Sa vlen një Bibël?
KOHËT e fundit, Libraria Britanike pranoi të jepte një shumë të barabartë me 148.800.000 lekë për një kopje të përkthimit në anglisht të Shkrimeve të Krishtere Greke, përkthyer nga Uilliam Tindal. Është botuar 468 vjet më parë dhe është e vetmja kopje e plotë e botimit të parë të Biblës së Tindalit, që u ka mbijetuar përpjekjeve të vendosura për ta shkatërruar. Kjo Bibël qe paraqitur publikisht në Londër.
Bibla e Tindalit u ble nga Kolegji Baptist i Bristolit në Angli, ku mbahej që nga 1784-a. Dr. Roxher Hajden, nënpresident i komitetit të kolegjit, tha: «Ky është një dokument kombëtar, kulturor dhe i krishterë me rëndësi të paçmuar, prandaj do të donim të ishte më i përhapur, duke qenë se e kemi mbajtur në qilar.»
Për shekuj me radhë, Bibla disponohej kryesisht në latinisht dhe mund të lexohej vetëm nga kleri dhe elita me persona të arsimuar. Ashtu si Xhon Uajklif para tij, Tindali donte të vinte në dispozicion një Bibël që mund të lexohej dhe kuptohej nga të gjithë. Njëherë, ai i tha një kleriku që e kundërshtonte: «Nëse Perëndia do të ma kursejë jetën, s’do të kalojë shumë kohë e do të bëj që një djalosh që drejton plugun t’i njohë Shkrimet më mirë se ju.»
Ishte një iniciativë e rrezikshme, pasi kleri kundërshtonte me zemërim çdo përpjekje për t’i vënë Shkrimet në dispozicion të njerëzve të thjeshtë. Si pasojë, Tindali u arratis nga Anglia për në Gjermani. Atje ai përktheu «Dhiatën e Re» nga greqishtja origjinale. U botuan rreth 3.000 kopje dhe u futën fshehurazi në Angli. Peshkopi i Londrës bleu të gjitha kopjet që mundi të gjente dhe i dogji publikisht në oborrin e kishës së Shën Pavlit. Përfundimisht, Tindalin e kapën, e nxorën në gjyq dhe e dënuan për herezi. Në 1536-ën, e mbytën dhe e dogjën në turrën e druve. Sa interesante është se një Bibël aq e urryer nga kleri, tani vlen kaq shumë për të!
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen me të gjitha forcat për ta ndarë njohurinë e saktë të Biblës me të gjithë ata që e kërkojnë. Përveç shtypjes dhe shpërndarjes së versioneve të tjera, ata kanë nxjerrë nga gjuhët origjinale përkthimin e tërë Biblës, që është si e saktë, ashtu edhe e lehtë për t’u lexuar. Deri në 1995-ën, janë botuar mbi 74.000.000 kopje të Përkthimit Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta në 12 gjuhë. Pa dyshim, vlera e vërtetë e çdo Bible qëndron në mesazhin e saj jetëshpëtues.
[Figura në faqen 32]
Uilliam Tindal
[Burimi]
Nga një gdhendje e vjetër e Bibliothèque Nationale