Jehovai vepron me besnikëri
TREGUAR NGA PITER PALISER
Ishte dhjetori i vitit 1985. Emocionet u shtuan, sapo nisëm uljen në aeroportin ndërkombëtar, në Nairobi të Kenias. Duke ecur me makinë për në qytet, vërshuan kujtimet e zgjuara nga pamje dhe tinguj të njohur.
VAJTËM në Kenia për të marrë pjesë në Kongresin Krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait «Mbajtës të integritetit». Dymbëdhjetë vjet më parë, ime shoqe dhe unë qemë të detyruar të iknim nga Kenia, për shkak të ndalimit të veprës sonë të predikimit. Atje jetuam në Bethel, i cili është emri që u jepet ndërtesave të degës së Dëshmitarëve të Jehovait. Ç’surprizë e këndshme na priste, kur u kthyem atje për ta vizituar!
Një Dëshmitare e re, të cilën e kishim njohur që kur ishte 2 vjeçe, po ndihmonte për të përgatitur darkën. Të paktën gjashtë anëtarë të familjes Bethel, ishin nga ata që ne i kishim njohur që kur ishin fëmijë. Ç’gëzim që ishte t’i shihje tani të rritur, bashkë me familjet e tyre, të gjithë ende aktivë në shërbim! Perëndia ynë Jehovai ishte kujdesur për ta në përputhje me premtimin e Biblës: «Me dikë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.» (2. Samuelit 22:26, BR) Çfarë kontrasti pashë mes rinisë sime dhe jetës së frytshme që bënin këta të rinj!
Rini pa qëllim
U linda më 14 gusht 1918 në Skaborou të Anglisë. Dy vjet më vonë, ime më dhe motra e gjetur shkuan në Kanada, kështu që gjatë tre vjetëve të mëpastajmë jetova me babanë, gjyshen dhe hallën. Në moshën pesëvjeçare, nëna më rrëmbeu nga babai dhe më mori në Montreal, Kanada. Katër vjet më vonë, ajo më dërgoi përsëri në Angli, për të jetuar me babanë dhe për të ndjekur shkollën.
Nëna dhe motra e gjetur më shkruanin gati çdo gjashtë muaj. Në fund të letrave të tyre, ato shprehnin dëshirën që të isha një qytetar i mirë, besnik ndaj mbretit dhe atdheut. Ndoshta përgjigjet e mia i zhgënjenin, sepse u shkruaja se mendimi im ishte që nacionalizmi dhe lufta ishin të gabuara. Por, duke mos pasur ndonjë drejtim të qartë, gjatë viteve të adoleshencës, bëra një jetë pa qëllim.
Më pas, në korrik të 1939-s, gjashtë javë para se të fillonte Lufta II Botërore, u rekrutova në ushtrinë britanike. Isha vetëm 20 vjeç. Regjimenti im u dërgua menjëherë në Francën Veriore. Kur na sulmoi flota ajrore gjermane, ne çunakët e rinj drejtonim pushkët e gjuanim drejt tyre. Ishte një jetë që të kallte datën. Ne u tërhoqëm përpara ushtrive gjermane që përparonin dhe unë isha ndër ata që u shpërngulën në Dankirk gjatë javës së parë të qershorit të vitit 1940. Ende më kujtohet me tmerr pamja e një batalioni të tërë kufomash të shpërndara nëpër breg. Mbijetova nga ai makth dhe mbërrita në Haruiç, në Anglinë Lindore, i hipur në bordin e një anijeje të vogël mallrash.
Një vit më pas, në mars të 1941-shit, më dërguan në Indi. Atje u stërvita si mekanik instrumentesh. Pas një periudhe në spital, si pasojë e një infeksioni, u transferova në një njësi ushtarake në kryeqytetin Delhi të Indisë. Duke qenë larg shtëpisë dhe ende jo mirë me shëndet, fillova të mendoja për të ardhmen. E pyesja veten veçanërisht se çfarë ndodh me ne kur vdesim.
Ushtrimi i një besnikërie të re
Shok dhome në Delhi kisha një bashkatdhetar të quajtur Bert Geil. Një ditë ai tha se «feja ishte e Djallit», koment ky që ngjalli interesin tim. Gruaja e tij ishte bërë Dëshmitare e Jehovait dhe herë pas here i dërgonte atij botime biblike. Njëra prej këtyre, broshura me titull Shpresa, fitoi interesin tim. Trajtimi që i bënte ajo shpresës së ringjalljes më dha një ndjenjë të vërtetë qetësie.
Dikur në fillim të vitit 1943, Berti foli me një civil anglo-indian, Tedi Grubert, i cili punonte në të njëjtën bazë ushtarake me ne. Për habinë tonë, mësuam se Tedi ishte një Dëshmitar. Ndonëse në 1941-shin ishte vënë ndalimi mbi botimet e Dëshmitarëve të Jehovait, ai na merrte në mbledhjet që mbanin Dëshmitarët në Delhi. Në atë kongregacion të vogël, unë gjeta për herë të parë në jetën time një shoqëri të sinqertë e të ngrohtë. Basil Tsatos, një vëlla i moshuar i krishterë nga Greqia tregoi interes personal për mua dhe iu përgjigj pyetjeve të mia. Ai u dha përgjigje të qarta biblike pyetjeve lidhur me arsyen përse plakemi dhe vdesim, lidhur me ringjalljen dhe botën e re të drejtësisë të premtuar nga Perëndia.—Veprat 24:15; Romakëve 5:12; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
Broshura Paqja: A mund të zgjasë?, botuar në 1942-shin, ngjalli në mënyrë të veçantë interesin tim. Ajo e identifikonte Lidhjen e Kombeve si «bisha e egër me ngjyrë të kuqe të ndezur». (Zbulesa 17:3, BR) Duke cituar vargun 11 të kreut 17 të Zbulesës, libreza thoshte: «Tashmë mund të thuhet se Lidhja ‘ishte dhe nuk është’.» Në vazhdim ajo thoshte: «Shoqata e kombeve të botës do të duket sërish.» Në 1945-n, më shumë se tre vjet më vonë, ndodhi pikërisht kjo, me formimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë ndalimit të literaturës së Dëshmitarëve, isha në gjendje të ndihmoja miqtë e mi të sapogjetur. Kur mbërrinte një kuti kartoni me librezat Paqja: A mund të zgjasë?, kongregacioni ma jepte mua për ta ruajtur. Kujt do t’i shkonte mendja që të kërkonte literaturë të ndaluar në një kamp ushtarak? Çdo herë që merrja pjesë në mbledhje, merrja me vete disa broshura, për t’i mbajtur vëllezërit të furnizuar. Unë madje fshihja literaturën personale biblike të tyre, kur i frikësoheshin ndonjë kontrolli të shtëpive të tyre. Përfundimisht, më 11 dhjetor 1944, ndalimi u hoq.
Besnikëria ime ndaj mësimeve të krishtere u vu në provë në 1943-shin, gjatë kremtimit të Krishtlindjeve, që u organizua për detashmentin tonë ushtarak. Unë nuk pranova të merrja pjesë, pasi kisha mësuar se Jezui nuk kishte lindur në dhjetorin e acartë dhe se të krishterët e hershëm nuk i kremtonin Krishtlindjet.—Krahaso Lukën 2:8-12.
Kur në Jëbëlpor (Jabalpur) më 27 deri në 31 dhjetor 1944 u mbajt asambleja «Lajmëtarë të bashkuar», isha ndër rreth 150 të pranishmit. Shumë delegatë kongresi udhëtuan me tren nga Delhi, një udhëtim prej mbi 600 km. Kurrë nuk kam për ta harruar atmosferën e mrekullueshme në atë mjedis në natyrë të hapur, ku pashë organizatën e Jehovait në veprim.
Delegatët e kongresit ishin strehuar në fjetore shkollash, ku kënduam këngët e Mbretërisë dhe u kënaqëm në shoqërinë e gëzuar të krishterë. Gjatë atij kongresi, unë nisa të merrja pjesë në veprën e predikimit publik, një vepër që ka mbetur gjithmonë e shtrenjtë në zemrën time.
Shërbimi i plotë kohor në Angli
Në 1946-n, u ktheva në Angli dhe shpejt fillova të shoqërohesha me kongregacionin Uolverton. Edhe pse kishim vetëm rreth dhjetë lajmëtarë të Mbretërisë, këta më bënë të ndihesha si në shtëpinë time dhe përjetova të njëjtën kënaqësi që kisha ndier mes vëllezërve në Indi. Vera Kliftën binte në sy në kongregacion si një person i sinqertë dhe i dashur. Kur mësova se edhe ajo kishte të njëjtën dëshirë me mua për të qenë pioniere, siç quhen shërbëtorët e plotë kohorë, më 24 maj të 1947-s u martuam. Rinovova një furgon apo një shtëpi të lëvizshme dhe një vit më pas, morëm caktimin tonë të parë si pionierë, në qendrën fshatare Hantingdon.
Ato ditë, ne niseshim me biçikleta herët në mëngjes për në territorin fshatar. Dita jonë e plotë e predikimit ndërpritej vetëm nga një pushim i shkurtër në mesditë për të ngrënë një sanduiç. Pavarësisht se sa fort frynte era kundër apo sa i stuhishëm ishte shiu, nëpër të cilin ne pedalonim për t’u kthyer në shtëpi, ishim të lumtur dhe të kënaqur në veprën e Zotërisë.
Me kohë, ne kishim mall ta zgjeronim shërbimin tonë dhe t’ua ndanim «lajmin e mirë» njerëzve të vendeve të tjera. (Mateu 24:14) Kështu, pra, bëmë kërkesën për të marrë pjesë në shkollën misionare të Galaadit, në Lansingun Jugor, Nju Jork, SHBA. Më në fund, u pranuam në klasën e 26-të të Galaadit, e cila u diplomua në shkurt të 1956-s.
Një shërbim i zgjeruar në Afrikë
Caktimi ynë misionar ishte Rodezia Veriore (tani Zambia), në Afrikë. Pak kohë pasi arritëm, na ftuan të shërbenim në Bethelin e atij vendi. Si pjesë e punës sime në Bethel, unë merresha me korrespondencën me Afrikën Lindore. Në 1956-n, Kenia, një prej këtyre vendeve afrikano-lindore, kishte vetëm katër Dëshmitarë, ndërkohë që në Rodezinë Veriore kishte më se mbi 24.000. Vera dhe unë filluam të mendonim se sa mirë do të ishte të shërbenim atje ku nevoja ishte më e madhe.
Më pas, papritur e pakujtuar, mora një ftesë tjetër për në Shkollën e Galaadit, kësaj radhe për një kurs dhjetëmujor për mbikëqyrës. Pasi lashë Verën në Rodezinë Veriore, u nisa për në qytetin e Nju Jorkut, ku në atë kohë gjendej Shkolla e Galaadit. Pasi përfundova kursin në nëntor të 1962-shit, u caktova në Kenia për të themeluar një zyrë dege atje. Në këtë kohë, Kenia kishte mbi njëqind Dëshmitarë.
Gjatë kthimit në Rodezinë Veriore për të takuar Verën, mendova të bëja një ndalesë të shkurtër në Nairobi të Kenias. Por kur mbërrita, Bill Nisbet, një i diplomuar i klasës së 25-të të Galaadit më tha se kishte një mundësi që të merrej një leje zyrtare, për të hyrë në Kenia që atë moment. Iu afruam autoriteteve të emigracionit dhe brenda pak minutash, kisha marrë dokumentet për të qëndruar në Kenia për pesë vjet. Kështu, nuk u ktheva më në Rodezi; përkundrazi, Vera erdhi tek unë në Nairobi.
Pas një kursi të improvizuar të gjuhës suahili, u bashkuam në shërbim me kongregacionin e vogël të Nairobit. Ndonjëherë, pasi lexonim prezantimin tonë në suahili, i zoti i shtëpisë thoshte: «Nuk kuptoj anglisht.» Pavarësisht nga kjo, ne qëndruam dhe dalëngadalë e mposhtëm pengesën e gjuhës.
Territori ynë përfshinte komplekse të pamata banesash me emra të tillë biblikë si Jerusalem dhe Jeriko. Interesi u zhvillua shpejt dhe nga këto zona u bënë shumë lajmëtarë të rinj të Mbretërisë. Ç’ndikim të dukshëm pati e vërteta biblike mbi këta njerëz! Ndjenja e epërsisë fisnore u zhduk, ndërsa besnikëria ndaj Mbretërisë solli unitet mes popullit të Jehovait. U bënë edhe martesa ndërfisnore, gjë kjo shumë e pazakontë mes atyre që nuk ishin Dëshmitarë.
Lajmëtarët e rinj të Mbretërisë e përqafuan të vërtetën me zell. Samsoni, për shembull, ishte kaq i etur që e vërteta biblike të depërtonte në zonën e shtëpisë së tij, saqë kërkonte që atje të dërgoheshin pionierë. Në fakt, ai bëri një zgjerim në shtëpinë e tij, në rajonin Ukambani, për të siguruar kushtet për ta. S’kaloi shumë kohë dhe atje u formua një kongregacion i ri me lajmëtarë të Mbretërisë.
Kam vizituar disa herë me radhë vëllezërit tanë në Etiopi, një vend afrikano-lindor. Ata bënin mesatarisht mbi 20 orë shërbim në muaj, pavarësisht nga burgimet, rrahjet dhe mbikëqyrja e vazhdueshme. Njëherë, dy autobusë të mbushur me vëllezër dhe motra nga Etiopia, udhëtuan për një javë, duke kaluar qafa të rrezikshme malesh, për të marrë pjesë në një kongres krahinor në Kenia. Shkathtësia e tyre në marrjen e masave për vënien në dispozicion të literaturës së Mbretërisë në vendin e tyre ishte e spikatshme. Ne në Kenia ishim të lumtur që i ndihmonim ata për të qenë të furnizuar.
Në vitin 1973, mbi veprën tonë në Kenia u vu ndalimi dhe misionarët u detyruan të iknin. Atëherë, kishim mbi 1.200 Dëshmitarë në Kenia dhe shumë prej këtyre ishin në aeroport për të na bërë një përcjellje të paharrueshme. Prania e tyre e shtyu një bashkudhëtar që të pyeste nëse ne ishim njerëz të dëgjuar në ndonjë fushë. Vera dhe unë u kthyem në Angli dhe na u ofrua një caktim atje, por ne kishim mall të ktheheshim në Afrikë.
Përsëri në Afrikë
Kështu, pra, pak muaj më vonë, ne morëm caktimin tonë të ri në Bethelin e Akrës, kryeqytet i Ganës, një vend afrikano-perëndimor. Një nga caktimet e mia këtu, më vuri ballë për ballë me vështirësitë që ndeshnin vëllezërit tanë atje. Ndërsa kujdesesha për blerjen e ushqimit dhe të furnizimeve për familjen Bethel, habitesha nga çmimet tepër të larta të produkteve ushqimore. Shpesh, nuk mund të bliheshin as artikujt e nevojshëm. Mungesa e benzinës dhe kriza e pjesëve të këmbimit sollën probleme të tjera.
Arrita të mësoj rëndësinë e durimit, diçka që vëllezërit tanë në Ganë e kishin zhvilluar. Inkurajohesha shumë tek shihja qëndrimin gëzimplotë që kishin ata, ndërsa hidhnin poshtë tundimin, për të siguruar gjërat e nevojshme të jetesës me anë të rryshfeteve. Si rezultat, populli i Jehovait në Ganë u bë i mirënjohur për ndershmërinë e tij dhe gëzonte një emër të mirë tek shumë zyrtarë.
Megjithatë, pavarësisht nga mungesat në materiale, kishte një lulëzim frymor gjithnjë e në rritje. Në të gjithë vendin, botimet tona biblike gjendeshin praktikisht në çdo shtëpi. Ne e pamë numrin e lajmëtarëve të Mbretërisë në Ganë të rritej nga 17.156 kur mbërritëm ne në 1973-shin, në mbi 23.000 në 1981-shin. Atë vit, shpërthimi i kancerit të lëkurës, padyshim i rënduar nga vitet e ekspozimit ndaj diellit në Indi dhe në Afrikë, më detyruan të ikja nga Gana dhe të kthehesha në Angli për një kurë të rregullt.
Rrethana të reja në Angli
Për mua, kthimi do të thoshte një rregullim i konsiderueshëm në shërbimin tim. Isha mësuar të flisja lirisht me njerëzit që respektonin Perëndinë dhe Biblën. Kurse në Londër, rrallëherë gjeja një qëndrim të tillë. Mrekullohesha me qëndrueshmërinë e vëllezërve në Britani. Kjo gjë ka bërë që të shoh nevojën, për të zhvilluar më shumë empati për njerëzit që janë ‘të zhvoshkur dhe të hallakatur’ frymësisht.—Mateu 9:36, BR.
Pas kthimit nga Afrika, Vera dhe unë shërbyem së bashku në Bethelin e Londrës deri në kohën kur ajo vdiq në shtator të 1991-shit, në moshën 73 vjeçare. Nuk ka qenë e lehtë humbja e një shoqeje kaq të besueshme, e cila punoi krah për krah me mua në shërbim për kaq shumë vjet. Më ka marrë malli shumë për të. Por jam i lumtur për mbështetjen e shkëlqyer që mora nga familja jonë Bethel prej 250 anëtarësh.
E quaj vërtet një privilegj që përjetoj shkuarjen përpara të organizatës së Jehovait dhe që shoh kaq shumë persona që e bëjnë shërbimin e plotë kohor mënyrën e tyre të jetesës. Mund t’ju siguroj se nuk ka mënyrë më të mirë jetese sesa kjo, sepse «Jehovai . . . nuk do t’i braktisë besnikët e tij».—Psalmi 37:28, BR.
[Figura në faqen 23]
Ne shërbyem si pionierë në Angli nga 1947-a deri në 1955-n
[Figura në faqen 23]
Hera e parë në shërbim gjatë një kongresi në Indi
[Figura në faqen 23]
Kur ishim misionarë në Rodezinë Veriore
[Figura në faqen 23]
Në 1985-n, me miq që nuk i kisha parë për 12 vjet