Kush ishte Teofili i Antiokisë
«TI MË quan të krishterë, sikur ky të ishte një emër i mallkuar, por unë nga ana ime e pranoj hapur se jam i krishterë dhe e mbaj këtë emër të dashur për Perëndinë, duke shpresuar që të jem i dobishëm për Perëndinë.»
Kështu e bëri Teofili hyrjen e veprës së tij me tri pjesë të titulluar Teofili për Autolikun. Është fillimi i mbrojtjes së tij kundër apostazisë së shekullit të dytë. Teofili e identifikon me guxim veten si ithtar i Krishtit. Ai duket i vendosur për të vepruar në atë mënyrë që të bëhet një «i dashur për Perëndinë», në harmoni me domethënien e emrit të tij në gjuhën greke. Kush ishte Teofili? Kur jetoi ai dhe çfarë bëri?
Historia e tij
Dihet pak për historinë e Teofilit. U rrit nga prindër jo të krishterë. Më vonë, Teofili u kthye në krishterim, por vetëm pas një studimi të kujdesshëm të Shkrimeve. Ai u bë peshkop në kongregacionin e Antiokisë siriane që sot njihet si Antakia në Turqi.
Në harmoni me urdhrin e Jezuit, të krishterët e shekullit të parë predikuan mes popullsisë së Antiokisë. Luka regjistroi suksesin e tyre, duke thënë: «Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti.» (Veprat 11:20, 21) Të drejtuar në mënyrë hyjnore, ithtarët e Jezu Krishtit u bënë të njohur si të krishterë. Ky term u zbatua së pari në Antiokinë siriane. (Veprat 11:26) Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël udhëtoi për në Antiokinë siriane dhe ajo u bë shtëpia e tij. Barnaba dhe Pavli, të shoqëruar nga Gjon Marku, nga Antiokia hipën në anije për në udhëtimin e tyre të parë misionar.
Të krishterët e hershëm të Antiokisë, duhet të kenë qenë shumë të inkurajuar nga vizitat apostolike në qytetin e tyre. Reagimi i tyre entuziast ndaj së vërtetës së Fjalës së Perëndisë i atribuohej pa dyshim në një masë vizitave të përfaqësuesve të trupit udhëheqës të shekullit të parë, të cilat forconin besimin. (Veprat 11:22, 23) Sa inkurajuese duhet të ketë qenë për ta tek shihnin kaq shumë banorë të Antiokisë t’ia dedikonin jetën Perëndisë Jehova! Megjithatë, Teofili jetoi në Antioki më shumë se 100 vjet më pas.
Historiani Eusebius tha se Teofili kishte qenë peshkopi i gjashtë i Antiokisë, që nga koha e apostujve të Krishtit. Teofili hodhi me shkrim një numër të konsiderueshëm fjalimesh gojore dhe përgënjeshtrimesh kundër herezisë. Ai përfshihet mes 12 apo më shumë apologjetëve të ditëve të tij.
Një vështrim i shkrimeve të tij
Në përgjigje të dialogut të mëparshëm, Teofili i shkruan Autolikut pagan me këto fjalë hapëse: «Një gjuhë e rrjedhshme dhe një stil elegant të japin kënaqësi dhe lavdi të tillë, sa ç’mund t’u japë kënaqësi lavdia e kotë atyre njerëzve të mjerë, të cilët kanë qenë të korruptuar në mendje.» Teofili shpjegon, duke thënë: «Ai që do të vërtetën nuk u vë veshin fjalimeve të stolisura, por shqyrton domethënien e vërtetë të fjalimit . . . Ti më ke sulmuar me fjalë boshe, duke u mburrur për perënditë e tua prej druri dhe guri të rrahura me çekiç dhe të derdhura me formë, të gdhendura e të skalitura, që as nuk shikojnë, as nuk dëgjojnë, sepse janë idhuj dhe vepër e duarve të njeriut.»—Krahaso Psalmin 115:4-8.
Teofili nxjerr në shesh gabimin e idhujtarisë. Në stilin e tij tipik të të shkruarit, ai me elokuencë megjithëse pak të tepërt, përpiqet të shpallë natyrën reale të Perëndisë së vërtetë. Ai sqaron: «Pamja e Perëndisë është e patregueshme dhe e papërshkrueshme dhe nuk mund të shihet nga sytë e mishit. Sepse Ai është i pakapshëm në lavdi, i pafund në madhështi, i papërfytyrueshëm në lartësi, i pakrahasueshëm në fuqi, i pashoq në mençuri, i paarritshëm në mirësi, i parrëfyeshëm në dashamirësi.»
Teofili vazhdon ta zgjerojë përshkrimin e tij, duke thënë: «Ai është Zotëri, sepse Ai sundon mbi universin; është Atë, sepse ai është para gjithçkaje; është Formuesi dhe Projektuesi, sepse Ai është krijuesi dhe formuesi i universit; është më i Larti, për shkak të qenies së Tij mbi gjithçka; dhe i Plotfuqishëm, sepse Ai Vetë sundon dhe rrok në krahë gjithçka.»
Më pas, duke u përqendruar në arritjet specifike të Perëndisë, Teofili vazhdon në mënyrë tipike stilin e tij të plotë dhe disi të përsëritur, duke thënë: «Sepse qiejt janë vepër e Tij, toka është krijim i Tij, deti është vepër e duarve të Tij; njeriu është formim dhe shëmbëlltyrë e Tij; dielli, hëna dhe yjet janë krijime të Tij, që mund të shërbejnë për shenja, stinë, ditë dhe vite dhe për të qenë skllevër të njeriut; dhe Perëndia i krijoi të gjitha gjërat nga gjëra që nuk ekzistonin, në mënyrë që përmes veprave të Tij të njihet dhe të kuptohet madhështia e Tij.»
Një provë tjetër e sulmit të Teofilit kundër perëndive të rreme të ditëve të tij, vërehet në fjalët vijuese drejtuar Autolikut: «Emrat e atyre që thua se adhuron, janë emra njerëzish të vdekur. . . . Ç’lloj njerëzish ishin ata? A nuk është gjetur se Saturni ishte një kanibal, që shkatërronte dhe gëlltiste përnjëherësh fëmijët e tij? Dhe nëse birin e tij e quan Jupiter, . . . si u mënd ai nga një dhi . . . Po veprat e tjera të tij, gjaktrazimi, kurvëria dhe epshi i tij?»
Duke e zgjeruar argumentin e tij, Teofili e përforcon qëndrimin e tij kundër idhujtarisë pagane. Ai shkruan: «A duhet të tregoj mizërinë e kafshëve të adhuruara nga egjiptianët, që nga zvarranikët, gjedhët, bishat e egra, zogjtë e deri tek peshqit e lumit . . . Grekët dhe kombet e tjera adhurojnë gurë e drunj dhe lloje të tjera substancash materiale.» «Kurse unë adhuroj Perëndinë, Perëndinë e gjallë dhe të vërtetë»,—deklaron Teofili.—Krahaso 2. Samuelit 22:47; Veprat 14:15; Romakëve 1:22, 23.
Dëshmi e çmuar
Këshillat dhe paralajmërimet në veprën me tri pjesë të Teofilit kundër Autolikut përmbajnë shumë aspekte dhe hollësi. Shkrime të tjera të Teofilit u drejtuan kundër Hermogenit dhe Marsionit. Gjithashtu, ai shkroi libra udhëzues dhe ndërtues, duke shtuar komente mbi Ungjijtë. Megjithatë, janë ruajtur vetëm tre librat drejtuar Autolikut, një dorëshkrim i vetëm.
Libri i parë është një apologji drejtuar Autolikut në mbrojtje të fesë së krishterë. Libri i dytë drejtuar Autolikut sjell prova kundër fesë së përhapur pagane, spekulimit, filozofëve dhe poetëve. Në librin e tretë të Teofilit, literatura pagane krahasohet me Shkrimet.
Në fillim të librit të tretë të Teofilit, me sa duket Autoliku ishte akoma i mendimit se Fjala e së vërtetës ishte një rrëfenjë e kotë. Teofili e kritikon Autolikun, duke thënë: «Ti i duron budallenjtë me kënaqësi. Përndryshe nuk do të ishe shtyrë nga njerëz të marrë të ndikoheshe nga fjalët e kota dhe t’i besoje thashethemet e përhapura.»
Çfarë ishin «thashethemet e përhapura»? Teofili zbulon burimin. Shpifësit «me buzë të pafe na akuzojnë në mënyrë të rreme, [ne] që jemi adhurues të Perëndisë dhe që quhemi të krishterë, duke deklaruar se gratë tona i kemi të përbashkëta dhe i përdorim për t’i shkëmbyer me njëri-tjetrin; madje që kryejmë edhe incest me vetë motrat tona dhe, ajo që është më e poshtër dhe më barbare nga të gjitha, se ne hamë mish njeriu». Teofili punoi për ta luftuar këtë pikëpamje tepër të pasaktë pagane të të ashtuquajturve të krishterë në shekullin e dytë. Ai përdori dritën e së vërtetës që përmbante Fjala e frymëzuar e Perëndisë.—Mateu 5:11, 12.
Një dëshmi e familjaritetit të Teofilit me Fjalën e Perëndisë është përdorimi i vazhdueshëm dhe referimi që u bëri teksteve biblike hebreje dhe greke. Ai ishte një nga komentuesit e parë të Ungjijve. Shumë referime të Teofilit në Shkrime sigurojnë shumë mprehtësi në mënyrën e të menduarit që mbizotëronte në atë kohë. Ai e përdori njohjen e tij me shkrimet e frymëzuara për të treguar superioritetin e tyre të pafund mbi filozofitë pagane.
Përgatitja e materialit të Teofilit, toni i tij didaktik dhe stili përsëritës mund të mos jenë tërheqës për mendjet e disa njerëzve. Deri në ç’masë mund ta ketë ndikuar apostazia e parathënë saktësinë e pikëpamjeve të tij, nuk mund ta themi tani për tani. (2. Selanikasve 2:3-12) Megjithatë, që nga koha e vdekjes së tij, rreth vitit 182 të e.s., Teofili u bë dukshëm një mbrojtës i palodhur, shkrimet e të cilit janë me interes për të krishterët e sinqertë të epokës sonë moderne.
[Figura në faqen 30]
Teofili hodhi poshtë me guxim argumentet e Autolikut
[Burimi i figurës në faqen 28]
Ilustrimet në faqet 28 dhe 30 janë riprodhuar nga Illustrirte Pracht - Bibel/Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s