Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Në fshatrat e vegjël e të largët të Groenlandës
PËR shumë dekada Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në predikimin e lajmit të mirë. Këto revista lartësojnë mençurinë e Jehovait, ashtu siç shprehet në Fjalën e tij, Biblën. Vëzhgojnë ngjarjet botërore që lidhen me profecinë biblike dhe zbatojnë këshillat e arsyeshme të Biblës për problemet bashkëkohore.—Jakovit 3:17.
Në vitin 1994, Dëshmitarët e Groenlandës bënë një përpjekje të veçantë, për t’u ofruar Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! sa më shumë njerëzve të ishte e mundur. Gjatë verës, ata morën masa që të vizitonin disa nga fshatrat e vegjël e më të largët të Groenlandës. Një grup lajmëtarësh të Mbretërisë bënë nëpër det një udhëtim prej më shumë se 4.000 km, duke u ngjitur në bregun perëndimor deri në Qaanaaq (Thule), duke shkuar në disa nga komunitetet më veriore të globit. Udhëtimi i tyre zgjati shtatë javë. Në bregun lindor, një çift Dëshmitarësh shkoi deri në fshatin e vogël Ittoqqortoormiit dhe për herë të parë predikoi atje lajmin e mirë në mënyrë sistematike.
Në fillimet e atij viti, gjatë muajit prill, banorëve të Groenlandës u ishin shpërndarë 7.513 kopje të Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! Kjo do të thotë që mesatarisht secili nga 127 lajmëtarët e Mbretërisë kishte lënë 59 revista, 1 revistë në çdo 7 banorë. Atë muaj, Zgjohuni! kishte një sërë artikujsh nën kapakun me titull «Kanceri në gji: frika e çdo gruaje». Një Dëshmitare, e cila kishte lënë 140 revista, i la disa kopje të revistës Zgjohuni! një gazetareje të televizionit. Nja dy ditë më vonë, në një program lajmesh, televizioni trajtoi artikujt mbi kancerin në gji. Gazetarja i tregoi revistat përpara kamerave, duke treguar faqe të ndryshme, ndërsa lëvdonte cilësinë e përkthimit në groenlandisht. Ajo nënvizoi, gjithashtu, sugjerimet praktike që jepte Zgjohuni!, mbi masat parandaluese.
Dëshmitarja që i kishte lënë në fillim revistat gazetares, u intervistua në po atë program televiziv. Ajo iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait dhe foli mbi shpërndarjen e madhe të revistave gjatë atij muaji. Ajo komentoi, gjithashtu, mençurinë praktike që gjendet në Bibël dhe theksoi se këshilla të tilla të arsyeshme mund të na ndihmojnë për të përballuar problemet e sotme.
Programi përfundoi me një intervistë të kryetares së Shoqatës Groenlandeze të Kancerit. Ajo vërejti se nuk kishte parë kurrë një material të tillë të shkëlqyer e informativ mbi këtë çështje në gjuhën e saj. Më pas, ajo i ftoi të gjithë që interesoheshin në lidhje me kancerin në gji, të lexonin artikujt e Zgjohuni! Ajo tha se kishte arsye të shëndosha për t’u qenë mirënjohës Dëshmitarëve të Jehovait për iniciativën e tyre.
Ashtu si në Groenlandë, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën vazhdojnë t’i predikojnë lajmin e mirë «çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23; Veprat 1:8) Me përdorimin e literaturës biblike, duke përfshirë Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!, ata ndihmojnë çdo lloj njeriu për të përballuar problemet e sotme, si dhe u japin shpresë për një të ardhme më të mirë.
[Harta në faqen 8]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Qaanaaq (Thule)
Ittoqqortoormiit
Nuuk (Godthåb)