BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/7 f. 25-29
  • «Gjykimi Hetimor»: Një doktrinë e bazuar në Bibël?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Gjykimi Hetimor»: Një doktrinë e bazuar në Bibël?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë është?
  • Një hallkë gjuhësore që mungon
  • Çfarë zbulon konteksti?
  • Disa përgjigje të çuditshme
  • Ndonjë ndihmë nga libri i Hebrenjve?
  • Problemet dhe një ngecje
  • Jehovai i premton Danielit një shpërblim të mrekullueshëm
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • Libri i Danielit dhe ti
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • Të identifikojmë adhuruesit e vërtetë në kohën e fundit
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
  • I forcuar nga një lajmëtar i Perëndisë
    Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/7 f. 25-29

«Gjykimi Hetimor»: Një doktrinë e bazuar në Bibël?

DATA 22 tetor 1844 ishte dita e pritjes së madhe për rreth 50.000 persona në Bregdetin Lindor të Shteteve të Bashkuara. Udhëheqësi i tyre frymor, Uilliam Miler, kishte thënë se Jezu Krishti do të kthehej pikërisht atë ditë. Mileritët, siç u quajtën ata, pritën nëpër vendet e tyre të mbledhjes derisa ra mbrëmja. Kështu, agoi dita tjetër, por Zotëria nuk kishte ardhur. Të zhgënjyer ata u kthyen në shtëpi e pas kësaj e kujtuan atë ditë si «Zhgënjimi i Madh».

Por shpejt, zhgënjimi ia la vendin shpresës. Një grua e re, e quajtur Elen Harmën, bindi një grup të vogël mileritësh që Perëndia i kishte zbuluar në vegime se llogaritja e tyre e kohës ishte e drejtë. Ajo besonte se atë ditë kishte ndodhur një ngjarje me rëndësi: në atë kohë, Krishti kishte hyrë në «vendin më të shenjtë të shenjtërores qiellore».

Mbi një dekadë më vonë, predikuesi adventist, Xhejms Uait (i cili ishte martuar me Elen Harmën), sajoi një frazë për të përshkruar natyrën e punës së Krishtit që nga tetori i 1844-s. Në Review and Herald të 29 janarit 1857, Uait thoshte se Jezui kishte nisur një «gjykim hetimor». Dhe kjo ka mbetur një bindje bazë tek rreth shtatë milionë njerëz, të cilët e quajnë veten Adventistë të Ditës së Shtatë.

Sidoqoftë, disa studiues të respektuar të Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë (ADSH), kanë pyetur veten nëse «gjykimi hetimor» është një doktrinë e bazuar në Bibël. Përse po e marrin përsëri në shqyrtim atë? Po të ishe Adventist i Ditës së Shtatë, kjo pyetje do të të shqetësonte. Por, së pari çfarë është «gjykimi hetimor»?

Çfarë është?

Vargu kryesor që citohet për të mbështetur këtë doktrinë është Danieli 8:14. Në të lexojmë: «Ai më tha: Deri dymijë e treqind ditë; atëherë shenjtërorja do të jetë e pastruar.» (King James Version) Për shkak të frazës «atëherë shenjtërorja do të jetë e pastruar», shumë adventistë e lidhin këtë varg me Le kreun 16 të Levitikut. Ai përshkruan pastrimin e shenjtërores nga kryeprifti judaik Ditën e Shlyrjes. Ata i lidhin, gjithashtu, fjalët e Danielit me He kreun 9 të Hebrenjve, i cili e përshkruan Jezuin si Kryepriftin Më të Madh në qiell. Një studiues ADSH thotë se ky arsyetim bazohet mbi metodën «provë-tekst». Një person gjen «njëfarë fjale si shenjtërore në Dan. 8:14, të njëjtën fjalë në Lev. 16 dhe po atë fjalë në Hebr. 7, 8, 9» dhe arrin në përfundimin «se këto shkrime flasin të gjitha për të njëjtën gjë».

Adventistët arsyetojnë në këtë mënyrë: Priftërinjtë e Izraelit të lashtë kryenin një shërbim të përditshëm në ndarjen e tempullit, të quajtur e Shenjta, i cili sillte si rezultat faljen e mëkateve. Ditën e Shlyerjes, kryeprifti kryente një shërbim vjetor në Më të Shenjtën (dhoma më e brendshme e tempullit), i cili rezultonte në fshirjen e mëkateve. Ata përfundojnë se shërbimi priftëror i Krishtit në qiell konsiston në dy faza. E para filloi me ngritjen e tij në qiell në shekullin e parë, përfundoi në 1844-n dhe solli si rrjedhojë faljen e mëkateve. E dyta ose «faza e gjykimit», nisi më 22 tetor 1844, vazhdon ende dhe do të sjellë si pasojë fshirjen e mëkateve. Si kryhet kjo?

Thuhet se qysh nga 1844-a, Jezui është duke hetuar të dhënat e jetës së të gjithë atyre që pohojnë se janë besimtarë (së pari të të vdekurve e më pas të të gjallëve), për të përcaktuar nëse e meritojnë jetën e përhershme. Ky shqyrtim është «gjykimi hetimor». Pasi njerëzit të jenë gjykuar në këtë mënyrë, mëkatet e atyre që e kalojnë këtë provë, fshihen nga librat e regjistrimit. Por, siç shpjegonte Elen Uait, atyre që nuk e kalojnë provën, do t’u ‘fshihen emrat nga libri i jetës’. Në këtë mënyrë, «do të përcaktohet fati i të gjithëve për jetë a vdekje». Në këtë pikë, pastrohet shenjtërorja qiellore dhe përmbushet Danieli 8:14. Kështu mësojnë Adventistët e Ditës së Shtatë. Por botimi ADSH Rishikimi adventist (Adventist Review) pranon: «Termi gjykim hetimor nuk gjendet në Bibël.»

Një hallkë gjuhësore që mungon

Ky mësim ka shqetësuar disa adventistë. «Historia tregon,​—thotë një vëzhgues,​—se udhëheqësit besnikë të radhëve tona kanë pësuar agoni në shpirt, tek soditnin mësimin tonë tradicional mbi gjykimin hetimor.» Siç shton ai, vitet e fundit, agonia është kthyer në dyshim, ndërsa studiuesit filluan të «vinin në dyshim shumë shtylla të shpjegimit të zakonshëm që i bëjmë doktrinës sonë lidhur me pastrimin e shenjtërores». Le të shqyrtojmë dy prej tyre.

Shtylla e parë: Dan Kreu 8 i Danielit lidhet me Le kreun 16 të Levitikut. Kjo pikënisje dobësohet nga dy probleme kyçe, që janë gjuha dhe konteksti. Së pari, le të marrim gjuhën. Adventistët besojnë se ‘shenjtërorja e pastruar’ në kreun 8 të Danielit është përmbushja profetike e ‘shenjtërores së pastruar’ të kreut 16 të Levitikut. Kjo analogji dukej e pranueshme, deri në momentin kur përkthyesit mësuan se «e pastruar» në King James Version është një përkthim i gabuar i një forme të foljes hebraike tsa·dhaq’ (që do të thotë «të jesh i drejtë») të përdorur në Danielin 8:14. Antoni A. Hokema, profesor teologjie, vëren: «Është fatkeqësi që fjala u përkthye të jesh i pastruar, pasi folja hebraike e përkthyer zakonisht i pastruar [ta·her’], këtu as që është përdorur.»a Kjo fjalë është përdorur në kapitullin 16 të Levitikut, ku format e ta·her’ përkthehen nga King James Version «i pastruar» dhe «të jesh i pastër». (Levitiku 16:19, 30) Pra, dr. Hokema në mënyrë korrekte del në këtë përfundim: «Nëse Danieli kishte për qëllim t’i referohej llojit të pastrimit që bëhej në Ditën e Shlyerjes, ai do të kishte përdorur [ta·her’] në vend të tsadaq [tsa·dhaq’].» Por tsa·dhaq’ nuk gjendet në Levitikun dhe ta·her’ nuk gjendet në Danielin. Hallka gjuhësore mungon.

Çfarë zbulon konteksti?

Tani le të shqyrtojmë kontekstin. Adventistët janë të mendimit se Danieli 8:14 është si «një ishull në kontekst», që nuk ka të bëjë aspak me vargjet paraprirëse. Por, a të jep këtë përshtypje leximi i Danielit 8:9-14 në kutinë shoqëruese me titull «Danieli 8:14 në kontekst»? Vargu 9 identifikon një sulmues, një bri të vogël. Vargjet 10-12 zbulojnë se ky sulmues do të sulmojë shenjtëroren. Vargu 13 bën pyetjen: ‘Sa gjatë do të vazhdojë ky sulm?’ Kurse vargu 14 përgjigjet: «Deri dy mijë e treqind mbrëmje e mëngjese; dhe vendi i shenjtë me siguri do të sillet në gjendjen e tij të drejtë.» (BR) Është e qartë, vargu 13 ngre një pyetje, së cilës i jepet përgjigje në vargun 14. Teologu Desmond Ford thotë: «Të shkëpusësh Dan. 8:14 nga kjo thirrje [‘Sa gjatë?’ vargu 13] është sikur të jesh nga ana shpjegimore në det pa spirancë.»b

Përse e shkëpusin adventistët vargun 14 nga konteksti? Për të shmangur një përfundim që i vë në pozitë. Konteksti ia atribuon fëlliqjen e shenjtërores, që përmendet në vargun 14, aktiviteteve të bririt të vogël. Kurse, doktrina e «gjykimit hetimor» ia atribuon fëlliqjen e shenjtërores aktiviteteve të Krishtit. Thuhet se ai i transferon mëkatet e besimtarëve në shenjtëroren qiellore. Çfarë ndodh, pra, nëse adventistët pranojnë edhe doktrinën, edhe kontekstin? Dr. Raimond F. Kotrel, një Adventist i Ditës së Shtatë dhe ish-bashkëbotues i Komentari biblik i ADSH-së shkruan: «Të gënjejmë veten për të besuar se interpretimi i ADSH-së e shqyrton Danielin 8:14 në kontekst, atëherë bririn e vogël do ta identifikonte si Krishti.» Dr. Kotrel me ndershmëri pranon: «Nuk mund ta harmonizojmë kontekstin me interpretimin e adventistëve.» Prandaj, në lidhje me «gjykimin hetimor», Kisha Adventiste duhej të bënte një zgjedhje: ose të pranonte doktrinën, ose të pranonte kontekstin e Danielit 8:14. Mjerisht, ajo përqafoi të parën dhe hodhi poshtë të fundit. S’është për t’u habitur, siç thotë dr. Kotrel, përse studentët e mirinformuar të Biblës fajësojnë adventistët që «futin në Shkrime» atë që nuk mund «të nxirret nga Shkrimet»!

Në 1967-n, dr. Kotrel përgatiti një mësim për shkollën e sabatit mbi librin e Danielit, i cili iu dërgua kishave të ADSH-së në mbarë botën. Ai mësonte se Danieli 8:14 lidhet me kontekstin e tij dhe se ‘pastrimi’ nuk u referohet besimtarëve. Në mënyrë domethënëse, ky mësim heq çdo përmendje të «gjykimit hetimor».

Disa përgjigje të çuditshme

Sa e madhe është dijenia e adventistëve se kjo shtyllë është tejet e dobët për të mbështetur doktrinën e «gjykimit hetimor»? Dr. Kotrel pyeti 27 teologë drejtues adventistë: «Çfarë arsyesh gjuhësore apo kontekstuale mund të jepni për lidhjen ndërmjet kreut 8 të Danielit dhe kreut 16 të Levitikut?» Cila ishte përgjigjja e tyre?

«Të njëzet e shtatë pranuan mosekzistencën e asnjë arsyeje gjuhësore apo kontekstuale për t’ia zbatuar Dan. 8:14 ditës antitipike të shlyerjes dhe gjykimit hetimor.» Ai i pyeti ata: «A keni arsye të tjera për ta bërë këtë lidhje?» Pjesa më e madhe e studiuesve adventistë tha se nuk kishin arsye të tjera, pesë u përgjigjën se e bënin këtë lidhje, për shkak se e bëri Elen Uait dhe dy thanë se e bazonin doktrinën në një «aksident fatlum» në përkthim. Teologu Ford vëren: «Përfundime të tilla të ofruara nga ajka e studiuesve tanë pohojnë në fakt se mësimi ynë tradicional mbi Dan. 8:14 s’mbahet dot në këmbë.»

Ndonjë ndihmë nga libri i Hebrenjve?

Shtylla e dytë: Danieli 8:14 lidhet me kreun 9 të Hebrenjve. «Të gjitha veprat tona të hershme përdorin Hebrenjve 9, kur shpjegojnë Dan. 8:14»,​—thotë teologu Ford. Kjo lidhje e pati zanafillën pas «Zhgënjimit të Madh» në 1844-n. Duke kërkuar udhëheqje, mileriti Hiram Edson e hodhi Biblën e tij në një tryezë, në mënyrë që ajo të binte e hapur. Cili ishte rezultati? Bibla ra e hapur në kreun 8 dhe 9 të Hebrenjve. Fordi thotë: «Ç’gjë mund të ishte më e përshtatshme dhe simbolike për pohimin adventist se këta kapituj mbajnë kyçin për domethënien e 1844-s dhe Dan. 8:14!»

«Ky pohim është vendimtar për Adventistët e Ditës së Shtatë,​—shton dr. Ford në librin e tij Danieli 8:14, Dita e Shlyerjes dhe gjykimi hetimor.​—Vetëm në Hebr. 9 . . . mund të gjendet një shpjegim i hollësishëm i domethënies së . . . doktrinës së shenjtërores kaq jetësore për ne.» Po, kreu 9 i Hebrenjve është kapitulli i «besëlidhjes së re» që shpjegon domethënien profetike të kreut 16 të Levitikut. Por adventistët thonë, gjithashtu, se Danieli 8:14 është vargu i «Besëlidhjes së Vjetër» që bën po kështu. Nëse janë të vërteta të dyja deklaratat, duhet të ketë një lidhje ndërmjet kreut 9 të Hebrenjve dhe kreut 8 të Danielit.

Desmond Ford vëren: «Disa gjëra bëhen menjëherë të dukshme, tek lexojmë Hebr. 9. Nuk ka asnjë aluzion të dukshëm për librin e Danielit dhe sigurisht as edhe një për Danielin 8:14. . . . Kapitulli i tërë është një zbatim i Lev. 16.» Ai thotë: «Mësimi ynë mbi shenjtëroren nuk mund të gjendet në librin e vetëm të Besëlidhjes së Re, i cili trajton domethënien e shërbimeve në shenjtërore. Kjo gjë është pranuar nga shkrimtarë të mirënjohur adventistë përreth botës.» Kështu, pra, edhe shtylla e dytë është tejet e dobët për të mbështetur doktrinën problematike.

Gjithsesi, ky përfundim nuk është i ri. Sipas dr. Kotrel, për shumë vjet «studiuesit biblikë të kishës kanë qenë mjaft të vetëdijshëm lidhur me problemet shpjegimore që ndesh interpretimi ynë tradicional i Danielit 8:14 dhe Hebrenjve 9». Rreth 80 vjet më parë, E. J. Vagner, një Adventist i Ditës së Shtatë me ndikim, shkroi: «Mësimi adventist lidhur me shenjtëroren, bashkë me ‘gjykimin hetimor’ të tij . . . , është njëmend një mohim i shlyerjes.» (Confession of Faith) Mbi 30 vjet më parë, probleme të tilla i ishin paraqitur Konferencës së Përgjithshme, kryesisë së Kishës së ADSH-së.

Problemet dhe një ngecje

Konferenca e Përgjithshme emëroi një «Komitet mbi problemet e librit të Danielit». Ai duhej të përgatiste një raport se si të zgjidhte vështirësitë që përqendroheshin në Danielin 8:14. Të 14 anëtarët e komitetit e studiuan këtë çështje për pesë vjet me radhë, por nuk arritën të propozonin një zgjidhje unanime. Në 1980-n, Kotreli, anëtar komiteti, tha se pjesa më e madhe e anëtarëve të komitetit mendonte se interpretimi adventist i Danielit 8:14 mund «të vendosej në mënyrë të kënaqshme» me anë të një sërë «supozimesh» dhe se problemet «duheshin harruar». Ai shtoi: «Mos harroni, emri i komitetit ishte Komiteti mbi problemet e librit të Danielit dhe shumica sugjeronte që t’i harrojmë problemet e të mos themi asgjë lidhur me to.» Kjo do të kishte qenë njësoj sikur «të pranonim se nuk kemi përgjigje». Kështu, pakica nuk pranoi të mbështeste pikëpamjen e shumicës dhe nuk u bë një raport zyrtar. Problemet doktrinale mbetën të pazgjidhura.

Duke komentuar mbi këtë ngecje, dr. Kotrel thotë: «Problemi i Danielit 8:14 akoma mbetet, pasi jemi treguar kaq mosdashës deri tani për të përballuar faktin se ekziston një problem shpjegimor. Kjo çështje nuk do të mbyllet, derisa të vazhdojmë të pretendojmë se nuk ka problem, nëse këmbëngulim ta mbajmë kokën, individualisht dhe kolektivisht, të ngulur si struci në ranishten e opinioneve tona të paravendosura.»​—Spectrum, gazetë e botuar nga Forumet e Shoqatës së Adventistëve.

Dr. Kotrel i nxit adventistët për të bërë «një rishqyrtim të kujdesshëm të supozimeve bazë dhe të parimeve shpjegimore, në të cilat kemi bazuar interpretimin tonë të Dan. 8:14, që për adventizmin përbën një fragment të domosdoshëm në Shkrime». Ne do t’i inkurajonim adventistët të shqyrtonin doktrinën e «gjykimit hetimor», për të parë nëse shtyllat e saj janë të bazuara fortësisht në Bibël apo e kanë themelin në ranishten e paqëndrueshme të traditës.c Apostulli Pavël me mençuri nxiti: «Sigurohuni për të gjitha gjërat; mbani fort atë që është e shkëlqyer.»​—1. Thesalonikasve 5:21, BR.

[Shënimet]

a Wilson’s Old Testament Word Studies e përcakton fjalën tsadaq (apo tsa·dhaq’) si «të jesh i drejtë, të jesh i përligjur» dhe taheer (apo ta·her’) «të jesh i kthjellët, i ndriçueshëm dhe i shndritshëm; të jesh i kulluar, i pastër, i pastruar; të jesh i pastër nga çdo ndotje apo fëlliqësi».

b Dr. Ford ishte një profesor i fesë në Kolegjin e Unionit Paqësor, i sponsorizuar nga kisha në SHBA. Në 1980-n, kryesia e ADSH-së i dha atij gjashtë muaj leje për të studiuar doktrinën, por ai hodhi poshtë gjetjet e tij. Ai i botoi këto në librin Danieli 8:14, Dita e Shlyerjes dhe gjykimi hetimor (Danieli 8:14, the Day of Atonement, and the Investigative Judgment).

c Për një shpjegim të arsyeshëm të kreut 8 të Danielit, shiko faqet 188-219 në librin «U bëftë vullneti yt mbi tokë», botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Kutia në faqen 27]

Danieli 8:14 në kontekst

DANIELI 8:9 «Nga njëri prej tyre doli një bri tjetër, një i vogël, dhe ai rritej shumë drejt jugut, drejt lindjes së diellit dhe drejt Stolisjes. 10 Dhe vazhdoi të rritej deri në ushtrinë e qiejve, saqë bëri të binte përtokë një pjesë e ushtrisë dhe e yjeve dhe i shkelte. 11 E deri tek Princi i ushtrisë ai u krekos dhe hoqi prej tij flijimin e vazhdueshëm dhe vendi i vendosur i shenjtërores së tij u përmbys. 12 Dhe vetë një ushtri u dorëzua gradualisht bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; dhe vazhdoi të hidhte të vërtetën në tokë dhe ajo veproi e pati sukses.

13 Dhe dëgjova një të shenjtë që fliste dhe një i shenjtë tjetër filloi t’i thoshte atij që ishte duke folur: ‘Sa i gjatë do të jetë vizioni i flijimit të vazhdueshëm dhe i shkeljes që shkakton shkretim, për ta bërë si vendin e shenjtë, ashtu edhe gjërat e ushtrisë të shkelen?’ 14 Kështu, ai më tha: ‘Deri dy mijë e treqind mbrëmje e mëngjese; dhe vendi i shenjtë me siguri do të sillet në gjendjen e tij të drejtë.’»​—New World Translation of the Holy Scriptures.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo