A janë të justifikuara dyshimet mbi Jezuin?
A KREU me të vërtetë mrekulli Jezui i Nazaretit? A u ringjall ai nga të vdekurit, siç shpallën dishepujt e tij? A ka jetuar ndonjëherë? Në kohën tonë moderne, duket se shumë veta nuk janë në gjendje t’u përgjigjen me siguri pyetjeve të tilla. Përse? Sepse kanë dyshime mbi Jezuin dhe dyshimet janë ndjenja të pasigurisë, të mosdijes nëse diçka është e vërtetë apo e mundur. Por, a janë të justifikuara ndjenjat e pasigurisë në lidhje me Jezuin? Le të shohim.
Si u mbollën dyshimet mbi Jezuin?
Disa teologë gjermanë të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, e portretizuan Jezuin si «një figurë imagjinare të Kishës së hershme». Mohimi që i bënë ata vërtetësisë historike të Jezuit çoi në një mosmarrëveshje midis studiuesve në fillimet e këtij shekulli, e cila me kohë shkoi deri te publiku dhe ende ndikon edhe sot. Për shembull, një studim i kohëve të fundit në Gjermani zbuloi se 3 për qind e të intervistuarve besonin se Jezui «s’ka jetuar kurrë» dhe se «atë e shpikën apostujt». Po, farat e dyshimit mbi Jezuin që u mbollën në fillim të këtij shekulli gjejnë terren pjellor në zemrat e njerëzve edhe tani.
Përse nuk është i justifikuar përfundimi se Jezui «u shpik»? Studiuesi biblik, Volfgang Triling, komenton: «Mosmarrëveshja nëse ka jetuar ndonjëherë Jezui, apo me fjalë të tjera, a ishte ai një figurë historike apo një mit, është zgjidhur. Çështja u zgjidh nga studiuesit, aq sa njerëzit me mendje serioze nuk e shohin më problemin si një çështje akademike.» Gjithsesi, disa dyshojnë ende mbi ekzistencën e Jezuit. Prandaj, le të shqyrtojmë se si mund të sigurohemi në lidhje me vërtetësinë historike të Jezuit, si dhe të heqim dyshimet e tjera që kanë të bëjnë me të.
Dëshmi që shpërndajnë dyshimet
Ekzekutimi i turpshëm i Jezuit, si një kriminel i përbuzur, siguron «argumentin më bindës kundër kundërshtarëve të vërtetësisë historike të Jezuit»,—pohon Triling. Përse? Sepse ekzekutimi «e vështirësoi, madje e pengoi, përhapjen e besimit të ri ndër hebrenjtë dhe johebrenjtë». (Krahaso 1. Korintasve 1:23.) Nëse ekzekutimi i Mesisë ishte një paturpësi e tillë për hebrenjtë dhe për paganët, zor se mund të ketë qenë një shpikje e apostujve! Për më tepër, vdekja e Jezuit është vërtetuar si ndodhi historike jo vetëm nga katër ungjijtë, por edhe nga shkrimtari romak, Taciti, dhe nga Talmudi hebre.a
Edhe ngjarje të tjera në jetën e Jezuit konsiderohen si dëshmi të brendshme të besueshmërisë së ungjijve dhe të atyre që ata thonë mbi të. Për shembull, a do të shpiknin ithtarët e Jezuit ardhjen e tij nga Nazareti, një vend që me sa duket gëzonte pak favor? Ose, a ka mundësi që të kenë shpikur tradhtimin e tij nga Juda, një shok i besuar? A është realiste të mendojmë se kanë sajuar një histori të tillë, sipas së cilës Jezui u braktis nga dishepujt e tjerë në mënyrë burracake? Sigurisht që nuk është logjike që dishepujt të kenë sajuar hollësi kaq negative e pastaj t’i kenë shpallur lart e poshtë! Veç kësaj, arti i të mësuarit i Jezuit karakterizohej nga një stil i veçantë. Literatura hebreje e shekullit të parë nuk përmban asgjë të ngjashme me ilustrimet e tij. Cili person anonim do të kishte mundur «të shpikte» një kryevepër të tillë, si Predikimi në Mal? Të gjitha këto argumente mbështesin besueshmërinë e ungjijve mbi jetën e Jezuit.
Ekzistojnë, gjithashtu, edhe dëshmi të jashtme të vërtetësisë historike të Jezuit. Të katër ungjijtë e portretizojnë atë brenda një sfondi specifik, historik dhe me hollësi të sakta. Vendet, të tilla si Bethlehemi dhe Galilea; individë dhe grupe të shquara, si Ponc Pilati dhe farisenjtë; si edhe zakonet hebreje dhe veçantitë, nuk ishin thjesht shpikje. Ato ishin pjesë e jetës në shekullin e parë dhe janë të vërtetuara nga burime jobiblike dhe nga gjetjet arkeologjike.
Ekzistojnë, pra, dëshmi bindëse të brendshme e të jashtme, që Jezui është një person historik.
Megjithatë, shumë veta dyshojnë në mrekullitë që ka kryer ai. Në fakt, në bazë të sondazhit të cituar më lart, vetëm një pakicë e besimtarëve gjermanë besonin se mrekullitë e Jezuit dhe ringjallja e tij «kanë ndodhur me të vërtetë». A janë të justifikuara dyshimet mbi mrekullitë dhe ringjalljen e Jezuit?
Përse disa dyshojnë në mrekullitë e Jezuit?
Mateu 9:18-36 tregon se Jezui, në mënyrë të mrekullueshme, shëroi të sëmurë, ringjalli të vdekur dhe largoi demonët. Profesori Hugo Staudinger, historian, komenton: «Është thjesht e pabesueshme dhe nga pikëpamja historike është e pamundur, që këto tregime të jashtëzakonshme të jenë fryt i imagjinatës së gjallë.» Përse? Sepse duket që ungjijtë më të hershëm u shkruan në një kohë kur dëshmitarët okularë të këtyre mrekullive ishin ende gjallë! Siç vazhdon të thotë më tej Staudinger, një konfirmim i mëtejshëm gjendet në faktin se kundërshtarët hebrenj «nuk e mohuan kurrë që Jezui kreu vepra të jashtëzakonshme». Duke mos i marrë fare parasysh provat e tjera dhe duke e mbështetur arsyetimin tonë vetëm në këtë dëshmi të jashtme, e kuptojmë se mrekullitë e Jezuit e meritojnë përfundimisht besimin tonë.—2. Timoteut 3:16.
Edhe pse «shumica e gjermanëve janë të bindur se Jezui shëroi të sëmurët», shumë dyshojnë në fuqinë që fshihet prapa këtyre shërimeve. Për shembull, një teolog i mirënjohur gjerman pohoi publikisht se shërimet e kryera nga Jezui ishin rezultat i fuqisë sugjestionuese, e cila ndikonte mbi njerëzit që vuanin nga stresi mendor. Por, a është ky një shpjegim i fortë?
Le të shqyrtojmë disa shembuj. Marku 3:3-5 raporton se Jezui shëroi dorën e tharë të një njeriu. Por, tharja e dorës mos është vallë rrjedhojë e stresit mendor? Aspak. Prandaj, merita e shërimit nuk mund t’i jepet fuqisë sugjestionuese. Pra, çfarë i dha mundësi Jezuit të kryente mrekulli? Profesori Staudinger pranon: «Nëse nuk ekzistojnë ligje absolutisht të vlefshme e nëse nuk mohohet plotësisht Perëndia, atëherë në mënyrë thelbësore nuk mund të përjashtohet mundësia që Perëndia, fuqia e të cilit e tejkalon atë të njeriut, është në gjendje të kryejë gjëra që nuk janë të zakonshme.» Vërtet, me ndihmën e «fuqisë së Perëndisë» Jezui me të vërtetë shëroi njerëz të sëmurë. Nuk ka, pra, asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e mrekullive të tij.—Luka 9:43; Mateu 12:28.
Siç thotë një enciklopedi, nëse ka ndodhur mrekullia më e madhe nga të gjitha, ringjallja e Jezuit, atëherë të gjitha mrekullitë e tjera të raportuara në ungjijtë «hyjnë në mbretërinë e të mundshmes». (The American Peoples Encyclopedia) A u ngrit vërtet Jezui nga të vdekurit?
Janë të justifikuara dyshimet mbi ringjalljen e Jezuit?
Shqyrto së pari një pjesë të dëshmisë së fortë rrethanore, e cila mbështet vërtetësinë e ringjalljes së Jezuit: varrin e tij të zbrazur. Fakti që varri i Jezuit u gjet i zbrazur, nuk u vu në diskutim nga bashkëkohësit e tij, madje as nga kundërshtarët. (Mateu 28:11-15) Po të kishte mashtrim, do të dilte kollaj në shesh! Vepra e referimit e përmendur më lart, me të drejtë nxjerr këtë përfundim: «Asnjë shpjegim i vlefshëm nuk është sugjeruar ndonjëherë mbi varrin e zbrazur, përveç pohimit biblik ‘Ai nuk është këtu, sepse u ringjall’ (Mat. 28:6).»
Disa kundërshtojnë, duke thënë se vetëm dishepujt e Jezuit shpallën kudo se ai ishte Mesia i ringjallur. Kjo është vërtetë. Por, besueshmëria e mesazhit të tyre, a nuk ishte e rrënjosur thellë në fakte historike, veçanërisht në vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit? Natyrisht. Apostulli Pavël e kishte të qartë këtë lidhje, kur shkroi: «Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj. Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin.»—1. Korintasve 15:14, 15; krahaso Gjoni 19:35; 21:24; Hebrenjve 2:3.
Në shekullin e parë kishte shumë njerëz, identiteti i të cilëve njihej mirë e që mund të jepnin dëshmi për shfaqjen e Jezuit pas vdekjes. Midis tyre ishin 12 apostujt dhe Pavli, si dhe më tepër se 500 dëshmitarë të tjerë okularë.b (1. Korintasve 15:6) Gjithashtu, mos harro edhe arsyen për të cilën Matia përmbushi kërkesat për të zënë vendin e apostullit të pabesë, Judës. Veprat 1:21-23 raporton se Matia mund të dëshmonte për ringjalljen e Jezuit dhe për ngjarjet më të hershme në lidhje me Të. Sikur jeta dhe ringjallja e Jezuit të kishin qenë shpikje dhe jo fakte, një kërkesë e tillë për emërimin do të ishte plotësisht pa kuptim.
Për shkak të kaq shumë dëshmitarëve okularë të shekullit të parë, të cilët mund të dëshmonin për jetën, mrekullitë, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit, krishterimi u përhap relativisht shpejt në të gjithë Perandorinë Romake, megjithë pengesat e lartpërmendura. Ithtarët e tij ishin gati të duronin vështirësitë, persekutimin, madje dhe vdekjen, për të shpallur kudo ringjalljen dhe të vërtetën thelbësore që rridhte prej saj. Cilën të vërtetë? Që ringjallja e tij ishte bërë e mundur vetëm falë fuqisë së Perëndisë. Përse Perëndia Jehova e ringjalli Jezuin nga të vdekurit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje zbulon se cili ishte Jezui si personazh historik.
Ditën e Rrëshajëve, apostulli Pjetër u deklaroi hapur në Jeruzalem hebrenjve të shtangur: «Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë! Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni. Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!” Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.» (Veprat 2:32-36) Po, Perëndia Jehova e bëri Jezuin e Nazaretit «Zot dhe Krisht». A janë të justifikuara dyshimet mbi rolin e tij në këtë pjesë të qëllimit të Perëndisë?
Përse të dyshojmë mbi rolin e tanishëm të Jezuit?
Si mund të shpërndahen të gjitha dyshimet mbi identitetin dhe rolin e Jezuit? Me faktin se ai ishte sigurisht një profet i vërtetë. Ai paratha luftra, zi buke, tërmete, krime dhe mungesën e dashurisë që shohim sot. Përveç këtyre, ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3-14, BR) Plotësimi i këtyre profecive provon se Jezui është Krishti i ringjallur, i cili në mënyrë të padukshme sundon ‘në mes të armiqve të tij’ dhe së shpejti do t’i hapë rrugën botës së re të Perëndisë.—Psalmi 110:1, 2; Danieli 2:44; Zbulesa 21:1-5.
Tani, më shumë se kurrë më parë, njerëzimi ka nevojë për një Shpëtimtar me mençuri mbinjerëzore. Përse duhet të dyshojmë se Jezui është me të drejtë ai që është zgjedhur për të shpëtuar njerëzimin? Gjoni, i cili ishte një dëshmitar okular i mrekullive të jashtëzakonshme dhe i ringjalljes së Jezuit, deklaroi: «Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës.» (1. Gjonit 4:14; krahaso Gjoni 4:42.) Ashtu siç nuk kemi asnjë bazë të arsyeshme për të dyshuar në ekzistencën, mrekullitë, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit, nuk kemi asnjë arsye për të dyshuar se Perëndia Jehova i ka dhënë atij fronin si Mbret i ligjshëm, në të djathtën e Tij. Pa asnjë dyshim, Jezui i Nazaretit është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë dhe «Shpëtimtar i botës».—Mateu 6:10.
[Shënimet]
a Referimet polemike për Jezuin në Talmud pranohen si të vërteta vetëm nga disa studiues. Nga ana tjetër, referimet në lidhje me Jezuin nga Taciti, Suetoniu, Plini i Ri dhe më se një herë nga Jozef Flaviu, pranohen përgjithësisht si prova të ekzistencës historike të Jezuit.
b Në një rast, Jezui i ringjallur hëngri peshk me dishepujt, gjë që tregon se shfaqja e tij nuk ishte vetëm një vizion, siç pohojnë disa sot.—Luka 24:36-43.