Pse janë kaq të këqija këto kohë?
KUR ulesh për të lexuar një gazetë, për të parë lajmet në televizor apo për të dëgjuar një emision lajmesh në radio, ti pret që të dëgjosh ndonjë lajm të keq, apo jo? Ndoshta nuk çuditesh kur mëson se një luftë që vazhdon, është ende duke bërë kërdinë, që krimi i dhunshëm është ende i pafrenueshëm, apo që një uri po shtrydh forcën e një vendi në zhvillim.
Nëse jeton larg këtyre ngjarjeve, ndoshta nuk ndihesh vazhdimisht tejet i stresuar nga raporte të tilla. Në fund të fundit, kush mund të jetë në gjendje që të ketë empati për gjithë ato masa njerëzish që vuajnë? Edhe pse kështu, është shumë e vështirë që të mos prekemi kur gjendemi ballë për ballë me mënyrën, në të cilën vuajtja prek individët. Me fjalë të tjera, ndërsa është një gjë të lexosh rreth një lufte dhe të peshosh statistikat mbi fatalitetet, është krejtësisht tjetër gjë të lexosh për Adnanin e vogël, një djalë boshnjak nëntëvjeçar, nëna e të cilit u vra, kur një bombë shkatërroi shtëpinë e tyre. Vetëm muaj më vonë, ndërsa zbrisnin më këmbë të dy së bashku nëpër një rrugë, babai i Adnanit u godit fatalisht nga një snajper. Vetëm pak javë më vonë, e motra u mbyt për vdekje në gjak përpara syve të tij, viktimë e një predhe artilerie brenda oborrit të shkollës. Doktorët që e kuruan për traumë Adnanin, zbuluan se djali ishte i mpirë, pa kurrfarë ndjenje, madje as kuriozitet. Frika dhe shkrepëtima të asaj që kishte kaluar, prishnin orët e tij të zgjimit; makthet i grabitnin gjumit të tij të gjithë qetësinë. Adnani nuk është një statistikë. Ai është një fëmijë që vuan; ne nuk mund të mos kemi empati për të.
Po kështu është edhe me sëmundjet e tjera të botës. Një gjë është të lexosh për urinë; është krejtësisht tjetër, të shohësh një fotografi të një vajze pesëvjeçare me një bark të fryrë dhe me gjymtyrë si fije shkrepseje, një viktimë e urisë, që mezi mbahet në këmbë. Një gjë është të lexosh statistikat e krimeve; është krejtësisht tjetër të dëgjosh për një vejushë të shkuar në moshë, që është rrahur brutalisht, është grabitur dhe përdhunuar. Një gjë është të lexosh për rënien e familjes; është krejtësisht tjetër të mësosh se një nënë, me qëllim ia la mangut ushqimin dhe abuzoi në mënyrë mizore me vetë fëmijën e saj.
Është e dhimbshme të lexosh për gjëra të tilla. Por sa më keq akoma është kur një prej këtyre plagëve globale, na prek drejtpërdrejt ne! Kur ti e vuan personalisht të keqen, pamja më e zgjeruar e paraqitur nga lajmet e botës, mund të bëhet dërrmuese. Është tmerruese të përballosh faktin se vuajtjet nga krimet, lufta dhe sëmundjet, janë duke u rritur në një shkallë pa precedent në historinë njerëzore. Pasojat e përballimit të realiteteve të këtij shekulli të 20-të, mund të jenë me të vërtetë të thella: hutimi, frika dhe stresi, janë të zakonshme.
Njerëz të shumë feve po kërkojnë përgjigjet e pyetjeve të tilla shqetësuese, si: Përse janë kaq keq gjërat? Për ku është drejtuar njerëzimi?
Sot, mjerisht, fetë ofrojnë rrallë përgjigje të kënaqshme. Kur pe për herë të parë pyetjen në kopertinën e kësaj reviste, mund të kesh reaguar me skepticizëm: një reagim i kuptueshëm. Fetë fondamentaliste shpesh përpiqen të nxjerrin me zor nga Bibla, atë që ajo thjesht, nuk e përmban: ditën dhe orën e saktë të vdekjes së kësaj bote. (Shiko Mateun 24:36.) Botuesit e kësaj reviste preferojnë që ta lënë Biblën të shpjegojë vetveten. Ndoshta çuditesh po të mësosh se trajtimi biblik i ditëve të fundit, është i faktuar dhe i arsyeshëm. Bibla bën më shumë sesa vetëm shpjegimin, përse gjërat janë kaq keq. Ajo siguron, gjithashtu, një shpresë për të ardhmen, një shpresë që është me të vërtetë ngushëlluese. Ne të ftojmë që të shqyrtosh artikujt vijues, për të parë se si kjo gjë është kështu.
[Burimi i figurës në faqen 3]
Jobard/Sipa Press