Kundërpërgjigjja ndaj akuzave të rreme në Francë
DËSHMITARËT E JEHOVAIT në Francë, ishin kohët e fundit shënjestra e një barrikade akuzash të rreme. Duke shfrytëzuar ngjarjet tragjike lidhur me kultet fetare në Evropë dhe Japoni, mjetet informative përhapën informacion të shtrembëruar për Dëshmitarët. Dëshmitarët e Jehovait ishin portretizuar pa të drejtë si një nga kultet më të mëdha e më të rrezikshme.
Në përpjekje për të rregulluar gjërat, Dëshmitarët e Jehovait botuan një fletushkë, e cila u jepte përgjigje pyetjeve të tilla si këto: Kush janë Dëshmitarët e Jehovait? A janë ata të krishterë? A pranojnë trajtim mjekësor? Përse shkojnë derë më derë? Si financohet vepra e tyre? Në ç’mënyrë janë Dëshmitarët e Jehovait një dobi për shoqërinë?
Fletushka informative në gjuhën frënge titullohej Dëshmitarët e Jehovait—Çfarë duhet të dini? Për t’ua lënë fletushkën sa më shumë njerëzve, u organizua një fushatë. Nga 13 maji deri më 9 qershor 1996, u shpërndanë më shumë se nëntë milionë kopje.
Kjo fletushkë u la mbresa shumë njerëzve, duke përfshirë edhe zyrtarët e shtetit. «Jam plot me indinjatë nga kritika drejtuar Dëshmitarëve të Jehovait,—shkroi një anëtar i këshillit rajonal, pasi kishte lexuar fletushkën.—Herë pas here e kam çmuar karakterin bamirës dhe vetëmohues të veprës suaj.» Në përgjigje të fletushkës, një anëtar i Parlamentit Evropian shkroi: «Pjesa më e madhe e njerëzve dinë fort mirë të bëjnë dallimin ndërmjet grupit të të krishterëve, pjesë e të cilit jeni edhe ju dhe kulteve.»
Një Dëshmitar në Bretanjë, ia prezantoi fletushkën një prifti, i cili e pranoi atë menjëherë. «Ju lavdëroj për punën që po bëni»,—tha prifti e më pas, shtoi: «I inkurajoj famullitarët e mi që t’ju lejojnë në shtëpitë e tyre dhe t’ju ofrojnë një filxhan kafe. Madje mund t’u thoni atyre që takoni se keni qenë edhe në shtëpinë time. Gjithashtu, dua t’ju them se më pëlqen të lexoj botimet tuaja.»
Pasi kishte marrë fletushkën, një protestant në Alzasë i shkroi Shoqatës Watch Tower, duke kërkuar një studim biblik. «Duke qenë se më ka humbur gjithë besimi në kishën time,—shkruante ai,—po pres të më hapet një derë e re frymore.» Pavarësisht nga akuzat e rreme që drejtohen herë pas here kundër tyre, Dëshmitarët e Jehovait në Francë dhe në fakt në të gjitha pjesët e botës, vazhdojnë t’i ndihmojnë njerëzit që të arrijnë njohurinë e saktë të qëllimeve të Perëndisë, siç paraqiten në Bibël.—2. Timoteut 3:16, 17.