Vuajtjet njerëzore—Përse i lejon Perëndia?
NË FILLIM të historisë njerëzore nuk kishte lot zije apo dhimbjeje. Vuajtjet e njerëzve nuk ekzistonin. «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.»—Zanafilla 1:31.
Por disa kundërshtojnë: «Historia e Adamit dhe Evës në kopshtin e Edenit është vetëm një alegori.» Mjerisht, këtë e thonë edhe shumë klerikë të të ashtuquajturit krishterim. Megjithatë, një burim autoritar, siç ishte vetë Jezu Krishti, i vërtetoi si historike ngjarjet në Eden. (Mateu 19:4-6) Për më tepër, e vetmja mënyrë për të kuptuar se përse i ka lejuar Perëndia vuajtjet njerëzore është shqyrtimi i atyre ngjarjeve të historisë së lashtë të njerëzimit.
Njeriut të parë, Adamit, iu dha puna e gëzueshme që të kujdesej për kopshtin e Edenit. Gjithashtu, Perëndia vuri përpara tij synimin për ta shtrirë shtëpinë e tij edenike në një kopsht global kënaqësie. (Zanafilla 1:28; 2:15) Për të ndihmuar Adamin në kryerjen e kësaj detyre madhështore, Perëndia i dha atij një bashkëshorte, Evën dhe u tha të ishin pjellorë, të shumëzoheshin dhe të nënshtronin tokën. Por duhej edhe diçka tjetër për të siguruar suksesin e qëllimit të Perëndisë për tokën dhe njerëzimin. Pasi ishte bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, njeriu zotëronte vullnet të lirë; ishte e nevojshme, pra, që vullneti i njeriut të mos binte kurrë ndesh me atë të Perëndisë. Përndryshe, në univers do të kishte çrregullim dhe qëllimi i Perëndisë për ta mbushur tokën me një familje paqësore njerëzish nuk do të realizohej.
Nënshtrimi ndaj sundimit të Perëndisë nuk ishte automatik. Ai duhej të ishte një shprehje e dashur e vullnetit të lirë të njeriut. Për shembull, ne lexojmë se kur Jezu Krishti përballoi një provë të rëndë, u lut: «O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.»—Luka 22:42
Po kështu, varej nga Adami dhe Eva që të provonin nëse dëshironin t’i nënshtroheshin sundimit të Perëndisë. Për këtë qëllim, Perëndia Jehova vuri një provë të thjeshtë. Njëra prej pemëve të kopshtit ishte quajtur «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Ajo përfaqësonte të drejtën e Perëndisë për të vendosur rregullat e sjelljes së duhur. Me fjalë të thjeshta, Perëndia ndaloi ngrënien e frutit të kësaj peme të veçantë. Nëse Adami dhe Eva nuk do të bindeshin, kjo do të sillte vdekjen e tyre.—Zanafilla 2:9, 16, 17.
Fillimi i vuajtjeve
Një ditë, një bir frymor i Perëndisë mori guximin që të vinte në diskutim mënyrën e qeverisjes së Perëndisë. Duke përdorur një gjarpër si zëdhënës, ai e pyeti Evën: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» (Zanafilla 3:1) Në këtë mënyrë, në mendjen e Evës u mboll një farë dyshimi, nëse ishte e drejtë apo jo mënyra e sundimit të Perëndisë.a Eva ia ktheu me një përgjigje të drejtë, të cilën e kishte mësuar nga i shoqi. Megjithatë, krijesa frymore e kundërshtoi Perëndinë dhe gënjeu në lidhje me pasojat e mosbindjes, duke thënë: «Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.»—Zanafilla 3:4, 5.
Mjerisht, Eva u mashtrua nga mendimi se mosbindja do të sillte si rezultat jo vuajtje për njerëzimin, por një jetë më të mirë. Sa më shumë që e shihte frutin, aq më tepër i dëshirueshëm i dukej ai dhe kështu ajo nisi ta hante. Më vonë, ajo nxiti edhe Adamin që të hante. Tragjikisht, Adami preferoi të qëndronte në favor të së shoqes e jo të Perëndisë.—Zanafilla 3:6; 1. Timoteut 2:13, 14.
Duke nxitur këtë rebelim, krijesa frymore e bëri veten kundërshtar të Perëndisë. Kështu, ai filloi të quhej Satana, nga fjala hebraishte që do të thotë «kundërshtar». Gjithashtu, ai gënjeu në lidhje me Perëndinë, duke u bërë edhe shpifës. Prandaj, ai quhet edhe Djall, nga fjala greke që do të thotë «shpifës».—Zbulesa 12:9.
Në këtë mënyrë, vuajtjet e njerëzimit filluan. Tri nga krijesat e Perëndisë e kishin keqpërdorur dhuratën e vullnetit të lirë, duke zgjedhur një mënyrë jetese egoiste në kundërshtim me Krijuesin e tyre. Tani lindi pyetja: Si do të vepronte Perëndia me këtë rebelim në një mënyrë të drejtë, e cila do të siguronte pjesën tjetër të krijimit inteligjent, duke përfshirë engjëjt besnikë në qiell dhe pasardhësit e ardhshëm të Adamit dhe Evës?
Përgjigjja e mençur e Perëndisë
Disa mund të argumentojnë se do të kishte qenë më mirë sikur Perëndia t’i kishte shkatërruar menjëherë Satanain, Adamin dhe Evën. Por kjo gjë nuk do t’i zgjidhte çështjet e ngritura nga ky rebelim. Satanai kishte vënë në diskutim mënyrën e sundimit të Perëndisë, duke sugjeruar se njerëzit do të kishin një jetë më të mirë, nëse do të ishin të pavarur nga sundimi i Perëndisë. Po kështu, suksesi që ai pati në kthimin e dy njerëzve të parë kundër sundimit të Perëndisë ngriti edhe çështje të tjera. Duke qenë se Adami dhe Eva mëkatuan, a do të thoshte kjo se kishte diçka të gabuar në mënyrën në të cilën Perëndia e krijoi njeriun? A do të kishte Perëndia dikë mbi tokë që do t’i mbetej besnik? Dhe ç’mund të themi për bijtë engjëllorë të Jehovait, të cilët ishin dëshmitarë të rebelimit të Satanait? A do të mbështetnin ata drejtësinë e sovranitetit të Tij? Është e qartë se për të zgjidhur këto çështje duhej një kohë e mjaftueshme. Ja, përse Perëndia ka lejuar që Satanai të ekzistojë deri në ditët tona.
Sa për Adamin dhe Evën, ditën në të cilën u rebeluan, Perëndia dekretoi për ta vdekjen. Kështu, procesi i vdekjes filloi. Pasardhësit e tyre, që u ngjizën pasi Adami dhe Eva kishin mëkatuar, trashëguan mëkat e vdekje nga prindërit e tyre të papërsosur.—Romakëve 5:14.
Në fillim, Satanai kishte përkrah tij në këtë çështje dy njerëzit e parë. Ai e përdori kohën që i qe lejuar për t’u përpjekur që t’i mbante të gjithë pasardhësit e Adamit nën kontrollin e tij. Kishte pasur, gjithashtu, sukses duke nxitur disa engjëj që të bashkoheshin në rebelimin e tij. Megjithatë, shumica e bijve engjëllorë të Perëndisë e kishte mbështetur besnikërisht drejtësinë e sundimit të Jehovait.—Zanafilla 6:1, 2; Juda 6; Zbulesa 12:3, 9.
Në diskutim ishte sundimi i Perëndisë në krahasim me atë të Satanait, një çështje që ishte shumë e ndezur në ditët e Jobit. Ky burrë besnik provoi me sjelljen e tij se preferonte sundimin e drejtë të Perëndisë në vend të pavarësisë satanike, në të njëjtën mënyrë siç kishin bërë tashmë edhe njerëz të tjerë me frikë Perëndie, si Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jozefi. Jobi u bë objekt i një diskutimi që u zhvillua në qiell, në sy të engjëjve besnikë të Perëndisë. Në mbështetje të sundimit të Tij të drejtë, Perëndia i tha Satanait: «E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes?»—Jobi 1:6-8.
Duke mos dashur të pranojë disfatën, Satanai pohoi se Jobi i shërbente Perëndisë vetëm për arsye egoiste, pasi Perëndia e kishte bekuar me bollëk Jobin me të mira materiale. Prandaj, Satanai tha: «Shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi.» (Jobi 1:11) Satanai shkoi edhe më tej, duke vënë në pikëpyetje integritetin e të gjitha krijesave të Perëndisë. «Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij»,—tha ai. (Jobi 2:4) Ky sulm me shpifje nuk përfshiu vetëm Jobin, por të gjithë adhuruesit besnikë të Perëndisë në qiell e mbi tokë. Satanai la të nënkuptohej se ata do ta braktisnin lidhjen me Jehovain nëse jeta e tyre do të vihej në rrezik.
Perëndia Jehova kishte besim të plotë në integritetin e Jobit. Duke dhënë një dëshmi të këtij fakti, ai lejoi që Satanai të sillte vuajtje mbi Jobin. Me besnikërinë e vet Jobi nuk mbajti të pastër vetëm emrin e tij, por çka ishte më e rëndësishme, ai mbështeti drejtësinë e sovranitetit të Jehovait. Djalli doli se ishte një gënjeshtar.—Jobi 2:10; 42:7.
Sidoqoftë, shembulli më i mirë i besnikërisë nën prova ishte Jezu Krishti. Perëndia e kishte kaluar jetën e Birit të tij engjëllor nga qielli në mitrën e një virgjëreshe. Për këtë arsye, Jezui nuk trashëgoi mëkat dhe papërsosmëri. Përkundrazi, ai u rrit si një njeri i përsosur, ekuivalenti i saktë i njeriut të parë, përpara se ky i fundit të humbte përsosmërinë. Satanai e bëri Jezuin një tabelë të veçantë qitjeje, duke hedhur mbi të shumë tundime dhe sprova, të cilat arritën kulmin me një vdekje poshtëruese. Por Satanai nuk arriti ta thyente integritetin e Jezuit. Jezui mbështeti plotësisht drejtësinë e sundimit të Atit të tij. Ai provoi, gjithashtu, se njeriu i përsosur, Adami, nuk kishte asnjë justifikim që u bashkua me rebelimin e Satanait. Adami mund të kishte qëndruar besnik gjatë provës së tij shumë herë më të vogël.
Ç’gjë tjetër u tregua?
Gati 6.000 vjet vuajtje kanë kaluar që nga rebelimi i Adamit dhe Evës. Gjatë kësaj kohe, Perëndia ka lejuar që njerëzimi të eksperimentojë forma të shumta e të ndryshme qeverisjeje. Vuajtjet e kobshme të njerëzimit kanë provuar se njeriu nuk është i zoti të sundojë vetë. Në fakt, anarkia mbizotëron sot në shumë zona të tokës. Pavarësia nga Perëndia, e inkurajuar prej Satanait, është shkatërrimtare.
Jehovai s’kishte nevojë t’i provonte diçka vetes. Ai e di se mënyra e tij e qeverisjes është e drejtë dhe në dobi të interesave më të mira të krijesave të tij. Megjithatë, për t’iu përgjigjur në mënyrë të kënaqshme të gjitha pyetjeve të ngritura nga rebelimi i Satanait, ai u ka lejuar krijesave të veta inteligjente që të tregojnë parapëlqimin e tyre për sundimin e tij të drejtë.
Shpërblimi për dashurinë ndaj Perëndisë dhe për besnikërinë ndaj tij, e kalon shumë më tepër periudhën e përkohshme të vuajtjeve nga Satanai. Rasti i Jobit e ilustron këtë. Perëndia Jehova e shëroi Jobin nga sëmundja që i kishte dhënë Djalli. Veç kësaj, Perëndia «i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para». Më në fund, mbas një jete 140 vjeçare, «Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë».—Jobi 42:10-17.
Shkrimtari i krishterë biblik, Jakovi, na tërheq vëmendjen mbi këtë, duke thënë: «Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.»—Jakovi 5:11.
Koha për Satanain dhe botën e tij po merr fund. Së shpejti, Perëndia do t’i fshijë të gjitha vuajtjet që rebelimi i Satanait ka sjellë mbi njerëzimin. Madje edhe të vdekurit do të ngrihen. (Gjoni 11:25) Atëherë, njerëz besnikë si Jobi do të kenë mundësinë të marrin jetën e përhershme në një parajsë tokësore. Këto bekime të ardhshme që Perëndia do të derdhë mbi shërbëtorët e tij, do ta shfajësojnë atë njëherë e përgjithmonë si një Sovran të drejtë, i cili në të vërtetë është «plot mëshirë e dhembshuri».
[Shënimi]
a Një avokat dhe autor i fillimit të shekullit XX, Philip Mauro, i cili shqyrtoi këtë pyetje në diskutimin e tij «Origjina e së keqes», përfundoi se ky ishte «shkaku i gjithë telasheve të njerëzimit».
[Kutia dhe figurat në faqen 8]
PERËNDITË MIZORE TË NJERËZVE
PERËNDITË e lashta janë përshkruar shpesh si gjakatare dhe epshore. (Ligji i përtërirë 12:31) Në ekstremin tjetër, filozofë paganë kanë mësuar se Perëndia është pa ndjenja të tilla si zemërimi apo mëshira.
Pikëpamjet e këtyre filozofëve, të frymëzuara nga demonët, ndikuan edhe ata që quheshin populli i Perëndisë, hebrenjtë. Filozofi hebre, Filo, një bashkëkohës i Jezuit, pohoi se Perëndia është «tërësisht i pandjeshëm ndaj çdo pasioni».
Edhe sekti strikt hebre i farisenjve nuk i shpëtoi ndikimit të filozofisë greke. Ata adoptuan mësimet e Platonit, sipas së cilave njeriu përbëhet nga një shpirt i pavdekshëm, që ndodhet si i zënë në grackë brenda një trupi njerëzor. Për më tepër, sipas historianit të shekullit të parë, Jozefit, farisenjtë besonin se shpirtrat e njerëzve të ligj «vuajnë ndëshkim të përjetshëm». Megjithatë, Bibla, nuk jep asnjë bazë për një pikëpamje të tillë.—Zanafilla 2:7; 3:19; Eklisiastiu 9:5; Ezekieli 18:4.
Ç’mund të themi mbi ithtarët e Jezuit? A lejuan ata që të ndikoheshin nga filozofia pagane? Duke pranuar këtë rrezik, apostulli Pavël i paralajmëroi të bashkëkrishterët: «Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.»—Kolosianëve 2:8; shiko edhe 1. Timoteut 6:20.
Mjerisht, disa të ashtuquajtur mbikëqyrës të krishterë në shekullin e dytë e të tretë, nuk e përfillën këtë paralajmërim dhe mësuan se Perëndia nuk ka ndjenja. The Encyclopedia of Religion pohon: «Në përgjithësi, atributet e Perëndisë kuptoheshin më shumë në atë mënyrë si pohonte mendimi hebre dhe filozofik i kohës . . . Ideja se Perëndia Ati mund të ketë ndjenja të tilla si mëshira . . . në përgjithësi është shikuar si e papranueshme deri në fund të shekullit të njëzetë.»
Pra, i ashtuquajturi krishterim adoptoi mësimin e rremë të një perëndie mizor, i cili i ndëshkon mëkatarët, duke bërë që ata të vuajnë në mënyrë të ndërgjegjshme mundime të përhershme. Nga ana tjetër, Perëndia Jehova pohon qartë në Fjalën e tij, Biblën, se «paga e mëkatit është vdekja», jo një mundim i ndërgjegjshëm përgjithmonë.—Romakëve 6:23.
[Burimet]
Lart: Muzeu i Akropolit, Greqi.
Me mirësjelljen e British Museum
[Figura në faqen 7]
Qëllimi i Perëndisë për ta kthyer tokën në një parajsë edenike duhet të plotësohet!