BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/9 f. 9-12
  • Durimi: Përse është kaq i rrallë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Durimi: Përse është kaq i rrallë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shembuj padurimi
  • Shkaqe padurimi
  • Përse durimi është kaq i vlefshëm?
  • Shembuj inkurajues
  • Dobitë e durimit
  • Vazhdo të jesh i duruar
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
  • A mund të ushtrosh durim?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Imitoni durimin e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Mëso nga durimi i Jehovait dhe i Jezuit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/9 f. 9-12

Durimi: Përse është kaq i rrallë?

EMILIO i kishte kaluar të gjashtëdhjetata. Kishte ardhur në Oahu, Havai, për një mision të trishtueshëm: për të varrosur djalin e tij të madh. Ndërsa po ecte në një rrugë të qetë buzë një kodre, duke folur me disa miq, Emilion e trembi një makinë, e cila po dilte mbrapsht me gjithë shpejtësinë, nga një rrugicë e vogël private. Makina për pak sa se goditi, prandaj i nxehur dhe me durim të sosur, Emilio i bërtiti shoferit dhe e goditi makinën me dorë. Filloi grindja. Ka të ngjarë që shoferi ta ketë shtyrë Emilion, i cili ra përtokë dhe përplasi kokën në sipërfaqen e fortë të rrugës. Brenda pak ditësh, Emilio vdiq, për shkak të dëmtimit në kokë. Ç’rezultat i trishtuar!

Jetojmë në një botë, në të cilën durimi është një cilësi e rrallë. Shumë e shumë shoferë automjetesh nxitojnë me shpejtësi të madhe. Të tjerë ndjekin këmba-këmbës automjetet që lëvizin në kufijtë e shpejtësisë. Të tjerë akoma kalojnë nga njëra korsi në tjetrën, pasi nuk mund të durojnë kur gjenden prapa një automjeti tjetër. Në shtëpi, pjesëtarët e familjes mund ta shprehin me forcë zemërimin e tyre e të bëhen të dhunshëm. Madje edhe disa të krishterë mund të ndihen tepër të mërzitur për shkak të mangësive apo gabimeve të vëllezërve të tyre frymorë.

Përse është kaq i rrallë durimi? A ka qenë gjithmonë kështu? Përse është kaq e vështirë të jesh i durueshëm në kohën tonë?

Shembuj padurimi

Bibla tregon për një grua, e cila nuk priti të këshillohej me të shoqin përpara se të merrte një vendim të rëndësishëm. Emri i saj ishte Eva. Duke dalë përpara Adamit, ndoshta pjesërisht për shkak të padurimit, ajo hëngri frutin e ndaluar. (Zanafilla 3:1-6) Ç’mund të themi për të shoqin? Edhe ai mund të ketë shfaqur padurimin e tij, duke shkuar pas Evës në mëkat, pa iu drejtuar së pari për ndihmë apo drejtim Atit të tij qiellor, Jehovait. Lakmia e tyre, e shoqëruar ndoshta me padurimin që i çoi në mëkat, pati pasoja fatale për të gjithë ne. Prej tyre ne kemi trashëguar prirjen për të kryer mëkate, përfshi edhe atë të arrogancës dhe të padurimit.​—Romakëve 5:12.

Pothuajse 2.500 vjet pas mëkatit të prindërve tanë të parë, populli i zgjedhur i Perëndisë, izraelitët, treguan një mungesë të thellë e të vazhdueshme besimi, si edhe një mungesë durimi. Edhe pse Jehovai i kishte çliruar në mënyrë të mrekullueshme nga skllavëria në Egjipt, ata shumë shpejt «i harruan veprat e tij» dhe «nuk pritën për këshillën e tij». (Psalmi 106:7-14, BR) Vazhdimisht ata ranë në gabime serioze, pasi nuk ishin të duruar. Bënë një viç prej floriri dhe e adhuruan; murmuritën për manën, këtë sigurim material që Jehovai kishte marrë për ta; madje shumë prej tyre edhe u rebeluan kundër përfaqësuesit të caktuar në mënyrë hyjnore nga Jehovai, Moisiut. Vërtet, mungesa e durimit u solli atyre hidhërime dhe shkatërrim.

Mbreti i parë njerëzor i Izraelit, Sauli, humbi mundësinë që bijtë e tij të bëheshin pasardhës mbretërorë. Përse? Sepse nuk duroi të priste profetin Samuel, i cili duhej të bënte një flijim për Jehovain. Frika nga njeriu bëri që Sauli të shkonte para Samuelit, duke e bërë vetë flijimin. Imagjino si duhet të jetë ndier ai, kur Samueli erdhi menjëherë pasi kishte përfunduar ceremonia! Sikur të kishte pritur vetëm edhe disa minuta më shumë!​—1. Samuelit 13:6-14.

Sikur Eva të kishte pritur Adamin, në vend se të nxitonte për të marrë frutin! Sikur izraelitët të kishin pritur për këshillën e Jehovait! Po, durimi do të kishte ndihmuar për të shpëtuar ata dhe ne nga shumë hidhërime dhe vuajtje.

Shkaqe padurimi

Bibla na ndihmon të kuptojmë një nga shkaqet kryesore të padurimit të sotëm. Letra e dytë drejtuar Timoteut, në kreun 3 e përshkruan brezin tonë se po jeton në «kohë të vështira». Ajo thotë se njerëzit «do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë . . . të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën». (Vargjet 2, 3) Një qëndrim i tillë lakmitar dhe egoist ka infektuar zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve, duke e vështirësuar për të gjithë, madje edhe për të krishterët e vërtetë, ushtrimin e durimit. Kur shohim njerëz nga bota që i ngasin makinat me tepër shpejtësi, që futen pa radhë para të tjerëve ose që na ofendojnë, durimi ynë vihet në provë tej mase. Mund të tundohemi për t’i imituar apo për t’ua kthyer, duke e ulur kështu veten në nivelin e krenarisë së tyre egoiste.

Nganjëherë janë vetë përfundimet tona të gabuara që na bëjnë të humbim durimin. Vërej se si e portretizoi mbreti i mençur, Solomoni, lidhjen midis arsyes së nxituar e të gabuar dhe sjelljes së paduruar e të zemëruar: «Më mirë ai që ka frymë të durueshme se ai që ka frymë krenare. Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.» (Eklisiastiu 7:8, 9) Nëse lejojmë kohë për të pasur një pamje të plotë e të saktë të situatës përpara se të reagojmë ndaj saj, ka të ngjarë që të tregohemi më të kuptueshëm, më të dhembshur e më të durueshëm me të tjerët. Nga ana tjetër, një frymë krenare dhe egoiste mund të na bëjë me mendje të mbyllur, të paduruar dhe të hidhur, si izraelitët murmuritës dhe qafëtrashë, të cilët e mundonin Moisiun.​—Numrat 20:2-5, 10.

Një shkak tjetër i rritjes së padurimit në botë është gjendja e pashpresë, që ka ardhur si rezultat i largimit nga Jehovai. Davidi e shprehu nevojën e njerëzimit për të pasur shpresë në Jehovain: «Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.» (Psalmi 62:5) Shumë njerëz që nuk e njohin Jehovain kanë një pikëpamje të kufizuar e të errët, prandaj përpiqen të rrëmbejnë edhe sado pak kënaqësi e të përfitojnë përpara se t’u vijë fundi. Ashtu si ati i tyre frymor, Satana Djalli, ata shpesh as që e vrasin mendjen se veprimet e tyre mund të dëmtojnë të tjerët.​—Gjoni 8:44; 1. Gjonit 5:19.

Nuk habitemi, pra, që sot durimi është kaq i rrallë. Ky sistem i lig dhe egoist gjërash, perëndia i tij, Satanai dhe prirjet mëkatare të trupit tonë të rënë, e bëjnë të vështirë për të gjithë, edhe për të sinqertët, që të jenë të durueshëm. Megjithatë, Bibla na nxit të «ushtrojmë durim», veçanërisht në lidhje me plotësimin e qëllimeve të Perëndisë. (Jakovit 5:8, BR) Përse durimi është kaq i vlefshëm? Çfarë dobish mund të na sjellë?

Përse durimi është kaq i vlefshëm?

«Shërbejnë edhe ata që rrinë e presin.» Këto fjalë u thanë nga poeti anglez Xhon Milton mbi treqind vjet më parë, në sonetën «Në verbërinë e tij». Në fillim të poemës, ai shprehu zhgënjimin dhe ankthin që provonte, duke mos u ndier në gjendje për t’i shërbyer plotësisht Perëndisë, pasi ishte verbuar në moshën 40 vjeçare. Por siç kuptojmë edhe nga rreshti i fundit i cituar i poemës, ai e kuptoi se një person mund ta adhurojë Perëndinë, duke përballuar me durim mjerimet dhe duke kërkuar me qetësi raste të mundshme shërbimi. Milton e kuptoi vlerën e besimit me durim në Perëndinë.

Shumë prej nesh mund të kenë pamje të mirë, por të gjithë kemi kufizime, të cilat mund të na bëjnë të zemëruar apo të merakosur. Si mund të fitojmë e të ushtrojmë durim?

Shembuj inkurajues

Bibla na siguron shembuj të ndryshëm të një durimi të shkëlqyer. Durimi i Jehovait bën të mundur që miliona e miliona njerëz të kenë jetën e përhershme. (2. Pjetrit 3:9, 15) Në ftesën e tij të dhembshur, që të marrim zgjedhën e tij dhe të gjejmë «prehje për shpirtrat [tanë]», Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur durimin e madh të Atit të tij. (Mateu 11:28-30) Meditimi mbi shembujt e Jehovait e të Jezuit do të na ndihmojë të jemi edhe më shumë të durueshëm.

Një person që dukej se kishte arsye të mëdha për të qenë i zemëruar, i hidhëruar apo hakmarrës, ishte biri i Jakobit, Jozefi. Vëllezërit e kishin trajtuar me shumë padrejtësi, duke komplotuar për vdekjen e tij e më në fund, duke e shitur në skllavëri. Në Egjipt, edhe pse i shërbeu Potifarit me ndërgjegje dhe besnikëri, Jozefi u akuzua e u burgos në mënyrë të padrejtë. Ai i kaloi me durim të gjitha sprovat, duke kuptuar ndoshta se ato i shërbenin qëllimeve të Jehovait. (Zanafilla 45:5) Pasi kishte kultivuar besim e shpresë në Jehovain, bashkë me përulësinë dhe kuptueshmërinë, Jozefi mundi të ushtronte durim madje edhe në rrethana shumë të vështira.

Një ndihmë tjetër e rëndësishme është fryma e shenjtë e Jehovait. Nëse, për shembull, inatosemi shpejt dhe kemi një gjuhë sarkastike, mund të lutemi për ndihmën e frymës së shenjtë, në mënyrë që të mund të kultivojmë frytin e saj. Meditimi mbi secilin nga këto fryte, si shpirtgjerësia dhe vetëkontrolli, do të na ndihmojë të kuptojmë se si ato janë të lidhura ngushtë me durimin.​—Galatasve 5:22, 23.

Dobitë e durimit

Durimi do të na sjellë shumë dobi. Do të forcojë karakterin tonë e do të na mbrojë për të mos kryer veprime të nxituara e të pamençura. Kush prej nesh nuk ka bërë gabime të dëmshme, për shkak se kemi reaguar me shpejtësi në rrethana të vështira apo shqetësuese? Mund të kemi thënë ndonjë fjalë të pakëndshme apo mund të jemi sjellë pa edukatë. Mund të kemi lejuar që një ndodhi e parëndësishme, të shndërrohet në një betejë të zjarrtë tekanjoze, me ndonjë person të dashur. Pas shumë zemërimesh, vuajtjesh e dhimbjesh, mund të kemi menduar të penduar: «Sikur të kisha pritur vetëm edhe pak.» Ushtrimi i durimit mund të na mbrojë nga shumë lloje hidhërimi. Vetëm ky fakt i jep jetës sonë edhe më shumë paqe, qëndrueshmëri dhe kënaqësi.​—Filipianëve 4:5-7.

Duke qenë të durueshëm, do të kemi edhe një ndihmë për të pasur një zemër të qetë e të besueshme. Kjo do të bëjë që të gëzojmë shëndet më të mirë fizik, emocional dhe frymor. (Proverbat 14:30) Nëse nuk kontrollohet, zemërimi i ndezur mund të shkaktojë sëmundje të rënda emocionale dhe fizike, si edhe vdekjen. Në anën tjetër, duke qenë të durueshëm, mund të fitojmë një qëndrim edhe më pozitiv kundrejt të tjerëve, veçanërisht ndaj vëllezërve tanë frymorë dhe pjesëtarëve të familjes. Në këtë mënyrë do të jemi më të prirë për të qenë të dhembshur e të dobishëm, në vend se zemërakë dhe kritikë. Si rrjedhim, të tjerët do ta kenë më të lehtë e më të pëlqyeshme të jenë në shoqërinë tonë.

Pleqtë në kongregacionin e krishterë, kanë veçanërisht nevojë të ushtrojnë durim. Disa herë, shokët e tyre të krishterë u afrohen për probleme serioze. Këta persona të sinqertë mund të çorientohen, të mërziten apo të brengosen, ndërsa pleqtë mund të jenë të lodhur apo të shpërqendruar nga problemet e tyre personale apo të familjes. Megjithatë, sa e rëndësishme është që pleqtë të ushtrojnë durim në rrethana të tilla sprovuese! Në këtë mënyrë, ata mund të mësojnë «me butësi» dhe «të sillen me kopenë me dashuri të butë». (2. Timoteut 2:24, 25; Veprat 20:28, 29) Është në lojë jeta e çmuar e shumë personave. Çfarë bekimi janë për kongregacionin pleqtë e sjellshëm, të dashur e të durueshëm!

Kryetarët e familjeve duhet të sillen me familjarët e tyre me durim, kuptueshmëri dhe mirësi. Gjithashtu, ata presin dhe duhet të inkurajojnë të gjithë pjesëtarët e familjes që të ushtrojnë të njëjtat cilësi. (Mateu 7:12) Kjo do t’i kontribuojë shumë dashurisë dhe paqes në shtëpi.

Ushtrimi i durimit, ndërsa gjenden në shërbimin në fushë, do t’i ndihmojë shërbëtorët e krishterë ta gëzojnë plotësisht këtë shërbim. Do të jenë edhe më të aftë për të duruar çdo indiferencë dhe kundërshtim që do të takojnë. Në vend se të grinden me të zotët e shtëpive, që mund të jenë të zemëruar, shërbëtorët e durueshëm do të kenë mundësi të japin një përgjigje të butë apo të ikin në qetësi, duke ruajtur kështu paqen dhe gëzimin. (Mateu 10:12, 13) Për më tepër, kur të krishterët sillen me të gjithë me durim dhe mirësi, njerëzit ngjashëm deleve do të tërhiqen prej mesazhit të Mbretërisë. Jehovai i ka bekuar përpjekjet e durueshme në një shkallë botërore, në mënyrë të tillë që qindra e mijëra kërkues të butë të së vërtetës, mblidhen çdo vit në kongregacionin e dashur të Jehovait.

Vërtet, ushtrimi i durimit do të na sjellë dobi të shkëlqyera. Do të shmangim shumë përplasje dhe probleme të shkaktuara ngaqë s’jemi treguar të përmbajtur apo ngaqë jemi treguar tepër të shpejtuar në të folur. Do të jemi më të lumtur, më të qetë e ndoshta edhe më të shëndetshëm. Do të provojmë gëzim e paqe më të madhe në shërbimin tonë, në kongregacion dhe në shtëpi. Por më e rëndësishmja, do të gëzojmë një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndinë. Pra, shpreso në Jehovain! Ushtro durim!

[Shënimi]

a Emri është ndryshuar.

[Figurat në faqen 10]

Sa i durueshëm je ti në jetën e përditshme?

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo