Të mësuar nga Jehovai deri më sot
«Vetë Jehovai më ka dhënë gjuhën e të mësuarve.»—ISAIA 50:4, BR.
1, 2. (a) Për çfarë e përgatiti Jehovai nxënësin e tij të preferuar dhe cili qe rezultati? (b) Si e pranoi Jezui Burimin e mësimeve të tij?
PERËNDIA JEHOVA ka qenë Mësues që nga koha kur u bë Atë. Dikur, pas rebelimit të disa bijve të tij, ai përgatiti nxënësin e vet të preferuar, Të parëlindurin e tij, për të kryer një shërbim mbi tokë. (Proverbat 8:30) Në mënyrë profetike, kreu 50 i Isaisë e paraqet këtë nxënës, duke thënë: «Vetë Zoti Sovran Jehova më ka dhënë gjuhën e të mësuarve, që të di se si t’i përgjigjem të lodhurit me një fjalë.» (Isaia 50:4, BR) Duke zbatuar mësimin e Atit të tij, ndërsa ishte në tokë, Jezui ishte burim freskimi për të gjithë ata që ishin ‘të munduar dhe të rënduar’.—Mateu 11:28-30.
2 Jezui kreu shumë vepra të mrekullueshme gjatë shekullit të parë. Ai u hapi sytë të verbërve e madje ngriti të vdekurit dhe megjithatë ai ishte i njohur kryesisht ndër bashkëkohësit e vet si mësues. Ithtarët si dhe kundërshtarët e quanin kështu. (Mateu 8:19; 9:11; 12:38; 19:16; Gjoni 3:2) Jezui asnjëherë nuk e mori mbi vete meritën për ato që mësonte, por me përulësi pranoi: «Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.» «I them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.»—Gjoni 7:16; 8:28; 12:49.
Marrëdhënie ideale mësues-nxënës
3. Në ç’mënyrë e tregon profecia e Isaisë interesin e Jehovait për ata që mëson?
3 Një mësues i shkëlqyer, kujdeset personalisht, me ndërgjegje dhe me dashuri për nxënësit e tij. Kreu 50 i Isaisë tregon se Perëndia Jehova e ka këtë lloj interesi për ata që mëson. «Ai më zgjon mëngjes për mëngjes,—vëren profecia,—ai zgjon veshin tim, për të dëgjuar si të mësuarit.» (Isaia 50:4, BR) Gjuha e përdorur këtu të sjell ndër mend një mësues që ngre herët në mëngjes nxënësit e tij, për t’i mësuar. Duke komentuar në lidhje me zbatimin e profecisë, një studiues biblik vërejti: «Ideja është se Çlirimtari do të ishte . . . dikush që, nëse mund të themi kështu, ka bërë shkollën e Perëndisë; e që do të ishte i kualifikuar t’u jepte mësim të tjerëve. . . . Mesia do të ishte tërësisht i kualifikuar, nga mësimi Hyjnor, për të qenë mësuesi i njerëzimit.»
4. Si iu përgjigj Jezui mësimit të Atit?
4 Nxënësit e shkëlqyer i përgjigjen mësimit që u jep mësuesi. Si iu përgjigj Jezui mësimeve të Atit të tij? Përgjigjja e tij ishte në përputhje me fjalët që lexojmë në Isainë 50:5: «Zoti Sovran Jehova, ai vetë i ka hapur veshët e mi dhe unë, nga ana ime, nuk isha rebel. Unë nuk u ktheva në drejtim të kundërt.» (BR) Po, Jezui ishte i etur për të mësuar. Ishte, siç i themi ne, gjithë sy e veshë. Por jo vetëm kaq, ai ishte gati të bënte çdo gjë që i kërkonte Ati. Nuk ishte rebel; përkundrazi, tha: «Mos u bëftë vullneti im, por yti.»—Luka 22:42.
5. (a) Nga duket se Jezui i dinte që më parë sprovat që do të vuante mbi tokë? (b) Si u përmbush profecia e Isaisë 50:6?
5 Profecia tregon se Biri ishte në dijeni të pasojave të mundshme që do të kishte nëse kryente vullnetin e Perëndisë. Kjo duket nga fjalët që tha ai që ishte mësuar: «I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.» (Isaia 50:6) Siç tregon profecia, Jezui u trajtua mizorisht mbi tokë. «E pështynë në fytyrë»,—shkroi apostulli Mateu. Të tjerët «e goditën me shuplaka». (Mateu 26:67) Ajo që ndodhi ishte vepër e krerëve fetarë, natën e Pashkës së vitit 33 të e.s. Ditën tjetër, Jezui iu nënshtrua atyre që e rrahën, kur ushtarët romakë e goditën pa mëshirë, përpara se ta varnin në shtyllë që të vdiste.—Gjoni 19:1-3, 16-23.
6. Nga duket se Jezui nuk e humbi kurrë besimin në Mësuesin e tij dhe si u shpërblye besimi i tij?
6 Biri, që kishte marrë mësimin e duhur që më parë, nuk e humbi kurrë besimin në Mësuesin e tij. Kjo duket nga fjalët që tha më tej, sipas profecisë: «Zoti Sovran Jehova, ai vetë do të më ndihmojë. Ja, përse nuk duhet të ndihem i poshtëruar.» (Isaia 50:7, BR) Besimi që pati Jezui në ndihmën e Mësuesit të tij, u shpërblye së tepërmi. Ati i tij e lartësoi, duke e bekuar me një pozitë më të lartë mbi të gjithë shërbëtorët e tjerë të Perëndisë. (Filipianëve 2:5-11) Bekime të mëdha na presin edhe ne, nëse me bindje i përmbahemi mësimit të Jehovait e nuk kthehemi «në drejtim të kundërt». Le të shqyrtojmë se si është bërë i mundur ky mësim deri në ditët tona.
Një program i zgjeruar mësimi
7. Si e ka përhapur Jehovai mësimin e tij në tokë?
7 Siç kemi vërejtur edhe më parë, Jehovai e përdori përfaqësuesin e tij tokësor, Jezu Krishtin, për të përhapur mësimin hyjnor gjatë shekullit të parë. (Gjoni 16:27, 28) Vazhdimisht, Jezui e theksoi Fjalën e Perëndisë si autoritet për mësimet e tij, duke lënë një shembull për ata që mësoi. (Mateu 4:4, 7, 10; 21:13; 26:24, 31) Më pas, mësimi i Jehovait u përhap në tokë nëpërmjet shërbimit që kryen këta të mësuar. Mos harro se Jezui i urdhëroi: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Dishepujt e rinj bëheshin pjesë e «shtëpisë së Perëndisë, . . . kongregacionit të Perëndisë së gjallë». (1. Timoteut 3:15, BR) Ishin të organizuar, gjithashtu, edhe nëpër kongregacione të veçanta, në të cilat mësoheshin nga Jehovai. (Veprat 14:23; 15:41; 16:5; 1. Korintasve 11:16) A ka vazhduar mësimi hyjnor të jepet në këtë mënyrë deri në ditët tona?
8. Si tregoi Jezui se vepra e predikimit do të kryhej mbi tokë përpara se të vinte fundi?
8 Patjetër! Tri ditë para se të vdiste, Jezui paratha se përpara fundit të këtij sistemi gjërash, do të ndodhte një vepër e madhe predikimi. «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, për dëshmi në të gjitha kombet,—tha ai,—dhe atëherë do të vijë fundi.» Jezui vazhdoi, duke përshkruar mjetin me anë të të cilit do të drejtohej ky program botëror predikimi dhe mësimi. Ai foli për «skllavin besnik e të matur», i cili do të shërbente si një kanal apo instrument, për t’u siguruar shërbëtorëve të Tij ushqimin frymor. (Mateu 24:14, 45-47, BR) Perëndia Jehova e ka përdorur këtë «skllav» për të mbikëqyrur interesat e Mbretërisë në mbarë tokën.
9. Cilët e formojnë skllavin besnik e të matur?
9 Sot, skllavi besnik e i matur përbëhet nga mbetja e trashëgimtarëve të Mbretërisë. Këta janë të krishterë të mirosur, ata që kanë mbetur mbi tokë nga 144.000-ët, të cilët «i përkasin Krishtit» e janë pjesë e «farës së Abrahamit». (Galatasve 3:16, 29, BR; Zbulesa 14:1-3) Si mund ta identifikosh skllavin besnik e të matur? Veçanërisht nga puna që kryejnë, si dhe nga fakti që i përmbahen ngushtësisht Fjalës së Perëndisë, Biblës.
10. Çfarë botimesh ka përdorur klasa e skllavit, për të nxitur mësimet e Jehovait?
10 Jehovai e përdor këtë «skllav» si mjetin e tij për të mësuar njerëzit sot. Pjesëtarët e klasës së skllavit morën emrin Dëshmitarë të Jehovait, në vitin 1931. Qysh nga ajo kohë, miliona veta janë bashkuar me ta, kanë pranuar këtë emër e janë bashkuar në shpalljen e Mbretërisë së Perëndisë. Kjo revistë, Kulla e Rojës që lajmëron Mbretërinë e Jehovait, është mjeti kryesor që përdor «skllavi» në veprën e tij të mësimit. Megjithatë, përdoren edhe botime të tjera, duke përfshirë libra, broshura, fletushka dhe revistën Zgjohuni!
11. Çfarë shkollash ka çelur «skllavi» dhe për ç’qëllim shërben secila nga këto shkolla?
11 Përveç këtyre, «skllavi» ka çelur edhe shkolla të ndryshme. Këtu përfshihen Shkolla e Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead), e cila është një kurs pesëmujor, ku përgatiten shërbëtorë të rinj, për të shërbyer si misionarë në vende të huaja, si edhe kursi dymujor, Shkolla e Stërvitjes për Shërbim, i cili stërvit pleq dhe shërbëtorë ndihmës të pamartuar për caktime të veçanta teokratike. Ekziston edhe Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë, në të cilën pleq dhe shërbëtorë ndihmës të krishterë mësohen periodikisht për të mbajtur përgjegjësitë e tyre në kongregacion; Shkolla e Shërbimit si Pionierë, e cila i ndihmon ungjillëtarët në shërbim të plotë kohor për t’u bërë më të efektshëm në aktivitetin e tyre të predikimit.
12. Cili është një aspekt i përjavshëm i programit të mësimit?
12 Një aspekt tjetër i programit të mësimit janë pesë mbledhjet e përjavshme që mbahen në më shumë se 75.500 kongregacionet e popullit të Jehovait në mbarë botën. A përfiton sa më shumë që është e mundur nga këto mbledhje? Me anë të vëmendjes që tregon ndaj mësimit që merr, a tregon se beson me të vërtetë se po ndjek, nëse mund të themi kështu, shkollën e Perëndisë? Përparimi yt frymor, a e bën të dukshme për të tjerët se ti ke «gjuhën e të mësuarve»?—Isaia 50:4; 1. Timoteut 4:15, 16.
Të mësuar në mbledhjet e kongregacionit
13. (a) Cila është një mënyrë e rëndësishme, me të cilën Jehovai mëson sot popullin e tij? (b) Si mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë për Kullën e Rojës?
13 Jehovai e mëson kryesisht popullin e tij nëpërmjet një studimi të përjavshëm të Biblës, duke përdorur Kullën e Rojës si ndihmëse për të mësuar. A i konsideron këto mbledhje si një vend ku mund të mësohesh nga Jehovai? Edhe pse Isaia 50:4 zbatohet veçanërisht për Jezuin, mund të zbatohet edhe për të gjithë ata që përfitojnë nga masat e Perëndisë, për të pasur «gjuhën e të mësuarve». Një mënyrë për të treguar se e vlerëson Kullën e Rojës është leximi i çdo numri, sa më shpejt të jetë e mundur pasi ta kesh marrë. Më pas, kur Kulla e Rojës studiohet në kongregacion, mund të tregosh vlerësimin tënd ndaj Jehovait, duke qenë i pranishëm, si edhe duke u përgatitur që të bësh një deklaratë publike të shpresës tënde.—Hebrenjve 10:23.
14. (a) Përse komentimi në mbledhje është një privilegj i rëndësishëm? (b) Cilat komente të fëmijëve janë më shumë inkurajuese?
14 A e kupton se duke komentuar në mbledhje, bën pjesën tënde në programin e madh të mësimit që jep Jehovai? Pa dyshim, komentimi në mbledhje është një mënyrë e rëndësishme, me të cilën mund të nxisim njëri-tjetrin «për dashuri dhe vepra të mira». (Hebrenjve 10:24, 25) A mund të kenë edhe fëmijët rolin e tyre në këtë program mësimi? Po. Shpesh, komentet me zemër që bëjnë të rinjtë janë inkurajuese për të rriturit. Disa herë, ata që janë të rinj në mbledhjet tona, janë nxitur nga komentet e fëmijëve për ta marrë me më shumë seriozitet të vërtetën biblike. Disa fëmijë e kanë zakon t’i lexojnë komentet e tyre direkt nga paragrafi apo të përsëritin atë që u pëshpërit në vesh ndonjë i rritur. Megjithatë, është më shumë inkurajuese kur komentet e tyre janë të përgatitura mirë. Komente të tilla i sjellin me të vërtetë nder Mësuesit tonë të Madh dhe programit të tij të jashtëzakonshëm të mësimit.—Isaia 30:20, 21.
15. Ç’mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët që të komentojnë më me efektshmëri?
15 Është gëzim të shohësh fëmijët të padurueshëm për të lavdëruar Perëndinë tonë. Jezui i vlerësoi shprehjet e lavdisë nga të rinjtë. (Mateu 21:15, 16) Një plak i krishterë vërejti: «Kur isha fëmijë, dëshiroja të komentoja në studimin e Kullës së Rojës. Pasi më ndihmonte për të përgatitur një koment, im atë kërkonte që ta praktikoja të paktën nja shtatë herë.» Ndoshta, gjatë studimit familjar të Biblës, ju prindër mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të përgatisin komente me fjalët e tyre, mbi paragrafë të caktuar në Kullën e Rojës. Ndihmojini të çmojnë privilegjin e madh që kanë për të marrë pjesë në programin e mësimit që jep Jehovai.
16. Cila ka qenë dobia e Shkollës së Shërbimit Teokratik dhe cilët mund të regjistrohen në shkollë?
16 Edhe mësimit që jepet në mbledhjet e tjera duhet t’i tregohet një kujdes serioz, si nga ata që kanë privilegjin për të paraqitur informacionin, ashtu edhe nga ata që dëgjojnë mësimin që paraqitet. Për më shumë se 50 vjet, Jehovai ka përdorur Shkollën e përjavshme të Shërbimit Teokratik, për të stërvitur miliona burra e gra që të paraqesin mesazhin e Mbretërisë me më efektshmëri. Në të mund të regjistrohen ata persona që shoqërohen aktivisht me kongregacionin, duke përfshirë edhe ata që i ndjekin mbledhjet nga pak kohë, mjaft që jeta e tyre të jetë vënë në harmoni me parimet e krishtere.
17. (a) Për ç’qëllim shërben veçanërisht Mbledhja Publike? (b) Cilat gjëra duhet të mbajnë në mendje oratorët publikë?
17 Një aspekt tjetër i programit të mësimit, i cili vepron prej shumë kohësh, është Mbledhja Publike. Siç tregon edhe emri, kjo mbledhje shërben veçanërisht për t’u bërë të njohur personave jo-Dëshmitarë mësimet themelore biblike. Prandaj, ai që jep fjalimin duhet ta prezantojë informacionin në atë mënyrë që të jetë i kuptueshëm për ata që e dëgjojnë mesazhin për herë të parë. Kjo do të thotë të shpjegosh terma të tilla, si «delet e tjera», «vëllezër» dhe «mbetja», të cilat jo-Dëshmitarët mund të mos i kuptojnë. Pasi njerëzit që ndjekin Mbledhjen Publike mund të kenë bindje apo mënyra jetese, të cilat janë krejtësisht në kundërshtim me Shkrimet, edhe pse të pranueshme në shoqërinë e sotme, oratori duhet të jetë gjithmonë me takt e të mos i bëjë kurrë qesharake bindje të tilla apo atë mënyrë jetese.—Krahaso 1. Korintasve 9:19-23.
18. Cilat janë mbledhjet e tjera të përjavshme dhe për çfarë qëllimi shërbejnë?
18 Studimi i Librit të Kongregacionit është një mbledhje ku botimet e përgatitura nën drejtimin e skllavit besnik e të matur studiohen çdo javë bashkë me Biblën. Në shumë vende tani po studiohet libri Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër! (angl.) Mbledhja e Shërbimit është caktuar për të ndihmuar popullin e Jehovait që të marrë pjesë në mënyrë sa më të plotë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë e të bëjë dishepuj.—Mateu 28:19, 20; Marku 13:10.
Të mësuar në mbledhje më të mëdha
19. Çfarë grumbullimesh më të mëdha organizon «skllavi» çdo vit?
19 Për më shumë se njëqind vjet, ‘skllavi besnik’ ka organizuar kongrese dhe asamble për të mësuar e për të inkurajuar në mënyrë të veçantë të krishterët e vërtetë. Tri mbledhje të tilla të mëdha mbahen tani çdo vit. Asambleja njëditore, në të cilën marrin pjesë një grup kongregacionesh që formojnë një qark. Gjatë vitit, çdo qark mban, gjithashtu, një mbledhje dyditore, e cila quhet asamble qarkore. Përveç këtyre, është edhe një mbledhje tjetër që quhet kongresi krahinor, i cili mbahet nga një numër qarqesh. Në mënyrë periodike, mund të ketë edhe kongrese ndërkombëtare. Këto grumbullime të mëdha, me Dëshmitarë të ftuar nga shumë vende, me të vërtetë forcojnë besimin e popullit të Jehovait!—Krahaso Ligjin e përtërirë 16:16.
20. Çfarë është theksuar vazhdimisht në grumbullimet e mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait?
20 Në vitin 1922, kur pothuajse 10.000 veta u mblodhën në Sidër Point, Ohaio, SHBA, delegatët u frymëzuan nga inkurajimi që u dha oratori: «Kjo është dita e të gjitha ditëve. Përkraheni mbretërinë e Mbretit! Ju jeni përfaqësuesit e tij publikë. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë e tij.» Kongrese të tilla të mëdha kanë theksuar vazhdimisht veprën e predikimit. Për shembull, në kongresin ndërkombëtar në Nju Jork, në 1953, u lajmërua vendosja e një programi stërvitjeje për predikimin shtëpi më shtëpi, në të gjitha kongregacionet. Zbatimi i tij pati një ndikim shumë pozitiv mbi predikimin e Mbretërisë në shumë vende.
Të mësuar nga Perëndia për t’u dhënë mësim të tjerëve
21. Cilin privilegj duhet të pranojmë, pa dështuar në qëllimin e tij?
21 Sigurisht, Jehovai ka sot mbi tokë një program të mrekullueshëm mësimi! Të gjithë që përfitojnë prej tij mund të jenë të mësuar nga Perëndia. Po, mund të jenë midis atyre, të cilëve u është dhënë «gjuha e të mësuarve». Sa privilegj është të ndjekësh, si të themi, shkollën e Perëndisë! Megjithatë, duke pranuar këtë privilegj, duhet të mos dështojmë në qëllimin e tij. Jehovai e mësoi Jezuin, në mënyrë që ky të mund të mësonte të tjerët dhe Jezui i mësoi dishepujt e tij, në atë mënyrë që ata të mund të bënin të njëjtën vepër, por në një shkallë edhe më të madhe. Në mënyrë të ngjashme, programi i madh i mësimit nga Jehovai po na stërvit me qëllim që të mësojmë të tjerët.—Gjoni 6:45; 14:12; 2. Korintasve 5:20, 21; 6:1; 2. Timoteut 2:2.
22. (a) Çfarë problemi kishin Moisiu dhe Jeremia, por si u zgjidh ai? (b) Çfarë sigurie kemi që Perëndia do të mundësojë kryerjen e predikimit të Mbretërisë?
22 A thua, ndoshta, si Moisiu: «Unë nuk jam njeri i gojës»? Apo, siç tha Jeremia: «Unë nuk di të flas»? Jehovai do të të ndihmojë, siç ndihmoi edhe ata. «Unë do të jem me gojën tënde»,—i tha ai Moisiut. Ndërsa Jeremisë i tha: «Mos ki frikë . . . unë jam me ty.» (Të Dalët 4:10-12; Jeremia 1:6-8) Kur krerët fetarë donin që dishepujt të heshtnin, Jezui tha: «Nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.» (Luka 19:40) Por gurët nuk qenë të detyruar të bërtisnin atëherë e as kanë nevojë të bërtasin tani, sepse Jehovai po përdor gjuhën e atyre që ka mësuar, për të shpallur mesazhin e Mbretërisë së tij.
A mund të përgjigjesh?
◻ Cilën marrëdhënie ideale Mësues-nxënës nënvizon Isaia, kreu 50?
◻ Në ç’mënyrë Jehovai ka bërë të mundur një program të gjerë mësimi?
◻ Cilat janë disa aspekte të programit të mësimit që vjen nga Jehovai?
◻ Përse është një privilegj i shkëlqyer të marrësh pjesë në programin e mësimit që vjen nga Jehovai?
[Figura në faqen 16]
Shpesh, komentet me zemër që bëjnë fëmijët janë inkurajuese për të rriturit