Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Populli i Perëndisë ofrohet vullnetarisht
QUHEJ Jozef dhe ishte vendas i ishullit të Qipros. Ishte midis atyre të krishterëve të shekullit të parë që shisnin fusha dhe shtëpi për të kontribuar në mënyrë financiare në përparimin e krishterimit. Për shkak të zemrës së tij të mirë dhe të bujarisë së tij, ai u bë i njohur si Barnaba, që do të thotë «Biri i ngushëllimit».—Veprat 4:34-37.
Një interes i tillë i vërtetë për të tjerët ka qenë gjithmonë një shenjë dalluese për adhuruesit e vërtetë të Jehovait. Dëshmitarët e sotëm të Jehovait nuk janë ndryshe, siç tregon përvoja vijuese që vjen nga Ishujt Salomon.
Një grup prej më tepër se 60 Dëshmitarësh nga Australia dhe Zelanda e Re udhëtuan për në Honiara, kryeqytet i Ishujve Salomon në Guadalkanal. Ata erdhën për të asistuar në ndërtimin e një Salle Asambleje për grupe të mëdha të krishterësh. U harxhuan vetëm nja dy javë për të ndërtuar një sallë me një kapacitet prej 1.200 vendesh.
Në po këtë kohë, autoritetet lokale të qytetit të vogël të Mundas, në ishullin e Gjeorgjisë së Re, i dhuruan kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait një copë truall pikërisht në qendër të qytetit. Dëshmitarët donin të ndërtonin një Sallë Mbretërie; një vend për adhurim. Dhe ata kishin me të vërtetë nevojë për një të tillë. Deri në atë moment, ata mblidheshin në një shtëpi të vogël të bërë prej gjethesh dhe nuk kishin fonde për të ndërtuar një Sallë Mbretërie.a Kongregacioni ishte i përbërë në shumicën e tij, prej personash të moshuar, shëndetligë dhe fëmijë prandaj nuk kishte asnjë me përvojë në zanatin e ndërtimit.
Rreth 380 km më tej, në ishullin e Guadalkanalit, në qytetin e Honairas, Dëshmitarët u ofruan vullnetarisht. (Psalmi 110:3) Ata arsyetuan në këtë mënyrë: «Nëse vëllezërit tanë në vendet e tjera ishin të gatshëm për të ndërtuar një Sallë Asambleje për ne në dy javë, atëherë ne sigurisht që mund të shkojmë për t’i ndihmuar vëllezërit tanë në Munda dhe t’u ndërtojmë atyre një Sallë Mbretërie në dy javë.»
Kështu ndodhi me të vërtetë. Një ditë, arriti në Munda një traget i mbushur me Dëshmitarë vullnetarë të gëzuar dhe të paduruar për të filluar punën. Burra dhe gra, të vjetër e të rinj, të gjithë iu futën punës për të shkarkuar ngarkesën dhe për të filluar ndërtimin duke përdorur trarë, çimento, llamarinë dhe materiale të tjera që kishin arritur në Munda përpara tyre.
Pak pasi kishte filluar puna, një stuhi e fortë, preu ujësjellësin e qytetit. Megjithatë, ky nuk rezultoi si një problem i pakapërcyeshëm. Dëshmitarët gërmuan një pus që i furnizonte me ujë gjatë gjithë periudhës së ndërtimit. Ç’mund të themi për ushqimin e të gjithë punëtorëve? As ky nuk ishte një problem. Kongregacionet e Honairas u kishin siguruar vullnetarëve përpara se të niseshin, të gjithë ushqimin që do të kishin nevojë. Madje dërguan deri edhe kuzhinierët e tyre!
Duke parë përparimin e projektit, fqinjët nuk u besonin syve. Njëri prej tyre tha: «Zakonisht, ndërtimet këtu nuk kërkojnë ditë, por vite.» Një tjetër fqinj, një udhëheqës fetar, pohoi se kisha e tij ishte në ndërtim e sipër që prej 20 vjetësh dhe se akoma nuk kishte mbaruar. Në kontrast, Salla e re e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Munda mbaroi vetëm në dhjetë ditë!
[Shënimi]
a Një shtëpi gjethesh është e bërë me materiale të prera nga shkurre dhe xhungla. Karkasa është e bërë prej shkopash e hunjsh dhe çatia e muret janë të mbuluara me panele të bëra nga fletë palmash të palosura mbi shkopinj dhe të thurura me bimë kacavjerrëse.
[Hartat në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Paqësori Jugor
ISHUJT SALOMONE
Munda
GUADALKANAL
Honiara
[Harta]
AUSTRALIA
ZELANDA E RE