«Jam i çmuar për Jehovain!»
NË KËTO «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar», shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait durojnë një betejë të vazhdueshme me ndjenja të atilla që i bëjnë të ndihen të pavlefshëm. (2. Timoteut 3:1, BR) Kjo nuk është për t’u habitur sepse një nga «veprat dinake» të Satanait, është të na bëjë të ndihemi se askush nuk na do madje as Krijuesi ynë! (Efesianëve 6:11, BR shënimi) Në mënyrë të përshtatshme, numri i Kullës së Rojës i 1 korrikut 1995, përmban dy artikuj për studimin e kongregacionit të titulluar «Jeni të çmuar në sytë e Perëndisë!» dhe «Të nxisim në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera: Në ç’mënyrë?» Këta artikuj u caktuan për të na kujtuar se Jehovai i çmon përpjekjet tona. Më poshtë janë disa komente çmueshmërie që kemi marrë:
«Kurrë ndonjë revistë nuk më ka prekur kaq shumë në këto 27 vite të miat si Dëshmitare e Jehovait. Nuk mundja të mos qaja, ky artikull më solli kaq shumë lehtësim. Tani ndihem kaq e dashur për Jehovain. Më ngjan sikur kam hequr një barrë të rëndë nga shpatullat.»—C. H.
«E lexova këtë revistë katër herë brenda ditës. Më pëlqeu mënyra se si artikulli thotë që të është mësuar një gënjeshtër nëse beson se nuk ke asnjë vlerë. Po filloj ta përdor këtë artikull për kullotjen e deleve dhe për predikimin shtëpi më shtëpi.»—M. P.
«Satanai ka bërë një punë të shkëlqyer për t’i bërë madje dhe ata që e duan Jehovain të ndihen se janë të pavlefshëm dhe se askush nuk i do. Të kujtuarit nga klasa e ‘skllavit besnik’ se Jehovai na do thellësisht dhe se çmon të gjitha gjërat e vogla që bëjmë për të, është një nga gjërat më inkurajuese që kam lexuar. Për shumë vite kam patur ndjenjat për të cilat flisnin këta artikuj. Nuk ndihesha kurrë e denjë për dashurinë e Jehovait, prandaj përpiqesha të bëja shumë e më shumë në shërbimin e tij, në mënyrë që ta fitoja këtë dashuri. Por isha e nxitur nga faji dhe turpi. Si rrjedhim, pavarësisht se sa shumë orë bëja në shërbim, apo se sa shumë njerëz ndihmoja, e ndieja se nuk ishte e mjaftueshme. Shihja vetëm mungesa tek vetja. Tani që i shërbej Jehovait nga dashuria, e përfytyroj se është duke buzëqeshur dhe se ndihet krenar për mua. Kjo bën që dashuria ime për të të rritet edhe më shumë dhe më shton dëshirën për të bërë më shumë. Tani provoj një gëzim të jashtëzakonshëm në shërbimin tim ndaj Jehovait.»—R. M.
«Këta janë absolutisht artikujt më të shkëlqyer, më ndërtues, po, artikujt më të shquar për të prekur zemrat tona, që mund të kem lexuar ndonjëherë. E kam lexuar Kullën e Rojës për 55 vjet dhe ka patur shumë numra të shënuar. Por ky numër ia kalon çdo gjëje që kemi patur ndonjëherë për të qetësuar dyshimet, shqetësimet dhe frikën se jemi ‘të pavlefshëm’ se ‘askush nuk na do’ dhe se kurrë nuk mund të bëjmë mjaft për të ‘fituar’ dashurinë e Jehovait. Kjo Kullë Roje përmban atë lloj të ndihmës frymore për të cilën vëllezërit tanë kanë shumë nevojë. Synimi im është që t’i përdor herë pas here këta artikuj në kullotjen e deleve.»—F. K.
«Për ne që luftojmë me ndjenjat e mungesës së respektit ndaj vetes apo madje të të neveriturit të vetes, mund të jetë kaq e vështirë për të mbledhur forcat e për të vazhduar në të vërtetën. Ky artikull pasqyroi një thellësi të atillë dhembshurie dhe kuptueshmërie, që i ngjante përdorimit të një balsami qetësues e shërues drejt e në zemër. Sa ngushëlluese është të lexosh fjalë të tilla në Kullën e Rojës dhe të dish pa dyshim se Jehovai me të vërtetë na kupton! Faleminderit që na kujtoni se Jehovai nuk përpiqet ta nxisë popullin e tij nëpërmjet fajit, turpit apo frikës. Edhe pse kontributi im në veprën e predikimit ka qenë i kufizuar në mënyrë të rreptë këto kohët e fundit, për shkak të problemeve ekonomike dhe shëndetësore në familjen tonë, akoma po gjej kënaqësi në atë që mund të bëj. E shoh se jam shumë më e lumtur në shërbim kur përpiqem të lejoj që dashuria t’i nxisë forcat e mia.»—D. M.
«Sapo mbarova së lexuari artikullin ‘Jeni të çmuar në sytë e Perëdisë!’. Çdo paragraf m’i mbushte sytë me lot. Vij nga një familje ku tregohej pak dashuri. Isha i nënvlerësuar, i mërzitur dhe i tallur. Prandaj, që herët në jetë u ndjeva i pavlerë. Akoma ruaj ndjenja të rrënjosura nga e kaluara ime që më shtypin kur përjetoj fatkeqësi. Kur pushova së shërbyeri si plak kongregacioni, si zakonisht u ndjeva si një i dështuar për Perëndinë, familjen time dhe vëllezërit e mi në kongregacion. Këto ndjenja nuk kalojnë menjëherë, por ky artikull i dhënë në kohën e duhur më ka ndihmuar të rifitoj një masë ekuilibri. Ai ka ndriçuar pikëpamjen time.»—D. L.
«Faleminderit për artikullin ‘Jeni të çmuar në sytë e Perëndisë!’. Munda t’ia dal me ndjenjën e urrejtjes së madhe ndaj vetes dhe me ndjenjat e thella që më bënin të ndihesha e pavlerë, të cilat i kishin rrënjët e tyre në keqtrajtimin që nga fëmijëria. Është plotësisht e përshtatshme që t’i shohësh këto mendime të shtrembëra, si një vepër dinake të vetë Satanait. Kjo mund të shuajë madje dhe dëshirën e dikujt për të jetuar. Me të vërtetë duhet të punoj çdo ditë për t’i rezistuar gënjeshtrës se askush nuk më do. Ky artikull do të thotë për mua më shumë se sa mund të dini.»—C. F.
«Sot vëllezërit i përgjigjen veçanërisht mendimit se Jehovai çmon më shumë veprat e nxitura nga dashuria, sesa nga detyrimi apo presioni. Shqyrtimi i personalitetit të ngrohtë dhe të dashur të Jehovait, i interesit të tij ndaj popullit të tij si individë dhe mënyra e dashur në të cilën ai e paraqet veten, është freskuese dhe nxitëse. Siç vihet re, sapo morëm artikullin ‘Jeni të çmuar në sytë e Perëndisë!’ shumë veta shprehën çmueshmëri. Duket se ai po hap rrugën për shumë veta për të zhvilluar një marrëdhënie më personale me Jehovain. Unë dhe gruaja ime, duam të shprehim çmueshmërinë tonë për tonin dhe ndjeshmërinë e shprehur në revistat e kohëve të fundit të Kullës së Rojës. Po punojmë për të zbatuar shumë nga këto pika ndërsa vizitojmë kongregacionet.»—Nga një mbikëqyrës udhëtues.
«Kam qenë një lexuese besnike për gati 30 vjet. Por kurrë nuk kam lexuar ndonjë gjë kaq frymëzuese dhe kaq ndërtuese. Fuqia dhe aftësia e përdorimit të shkrimeve, më ka ndihmuar të shkul nga rrënjët gënjeshtrën e fshehur në ndjenjat e mia, duke më lejuar t’i afrohem më afër Jehovait. Për shumë vite i shërbeja Jehovait e nxitur nga ndjenja e fajit. Kisha vetëm një kuptueshmëri intelektuale të shpërblerjes dhe dashurisë së Perëndisë. Faleminderit për këta artikuj të mprehtë e të thellë. Shpresoj të lexoj edhe më tepër si këta.»—M. S.
«Në tërë këta 29 vjet që kam qenë në të vërtetën, nuk mund të kujtoj ndonjë artikull që të më ketë shkaktuar një reagim të tillë mirënjohjeje dhe emocioni të thellë. Megjithëse u rrita me shumë dashuri dhe nga një familje e dashur, nuk mendoja kurrë se e meritoja të jetoja e aq më pak t’i shërbeja Jehovait. Pas këtij artikulli u ula në gjunjë dhe me një ngashërim të thellë e falenderova Jehovain. Do ta ruaj të gjallë në mendje këtë artikull përgjithmonë. Do ta shoh ndryshe veten sepse tani e kam kuptuar që jam e çmuar për Jehovain.»—D. B.