Ne nuk dalim në pension!
«NE NUK DALIM NË PENSION» Kjo është ajo që ndien, kur viziton një shtëpi të pazakontë në Tokio, në Japoni. Aty jeton një familje me 22 burra e gra, që mesatarisht i kanë arritur të 70-at. Nuk janë bashkuar nga lidhjet e gjakut, por nga një interes i përbashkët: shërbimi misionar. Ata kanë ngulmuar në veprën plotkohore të predikimit që kap shumën e përbashkët prej 1.026 vjetësh! Tre më të vjetrit kanë lindur në 1910-ën. Shtatë prej tyre e kanë filluar shërbimin e tyre të plotë kohor, kur akoma ishin adoleshentë. Nëntë prej tyre e kanë parë rritjen e veprës së predikimit të Mbretërisë në Japoni që në fillimet e saj pas Luftës II Botërore.—Isaia 60:22.
Megjithatë, ish-ndërtesa me gjashtë kate e zyrës së degës Watch Tower është një vend ku merret inkurajim, veçanërisht për shkak të frymës dhe prirjes mbizotëruese të misionarëve që banojnë aty. Megjithëse pjesa më e madhe e tyre kanë kufizime fizike lidhur me moshën dhe shëndetin, asnjëri nga këta luftëtarë frymorë nuk pranon të dorëzohet. Dëshmitarët japonezë e kanë restauruar ndërtesën nga fillimi në fund për ta, ku kanë bërë edhe një Sallë Mbretërie në katin përdhes dhe një ashensor.
Çfarë i bën ata të lumtur
Pasi kanë kaluar shumë vjet në caktimin e tyre, këta misionarë ndihen si në shtëpinë e tyre. «Kur u ktheva në Australi për kongresin krahinor verën e kaluar,—thotë një nga më të moshuarat e familjes,—vetëm pas dy javësh mezi prisja të kthehesha në Japoni!» Ata i duan njerëzit e zonës ku shërbejnë dhe kanë kultivuar dashuri përzemërsisht të thellë për ta. Të gjithë misionarët i çmojnë shumë letrat dhe telefonatat që u kujtojnë aktivitetet e ditëve të kaluara.
Ky është rezultat i një shërbimi të zellshëm. Të nxitur nga dashuria për Jehovain, këta misionarë e kanë predikuar Fjalën e Perëndisë me urgjencë nën rrethana të ndryshme. (Krahaso 2. Timoteut 4:2.) «Jemi stërvitur për të qenë të gëzuar, sepse i shërbejmë Jehovait,—thotë Vera Mekai, e cila ka shërbyer në Japoni për 37 vjet me radhë.—Edhe kur askush nuk del në derë, ne jemi aty për të dëshmuar për Jehovain.»
Dymbëdhjetë prej këtyre misionarëve nuk kanë qenë kurrë të martuar e megjithatë janë të lumtur që mund t’i shërbejnë Zotërisë pa shpërqendrim. (1. Korintasve 7:35) Gledis Gregori, e cila ka shërbyer si misionare për 43 vjet, është njëra prej tyre. Ajo thotë: «Që të kisha më shumë liri për t’i shërbyer Jehovait, fillova veprën e pionierit, më vonë shkova në Galaad [shkolla biblike Watch Tower e Galaadit] dhe më pas në veprën misionare. Pa bërë asnjë betim që të mbetesha beqare, unë mbeta e tillë dhe ashtu si shumë Dëshmitarë të tjerë, nuk më ka ardhur keq për këtë.»
Të gatshëm për t’u përshtatur
Megjithëse kur mplaken disa bëhen kryeneçë, misionarët janë treguar të gatshëm për t’u përshtatur. Lois Dier, Mali Harën dhe Lena e Margrit Uinteler ishin në një shtëpi të vogël misionare në një zonë banimi të Tokios. Ato jetuan atje për më shumë se 20 vjet dhe u lidhën shumë me njerëzit e asaj zone. Në territoret përkatëse, motrat Uinteler kishin në itinerarin e tyre të revistave 40 persona, ndërsa Mali dhe Loisi kishin 74. Më pas, Shoqata u kërkoi të transferoheshin në shtëpinë misionare gjashtë katëshe, në qendër të Tokios. «Në fillim isha pak e dëshpëruar dhe e palumtur»,—pranon Lena. Megjithatë, si gjithmonë ato iu përshtatën caktimit të ri. Si ndihen tani? «Shumë e lumtur,—përgjigjet Lena.—Tani, dy vëllezër bethelitë janë këtu me ne për të na gatuar dhe pastruar shtëpinë. Asgjë nuk na mungon.» Të gjithë janë të një mendjeje me Loisin, e cila tha: «Kujdesi i dashur që na siguron organizata e Jehovait, na ndihmon të ngulmojmë.»
Edhe Norrin Tomson iu përshtat rrethanave të reja. «Për 15 vjet,—thotë ajo,—kam pasur privilegjin të shoqëroj tim shoq [i ardhur nga Zelanda e Re] në veprën krahinore, kur e gjithë Japonia përfshihej vetëm në një krahinë.» Por shëndeti i të shoqit u keqësua e asaj iu desh të përballonte sprovën më të madhe të jetës së saj: vdekjen e tij 18 vjet më parë. «Në atë kohë,—thotë ajo,—ajo që më mundësoi të vazhdoja në veprën misionare ishte dashuria e vëllezërve në të gjithë Japoninë bashkë me lutjen dhe zënien e kohës me shërbimin.»
Qëndrueshmëri edhe me probleme shëndetësore
«Pjesa më e madhe e tyre kanë ndonjë problem me shëndetin, megjithatë janë të gëzuar dhe dëshira e tyre për të shërbyer është një nga cilësitë më të spikatshme»,—thotë Albert Pastor, mbikëqyrësi i shtëpisë misionare. Për t’u kujdesur për misionarët, është caktuar një mjek dhe e shoqja që është infermiere.
Një ditë, rreth tre vjet më parë, Elsi Tanigava, e diplomuar në klasën e 11-të të Galaadit, papritur e pakujtuar humbi shikimin në syrin e majtë. Katër muaj më pas, iu infektua edhe syri i djathtë. «Ndonjëherë dëshpërohem pak që nuk mund të shërbej si njëherë e njëkohë. Por me të gjitha sigurimet e dashura të Shoqatës dhe kujdesin e dashur të partneres sime dhe të tjerëve, vazhdoj të gjej gëzim në shërbimin e Jehovait»,—thotë Elsi.
Shiniki Tohara dhe e shoqja, Masako, që ishin shokë klase me Elsin në Galaad, kanë përballuar shumë sprova lidhur me shëndetin vitet e fundit. Për një orator të aftë, Shinikin, është një sfidë e madhe të mos mundë të shohë shënimet, për shkak të shikimit gjithnjë e më të dobët. Megjithëse ka kaluar ndërhyrje kirurgjikale të vogla e të mëdha këto vitet e fundit, i shkëlqejnë sytë kur flet për një 90-vjeçar me të cilin studion.
Megjithëse kanë «një gjemb në mish», këta misionarë e shikojnë dobësinë e tyre si apostulli Pavël, i cili tha: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.» (2. Korintasve 12:7-10) Në fakt, të fuqishëm janë vërtet! Çdo mëngjes janë gati për adhurimin e mëngjesit në orën shtatë. Pas mëngjesit, ata që janë të aftë fizikisht, që në orët e para të mëngjesit dalin në shërbimin në fushë.
Riçard dhe Mërtël Shiroma janë ndër ata që shkojnë rregullisht në shërbimin në fushë. Nga viti 1978, Mërtël pati disa goditje arterioskleroze në tru, megjithatë vazhdoi ta shoqëronte të shoqin në veprën udhëtuese deri në nëntor të 1987-ës. Tani, Riçardi që vetë i ka kapur të 70-at, e ndihmon Mërtëlin të bëjë gjithçka. Ai çohet në 500 të mëngjesit, e çon nga krevati, e lan, e vesh, e kreh dhe e ushqen. Pastaj, çdo mëngjes e nxjerr jashtë me karrige me rrota për shërbim në fushë, duke shkuar për rreth një orë në shërbimin shtëpi më shtëpi dhe pastaj duke u dëshmuar njerëzve nëpër stacionet e autobusit. Mërtël nuk mund të flasë më, por fjalët e fundit që shqiptoi ishin Dendo, dendo, që në japonisht do të thonë «predikim, predikim».
Vajza e tyre, Sandra, ka vajtur në shtëpinë misionare për t’i ndihmuar. Kohët e fundit, Sandrës i vdiq i shoqi nga një atak kardiak. Ajo e çmon rregullimin që Shoqata bëri duke e kthyer atë nga Guami, ku më parë kishte shërbyer si misionare bashkë me të shoqin, përsëri në Japoni. «Gjithmonë e ndieja se nuk po bëja shumë për të ndihmuar prindërit, sepse isha në Guam,—thotë ajo.—Motra ime, Joana, kujdesej për ta në këtë shtëpi. Prandaj, kur m’u dha mundësia, u gëzova. Fakti se ndihem e nevojshme këtu ka qenë si një terapi për mua që pas vdekjes së papritur të tim shoqi.»
Vazhdojnë të ecin përpara
Edhe pse i ndiejnë pasojat e moshës, misionarët nuk heqin dorë nga fryma e tyre misionare. (Psalmi 90:10; Romakëve 5:12) Xheri dhe Joshi Toma, që ishin ndër të diplomuarit e parë të Galaadit që vajtën në Japoni, vazhdojnë të shkojnë akoma në territorin tregtar në qendër të Shibujas. «Kur erdhëm në ndërtesën dy katëshe që ishte këtu në 1949-ën, ne shkonim strehim më strehim. Tani Tokio është kthyer në një kryeqytet. Ne jemi të vjetër, nuk mund të bëjmë aq shumë si njëherë e njëkohë. Megjithatë, vijmë nga predikimi shumë të freskuar»,—thotë Joshi.
Liliana Samson ka qenë misionare në Japoni për 40 vjet dhe e kryen shërbimin me shumë gëzim. «Tani po ndihmoj një grua 80-vjeçare që studionte me partneren time, Adelina Nakon, e cila është kthyer në Havai, për t’u kujdesur për nënën e saj të sëmurë. Kohët e fundit, gruaja pasi ka mposhtur problemin e adhurimit të stërgjyshërve, është bërë një lajmëtare e Mbretërisë. Ajo shkoi në tempull dhe i tha gruas së priftit: ‘Jam bërë e krishterë!’» Me gëzime si ky në jetë, Liliana kurrë nuk e ka qarë me lot ditën kur në moshën 19-vjeçare e la punën e saj në botë dhe filloi veprën pionieres.
Ruth Alrik dhe Marta Hess, partnere misionare për më shumë se 45 vjet, kanë punuar në këtë shtëpi misionare që prej 35 vjetësh. Ato janë mjaft të njohura në territor. Njëherë një mbikëqyrës qarkor i tha Martës: «A mund ta marr hua fytyrën tënde për të shkuar derë më derë?» Njerëzit e njihnin fytyrën e Martës dhe zgjasnin dorën për të marrë revistat, ndërsa mbikëqyrësi qarkor mezi fillonte një bisedë.
Në itinerarin e saj të revistave, Rutha kishte një grua që nuk mund të lexonte, për shkak të problemeve shëndetësore. Megjithatë, vazhdonte t’i merrte revistat e madje pranoi edhe librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë (angl.). Rutha pyeste veten nëse duhej të vazhdonte t’ia jepte revistat, pasi në dukje askush nuk e lexonte literaturën. Një ditë, bashkëshorti i gruas iu afrua Ruthës me librin Kërkim, dhe i tha: «Ky është libër i mrekullueshëm. E kam lexuar dy herë nga fillimi në fund.» Rutha filloi një studim biblik me të dhe me të shoqen.
Vetë shtëpia misionare tërheq njerëz të interesuar. Një mbrëmje, një i ri vjen në shtëpi e thotë: «E di se po të vij këtu, mund të më ndihmoni të njoh Biblën.» Ai filloi një studim biblik. Punonte si kuzhinier në një restorant kinez bashkë me një grua beqare, e cila ishte përjashtuar nga kongregacioni prej shumë vjetësh. Revistat e lëna nga një lajmëtar që kishte shkuar në restorant u gjendën në kuzhinë. Kuzhinierit të ri i pëlqyen dhe filloi t’i bëjë pyetje ish-Dëshmitares. Pasi nuk mund t’u përgjigjej atyre, ajo i tha të vizitonte shtëpinë misionare. Tani ai shërben si shërbëtor ndihmës dhe pionier. Me kalimin e kohës edhe gruaja e përjashtuar, u rivendos dhe kohët e fundit është bërë pioniere e rregullt.
Të gjithë misionarët në shtëpi e çmojnë atë që Jehovai ka bërë për ta. Ata vijnë nga Australia, Kanadaja, Havai, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara, ku 11 prej tyre kanë marrë pjesë në klasën e 11-të ose në klasat më të hershme të shkollës misionare të Galaadit. Ata kanë parë progresin e veprës së Mbretërisë në Japoni dhe kanë ndier atë që tha Davidi: «Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psalmi 37:25) Duke çmuar kujdesin e dashur të Perëndisë, këta misionarë janë të vendosur të mos dalin në pension, por të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait.