mundësi të lirohej vetëm duke nënshkruar një copë letër, duke mohuar besimin e tij apo të saj.»
Në lidhje me integritetin e Dëshmitarëve të Jehovait, profesori Vais komenton: «Shembulli i tyre ilustron fuqinë unike të vendosur dhe heroike që krishterimi i hershëm kishte përpara se institucionalizimi dhe angazhimet në rregullin shoqëror të shtypnin dëshirën për të bërë një jetë pa kompromise. Sikurse shkroi një pastor protestant për ta: ‘Jo kishat e mëdha, por këta njerëz të përbuzur dhe të përqeshur ishin të vetmit, të cilët i bënë ballë të parët tërbimit të demonit nazist dhe të cilët guxuan të kundërshtonin në përputhje me besimin e tyre.’»