Pyetje nga lexuesit
E kuptoj se fjala greke «to΄te» (atëherë) përdoret për të paraqitur diçka që vjen pas. Duke pasur parasysh këtë fakt, përse në Mateun 24:9 lexojmë, «atëherë [to΄te] njerëzit do t’ju dorëzojnë në mjerim», kurse tregimi paralel në Lukën 21:12 thotë se «para të gjitha këtyre gjërave njerëzit do të shtrijnë duart mbi ju dhe do t’ju persekutojnë»?
Është e drejtë që to΄te mund të përdoret për të paraqitur diçka që vjen pas, diçka në vazhdimësi nëse mund të thuhet ndryshe. Por, s’ka pse të kuptojmë se ky është i vetmi përdorim biblik i kësaj fjale.
Një leksik fetar (A Greek-English Lexicon of the New Testament and Other Early Christian Literature) nga Bauer, Arndt dhe Gingriç tregon se fjala to΄te është përdorur në Shkrime me dy kuptime themelore.
Një përdorim është «në atë kohë». Ky mund të jetë «forma e shkuar e atëherë». Një shembull jepet në Mateun 2:17: «Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi.» Këtu nuk i referohet diçkaje në vazhdimësi, por tregon një pikë të veçantë në të shkuarën, d.m.th. në atë kohë. Ngjashëm, to΄te mund të përdoret «për t’iu referuar një pike kohore në të ardh[men] për fjalën atëherë.» Një shembull gjendet në 1. Korintasve 13:12: «Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.» Pavli këtu përdori to΄te në kuptimin ‘në atë të ardhme’.
Sipas këtij leksiku, përdorimi tjetër për fjalën to΄te, është «të paraqesësh diçka që vjen pas në kohë». Ky leksik jep shumë shembuj të gjetur në tri tregimet që japin përgjigjen e Jezuit ndaj pyetjes së apostujve mbi shenjën e pranisë së tij.a Si shembuj të përdorimit të fjalës to΄te «për të paraqitur diçka që vjen pas në kohë», leksiku citonte Mateun 24:10, 14, 16, 30; Markun 13:14, 21 dhe Lukën 21:20, 27. Shqyrtimi i kontekstit tregon përse diçka vijuese në kohë është kuptimi i saktë. Dhe kjo gjë është e dobishme për të kapur kuptimin e profecisë së Jezuit, e cila përmbante zhvillimin e ngjarjeve të ardhshme.
Megjithatë, nuk duhet të dalim në përfundimin se çdo shembull i fjalës to΄te në këto tregime, duhet të paraqesë në mënyrë strikte atë që vjen pas në kohë. Për shembull, Në Mateun 24:7, 8, lexojmë që Jezui paratha se kombi do të ngrihej kundër kombit dhe se do të kishte mungesa ushqimi dhe tërmete. Vargu 9 vazhdon: «Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» A do të ishte e arsyeshme të kuptonim se luftërat, mungesa e ushqimit dhe tërmetet e parathëna do të ndodhin të gjitha dhe ndoshta do të mbarojnë, para se të fillojë persekutimi?
Kjo nuk është e logjikshme dhe as nuk del nga ajo që njohim për përmbushjet në shekullin e parë. Tregimi në librin e Veprave zbulon se pothuaj menjëherë pasi anëtarët e kongregacionit të ri të krishterë filluan predikimin, përjetuan kundërshtim të madh. (Veprat 4:5-21; 5:17-40) Sigurisht që nuk mund të themi se të gjitha luftërat, skamjet dhe tërmetet, për të cilat Jezui foli, ndodhën para këtij persekutimi të hershëm. Përkundrazi, ai kundërshtim erdhi «para» shumë gjërave të tjera të parathëna, gjë që është në përputhje me mënyrën, në të cilën Luka i shprehu gjërat me fjalët: «Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin.» (Luka 21:12) Kjo gjë të sjell ndër mend se në Mateun 24:9, to΄te është përdorur më shumë në kuptimin «në atë kohë». Gjatë periudhës së luftërave, skamjes dhe tërmeteve, ose në atë kohë, ithtarët e Jezuit do të persekutoheshin.
[Shënimi]
a Këto tregime paralele në Mateun, Markun dhe Lukën ishin lënë mënjanë në kolona në faqet 14 dhe 15 të Kullës së Rojës së 15 majit 1994. Shembujt për to΄te, të përkthyera «atëherë» ishin në shkronja të zeza.