Republika Domenikane: Ka akoma për të zbuluar
KRISTOFOR KOLOMBI, që i ri zgjodhi jetën në det, e cila e çoi përfundimisht në zbulimin e ishujve që sot njihen si Inditë Lindore. Në dhjetor të vitit 1492, anija e tij kryesore Santa María, zbuloi tokën e bregdetit verior të ishullit Española, i njohur sot si ishulli Hispaniola, i përbërë nga Haiti dhe Republika Domenikane. Atje Kolombi formoi koloninë e parë evropiane, një fortesë e ndërtuar me nxitim të madh të cilën e quajti La Navidad. Ky ishull u bë qendra e eksplorimeve të tij të mëtejshme.
Kolombi zbuloi se ishulli zotërohej nga një popull i bukur, i besës dhe mikpritës, indianët taino. Në atë kohë ata numëroheshin në rreth 100.000. Por për shkak të trajtimit të egër të pushtuesve, interesi i të cilëve në fillim ishte për të gjetur ar, numri i popullatës vendase u zvogëlua me të shpejtë. Në vitin 1570, nuk kishin mbetur veçse rreth 500 indianë taino.
Sot, Republika Domenikane është e populluar nga njerëz të shumë rracave dhe ngjyrave, stërgjyshërit e të cilëve kanë emigruar këtu. Por duke qenë një popull miqësor dhe i qetë, me sa duket popullata e këtij vendi i ka ruajtur shumë mirë karakteristikat e tainëve. Kjo, bashkë me një besim të sinqertë tek Perëndia dhe respekt për Biblën, e ka bërë veprën e predikimit dhe të mësimit të Dëshmitarëve të Jehovait në këtë vend, mjaft të suksesshme.
Zbulim i një natyre tjetër
Misionarët e parë të Shoqatës Watch Tower, Lennart dhe Virginia Johnson, arritën në Republikën Domenikane gjatë kohës së diktatorit Trujillo. Ata zbuluan për kënaqësinë e tyre të madhe, se shumë iu përgjigjën shpejt dhe pozitivisht mesazhit biblik. Megjithatë, kjo nuk u pëlqeu aq shumë autoriteteve dhe këshilltarëve të tyre fetarë. Menjëherë, filloi një valë persekutimesh dhe besimi i këtyre Dëshmitarëve domenikanë të asaj kohe u vu përballë provave të ashpra. Edhe sot e kësaj dite, flitet shumë për besnikërinë dhe besimin që ata kanë mbajtur, në disa raste madje deri në vdekje.
Dëshmitarët e Jehovait, që tani në vend janë rreth 16.000, janë të njohur mirë. Pak kohë më parë, pesë stacione televizive kombëtare, transmetuan videon Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit.a
Kjo i dha shumë publicitet veprës së Dëshmitarëve, jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në qytetet e vogla si edhe në disa zona fshatrash. Prandaj, Dëshmitarët organizuan një fushatë të veçantë për të shtrirë predikimin e lajmit të mirë në këto zona të largëta.
Bekime
Shumë të rinj Dëshmitarë, energjikë dhe të zellshëm dolën vullnetarë për të kaluar një periudhë prej dy muajsh në këto territore mjaft të largëta. Përpjekjet e tyre u shpërblyen mirë. Në një zonë, dy Dëshmitarë zbuluan interes të veçantë. Pasi ishte koha që bëhej Përkujtimi i vdekjes së Jezuit, ata bënë përgatitjet e nevojshme dhe ftuan njerëz. Salla u mbush plot dhe mbledhja u mbajt. Kur ajo mbaroi, për çudinë e tyre të madhe, panë se jashtë sallës ishte një grup tjetër i madh që prisnin turnin e tyre. Kështu që ata i ftuan dhe programi u ripërsërit. Tani në atë zonë, ka një kongregacion.
Natyra bujare dhe miqësore e njerëzve, shpesh i nxiste ata që ta ndanin atë që kishin mësuar me anëtarët e tyre të familjes dhe me të tjerët. Një student biblik, nuk ishte në vete nga gëzimi, kur më në fund u bë i aftë për të marrë pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Ai tashmë kishte pesë studime biblike me fqinjët e tij, por kishte dëshirë që të merrte pjesë akoma më shumë në shërbim.
Pasi ka shumë territor që nuk është përshkruar rregullisht nga lajmëtarët e Mbretërisë, janë bërë përpjekje për t’u predikuar njerëzve nëpër autobusë dhe atyre që vijnë në qytete për punë tregtie apo për pazar. Kjo ka çuar në rezultate pozitive, siç ilustron një përvojë që ka lidhje me një letër të ardhur në zyrën e degës. Ajo vinte nga dy burra që jetonin në një fshat dhe që kërkonin një studim biblik. Kur një Dëshmitar shkoi për t’i vizituar, doli se «burrat» ishin dy djem, njëri 10 dhe tjetri 11 vjeç. Por si kishin mësuar ata rreth rregullimeve për studim biblik? E po mirë, një burrë nga ky fshat kishte ardhur në kryeqytet për punë tregtie. Në rrugë, kishte takuar një Dëshmitar, i cili i kishte ofruar një fletushkë dhe i kishte ofruar një studim biblik falas. Kur u kthye në fshatin e tij, burri ia dha fletushkën një vajze 12 vjeçare dhe i tregoi asaj rreth rregullit të studimit biblik. Vajza nga ana tjetër, ia kaloi informacionin dy djemve, të cilët menjëherë shkruan letrën. Filloi një studim biblik me djemtë, vajzën, burrin dhe dy fëmijët e tij.
Përgjigje e shkëlqyer nga të rinjtë
Me të vërtetë, të rinjtë, si ata të rritur në të vërtetën dhe të tjerët, dukej se e kishin marrë seriozisht adhurimin e Perëndisë. Për shembull, Tamara dhe motra e saj Keila, u pagëzuan të dyja kur ishin 10-vjeç dhe hynë në shërbimin e plotë kohor në moshën 11 vjeç. Wendy Carolina ishte 12 vjeç kur e simbolizoi dedikimin e saj duke u pagëzuar në ujë dhe dy vjet më vonë, në vitin 1985, filloi si pioniere e rregullt. Sot, ajo është një mësuese e aftë e së vërtetës biblike dhe gjen akoma gëzim në shërbimin e plotë kohor. I riu Jovanny, i pagëzuar kur ishte 10 vjeç dhe i bërë pionier i rregullt në moshën 11 vjeç, tani mban katër studime biblike në shtëpi. Kur Rey dhjetë vjeçar zbuloi se një shitës i librave të përdorur kishte një broshurë të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, iu lut së ëmës që t’ia blente. E lexoi atë nga fillimi në fund. Duke kërkuar për më shumë literaturë biblike, më në fund ra në kontakt me zyrën e degës. Sot po gëzon në shërbimin e plotëkohor dhe e ëma e tij gjithashtu i shërben Perëndisë.
Çfarë i ka ndihmuar këta dhe të tjerë të rinj që të çmojnë vlerën e gjërave frymore? Në shumë raste, një rol të rëndësishëm ka luajtur udhëheqja e drejtë nga prindërit. Kështu ka qenë për Josueun, prindërit e krishterë të të cilit janë mësues shkolle. Kur një mbikëqyrës udhëtues sugjeroi që prindërit të ndihmonin së paku njërin nga fëmijët që të merrte shërbimin e plotëkohor, ata i kushtuan vëmendje Josueut. Duke qenë një student i shkëlqyer, Josueu pranoi një bursë nga qeveria për të studiuar për inxhineri. Pas një viti e gjysmë në universitet, ai pranoi ftesën për të marrë pjesë në projektin e ndërtimit të kompleksit të qendrës kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Domenikane. Prindërit e tij, shprehën kënaqësinë e thellë që kishin ofruar birin e tyre në shërbimin e Jehovait.
«Eksploratorë» të ardhur nga vende të tjera
Fjalët e Jezuit «të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak» me të vërtetë mund të aplikohen në fushën lokale. (Mateu 9:37) Nevoja e madhe dhe pritja e shkëlqyer, ka nxitur Dëshmitarë nga vende të tjera që të vijnë të eksplorojnë territorin në kërkim të thesareve moderne—kërkuesit e sinqertë të së vërtetës.
Nga ishulli fqinj i Porto Rikos kanë ardhur familje Dëshmitarësh që kanë gjetur kënaqësi të vërtetë duke shërbyer në zona të ndryshme të Republikës Domenikane. Një kryefamiljar tha: «T’ua shprehësh besimin dhe shpresën tënde, veshëve që janë të gatshëm për të dëgjuar, e bën me të vërtetë të jetojë të vërtetën!» Duke mësuar për nevojën këtu, Cecilia nga Suedia dhe Nia nga Shtetet e Bashkuara erdhën për të shërbyer bashkë me vajza të tjera që janë shërbëtore në kohë të plotë. Ato po shërbejnë në brendësi të vendit, ku lartësia është më e madhe dhe klima është më e butë. Ngjashëm, në malet e freskëta të mbuluara me pyje, dy familje kanadeze u bashkuan me një familje domenikane që ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara. Ata janë pjesë e një kongregacioni të vogël dhe arrijnë personat që nuk kanë qenë vizituar nga Dëshmitarët e Jehovait për rreth dhjetë vjet.
Alfredo dhe Lourdes bashkë me pesë fëmijët e tyre u kthyen nga Nju Jorku dhe janë bashkuar me një kongregacion të vogël në një nga qytetet më të bukura turistike bregdetare. Janë të lumtur që mund të gjejnë persona të sinqertë dhe të ndihmojnë kongregacionin të rritet. Rolandi, një operator kompjuteri nga Austria dhe gruaja e tij, Yuta, janë transferuar në pjesën jugore të vendit, ku klima është e butë dhe e thatë. Pas arritjes së tyre, kanë patur kënaqësinë të shikojnë formimin e një kongregacioni të ri. Në qytetin fqinj, një grup prej tri motrash pioniere dhe një çift nga Kalifornia njoftuan se kishin aq shumë kërkesa për studime biblike saqë nuk mund t’i mbanin dot të gjitha. Kështu që ata i inkurajuan të interesuarit, të merrnin pjesë në mbledhjet në Sallën lokale të Mbretërisë dhe t’i shënonin emrat e tyre në një listë pritëse për një studim biblik. Vëllai i Yutas, Stefani, është duke shërbyer besnikërisht me një kongregacion të vogël, në qytetin e bukur të Samanas, në bregdetin verilindor. Vetëm në dy vjet, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë këtu është dyfishuar.
Dashuria dhe zelli i treguar nga këta dhe të tjerë që kanë ardhur për të ndihmuar, është me të vërtetë për t’u lavdëruar. Ata kanë pranuar jo vetëm sfidën e transferimit në një vend të ri me kultura dhe zakone të ndryshme, por në shumë raste edhe atë për të mësuar një gjuhë të re në mënyrë që të kujdesen për nevojat frymore të personave ngjashëm deleve. Përpjekjet e tyre kanë rezultuar në një përgjigje pozitive nga popullata lokale.
Disa familje domenikane kanë lënë rehatinë e qyteteve të mëdha dhe kanë shkuar nëpër fshatra. Të gjithë janë shpërblyer në mënyrë të pasur me gëzimin për të zbuluar thesaret e vërteta: personat që kërkojnë sinqerisht të vërtetën.
Kërkuesit e thesarit të shekullit të 15-të, nuk sollën bekime, por skllavëri dhe vuajtje të patreguara për popullin vendas të Tainos. Madje edhe vetë Kolombi, nuk nxorri dobi nga thesaret e Botës së Re. Ai përfundimisht u arrestua e i duhej ta linte ishullin që kishte zbuluar duke e kthyer në Spanjë i lidhur me pranga.
Sot, është në vazhdim një lloj tjetër eksplorimi dhe është gjetur një thesar më i çmuar. Populli i Jehovait është i impenjuar për të kërkuar personat e sinqertë që i përgjigjen lajmit të mirë të Mbretërisë. Rezultati është që një shumicë gjithnjë e më e madhe, po gëzon lirinë që vetëm Fjala e Perëndisë mund të sjellë. (Gjoni 8:32) Ata shikojnë përpara, në kohën kur ky vend malesh, me ujëvara të mrekullueshme, plazhe të bukura dhe shpella magjepsëse, jo vetëm që do të bëhet thjesht një ishull parajsor, por edhe pjesë e një bote të re që do të përfshijë gjithë tokën.—2. Pjetrit 3:13.
[Shënimi]
a Prodhuar nga Watch Tower Bible and Tract Society.
[Harta në faqen 24]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Republika Domenikane
[Figurat në faqet 24, 25]
Duke ndjekur shërbimin e plotë kohor, të rinjtë zbulojnë vlerën e gjërave frymore.