A është e mundur paqja?
«GJITHMONË, diku do të ketë ndonjë luftë. Kjo është e vërteta e hidhur për njerëzimin.» Kjo pikëpamje pesimiste u shfaq kohët e fundit në letrën e një lexuesi në revistën Newsweek. A je dakort me të? A është e pashmangshme lufta dhe e pamundur paqja? Po të gjykojmë në bazë të fakteve të historisë, është e vështirë të mos u përgjigjemi ‘po’ të dyja këtyre pyetjeve. Për sa kohë që mbahet mend, njerëzimi është përfshirë nga njëra luftë në tjetrën dhe konfliktet janë bërë shumë e më shumë shkatërrimtare, ndërsa njeriu ka zhvilluar mënyra më efikase për vrasjen e të tjerëve.
Shekulli i 20-të nuk ka bërë përjashtim. Në fakt, ai ka qenë dëshmitar i luftërave më të përgjakshme, por edhe i diçkaje të re. Pesëdhjetë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara i hapën rrugën epokës bërthamore, duke hedhur dy bomba atomike mbi Japoninë. Në pesë dekadat që kanë kaluar qysh nga ajo kohë, kombet kanë bërë grumbuj masivë me armë bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë njerëzimin shumë herë. A do të bëjë më në fund ekzistenca e armatimit bërthamor që njeriu të frikësohet nga nxitja e luftërave? Faktet flasin vetë. Qysh prej vitit 1945, shumë miliona kanë vdekur nëpër luftëra, edhe pse deri tani nuk janë lëshuar më bomba bërthamore.
Por, përse i pëlqen kaq shumë lufta racës njerëzore? Encyclopedia Americana përmend disa aspekte të shoqërisë njerëzore, që kanë çuar historikisht nëpër luftëra. Ato përfshijnë intolerancën fetare, racizmin, ndryshimet kulturore, ideologjitë e ndryshme (si komunizmi dhe kapitalizmi), nacionalizmin dhe doktrinën e sovranitetit kombëtar, kushtet ekonomike dhe një pranim në masë të militarizmit. Ndërsa lexon këtë listë, a sheh diçka që ka mundësi të ndryshojë në të ardhmen e afërt? A do të jenë kombet më pak të vendosura për të ruajtur sovranitetin e tyre? A do të bëhet njeriu më pak racist? A do të jenë më pak fanatikë fondamentalistët fetarë? Ka shumë pak të ngjarë.
Megjithatë, a jemi fare pa shpresë se ndonjë ditë gjërat do të përmirësohen e do të ketë paqe të përhershme? Po, ekziston një shpresë. Pavarësisht nga trazirat e kësaj bote, qysh sot është e mundur të gjesh paqe. Miliona veta e kanë gjetur. Na lini t’ju tregojmë për disa nga këta e të shohim se ç’domethënie mund të ketë për ju përvoja e tyre.
[Burimi i figurës në faqen 2]
Kapaku dhe faqja 32: Reuters/Bettmann
[Burimi i figurës në faqen 3]
Reuters/Bettmann