Një martesë 403-vjeçare është në hall
NË Suedi, për më shumë se 400 vjet, kisha dhe shteti kanë gëzuar një marrëdhënie të ngushtë. Tani, martesa ndërmjet fesë dhe qeverisë është duke u dobësuar.
Luteranizmi u vendos si feja e shtetit në vitin 1593 dhe të gjithë suedezët duhej të ishin anëtarë të saj të pagëzuar. Më vonë, gjatë viteve 1850, u bë një rregullim. Për suedezët nuk ishte më e domosdoshme që të ishin të pagëzuar; megjithatë, ata konsideroheshin ende anëtarë të Kishës Luteriane. Si të tillë, atyre u kërkohej që të paguanin 1 për qind të së ardhurës së tyre të tatuar, për të mbështetur kishën, si dhe të paguanin për disa shërbime civile të bëra nga kisha. Në kohët edhe më të fundit, u bë një ndryshim tjetër. Duke filluar nga viti 1952, suedezët mund të tërhiqeshin ligjërisht nga kisha dhe për pasojë të përjashtoheshin nga pagimi i një pjese të madhe të taksës së kishës.
Vitet e fundit, Kisha Luteriane ka vazhduar ta humbasë kontrollin e saj në Suedi. Kjo ishte e pashmangshme, përderisa 10 për qind e banorëve të Suedisë janë imigrantë joluterianë, duke përfshirë çifutë, katolikë dhe myslimanë. Prandaj, në fillim të vitit 1996, vetëm 86 për qind e suedezëve, i përkiste Kishës Luteriane dhe ky numër vazhdon të bjerë.
Apatia në rritje është duke shkaktuar një çarje ndërmjet kishës dhe shtetit. Tashmë, është deklaruar se nuk është e domosdoshme që mbreti të jetë një luterian dhe se fëmijët që i lindin një prindi luterian, nuk konsiderohen automatikisht anëtarë të Kishës shtetërore Luteriane. Për më tepër, sipas The Dallas Morning News, deri në vitin 2000, «famullitë lokale dhe shteti duhet të bëjnë vlerësimin dhe ndarjen e sasive të mëdha të pronave. Kisha duhet ta ulë buxhetin e saj vjetor prej 1,68 miliardë dollarësh amerikanë, pjesa më e madhe e të cilit është mbledhur nëpërmjet taksave». Me fillimin e shekullit të ri, kisha do t’i emërojë vetë peshkopët e saj.
Ndërkohë që apatia dhe anëtarësia në rënie shqetësojnë të ashtuquajturin krishterim, Dëshmitarët e Jehovait në Suedi vazhdojnë të lulëzojnë. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1997, raporton se në atë vend ka 24.487 lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë dhe pothuajse 10 për qind e tyre po predikojnë si shërbëtorë pionierë në kohë të plotë. Shumë prej këtyre janë duke synuar për privilegje më të mëdha shërbimi. Për shembull, gjatë kongreseve krahinore të Dëshmitarëve të Jehovait në vitin 1995, 20 çifte të martuara plotësuan kërkesën për stërvitjen si misionarë në shkollën e Galaadit të Shoqatës Watchtower. Në atë kohë, kishte pothuajse 75 suedezë të diplomuar të klasave të kaluara, që po shërbenin si misionarë në vende të ndryshme të botës. Pa dyshim, shembulli i tyre i shkëlqyer, letrat inkurajuese dhe vizitat, kanë një efekt nxitës tek ata që tani e synojnë këtë privilegj të madh.
Prandaj, ndërsa me miliona persona të të ashtuquajturit krishterim janë duke vuajtur një rënie frymore, Dëshmitarët e Jehovait «këndojnë për gëzimin e zemrës së tyre».—Isaia 65:13, 14.
[Harta në faqen 30]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Suedia