BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/11 f. 23-27
  • Familje besnike shpejtojnë rritjen në Sri Lanka

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Familje besnike shpejtojnë rritjen në Sri Lanka
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Përballimi i sfidës
  • Një familje e organizuar sjell lavdi
  • Kundërshtimi bashkon një familje në adhurimin e vërtetë
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/11 f. 23-27

Familje besnike shpejtojnë rritjen në Sri Lanka

E NJOHUR si Ceiloni deri në vitin 1972, Sri Lanka është një ishull i këndshëm me plazhe të veshura me palma, me vargmale dhe shkretëtira të vogla. Në bjeshkë, Maja e Adamit (Adam’s Peak), apo Samanala, e lartë 2.243 metra, është një vend i shenjtë për të katër fetë më të mëdha.a Aty pranë ndodhet Fundi i Botës (World’s End), një sërë shkrepash shkëmborë të thepisur mbi 1.500 metra. Ky vend ofron një nga pamjet më mahnitëse të Sri Lankës.

Interesante është edhe prejardhja e 18 milionë banorëve të Sri Lankës. Qysh nga shekulli i pestë p.e.s., në ishull banonte një popullsi me rrënjë indo-evropiane, e ardhur nga veriu i Indisë. Ata janë singalezët, të cilët tashmë përbëjnë gati tre të katërtat e popullsisë. Më pas, pothuajse deri në shekullin e 12-të, nga jugu i Indisë vërshuan tamilët; këta banojnë tani kryesisht në veri dhe në lindje të ishullit. Portugezët, hollandezët dhe britanikët kanë lënë, gjithashtu, vulën e tyre që nga koha e kolonive. Veç kësaj, tregtarë të ardhur në rrugë detare nga Gadishulli Arabik dhe i Malajzisë janë vendosur midis popullsisë lokale. Ka edhe bashkësi me evropianë, parsë, kinezë dhe të tjerë.

Prejardhjet e ndryshme në Sri Lanka pasqyrohen jo vetëm në përzierjen raciale, por edhe në gjuhët dhe në fetë. Gjuhët kryesore në ishull janë singaleze, tamile dhe angleze. Shumë srilankas flasin të paktën dy prej këtyre gjuhëve. Prejardhja etnike luan, gjithashtu, një rol të madh në fetë e njerëzve. Shumica e singalezëve janë budistë, ndërsa shumica e tamilëve janë hindu. Banorët me prejardhje arabe dhe maleze zakonisht i përkasin islamizmit dhe evropianët janë kryesisht anëtarë të kishave të krishterimit, katolikë dhe protestantë.

Përballimi i sfidës

Të gjitha këto përbëjnë një sfidë të tmerrshme për Dëshmitarët e Jehovait në Sri Lanka. Ata punojnë shumë për të kryer urdhrin e Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet.» (Mateu 24:14, BR) Përveç faktit se kanë të bëjnë me gjuhë të ndryshme, lajmëtarët e lajmit të mirë mund të flasin me budistë, hindu, anëtarë të kishave të të ashtuquajturit krishterim, si dhe me ateistë: gjithçka brenda pak orëve të predikimit.

Për të qenë të efektshëm në shërbimin e tyre, lajmëtarët duhet të marrin me vete revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe literaturë tjetër biblike në gjuhët tamile, singaleze dhe angleze. Ata që janë në gjendje të mbajnë më shumë, marrin me vete edhe Biblat në këto gjuhë. Kohët e fundit, lajmëtarët ishin më se të gëzuar, kur broshurat A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? dhe Kush do të na ndihmojë të zgjidhim problemet tona?, si dhe fletushka A do të mbijetojë kjo botë? dolën njëkohësisht në të trija gjuhët. Kjo do të thotë më shumë mjete për të punuar.

Dëshmitarët janë duke punuar fort qysh nga 1912-a, kur Charles Taze Russell, president i atëhershëm i International Bible Students Association, bëri një vizitë të shkurtër në Ceilon. Megjithatë, për të parë një rritje domethënëse u desh të pritej mbërritja e të diplomuarve të Shkollës Biblike të Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead) në vitin 1947. Që prej asaj kohe, lajmëtarët në Sri Lanka kanë gëzuar rezultate të shkëlqyera në veprën e predikimit. Në vitin 1994, 1.866 lajmëtarët e Mbretërisë drejtonin mesatarisht 2.551 studime biblike në shtëpi çdo muaj. Të 6.930 pjesëmarrësit në Përkujtim ishin pothuajse katër herë më shumë se numri i lajmëtarëve në të gjitha kongregacionet. Ç’bekim i mrekullueshëm!

Në krahasim me disa vende të tjera, përparimi në Sri Lanka mund të duket i ngadaltë. Një nga faktorët që ndikojnë duket se janë lidhjet e forta familjare. Megjithatë, mund të ndodhë edhe e kundërta. Kur oficeri i ushtrisë romake, Korneli, pranoi të vërtetën, edhe familja u rreshtua përkrah tij. (Veprat 10:1, 2, 24, 44) Libri i Veprave përmend edhe familje të tjera të forta të krishtere, duke përfshirë atë të Lidias, Krispit dhe të gardianit që ruante Pavlin dhe Silën.​—Veprat 16:14, 15, 32-34; 18:8.

Në fakt, lidhjet e forta familjare mund të jenë të dobishme, kur ka një organizim të mirë dhe qëndrueshmëri me besim. Me fjalët e Isaisë 60:22 në mendje, Rei Methius, misionar prej shumë kohësh, vëren: «Duket se Jehovai po i shpejton tani gjërat në kohën e duhur, jo vetëm me individë, por edhe me familjet.»

Një familje e organizuar sjell lavdi

Sigurisht që sot në Sri Lanka ka familje të tilla besnike. Për shembull, një familje e organizuar mirë është Sinapa, e cila jeton në Kotahena, një zonë e Kolombos, qyteti kryesor i Sri Lankës. Edhe pse kryefamiljari, Mariani, ka vdekur para pak kohësh, gruaja e tij, Anama dhe 12 prej 15 fëmijëve, që janë nga 13 deri në 33 vjeç, vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait si familje. Në kohën kur po shkruhej ky artikull, tetë nga fëmijët ishin të pagëzuar dhe tre prej tyre ishin në shërbim të plotë kohor, duke shërbyer si pionierë të rregullt. Tre të tjerë, herë pas here kryenin shërbimin si pionierë ndihmës. Ndër më të vegjlit e familjes ishin katër lajmëtarë të papagëzuar. Veç këtyre, katër nipër, edhe pse në moshë të vogël, po studionin Biblën dhe frekuentonin mbledhjet e krishtere, në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait, Kolombo Veriu.

Anama e dëgjoi fillimisht lajmin e mirë të Mbretërisë në vitin 1978, kur pranoi një kopje të Kullës së Rojës. Filloi studimin biblik dhe pasi mbaroi studimin e librit E vërteta që të çon në jetën e përhershme, Anama i dedikoi jetën Perëndisë Jehova dhe u pagëzua, duke dhënë e para shembullin për shumë nga familjarët e saj.

Ashtu si ushtaraku Kornel, Anama kishte një organizim të mirë në shtëpinë e saj. «Na duhej të bënim planet për mbledhjet dhe asambletë e krishtere, për të mos folur për shkollën,—tregon Anama.—Edhe veshjen e kishim problem, por me bekimin e Jehovait mundëm të bënim ca rroba të reja për çdo asamble. E gjithë familja mbërrinte e veshur dhe e ushqyer mirë; dhe me një buzëqeshje të madhe.»

Fëmijët e kujtojnë me dashuri organizimin familjar. Për të ndihmuar gjithë familjen që të merrte pjesë në mbledhjet e krishtere, më të vjetrit merrnin zakonisht përgjegjësi të veçanta. Për shembull, Mangala lante dhe Vinifrida hekuroste. Vinifrida, e cila ndihmonte më të vegjlit për t’u veshur, thotë: «Kur dilnin nga shtëpia, të gjithë dukeshin për mrekulli.»

Edhe masat frymore kishin një organizim po kaq të mirë. Pushmam, një nga vajzat që tani është pioniere e rregullt, kujton: «Çdo ditë, familja jonë gëzonte së bashku leximin e Biblës dhe rishikimin e tekstit të ditës.» Anama shton: «Çdo fëmijë ka kopjen personale të Biblës, të Kullës së Rojës dhe të botimeve të tjera. I dëgjoj me kujdes të gjitha komentet e tyre në mbledhje. Kur duket e nevojshme, pasi kthehemi në shtëpi, i inkurajoj dhe i ndreq. Në darkë, mblidhemi së bashku si familje, për ta mbyllur ditën me një lutje.»

Fëmijët më të mëdhenj janë shumë të vlefshëm në ndihmën që i japin Anamës, duke siguruar një edukim të shkëlqyer të krishterë për të gjithë familjen. Megjithatë, programi i ngjeshur nuk e pengon dëshirën e tyre për të shpallur lajmin e mirë jashtë shtëpisë. Së bashku, anëtarët e ndryshëm të kësaj familjeje drejtojnë 57 studime biblike në shtëpi me fqinjët e tyre. Dhëndri Rajan vëren: «Familja drejton studime biblike që përparojnë. Gruaja ime, Pushmam, ka pasur tashmë privilegjin të shohë një nga studentët e saj t’i dedikojë jetën Jehovait.»

Kur familje të tilla të mëdha dalin nga Kisha Katolike, në Kotehana shkakton shumë turbullira. Edhe pse vetë nuk e mori kurrë mundimin e të shkonte të vizitonte familjen për të zbuluar arsyen, prifti ngarkoi disa laikë për të hetuar. U zhvilluan disa biseda, kryesisht mbi doktrinën e trinitetit. Anama u mbështet gjithmonë në Jehovain dhe në Bibël, për të mbrojtur besimin e saj. Shkrimi i saj i preferuar në këto diskutime ishte Gjoni 17:3.

Familja Sinapa tregon qartësisht se organizimi i mirë dhe përpjekjet e vazhdueshme mund të sjellin rezultate të pëlqyeshme. Falë përpjekjeve të tyre të zellshme, po rritet një brez i ri i lajmëtarëve të Mbretërisë, gjithçka në lavdi të Jehovait.

Kundërshtimi bashkon një familje në adhurimin e vërtetë

Familja Ratnam ndodhet pak kilometra larg vendit ku jetojnë Sinapat, në Narhenpitia, një zonë tjetër e Kolombos. Edhe ata më parë ishin katolikë. Në 1982-shin, duke qenë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, Dëshmitarët takuan Balendranin, burrin e vajzës më të madhe, Fatimes. Filloi një studim biblik me të gjithë familjen. Pak më vonë, tre fëmijët e tyre të vegjël pyetën gjyshen, Ignasiamal, se cili ishte emri i Perëndisë. Kur fëmijët i thanë se quhej Jehova, kjo zgjoi interesin e gjyshes dhe me të filloi, gjithashtu, një studim biblik. Më vonë, dy nga vajzat e saj, Jevakala dhe Stela, u bashkuan në studim dhe në 1988-ën të treja u pagëzuan.

Ndërkohë, Balendrani dhe Fatimja kishin folur për të vërtetën me një motër tjetër të Fatimes, me Malikën dhe burrin e saj, Joganatanin. Ky çift u pagëzua në vitin 1987 dhe kanë ngulitur te dy fëmijët e tyre një dashuri të madhe për Jehovain. Më vonë ishte radha e Pushpas, një motër tjetër e Fatimes. Ajo u dedikua dhe u pagëzua në vitin 1990. Në Tokio, burri i saj Eka, shërbente në një kongregacion anglez dhe Pushpa ndihmonte djalin e vogël, Alfredin, që të rritej në rrugën e Jehovait.

Deri tani, katër nga të dhjetë fëmijët e familjes Ratnam kanë pranuar adhurimin e vërtetë. Tre të tjerë po bëjnë një përparim të mirë në studimin e tyre personal të Biblës. Ndër 11 nipërit, një vajzë, Pradipa, tashmë është pagëzuar. Shtatë fëmijë të tjerë mësohen rregullisht me anë të studimit familjar të Biblës. Përveç kësaj, gjithsej 24 studime biblike në shtëpi drejtohen me njerëz të interesuar në lagjen e tyre.

Por e gjithë kjo nuk ishte e lehtë. Fillimisht, në familje kishte kundërshtime. Babai, Mutupilai dhe vëllezërit më të mëdhenj ishin kundërshtarë të mëdhenj ndaj atyre pjesëtarëve të familjes që ndiqnin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë apo merreshin me veprën e predikimit publik. Edhe pse një pjesë e këtij kundërshtimi kishte të bënte me sigurinë e tyre personale, Mutupilai shton: «Isha plotësisht i dhënë pas ‘të shenjtëve’ dhe nuk isha dakort që familja ime të linte Kishën Katolike.» Megjithatë, tani ai beson se ata po adhurojnë Perëndinë e vërtetë, pasi ai mund të shikojë dobitë që ka sjellë për ta besimi i tyre.

Për shembull, pronari që u kishte dhënë tokën me qira, një budist, u përpoq njëherë t’i përzinte nga prona e tij, duke u bërë magji. Një natë, ai shkoi dhe vuri përreth shtëpisë fruta limoni «të megjepsura». Komshinjtë plot me bestytni i zuri frika dhe të gjithë prisnin që mbi familjen Ratnam të binte ndonjë gjëmë. Megjithatë, kur Ignasiamali e zbuloi këtë gjë, bashkë me fëmijët i hoqën frutat pa frikë e pa u dridhur dhe asgjë e keqe nuk u ndodhi. Veprimi i tyre i patrembur ishte një dëshmi e madhe në zonë, duke bërë që njerëzit t’i respektonin shumë. Stela pati mundësinë të fillonte dy studime biblike në shtëpitë fqinje. Duke marrë zemër nga kjo ndodhi, edhe nusja Nazira pranoi një studim biblik.

Duke menduar mbi bekimet e shumta që janë derdhur mbi familjen e saj, Ignasiamal vëren: «Jam shumë e lumtur të shoh rritjen frymore në gjirin e familjes. Jehovai na ka bekuar, pasi kundërshtimi është zbutur dhe uniteti në familjen tonë është rritur.»

Çfarë bekimi janë këto familje të mëdha. Ato i kanë bashkuar zërat e tyre me familjet më të vogla, me ato me një prind dhe me të krishterët që janë të vetëm në familje, të cilët me të gjitha forcat po përpiqen të shpejtojnë shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë në «vendin që shkëlqen», siç është edhe domethënia e emrit Sri Lanka. Bashkë me shokët e tyre të krishterë anembanë botës, Dëshmitarët srilankas presin me padurim vendosjen e Parajsës, të cilën mund ta imagjinojmë po të shohim plazhet dhe malet e bukura të Sri Lankës.

[Shënimi]

a Një ultësirë e gjerë që mendohet se është gjurma e këmbës së Adamit, Budës, Sivas dhe «Shën» Thomait, respektivisht në legjendat e myslimanëve, budistëve, hindusve dhe në legjendat e kishës.

[Figurat në faqet 24, 25]

Shumë veta në Sri Lanka po i përgjigjen predikimit dhe mësimit të krishterë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo