Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Polonia
NË VJESHTËN e vitit 1989, qeveritë komuniste nga deti Balltik deri në Detin e Zi filluan të shkatërroheshin. Ndërkohë që perdja e hekurt u gris, kombet e Evropës Lindore filluan të kërkonin drejtimin e tyre të pavarur. Mes tyre ishte edhe Polonia, një vend i rrethuar me kodra, me fusha të rrafshta dhe male të ashpra.a
Polakët janë njerëz punëtorë dhe Polonia i ka dhënë botës artistë e shkencëtarë të famshëm. Por më shumë se kaq, tani ka një armatë në rritje të atyre që shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.
Të guximshëm në zbulimin e falsitetit
Në Poloni ka shumë njerëz që do të donin ta njihnin të vërtetën biblike. Por disa pengohen nga të afërmit dhe fqinjët. Për shembull, në afërsi të qytetit Wrocław, një grua e interesuar e ndërpreu studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait, për shkak të presioneve nga ana e familjes dhe e miqve. Megjithatë, vajza e saj adoleshente lexoi një seri artikujsh në Kullën e Rojës që zbulonin fenë e rreme, të cilët ndezën tek ajo interesin për të vërtetën.
Pas gjashtë muajsh studimi biblik, kjo vajzë vendosi të shkëpuste të gjitha lidhjet me fenë e rreme. Shkoi tek prifti i kishës që frekuentonte, për ta informuar për vendimin që kishte marrë. Ai i tha të shkruante: «Unë, K—— P——, heq dorë nga besimi katolik.»
Kjo deklaratë u lexua të dielën tjetër në kishë. Gjyshit të vajzës i ra të fikët, ndërsa gjyshja shpërtheu në lotë. Megjithatë, disa famulltarë të tjerë u mahnitën dhe thanë: «Më në fund, dikush merr guximin të thotë se në kishën tonë ka shumë falsitet.» Kjo adoleshente e guximshme, tani është një motër frymore e pagëzuar dhe ka filluar shtatë studime biblike në fshatin e saj.
‘Nga frytet e tyre’
E përjavshmja Kujawy i Pomorze botoi raportin «Do t’i njihni nga frytet e tyre». Pjesërisht, artikulli thoshte për adhuruesit e të ashtuquajturit krishterim: «Në të vërtetë nuk i marrin shumë seriozisht parimet fetare që kanë pranuar. Janë krejt të ndryshëm nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët vënë në praktikë atë që predikojnë dhe thonë atë që Bibla urdhëron.»
Pasi vuri në dallim ndryshimin midis Dëshmitarëve të Jehovait dhe të atyre që e quajnë veten të krishterë, artikulli vazhdonte: «Këta të fundit ka shumë mundësi të mos i njohin dhe shumë shpesh të mos i zbatojnë të vërtetat dhe parimet themelore të besimit të tyre. . . . Me qëndrimin e tyre, Dëshmitarët e Jehovait shfaqin harmoninë e fjalëve të tyre me veprat, duke treguar kështu se nuk janë ‘profetë të rremë’, përndryshe mund të njihen nga frytet e tyre. ‘A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?’ (Mateu 7:15-20).»
Një grua shkroi një letër në të përjavshmen Przyjaciółka, duke u ankuar se i biri e kishte lënë Kishën katolike dhe ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Cila ishte këshilla e drejtoreshës së gazetës? «Nëse yt bir shoqërohet me Dëshmitarët e Jehovait, ka njohur dhe ka pranuar besimin e tyre, tek e fundit është vendimi i tij, i cili duhet pranuar dhe respektuar. . . . Ky grup fetar ka shumë karakteristika pozitive dhe të dëshirueshme për shoqërinë, si solidaritetin e pazakontë, lidhjet e forta mes tyre, ndershmërinë e madhe, ndjekjen pikë për pikë të ligjeve të pranuara nga shoqëria dhe përfundimisht aftësinë për të jetuar në hamoni me të vërtetën e tyre, duke vënë në praktikë vlerat e shpallura. Këto janë virtyte të çmuara.»
[Shënimi]
a Për informacion të mëtejshëm, shiko Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 1994 (angl.).
[Kutia në faqen 9]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1993
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 113.551
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 339 banorë
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 235.642
MESATARJA E PIONIERËVE: 7.961
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 79.131
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 8.164
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 1.397
ZYRA E DEGËS: Nadarzyn
[Figura në faqen 9]
Zyra e degës në Lodz të Polonisë në 1948-ën
[Figura në faqen 9]
Vepra me parrulla në ish-Prusinë lindore në qershor të 1948-ës
[Figura në faqen 9]
Shtatëdhjetë e dy anëtarët e Bethelit të Polonisë në janar të 1993-shit
[Figura në faqen 9]
Zyra e re e degës në Nadarzyn