A të shkurajojnë kufizimet?
KUFIZIMET! Askush në të vërtetë nuk i pëlqen ato; e megjithatë, secili nga ne duhet t’i durojë deri në një farë mase. A ndihesh ndonjëherë i shkurajuar për shkak se jeta të duket shumë e kufizuar? Ndoshta do të ndiheshe më mirë po të ndryshoje këndvështrimin tënd. Në vend se të shqetësohesh për ato që nuk mund të bësh, përse nuk shfrytëzon në mënyrë të plotë çdo lloj lirie që gëzon?
Për shembull, shumë njerëz që janë ekonomikisht të varfër do të dëshironin të ishin të pasur. Megjithatë, edhe pse varfëria kufizon ato që mund të bëjmë në këtë sistem gjërash, gjërat më të rëndësishme në jetë janë të arritshme për të gjithë. Të varfrit ashtu si edhe të pasurit, dashurohen, martohen, rritin fëmijë, gëzojnë shoqëri të mirë e kështu me radhë. Por ajo që është më e rëndësishmja, si të varfërit ashtu edhe të pasurit e njohin Jehovain dhe shikojnë përpara në botën e re të premtuar. Të varfërit dhe të pasurit përparojnë në diturinë dhe njohurinë e krishtere, që janë më të mira se pasuria. (Proverbat 2:1-9; Eklisiastiu 7:12) Të gjithë—të pasur e të varfër—mund të bëjnë një emër të shkëlqyer pranë Jehovait. (Eklisiastiu 7:1) Në ditët e Pavlit, kongregacioni përbëhej në masën më të madhe nga njerëz të një pozite të ulët shoqërore—disa prej të cilëve ishin skllevër—të cilët e përdornin me zgjuarsi çdo lloj lirie që u lejonin rrethanat.—1. Korintasve 1:26-29.
Autoritetet biblike
Në një martesë të krishtere, gruaja është e nënshtruar ndaj bashkëshortit të saj—një rregullim i caktuar për t’i sjellë dobi tërë familjes. (Efesianëve 5:22-24) A duhet të ndihet gruaja e poshtëruar për shkak të kësaj? Sigurisht që jo. Burri dhe gruaja përbëjnë një çift. Kur autoriteti i burrit trajtohet në një mënyrë të krishterë, relativisht i vë pak kufizime bashkëshortes së tij dhe i lë asaj shumë mundësi për të realizuar aftësitë e saj. (Efesianëve 5:25, 31) «Gruaja e aftë» e kapitullit 31 të Proverbave, ishte e zënë me shumë detyra interesante, të cilat kërkonin shkathtësi dhe vendosmëri. Është e qartë se nënshtrimi ndaj bashkëshortit të saj nuk ishte një pengesë për të.—Proverbat 31:10-29, BR.
Në mënyrë të ngjashme, nuk është udhëzuar që një grua të marrë drejtimin mbi burrat e kualifikuar në kongregacionin e krishterë. (1. Korintasve 14:34; 1. Timoteut 2:11, 12) A duhet të ndihet e pakënaqur gruaja e krishterë nën këtë kufizim? Jo. Shumica e tyre janë mirënjohëse kur shikojnë këtë aspekt të shërbimit të krishterë të trajtuar në një mënyrë teokratike. Ato janë të lumtura të përfitojnë nga kullotja dhe mësimi i barinjve të emëruar dhe vetë përqendrohen në veprën më të rëndësishme të predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Gratë e krishtere bëjnë shumë në këtë fushë dhe kjo u sjell atyre nder në sytë e Perëndisë Jehova.—Psalmi 68:11; Proverbat 3:35.
Kufizimet tek të rinjtë
Edhe të rinjtë ankohen disa herë se jeta e tyre është shumë e kufizuar, shpesh sepse janë nën autoritetin e prindërve. Por edhe kjo është biblike. (Efesianëve 6:1) Në vend se të pezmatohen nga kufizimet e imponuara nga prindërit, të rinjtë e krishterë me zgjuarsi përqendrohen në gëzimin e lirive që kanë—duke përfshirë zakonisht lirinë nga përgjegjësitë e rënda. Kështu, ata mund të shfrytëzojnë fuqinë e tyre rinore dhe rrethanat për t’u përgatitur për jetën e moshës së rritur.
Në Brazil, një ish-mbikëqyrës qarkor kujton mirë një djalosh 12-vjeçar në një grup të vogël të izoluar. Ky i ri ishte i kufizuar në ato që mund të bënte. Vëllai i ngarkuar për të mbajtur regjistrimet, ishte i zënë edhe me punën e tij, kështu që nuk mund t’i kushtonte shumë vëmendje grupit, prandaj u mor vesh me këtë djalë të ri që ta ndihmonte. Djaloshi mësoi se ku gjendeshin të gjithë modularët dhe u tregua i gatshëm ta ndihmonte. Interesi i tij ishte inkurajues dhe ai ishte një shok besnik në shërbimin në fushë. Tani, ky i ri është një plak i emëruar.
Ka shumë situata që mund ta kufizojnë lirinë e një personi. Disa njerëz janë të kufizuar nga sëmundjet. Disa jetojnë në familje të ndara dhe liria e tyre kufizohet nga kërkesat e një bashkëshorti jobesimtar. Edhe pse ata që jetojnë nën kufizime, do të dëshironin që gjërat të ishin ndryshe, ata akoma mund të bëjnë një jetë të kënaqshme. Kjo revistë ka botuar shumë tregime të individëve të tillë, të cilët kanë qenë shumë inkurajues për të tjerët, sepse mbështeteshin në Jehovain dhe bënin më të mirën në situatat në të cilat ndodheshin.
Duke folur për një situatë të zakonshme të ditëve të tij, apostulli Pavël tha: «A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.» (1 Korintasve 7:21) Ç’pikëpamje e drejtpeshuar! Disa situata mund të ndryshojnë. Të rinjtë rriten. Bashkëshortët kundërshtarë ndonjëherë e pranojnë të vërtetën. Situata ekonomike përmirësohet. Njerëzit e sëmurë mund të bëhen më mirë. Në raste të tjera, gjërat nuk mund të ndryshojnë derisa bota e re e Jehovait të vijë. Megjithatë, çfarë mund të fitohet, nëse dikush shqetësohet se nuk mund të bëjë atë që të tjerët mund të bëjnë?
A i ke parë ndonjëherë zogjtë duke fluturuar lart në qiell dhe a e ke admiruar bukurinë dhe lirinë e lëvizjeve të tyre? Ndoshta do të dëshiroje të fluturoje si ata. Por ti nuk mundesh dhe kurrë nuk do të jesh në gjendje të fluturosh si zogjtë! Megjithatë, ndoshta nuk ankohesh. Në vend të kësaj, gëzo aftësitë që të ka dhënë Perëndia. Ia del mbanë shumë mirë edhe pse të duhet të ecësh me këmbë mbi sipërfaqen e tokës. Në mënyrë të ngjashme, sido që të jetë situata jonë në jetë, nëse përqendrohemi në ato që mund të bëjmë, në vend se të shqetësohemi për ato që nuk mund të bëjmë jeta do të jetë e kënaqshme dhe do të gjejmë gëzim në shërbimin e Jehovait.—Psalmi 126:5, 6.
[Figura në faqen 28]
A mendon se prindërit të kanë kufizuar si në një kafaz?