Një thesar i paçmuar për t’u shpërndarë
TREGUAR NGA GLORIA MALASPINA
Kur bregu i Siçilisë u zhduk nga sytë tanë, unë dhe burri im filluam të mendonim për destinacionin tonë, në ishullin mesdhetar të Maltës. Sa të emocionuar që ishim! Ndërsa anija përshkonte detin, na erdhi ndër mend përvoja e Pavlit në Maltë gjatë shekullit të parë.—VEPRAT 28:1-10.
ISHTE viti 1953 dhe në Maltë nuk njihej aktiviteti i predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Një vit më parë ne ishim diplomuar nga Shkolla Biblike e Galaadit dhe ishim caktuar për në Itali. Pasi kishim studiuar për një kohë të shkurtër italishten, mezi prisnim të shihnim se çfarë na priste në Maltë.
A doni të dini se si unë, një vajzë e re, u bëra një misionare? Më lini t’jua shpjegoj.
Shembulli frymëzues i nënës sime
Në vitin 1926, kur familja jonë banonte në Fort Franses, në Ontario të Kanadasë, nëna ime pranoi nga një Student Biblik (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) broshurën Miliona që tani jetojnë nuk do të vdesin kurrë. E lexoi atë me interes të zjarrtë dhe po atë javë, mori pjesë në një grup studimi biblik që përdorte revistën Kulla e Rojës. Nëna ime ishte një lexuese e apasionuar e Biblës dhe mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë e pranoi si një thesar që kishte kohë që e kërkonte. (Mateu 6:33; 13:44) Pavarësisht nga kundërshtimi i dhunshëm i babait tim dhe megjithëse kishte tri vajza të vogla për t’u kujdesur, ajo mori anën e së vërtetës.
Besimi i palëkundur i nënës gjatë 20 vjetëve që pasuan, më bëri mua dhe dy motrat e mia më të mëdhaja, Thelma dhe Viola, të vetëdijshme mbi shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në një botë të re të drejtësisë. (2. Pjetrit 3:13) Ajo përballoi shumë prova të vështira, por ne kurrë nuk dyshuam për rrugën e drejtë që kishte zgjedhur.
Në vitin 1931, kur isha vetëm dhjetë vjeçe, u transferuam në një fermë në veri të Minesotës, SHBA. Ishim të izoluar nga shoqëria e rregullt me Dëshmitarët e Jehovait, por jo nga mësimi i Biblës të cilin na e bënte nëna. Shërbimi i saj i devotshëm si një përhapëse, ose shërbëtore e plotë-kohore, më nxiti të bashkohesha me të në këtë vepër. Në 1938-ën, dy motrat e mia dhe unë e simbolizuam dedikimin tonë ndaj Jehovait duke u pagëzuar në një asamble në Duluth të Minesotës.
Në vitin 1938, pasi u diplomova në shkollën e lartë, nëna më inkurajoi të ndiqja një kurs tregtar në mënyrë që të mund të mbaja veten nga ana financiare e kështu të vazhdoja si pioniere (emri i ri i përhapëses). Kjo ishte një këshillë e mirë, veçanërisht sepse babai ishte larguar dhe na kishte lënë vetëm.
Duke e ndarë thesarin tonë në kohë të plotë
Përfundimisht u transferuam në Kaliforni dhe në vitin 1947, unë fillova veprën e pionierit në San Françisko. Ndërsa isha e zënë me punën përgatitore për asamblenë në Los Anxhelos «Shtrirje në të gjitha kombet»,—takova Frensis Malaspina. Qëllimi ynë i përbashkët për t’u bërë misionarë, çoi drejt fillimit të një ndjenje dashurie. Në vitin 1949 u martuam.
Në Shtator të vitit 1951, Frensis dhe unë u ftuam të frekuentonim klasën e 18-të të Galaadit. Pas pesë muajsh mësimi intensiv, në 10 shkurt 1952, ditën e diplomimit, presidenti i shkollës Natan Knor lexoi sipas rendit alfabetik emrat e vendeve në të cilat ishim caktuar. Kur ai tha, «Italia, bashkëshortët Malaspina»,—mendja jonë ishte tashmë në udhëtim!
Disa javë më vonë, i hipëm anijes në Nju Jork për udhëtimin 10-ditor për në Xhenova të Italisë. Xhovani Dakeka dhe Maks Larson, të personelit të qendrës së Bruklinit, ishin në platformë për të na përshëndetur. Në Xhenova u pritëm nga misionarë të cilët i njihnin procedurat e hyrjes në vend.
Të gjallëruar nga çdo gjë që shikonim, i hipëm trenit për në Bolonjë. Kur arritëm, pamja ishte ajo e një qyteti akoma të shfytyruar nga bombardimet e Luftës së II-të botërore. Por kishte edhe shumë gjëra të këndshme, si aroma e papërballueshme e kafes së pjekur që mbushte ajrin e mëngjesit dhe era pikante e salcave të mrekullueshme që përgatiteshin për llojet e panumërta të makaronave.
Realizimi i një qëllimi
E filluam shërbimin me një prezantim të mësuar përmendësh dhe e përsëritnim atë derisa mesazhi pranohej apo mbyllej dera. Dëshira për t’u shprehur vetë na nxiti të studionim gjuhën me zell. Pas katër muajsh, u caktuam në një shtëpi të re misionare, në Naples.
Ky qytet i madh është i njohur për pamjet e tij të mahnitshme. Ishte diçka e bukur të bëje shërbim atje, por pas katër muajsh, im shoq u caktua në veprën qarkore si mbikëqyrës udhëtues për të vizituar kongregacionet nga Roma deri në Siçili. Me kohë, vizituam Maltën, madje edhe Libinë në Afrikën Veriore.
Udhëtimi me tren gjatë këtyre viteve nga Naples në Siçili, ishte një provë e durimit fizik. Hipnim mbi një tren të mbushur plot e përplot dhe qëndronim në korridoret edhe këto të tejmbushura, disa herë për gjashtë ose tetë orë. Megjithatë, ky ishte një rast i mirë për të studiuar njerëzit që na rrethonin. Shpesh një damixhan me verë të bërë në shtëpi, shërbente si sedilje për të zotin i cili herë pas here e kthente nga pak për të lagur fytin që i thahej për shkak të udhëtimit të gjatë. Pasagjerët miqësorë, shpesh e ndanin me ne bukën dhe sallamin e tyre, një gjest mikpritës dhe i ngrohtë të cilin ne e vlerësonim.
Në Siçili u pritëm nga vëllezër të cilët i mbajtën valixhet tona për rreth tre orë e gjysmë, duke u ngjitur nëpër mal deri në kongregacionin që ndodhej në majë të tij. Pritja e ngrohtë që na bënë vëllezërit e krishterë bëri që të harronim lodhjen. Disa herë udhëtonim mbi mushka (të cilat janë më të sigurta në udhëtim), por pa parë kurrë poshtë në thellësi, ku një hap i vetëm i gabuar i mushkës do të shkaktonte rënien në këto humnera. Qëndrimi i vendosur i vëllezërve për të vërtetën e Biblës pavarësisht nga vështirësitë, na forcoi dhe dashuria që treguan ndaj nesh na bëri të ishim mirënjohës që ishim me ta.
Malta dhe Libia
Me mendjen të mbushur me kujtime për vëllezërit tanë në Siçili, u nisëm për në Maltë. Apostulli Pavël kishte gjetur njerëz dashamirës atje, po kështu edhe ne. Një stuhi në gjirin e Shën Pavlit, bëri të kuptonim rrezikun që përballonin anijet e vogla në shekullin e parë. (Veprat 27:39–28:10) Vizita tjetër ishte Libia. Si do të kalonim në këtë vend ku vepra jonë ishte e ndaluar?
Edhe një herë gjetëm një kulturë krejtësisht të ndryshme. Ndërsa ecnim përgjatë kolonave të qendrës së Tripolit, pamjet dhe tingujt e qytetit më tërhoqën vëmendjen. Burrat përdornin veshje të thurura me lesh deveje për t’u mbrojtur nga dielli përvëlues saharian i ditës dhe nga të ftohtët e natës. Mësuam të vlerësonim dhe të respektonim mënyrën që përdornin njerëzit për t’iu përshtatur kushteve klimaterike ku jetonin.
Zelli i kujdesshëm i vëllezërve, na mësoi shumë mbi rëndësinë e të mbështeturit plotësisht në Jehovain e nevojën për të ndjekur mësimet e atyre që kanë më shumë përvojë në predikim në situata të tilla. Vëllezërit tanë ishin nga shumë kombësi; por ata vepronin në harmoni të plotë në shërbimin e tyre ndaj Jehovait.
Një caktim i ri
Për shkak të kundërshtimeve në veprën e predikimit, na duhej të largoheshim nga Italia, por me gëzim pranuam caktimin e ri në Brazil, në vitin 1957. Frensis dhe unë u përshtatëm me jetën dhe zakonet e vendit dhe pas tetë muajsh, Frensis u ftua për të kryer detyrën qarkore. Udhëtuam me autobus, aeroplan dhe në këmbë. Ky vend i bukur dhe i madh shfaqej para nesh si një mësim gjeografie.
Qarku ynë i parë përfshinte dhjetë kongregacione në qytetin e San Paulos si dhe dhjetë qyteza në brendësi dhe përgjatë zonës bregdetare jugore të rrethit të San Paulos. Në atë kohë në këto qytete nuk kishte kongregacione. Si zakonisht, kërkuam një vend për të qëndruar dhe pasi u sistemuam filluam të shkonim shtëpi më shtëpi për të çuar mesazhin e Mbretërisë. Gjithashtu linim edhe ftesa për shfaqjen e një prej filmave mësimorë të shoqatës.
Për të hipur në një autobus me filma, projektorë, transformatorë, kartoteka, literatura, ftesa dhe pajisje për të shtypur me dorë, nuk ishte gjë e lehtë. Për të bërë një krahasim, valixhja jonë e rrobave ishte objekti më i vogël. Gjatë udhëtimit, na duhej ta mbanim projektorin në prehrat tanë në mënyrë që ta mbronim nga lëkundjet nëpër rrugët e këqija.
Pasi gjetëm vend për të shfaqur filmin, shkuam nga një shtëpi në tjetrën për të shpërndarë ftesat. Disa herë na lejohej ta shfaqnim filmin në një restorant apo hotel. Herë të tjera tendosnim jashtë midis dy shtyllave një çarçaf. Auditori, pjesa më e madhe e të cilit nuk kishte parë ndonjëherë film, qëndronte në këmbë dhe dëgjonte me vëmendje tregimin që lexonte Frensis. Pas kësaj, shpërndanim literaturë biblike.
Për të arritur në fshatra, udhëtonim me autobus. Disa lumenj nuk lidheshin me ura, kështu që autobusat vendoseshin në një trap të madh për të kaluar në anën tjetër. Na këshillonin të zbrisnim nga autobusi dhe nëse shihnim që ai rrëshqiste në lumë, të kërcenim në anën tjetër të trapit me qëllim që të mos përpiheshim nga uji. Lumturisht, autobusi ynë nuk ra kurrë në lumë—një gjë që duhej vlerësuar shumë, aq më tepër që lumenjtë zienin nga peshqit mishngrënës-piranha!
Pasi morëm pjesë në Kongresin ndërkombëtar në Nju Jork, në vitin 1958, u kthyem në Brazil ku shpejt filluam në veprën udhëtuese. Qarku ynë kufizohej me Uruguain në jug, Paraguain në perëndim, shtetin e Pernambukos në veri dhe me Oqeanin Atlantik në pjesën lindore të Brazilit.
Kolonia e lebrozëve
Nga mesi i viteve ’60, pranuam ftesën për të shfaqur një nga filmat e Shoqatës në një koloni lebrozësh. Më duhet ta pranoj që isha pak e shqetësuar. Dinim pak për lebrën, përveç asaj që kishim lexuar në Bibël. Duke hyrë në kompleks, muret e të cilit ishin lyer me të bardhë, na shoqëruan drejt një salle të madhe. Në qendër kishin rezervuar një pjesë për ne dhe për pajisjet tona.
Elektricisti që na ndihmonte kishte 40 vjet në koloni. Kishte humbur duart dhe pjesë të tjera të trupit dhe kjo gjë e shëmtonte keq atë. Në fillim shtanga, por sjellja e tij e gëzuar dhe shkathtësia e tij në punë më qetësuan. Biseduam për shumë gjëra, ndërsa bënim përgatitjet e nevojshme. Nga një mijë persona që strehoheshin në koloni, më tepër se dyqind prej tyre morën pjesë. Ndërsa ata filluan të vinin duke ecur me vështirësi, ne mundëm të vinim re faza të ndryshme të sëmundjes nga e cila vuanin. Sa përvojë prekëse!
Menduam për fjalët që Jezui i tha lebrozit i cili i lutej: «O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.» Duke e prekur këtë njeri, Jezui e siguroi duke i thënë: «Po, unë dua, shërohu.» (Mateu 8:2, 3) Pasi mbaroi programi, shumë erdhën për të na falënderuar: trupat e tyre të dëmtuar ishin një dëshmi e gjallë e vuajtjeve të mëdha të njerëzimit. Më vonë, Dëshmitarët lokalë studiuan Biblën me ata që dëshironin të mësonin më tepër.
Në vitin 1967 u kthyem në Shtetet e Bashkuara për shkak të disa problemeve të rënda shëndetësore. Ndërsa vazhdonim me këto probleme, patëm edhe njëherë privilegjin të shërbenim në veprën qarkore. Për 20 vjetët që pasuan, bashkë me Frensis morëm pjesë në veprën udhëtuese në Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj kohe, Frensis ishte edhe instruktor në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë.
Sa inkurajuese ka qenë për mua të kisha një bashkëshort të dashur dhe një shok besnik i cili kujdesej për çdo caktim që i jepej! Ne kishim privilegjin që së bashku të ndanim thesarin e të vërtetës së Biblës në pjesë të ndryshme të të katër kontinenteve.
Të mbështetur nga thesari
Në vitin 1950, nëna ime martohet me Deivid Estër, një vëlla besnik i cili ishte pagëzuar në vitin 1924. Ata shërbyen së bashku për shumë vite në shërbim të plotë kohor. Por gjatë viteve të fundit të jetës, nënës sime iu shfaqën simptomat e sëmundjes Alzheimer. Ndërsa sëmundja pak nga pak filloi të ndikonte mbi aftësinë e saj mendore, kishte nevojë gjithnjë e për më tepër kujdes. Motrat e mia dhe Deivid morën përsipër përgjegjësinë e rëndë për t’u kujdesur për nënën, pasi nuk donin që ne të linim privilegjin e veçantë të shërbimit të plotë-kohor. Shembulli i besnikërisë së nënës deri në vdekje, që i erdhi në vitin 1987, na ka ndihmuar shumë për t’i dhënë drejtim të duhur jetës sonë dhe shpresa e saj për një shpërblim qiellor na ngushëllonte.
Në vitin 1989, kuptova që Frensis nuk kishte më ato energji që kishte më parë. Atëherë nuk e dinim që atë e kishin kapur ethet e breshkës, një sëmundje e njohur në shumë pjesë të botës. Në vitin 1990, ky armik i pamëshirshëm e mori atë dhe unë humba shokun e dashur me të cilin kisha ndarë 40 vjet në shërbim të Jehovait.
Përshtatja me ndryshimet është pjesë e jetës. Disa nga këto përshtatje janë të lehta, të tjera jo. Por Jehovai, Dhënësi i thesarit të çmuar i së vërtetës biblike, më mbështeti nëpërmjet organizatës së tij dhe dashurisë e inkurajimit të familjes sime. Akoma gjej kënaqësi ndërsa shikoj përpara në përmbushjen e të gjitha premtimeve të padështueshme të Jehovait.
[Figura në faqen 23]
Me burrin tim kur ishim misionarë në Itali