Megjithëse refugjatë, të lumtur që i shërbejnë Perëndisë
LUFTËRA, zi buke, katastrofa dhe trazira. Për disa njerëz, këto janë diçka që e lexojnë apo e shohin në lajme. Për shumë të tjerë, janë pjesë e jetës së përditshme. Duke qenë një shoqëri ndërkombëtare të krishterësh, Dëshmitarët e Jehovait janë mirë të vetëdijshëm, se sa herë që shpërthen një luftë, apo ndodh një katastrofë, një pjesë e vëllazërisë së tyre ndërkombëtare mund të vuajë. Dhe kur njerëzve u duhet të shpëtojnë jetën, vëllezërve tanë u duhet të bëjnë të njëjtën gjë.
Prej vitesh, Dëshmitarëve në disa vende të Afrikës, u është dashur të durojnë situata të tilla. Shumicës së tyre i është dashur të paketojë çdo gjë që mund të mbante dhe të kërkojë strehim në një vend tjetër. Megjithëse vetëm një pakicë kishte disa mjete transporti, si p.sh. biçikletë, shumicës i duhej të ecte e të ecte—për ditë, madje javë—për të arritur në destinacionin e tyre.
Një prej këtyre destinacioneve ishte Mboki, një qytet i vogël në Republikën e Afrikës Qendrore. Gjatë viteve, këtu kanë ardhur me mijëra burra dhe gra, të rinj dhe të moshuar. Midis tyre ishin edhe disa nga motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë të shoqëruar nga persona të interesuar. Natyrisht, të bashkëkrishterët e zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower në Bangui, kryeqytet i Republikës së Afrikës Qendrore, ishin mjaft të interesuar për t’u takuar me këta refugjatë e për t’i ndihmuar ata. Një vëlla pionier në këtë zonë, u dërgua pesë herë nga dega e shoqatës me para, ushqime, veshje dhe ilaçe, që u siguruan me bujari nga Dëshmitarët në Bangui, rreth 1.130 km larg. Ata që ofruan këtë ndihmë bujare kishin pak nga ana financiare, por ishin të lumtur që bënë atë që kishin mundësi.
Mbërritja në Mboki
Vëllezërit në zyrën e degës donin të shihnin se çfarë mund të bëhej tjetër dhe si mund të ndihmoheshin refugjatët nga ana frymore. Kështu, unë dhe gruaja ime filluam udhëtimin me një Land Kruizer, një tip makine me katër rrota transmisioni që mund të ecë në një terren të fortë. Shoqëroheshim nga Sanforian, një pionier special dhe nga gruaja e tij. Sanforian e njihte rrugën mirë dhe fliste në Zande, që ishte gjuha e refugjatëve në Mboki. Na u deshën katër ditë të plota për të arritur atje.
Në 400 km e fundit, kaluam përmes një zone të mrekullueshme me kodra të rrumbullakëta dhe baobabë gjigandë. Herë pas here kalonim fshatra të vegjël. Gjatë kësaj pjese të rrugës, gruaja ime numëroi saktësisht 50 ura—shumica në një gjendje shumë të keqe, disa madje të pakalueshme. Me mjetet që kishim me vete riparuam disa ura që ishin me copa drunjsh dhe trarë të kalbur, vumë makinën katërrotëshe në tërheqje, u lutëm dhe vepruam me shumë kujdes. Nëse pranë do të ndodhej një fshat i vogël, të rinjtë do të vinin me vrap për të na ndihmuar në shkëmbim të një shpërblimi të vogël. Ne habiteshim pasi ata gjithmonë gjenin copa drunjsh dhe dërrasash nga pjesët e urës të mbuluara me bar apo poshtë kaçubeve që ishin afër. Kjo na bëri të dyshonim se ata i hiqnin ato nga ura dhe i mbanin gati për udhëtarët që kishin nevojë.
Tre herë e refuzuam ndihmën e atyre të rinjve për urat që dukeshin shumë të rrezikshme për t’u kaluar. Kështu lamë rrugën, zbritëm deri në përrua, e kapërcyem duke kaluar mbi fundin me gurë pataj u ngjitëm dhe vazhduam rrugën. Sa të kënaqur ishim që ajo ishte një stinë e thatë, përndryshe nuk do të kishte pasur asnjë mënyrë për ne për të vazhduar udhëtimin, përveçse ndoshta me helikopter!
Çfarë pamjeje do të kishte Mboki? Kjo na vinte shpesh ndërmend ndërsa ecnim me makinë gjatë kësaj «piste» pa mbarim. Kjo është një fjalë franceze e përdorur në Republikën e Afrikës Qendrore për një rrugë apo shteg rëre, gurësh, gërmadhash dhe gropash të pafundme.
Në ditën e katërt, pak pas mbasdites, Sanforian tregoi me gisht drejt disa kasolleve prej bari të rrethuara nga papie dhe fusha të mbjella me maniokë. «Voila! Këtu fillon Mboki»,—thirri ai me zë të lartë. Ne ishim plotësisht të habitur mbi atë që pamë. «Ky është Mboki? Ku është kampi?»—pyesnim pasi ajo që pamë nuk ishte një kamp, por vetëm shtëpi të shpërndara rreth e rrotull. Ato ishin kasolle të vogla, por të pastra me çati bari. Gjithashtu, gjendeshin pemë dhe kaçube kudo. Njerëzit e mbillnin prodhimin pranë shtëpive të tyre. Mboki nuk ishte tipi i kampit që ne shpresonim të shihnim; ai ishte një fshat i madh rreth 35 km i gjatë.
Takimi me vëllezërit
Vëllezërit në Mboki e dinin që ne po vinim, por mendonin se udhëtimi ynë do të zgjaste pesë ditë. Kur dëgjuan të mbërrinte makina jonë, erdhën duke vrapuar. Burra, gra dhe fëmijë u turrën jashtë kasolleve dhe oborreve të tyre dhe erdhën nga fushat për të na përshëndetur. Të gjithëve u shkëlqente fytyra, qeshnin dhe na rroknin duart, disa herë nëse ishte e mundur. Nënat na përshëndetnin duke i ngritur lart fëmijët e tyre. Të gjithë donin të na përshëndetnin dhe na dhanë një mirëseardhje të përzemërt.
Aty për aty, për mua dhe gruan time nuk kishte shumë për të bërë, për shkak të pengesës së gjuhës. U përpoqëm të komunikonim nga pak në frëngjisht, në sango, anglisht dhe në gjuhën arabe. Shumica e vëllezërve tanë flasin, shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën zande. Sanforian duhej të përkthente e të shpjegonte programin e vizitës sonë.
Vazhduam dhe disa kilometra dhe arritëm tek Salla e Mbretërisë. Ajo ishte e para «kishë» e ndërtuar prej refugjatëve të ndonjë feje në Mboki. Vëllezërit me fëmijët e tyre dhe të interesuarit vinin për të na dhënë dorën. Madje edhe shumë fëmijë të fqinjëve erdhën bashkë me vëllezërit për të na përshëndetur.
Vëllezërit kishin përgatitur dy shtëpi të vogla për ne. Ato ishin shumë të pastra. Kovat me ujë të pastër ishin gati dhe po na prisnin. Ne kishim sjellë me vete ushqime dhe ujë të pijshëm, duke menduar se këtu nuk do të gjenim dhe nuk donim t’u bëheshim barrë vëllezërve tanë. Ndërsa po shkarkonim makinën, vjen një vajzë e re dhe na pyet se si e donim pulën të gatuar për darkë: rosto apo me salcë? Ne kurrë nuk e prisnim një gjë të tillë dhe i pyetëm se çfarë kishin menduar që të hanin bashkë me pulën. Përgjigjja qe: maniokë. Kështu zgjodhëm pulë të gatuar me salcë dhe erëza. Atë natë hëngrëm sa u ngopëm. Por ata vazhduan të na ushqenin çdo ditë—në drekë dhe në darkë. Vështirë se mund ta besonim këtë—refugjatët na ushqenin dhe kujdeseshin për ne edhe pse nuk kishin shumë për vete.
Një kongregacion i vogël dhe i lumtur
Ja ku ishim, në një zonë të largët, por midis 21 vëllezërve tanë. Vetëm dy nga ata që erdhën këtu ishin të pagëzuar. Të tjerët ishin persona të interesuar kur erdhën. Ata vazhduan studimin dhe u pagëzuan gjatë dy viteve të fundit. Katër të tjerë u pagëzuan në një lumë që ndodhej afër gjatë vizitës sonë.
Një shembull i shkëlqyer është Faustino. Përpara ardhjes në Mboki, ai mësoi bazën e të vërtetës biblike nga një shok. Faustino e çmoi atë që po mësonte. Së shpejti, ai dhe shoku i tij filluan t’u predikonin të tjerëve, por ndeshën kundërshtime dhe u futën në burg për «krijim trazire midis njerëzve» me anë të fesë së tyre. Kur ishin në burg, shoku i Faustinos u dorëzua nga frika dhe u lirua. Dy muaj më vonë Faustino iu kalua gjyqit. Por ishte e qartë se akuzat kundër tij ishin pa bazë, kështu që u lirua. Kur në zonën e tij filloi lufta, ai emigroi në Republikën e Afrikës Qendrore, ku takoi vëllezërit dhe rifilloi studimin e tij të Biblës. Ai u pagëzua në korrik të 1991-shit dhe në 1992-shin filloi shërbimin e plotë kohor si pionier i rregullt.
Kongregacioni i vogël dhe miqësor në Mboki, tani përbëhet nga një pionier special dhe 21 lajmëtarë. Dy vëllezër që flasin anglisht shërbejnë si pleq dhe janë në gjendje të mbajnë një komunikim të mirë me zyrën e degës në Bangui. Ne mendonim se vëllezërit tanë refugjatë ishin në një gjendje të tmerrshme dhe të dëshpëruar, por nuk ishte ashtu. Megjithëse të varfër materialisht, asnjë nuk ankohej, shqetësohej apo mërmëriste. Pas mbërritjes në këtë vend, vëllezërit kishin ndërtuar kasollet dhe shtëpitë e tyre dhe kishin filluar të grumbullonin ushqim e të rrisnin pula. Ata kanë më pak nga ç’kishin dikur, por janë gjallë dhe bashkë me vëllezërit e tyre të krishterë.
Pasi në Mboki gjenden nga 17.000 deri në 20.000 refugjatë dhe ku shumë të tjerë vijnë çdo muaj, vëllezërit tanë kanë një fushë të madhe për shërbimin e tyre. Ne shkuam të predikonim me ta, gjë që në të vërtetë ishte shumë interesante. Shpesh përdornim Biblën në gjuhën zande, përkthim i cili përmban emrin e Perëndisë në Shkrimet Hebreje dhe në disa vende në Shkrimet e Krishtere Greke. Për këta njerëz, Perëndia nuk është thjeshtë «Mboli» («Perëndi» në gjuhën zande) por «Jekova», siç e shqiptojnë ata emrin personal të Perëndisë. «Mboli Jekova» është një shprehje e zakonshme. Përkthimet protestante në shumë gjuhë të tjera të Afrikës, nuk e ndjekin këtë kriter të saktë përkthimi; në vend të kësaj, e zëvendësojnë «Jehova» me «Nzapa», «Nzambe», apo me emra të tjerë afrikanë që i referohen Perëndisë.
Ashtu si profetizoi Jezui, lajmi i mirë i Mbretërisë po predikohet në të gjithë botën, madje edhe në Mboki. (Mateu 24:14) Kongregacioni tani është i furnizuar mirë me Bibla, libra, revista, broshura dhe fletushka në të gjitha gjuhët e nevojshme. Ndoshta në të ardhmen, në gjuhën zande do të ketë më shumë botime në dispozicion.
Në pritje të një banese të qëndrueshme
Natën e parë, shfaqëm programin me diapozitivë të Shoqatës «Pjesëmarrësit e lumtur të asamblesë në Evropën Lindore, lavdërojnë Jehovain». Natën tjetër ishte programi me temë «Të udhëheqim shumë persona drejt drejtësisë në këtë kohë të fundit!» Shfaqja u zhvillua në ambient të hapur, pranë Sallës së Mbretërisë, nën një qiell të hapur dhe nën një hënë të argjendtë. Çfarë atmosfere! Qindra persona erdhën për të shikuar projektin me diapozitivë dhe vëllezërit tanë ishin të lumtur dhe krenarë që mundën t’i paraqitnin diçka speciale publikut.
Të hënën u përgatitëm për udhëtimin e kthimit, një tjetër udhëtim katër ditësh nëpër të njëjtat rrugë duke kaluar mbi po ato 50 ura. Një motër nguli këmbë për të na përgatitur ushqim për rrugës—dy pula të tjera tashmë me rosto dhe të lezetuara me hudhra, që gjatë gjithë mëngjesit lëshonin një aromë të mrekullueshme në Land Kruizer. Mbasdite ndaluam pranë një kaçubeje për të shijuar pulën me rosto, duke menduar për vëllezërit tanë në Mboki. Megjithëse të detyruar për të qenë refugjatë, ata vazhdojnë t’i shërbejnë besnikërisht Jehovait, në pritje të një banese të qëndrueshme dhe paqësore, në tokën e re të premtuar nga Perëndia. (2. Pjetrit 3:13)—Nga një bashkëpunëtor.