Zgjerim në sajë të bekimit të Jehovait
PROGRAMI i dedikimit në mbrëmjen e 18 shtatorit 1995, theksoi se Perëndia Jehova e ka bekuar me të vërtetë zgjerimin e Dëshmitarëve të tij në zonën e qendrës së tyre botërore në Bruklin, Nju Jork.
Programin e dedikimit e dëgjuan mbi 6.000 vetë. Ata u mblodhën në Bruklin, vendin ku filloi programi si edhe në vende të tjera, duke përfshirë ndërtesat e mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait afër Paterson dhe Wallkill, të Nju Jorkut dhe në degën e tyre pranë Torontos, Kanada. Ata të zonave të tjera, përveç Bruklinit, i ndoqën procedurat përmes linjave telefonike.
Një program i përzemërt
Bethelitët, siç janë quajtur punëtorët vullnetarë, që dëgjuan programin, përbëjnë një pjesë të madhe të familjes ndërkombëtare Bethel, e cila ka më shumë se 16.400 anëtarë. Këta anëtarë shërbejnë në rreth njëqind vende, ku shtypin literaturë biblike dhe sigurojnë shërbime të ndryshme në mbështetje të më shumë se 78.600 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në botë.
Të gjithë ishin të emocionuar ndërsa programi i dedikimit filloi me një këngë në 6.30 pasdite dhe u pasua nga lutja e bërë nga Karl Klein. Drejtuesi i programit, Lloid Berri, i mirëpriti të gjithë me ngrohtësi, duke bërë komente të shkurtra mbi domethënien e rastit. Albert Shroder rishikoi mësimin javor të Kullës së Rojës dhe më pas vëllai Daniel Sidlik foli rreth 15 minuta mbi temën: «Shërbimi ynë i shenjtë në Bethel.» Këta që kishin pjesë të parët në program, ishin të gjithë anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.
Dy pjesët në rradhë të programit, «Përballimi i rritjes së nevojave tona për strehim, 1974-1995» dhe «Momentet e rëndësishme të restaurimit dhe ndërtimit të Bethelit në Bruklin», theksuan momentet kryesore në lidhje me ndërtimin apo sigurimin dhe restaurimin e ndërtesave që u dedikuan. Të dhënat e përqendruan vëmendjen mbi banesën e përfunduar kohët e fundit, që tani banohet nga rreth një mijë bethelitë. Kjo shtëpi banimi, e lartë 115 metra, ndodhet në rrugën Sandz Nr. 90, ngjitur me kompleksin e fabrikës së shtypit.
Një moment i rëndësishëm i programit, ishte fjalimi i dedikimit i mbajtur nga Milton Henshel, presidenti i Shoqatës Watchtower and Tract. Ai theksoi prioritetin që kishin sipas Biblës ndërtesat e dedikuara për t’u përdorur në shërbimin ndaj Jehovait. Pas një kënge, programi u mbyll me një lutje nga vëlla Keri Barber, gjithashtu, anëtar i Trupit Udhëheqës. Por cilat ishin disa nga momentet e rëndësishme të programit?
Dedikimi i ndërtesave
Mbikëqyrësi i Shtëpisë Bethel, Xhorxh Kauç, shpjegoi se që nga dedikimi i fundit i ndërtesës së Bethelit në Bruklin, më 2 maj 1969, janë shtuar 17 banesa.a Këto ishin shtëpi banimi të sapo ndërtuara apo ndërtesa që u blenë dhe u restauruan para pak kohësh. Ky rast përfshinte në fakt, dedikimin e 17 banesave, të dy ndërtesave të vogla të blera në 1940-n, si banesa të Bethelit, si edhe të fabrikës dhe ndërtesave të zyrës, që kishin qenë ndërtuar apo blerë që nga dedikimi i kompleksit të ndërtesave të zyrave të qendrës së Dëshmitarëve të Jehovait, më 15 mars 1982.b
Më e madhja prej ndërtesave që u dedikuan është ajo në rrugën Furman Nr. 360. E ndërtuar fillimisht në vitin 1928, u ble nga Dëshmitarët e Jehovait në 15 mars 1983 dhe u restaurua e tëra. Sipërfaqja e dyshemesë së saj është 93.000 metra katrorë ose afërsisht 9 ha. Të tjera ndërtesa që u përfshinë në dedikim, ishin fabrika në rrugën Pearl Nr. 175 dhe garazhet e mëdha që u ndërtuan në vitet e fundit.
Përse nevojiteshin më shumë banesa strehimi?
Kur u dedikua banesa e fundit e Bethelit në Bruklin, në 1969-n, kishte një maksimum prej 1.336.112 Dëshmitarësh që predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në të gjithë botën. Por në 1995-n, ishin 5.199.895 Dëshmitarë që po kryenin këtë vepër, një shifër kjo tre herë e gjysmë më e madhe se ajo e vitit 1969! Prandaj, për të ecur krahas me kërkesën në rritje për literaturë biblike, familja Bethel në Bruklin është rritur nga 1.042 anëtarë të rregullt në 1969-n në më shumë se 3.360 anëtarë që tani jetojnë në 22 banesa!
Xhorxh Kauç diskutoi mbi faktin se si nevoja për më shumë banesa strehimi ishte ndierë nga 1974-a deri në 1995-n. Në fillim të viteve ’70, nga Dëshmitarët e Jehovait u morën me qira kate të ndryshme të hotelit fqinj Towers për të përballuar rritjen e familjes Bethel. Në dhjetor 1973, Nathan Knorr, në atë kohë presidenti i Shoqatës Watch Tower, i shkroi zyrës së Bethelit dhe administratës së hotelit Towers, duke u thënë se Shoqata kishte planifikuar të ‘transferohej prej hotelit Towers nga 1 tetori i vitit 1974’.
Vëlla Kauç tha se ai ishte habitur nga fakti që asgjëkundi nuk kishte strehë për bethelitët që jetonin në hotelin Towers. Drejtori i hotelit ishte gjithashtu i habitur, pasi ata për të vazhduar me pagimin e detyrimeve ligjore, po mbaheshin me paratë e qirasë që jepte Shoqata. Si përfundim, drejtori i hotelit i nxiti Dëshmitarët që ta blinin hotelin. «Ju jeni rritur që nga koha kur kemi qenë në fqinjësi me njëri-tjetrin,—thanë ata,—prandaj keni nevojë për ndërtesën.»
«Hoteli është plot me qiraxhinj,—u përgjigj përfaqësuesi i Shoqatës.—Nëse do ta blinim do të donim të fusnim në të njerëzit tanë.»
«Ne do ta boshatisim ndërtesën për ju»,—premtoi drejtori i hotelit. Kështu, pak pas kësaj, Dëshmitarët e Jehovait e blenë hotelin Towers me një çmim të arsyeshëm. «Përse e shkroi letrën vëllai Knorr?—pyeti auditorin e magjepsur vëlla Kauç.—Ndoshta ai nuk e dinte as vetë, por kështu ndodhi që hoteli Towers iu shit Shoqatës Watch Tower.»
Gjithashtu, folësi përshkroi se si Dëshmitarët e Jehovait blenë Columbia Heights Nr. 97, vendi i dikurshëm i hotelit të famshëm Margaret, tamam përballë shtëpisë së parë Bethel. Vendi është ideal, pasi mund të lidhesh lehtë me kompleksin e Bethelit përmes një tuneli të nëndheshëm. Në shkurt të 1980-s, kur ndërtesa ishte në projekt për t’u rimodeluar, u dogj. Meqenëse në atë kohë, pronari kishte vështirësi për të ndërtuar një ndërtesë të re, ia shiti pronën Dëshmitarëve të Jehovait.
Vëlla Kauç vërejti: «Në fakt, secila nga këto ndërtesa ka një histori interesante në vetvete që tregon një gjë, që Perëndia Jehova është ai që e drejtoi organizatën e dukshme për të siguruar atë ndërtesë të veçantë.»
Historia e banesës në rrugën Sands Nr. 90
Ndërtesa më e re dhe më e madhe është ajo në rrugën Sands Nr. 90. Kur prona u ble nga Dëshmitarët e Jehovait në dhjetor të 1986-s, në të përfshihej një fabrikë e madhe që ndodhej në rrugën Xhei Nr. 160.c Fabrika ishte e shkatërruar dhe më 30 gusht 1990, familjes Bethel iu dha leja për një banesë 30-katëshe në këtë vend.
Në një intervistë, drejtuar nga anëtari i Trupit Udhëheqës Teodor Xheras, mbikëqyrësi i fabrikës së Shoqatës në Bruklin, Maks Larson, përshkroi se si u dha leja për ndërtimin e banesës në rrugën Sands Nr. 90. Vëlla Larson shpjegoi se ajo që ndodhi më vonë në 1965, ishte vendimtare.
Që atëherë, Shoqata donte të ndërtonte një fabrikë 10-katëshe në një shesh që ndodhej pranë fabrikës tjetër, por klasifikimi që ishte dhënë për atë shesh lejonte vetëm ndërtimin e një ndërtese dy-katëshe. Një arkitekt pranoi të përgatiste projektin për fabrikën e propozuar para pak kohësh, por tha: «Nuk dua t’i hap telashe vetes duke ia prezantuar atë këshillit drejtues.» Ai ishte i bindur se Këshilli Drejtues i Standardeve dhe Apelimeve nuk do t’i ndryshonte kurrë rregullat e tij të klasifikimit në lidhje me sheshin. Kur projekti u aprovua, ai thirri: «Nuk di si mundët ta arrini këtë!»
Arsyeja, vazhdoi Larson, ishte se kur u dha ky klasifikim i ndryshëm i zonave për fabrikën tonë 10-katëshe ndryshuan, gjithashtu, edhe klasifikimet për sheshet fqinj, duke përfshirë një ndërtesë që ndodhej në rrugën Jay Nr. 160. Dhe çuditërisht, klasifikimi për atë shesh lejonte ndërtimin e një hoteli. Por, vërejti Larson, ishte diçka që askush nuk e vuri re ndonjëherë, të paktën, as 25 vjet më vonë pasi kishim filluar të kërkonim një vend për ndërtimin e një shtëpie të re Bethel. Vetëm atëherë u rizbulua rregulli i klasifikimit të sheshit!
Vëlla Larson shpjegoi se ç’ndodhi: «Kur përgatitëm projektin për banesën tonë 30-katëshe dhe ia dorëzuam departamentit të ndërtimit, na u tha: ‘Nuk mund të keni një banesë atje. Kjo zonë është e gjitha për fabrika prodhimi dhe këshilli nuk do ta ndryshojë klasifikimin për ju.’
Nuk kanë për ta ndryshuar, u thamë nëpunësve. Tashmë është klasifikuar për një hotel. Kur panë shënimet nuk mundën t’u besonin syve! Kështu, pra, ndodhi që fituam ndërtesën tonë 30-katëshe»,—përfundoi Larson.
Bekimi i Jehovait është i dukshëm
Psalmisti i Biblës shkroi: «Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.» (Psalmi 127:1) Është e qartë se mbi aktivitetin e ndërtimit të Dëshmitarëve të Jehovait për të lehtësuar veprën mbarëbotërore të predikimit dhe arsimimit që Jezui urdhëroi të bënin ithtarët e tij ka qenë bekimi i Jehovait.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Ata që patën privilegjin për të dëgjuar programin më 18 shtator 1995, u emocionuan nga dëshmia e një bekimi të tillë mbi zgjerimin e qendrës botërore të shërbëtorëve të Jehovait. Populli i Jehovait mund të jetë i bindur mbi bekimet e vazhdueshme të tij, ndërsa vazhdon të bëjë atë që ai urdhëron.
[Shënimet]
a Kulla e Rojës, 15 qershor 1969, faqet 379-382, angl.
b Kulla e Rojës, 1 dhjetor 1982, faqet 23-31, angl.
c Zgjohuni! 22 dhjetor 1987, faqet 16-18, angl.
[Figura në faqen 23]
90 Sands St. • 1995
[Figurat në faqet 24, 25]
Disa nga banesat e tjera që ishin dedikuar
97 Columbia Hts. • 1986
Bossert Hotel, 98 Montague St. • 1983
34 Orange St. • 1945
Standish Hotel, 169 Columbia Hts. • 1981
67 Livingston St. • 1989
108 Joralemon St. • 1988
Towers Hotel, 79-99 Willow St. • 1975
[Figurat në faqen 26]
175 Pearl St. • 1983
69 Adams St. • 1991
360 Furman St. • 1983