BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/9 f. 24-27
  • Ngrihet një mal më i lartë se Himalajet

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ngrihet një mal më i lartë se Himalajet
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Nepali: mbretëri malesh
  • Fillimet e para
  • Përhapje pavarësisht nga vështirësitë
  • Nepali sot
  • Më lart se Himalajet
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/9 f. 24-27

Ngrihet një mal më i lartë se Himalajet

HIMALAJET! Çfarë të sjellin ndër mend këto fjalë? Maja të akullta madhështore që rrihen nga erëra të stuhishme? Emocionin e mposhtjes, duke qëndruar në këmbë në majën e malit më të lartë të botës? Për shumë nga ne, do të ishte e pamundur ngjitja e malit Everest, në malet Himalaje në Nepal. Megjithatë, sot në Nepal, shumë njerëz po ngjiten në një mal që është më i lartë se Himalajet! Përpara se të mësojmë diçka më shumë mbi rrugën që të çon në malin e madh, le t’i hedhim një sy mbretërisë së vogël, por të bukur të Nepalit.

Nepali: mbretëri malesh

Mbretëria e Nepalit është e pazakontë, pasi është një ndër monarkitë e pakta që kanë mbetur në botë dhe gjithashtu sepse është një mbretëri fetare e jo civile. Nepali është i vetmi shtet hinduist në botë. Pjesa më e madhe e 20 milionë banorëve është hinduiste. Megjithatë, ka një shumëllojshmëri të madhe në origjinat etnike të popullit të tij. Ata që jetojnë në zonën malore të veriut janë thjesht me origjinë tibeto-burmane, kurse në fushat jugore janë në pjesën më të madhe nga mjedisi indo-arian. Gjuha nepale është gjuha zyrtare e vendit dhe gjuha mëmë e rreth 60 përqind të popullsisë. Pjesa tjetër e banorëve flet më shumë se 18 gjuhë etnike.

Në hartë, Nepali ka formë paksa drejtkëndëshe: 880 km nga lindja në perëndim dhe 200 km nga veriu në jug. Himalajet madhështore që formojnë kufirin verior, përfshijnë malin Everest, maja më e lartë në botë me lartësi 8,848 km dhe tetë maja të tjera me lartësi mbi 8.000 m. Në Nepalin qendror gjenden malet më të ulëta dhe liqenet e luginat. Më në jug, në kufi me Indinë, shtrihet Tarai pjellor, zona kryesore bujqësore.

Kryeqyteti Katmandu i vendosur në krahinën qendrore është me të vërtetë një vend i këndshëm për turistët. Mund të fluturohet mbi zonën e maleve madhështore, mund të shihet fauna e egër nëpër parqe dhe shumë e shumë gjëra të tjera me interes lokal. Nganjëherë, Nepali quhet lugina e hyjnive, pasi feja luan një rol të madh në jetën e popullit të tij. Feja është, gjithashtu, një arsye se përse miliona njerëz përreth botës po ngjiten në «malin» që është më i lartë se Himalajet.

Rreth 2.700 vjet më parë, profeti hebre Isaia u frymëzua për të parathënë se «në pjesën e fundit të ditëve . . . mali i shtëpisë së Jehovait do të vendoset në mënyrë të patundshme në majën e maleve . . . Shumë njerëz me siguri do të vijnë e të thonë: ‘Ejani, ju njerëz dhe le të shkojmë në malin e Jehovait . . . Ai do të na mësojë për rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’» (Isaia 2:2, 3, BR) Këtu, adhurimi i pastër i lartësuar i Jehovait, Krijuesit dhe Sundimtarit Sovran të universit, krahasohet me një mal, që ngrihet i lartë mbi të gjitha format e adhurimit ngjashëm maleve. Është tema e veprës arsimore botërore që i ndihmon njerëzit e uritur për të vërtetën të mësojnë rrugët e Jehovait. Si filloi kjo vepër në Nepal?

Fillimet e para

Në periudhën e Luftës II Botërore, një ushtar i ushtrisë angleze ishte vënë në kërkim të fesë së vërtetë. Prindërit e tij nepalezë me origjinë hinduse ishin kthyer në katolikë. Ndërsa rritej, ai pa marrëzinë e idhujtarisë, hodhi poshtë mësime të tilla si doktrina e ferrit dhe filloi të shqyrtonte bindjet e kishave protestante. Prapëseprapë nuk ishte i kënaqur.

I burgosur nga japonezët në atë që atëherë quhej Rangun, Birmani, ushtari lutej që të mund t’i mbijetonte ashpërsisë së punës në kamp për të vazhduar kërkimin e tij për adhurimin e vërtetë. Më vonë, ai arriti t’u shpëtonte nga duart dhe e ndihmoi një mësues shkolle në shtëpinë e të cilit ai gjeti broshurën Ku janë të vdekurit?, shkruar nga J. F. Rutherford. Duke njohur tingullin e së vërtetës, ai shpejt pranoi me dëshirë të studionte kur Dëshmitarët e Jehovait vizituan Rangunin në 1947-ën. Brenda pak muajsh u pagëzua dhe nuk kaloi shumë kohë dhe u pagëzua edhe e shoqja. Vendosën të ktheheshin në Indi, në vendin e lindjes, në Kalimpung, në malet verilindore. Aty lindën dhe u rritën dy fëmijët e tyre. Në mars të 1970-ës, ata u transferuan në Katmandu.

Kushtetuta e Nepalit e ndalonte proselitizmin. Kushdo që kapej duke përhapur një fe të ashtuquajtur të huaj, bënte shtatë vjet burg dhe kushdo që e pranonte këtë fe, mund të dënohej me tre vjet burg dhe me një gjobë të rëndë. Prandaj, dëshmia duhej dhënë me shumë kujdes. Shërbimi shtëpi më shtëpi bëhej duke vizituar një shtëpi e duke vajtur për të vizituar një zonë tjetër. Qartë, dëshmia joformale luajti një rol të madh në përhapjen e lajmit të mirë.

Në fillim progresi ishte shumë i ngadalshëm. Me një popullsi rreth dhjetë milionë, territori dukej shkurajues. Kjo familje e vetme mbolli farat e së vërtetës, duke u dhënë dëshmi miqve, të njohurve, punëdhënësve dhe shokëve të tyre punëtorë. Ata mbanin mbledhje të rregullta nëpër shtëpitë e tyre dhe i ftonin të interesuarit të bashkoheshin me ta. Përfundimisht, në mars të 1974-ës, pas katër vjetësh mbjellje e ujitjeje të vazhdueshme, në Nepal u korrën frytet e para e madje nga një burim i pabesueshëm!

Duke vizituar një shtëpi, lajmëtari i foli një burri të pasur që ishte sekretari i një anëtari të familjes mbretërore. «Foli edhe tim biri»,—tha burri. I biri pranoi një studim biblik. Pas një periudhe kohe, ai ndryshoi punë, pasi punonte në një kazino bixhozi. I ati, një hindus i devotshëm, e kundërshtonte. Megjithatë, ky i ri qëndroi në anën e Jehovait. Me ç’rezultat? Më vonë, i ati nuk e kundërshtonte më dhe disa nga farefisi i afërt pranuan të vërtetën biblike. Ai tani shërben si plak në një kongregacion të krishterë.

Për të qëndruar të fortë frymësisht dhe për të ndjekur urdhrin biblik për të mos hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, grupi i vogël në Katmandu mban mbledhje të rregullta në një shtëpi private. Por në një masë të madhe, vëllezërit nuk mundnin të merrnin pjesë në mbledhjet më të mëdha. Ata që ishin në gjendje merrnin pjesë në asambletë që zhvilloheshin në Indi, gjë që përbënte një udhëtim të gjatë e të kushtueshëm nëpër vargjet malore.

Ç’rast i gëzuar ishte kur i gjithë programi i kongresit krahinor u paraqit në shtëpinë ku mbanin mbledhjet! Mendo! Katër vëllezër duke përfshirë një anëtar të zyrës së degës në Indi, zhvilluan gjithë programin! U shfaq edhe drama biblike. Si? Ishin marrë diapozitivë nga provat me kostume në Indi. Në Nepal, këto diapozitivë u projektuan në një ekran dhe u shoqëruan nga një dialog i regjistruar në kasetë. Të pranishmit e pëlqyen shumë. Sa ishin të pranishmit? Tetëmbëdhjetë!

Ndihma nga Dëshmitarët e vendeve të tjera në veprën e predikimit ishte e kufizuar. Vepra misionare ishte e pamundur dhe për të huajt nuk ishte e lehtë të gjendej punë. Megjithatë, dy dëshmitarë indianë arritën të gjenin punë në kohë të ndryshme, duke kaluar disa vjet në Katmandu dhe duke ndihmuar në forcimin e kongregacionit të ri të sapoformuar. Nga 1976-a, kishte 17 lajmëtarë të Mbretërisë në Katmandu. Në 1985-ën, vëllezërit ndërtuan Sallën e tyre të Mbretërisë. Në përfundim të saj, aty filluan të mbaheshin rregullisht kongrese vjetore krahinore dhe asamble të tjera. Salla ishte në të vërtetë qendra e adhurimit të pastër në atë territor të thellë malor.

Përhapje pavarësisht nga vështirësitë

Në ato vite të para, vepra e predikimit e bërë me shumë kujdes, nuk kishte rënë shumë në sy nga autoritetet. Megjithatë, nga fundi i 1984-ës, filluan kufizimet. Një vëlla dhe tri motra u arrestuan dhe u mbajtën në arrest për katër ditë duke i paralajmëruar para se të liroheshin që të mos e vazhdonin më aktivitetin e tyre. Në një fshat, nëntë persona u arrestuan, pasi në shtëpinë e tyre bëheshin studime biblike. Gjashtë prej tyre u mbajtën në burg për 43 ditë. U bënë edhe disa arrestime të tjera, por nuk u ndërmor asnjë veprim ligjor.

Pak kohë më parë, në vitin 1989, u arrestuan të gjithë motrat dhe vëllezërit në një studim të librit të kongregacionit, u mbjatën nën arrest për tri ditë dhe u liruan përsëri. Nganjëherë, u kërkohej të nënshkruanin një deklaratë që thoshte se nuk do të predikonin më. Ata nuk pranuan. Disa u liruan vetëm pasi nënshkruan deklatatën se ishin të gatshëm të përballonin pasojat nëse kapeshin përsëri duke predikuar.

Pavarësisht nga këto vështirësi, vëllezërit vazhduan të predikonin me zell lajmin e mirë të Mbretërisë. Për shembull, në 1985-ën, viti pas fillimit të ndërhyrjes qeveritare, pati një rritje 21 për qind në numrin e predikuesve. 35 lajmëtarët dedikonin mesatarisht 20 orë në muaj, duke folur me të tjerët mbi adhurimin e pastër.

Me kalimin e kohës, në Nepal filluan të ndiheshin erërat e ndryshimit politik. Zyrtarët qeveritarë filluan të kuptonin se Dëshmitarët e Jehovait nuk përbënin ndonjë rrezik. Në fakt, vepra e tyre e arsimimit biblik, kishte një ndikim të shkëlqyeshëm ndërtues mbi njerëzit, duke i bërë ata qytetarë më të mirë. Zyrtarët e panë se ndershmëria, zelli dhe sjellja e drejtë morale ishin cilësi që duheshin shfaqur nga të gjithë adhuruesit e Jehovait.

Një dëshmi e shkëlqyer u dha kur një grua, që më parë kishte qenë hinduse e devotshme, u bë Dëshmitare dhe nuk pranoi të merrte transfuzion gjaku. Mjekët u shtangën nga qëndrimi i saj i vendosur dhe i mirë-informuar. Me ndihmën e broshurës Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, kjo grua u ndihmua të mësonte të vërtetën. Pavarësisht nga kundërshtimi dhe talljet nga familja, në 1990-ën ajo u pagëzua, ndërsa i afrohej të 70-ave. Më vonë, ajo theu këmbën dhe duke pasur edhe komplikacione të tjera, iu desh të përballonte një operacion delikat. Për dy javë me radhë ajo i rezistoi presionit të mjekëve dhe të të afërmve për të pranuar gjak. Përfundimisht, skuadra e kirurgëve e operoi me sukses pa gjak. Megjithëse tani është e kufizuar në lëvizje, kjo motër besnike ulet çdo mëngjes në pragun e saj dhe i fton kalimtarët të ulen me të e të dëgjojnë një lajm të mirë inkurajues.

Nepali sot

Si shkon vepra në Nepal sot? Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë një masë të mirë lirie adhurimi, siç bëjnë vëllezërit e tyre në të gjithë botën. Që nga koha kur një apo dy alpinistë figurativë filluan të bashkoheshin me ata që ngjisnin malin e adhurimit të vërtetë, një numër gjithnjë e në rritje ka thënë: ‘Ejani të ngjitemi në malin e Jehovait.’ Nga 1989-a, ka pasur një mesatare prej 43 lajmëtarësh çdo muaj që marrin pjesë në veprën e predikimit dhe 204 persona morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit atë vit.

Më pas, siç premtoi, Jehovai filloi të shpejtonte mbledhjen në shtëpinë e tij të atyre që kërkojnë të vërtetën. (Isaia 60:22) S’ka kaluar shumë kohë që në Katmandu është formuar një kongregacion i dytë dhe tani ka dy grupe të veçuara jashtë kryeqytetit. Në prill të 1994-ës, kishte 153 të krishterë që raportonin aktivitetin e predikimit: një rritje 350 për qind në më pak se pesë vjet! Ata drejtonin 386 studime biblike në shtëpi me persona të interesuar. Në Përkujtimin e vitit 1994, kishte një pjesëmarrje emocionuese prej 580 personash. Në një asamble speciale njëditore, salla u mbush nga 635 të pranishëm dhe 20 prej tyre u paraqitën për pagëzim. Në këtë mënyrë, rritja e madhe e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, po ndodh edhe në Nepalin e vogël.

Vitet e fundit, sasia e literaturës e nxjerrë në gjuhën nepale është rritur jashtëzakonisht shumë, për ‘ti ndihmuar të përulurit të kenë një qëndrim të vendosur në të vërtetën’. Përkthyesit e stërvitur në zyrën e degës në Indi për teknikën e përkthimit dhe përdorimin e kompjuterit, tani shërbejnë në kohë të plotë në Katmandu. Të pajisur për përhapjen, malësorët teokratikë në Nepal janë duke përparuar!

Më lart se Himalajet

Edhe ti mund të gëzosh ngjitjen në malin që është më i lartë se Himalajet. Duke bërë kështu, nuk do të bashkohesh vetëm me ata që janë nga Nepali, por me miliona të tjerë «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». (Zbulesa [Apokalipsi] 7:9) Bashkë me ta do të provosh gëzimin e të mësuarit nga Krijuesi i maleve madhështore si ato në Nepal. Do të shohësh se Krijuesi do të «sigurojë drejtësi» dhe do të kesh mundësinë për të parë përpara në jetën e përhershme në një tokë të pastër e të bukur.​—Isaia 2:4.

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Katmandu

Mali Everest

[Figura në faqen 25]

Jashtë Sallës së Mbretërisë në Katmandu

[Figura në faqen 26]

Shumë nepalezë përfitojnë nga studimet biblike

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo