Evolucioni në gjyq
Shumë nga evolucionistët më të bindur kërkojnë me zhurmë një rishqyrtim të plotë të origjinës së jetës
MENDO sikur je jurist në një proces penal. I pandehuri shpallet i pafajshëm dhe dëshmitarët paraqiten për të dëshmuar në favor të tij. Megjithatë, ndërkohë që dëgjon pohimet e tyre, vëren se dëshmitarët janë në kontradiktë me njëri-tjetrin. Më pas, kur dëshmitarët mbrojtës thirren për të dëshmuar përsëri, pohimet e tyre ndryshojnë. Si jurist, a do t’i merrje për bazë pohimet e tyre? A do të prireshe për ta shfajësuar të akuzuarin? Ndoshta jo, sepse çdo papajtueshmëri në mbrojtje të të pandehurit dobëson besueshmërinë tek ai.
E njëjta situatë është edhe me teorinë e evolucionit. Një numër i madh dëshmitarësh janë paraqitur për të treguar shpjegimet e tyre të shumta në lidhje me origjinën e jetës duke mbrojtur teorinë e evolucionit. Por, a ka baza dëshmia e tyre për t’u paraqitur në gjyq? A janë në pajtim me njëri-tjetrin përkrahësit e kësaj teorie?
Dëshmi kontradiktore
Si filloi jeta? Ndoshta asnjë pyetje tjetër nuk ka krijuar kaq shumë hamendje dhe ka ngjallur kaq shumë debate. Megjithatë, kontradikta nuk është vetëm midis evolucionit dhe krijimit; pjesa më e madhe e polemikës zhvillohet ndërmjet vetë evolucionistëve. Në fakt, të gjitha hollësitë e evolucionit—si ndodhi, ku filloi, kush apo çfarë i dha fillim dhe sa zgjati procesi—janë tashmë çështje mjaft të diskutuara.
Për vite me radhë evolucionistët mendonin se jeta filloi në një pellg të ngrohtë «supe» organike. Sot, disa mendojnë se jeta mund të ketë ardhur nga shkuma e oqeanit. Një tjetër propozim lidhur me origjinën e jetës janë gejzerët e nëndetit. Të tjerë akoma mendojnë se organizmat e gjalla kanë ardhur deri këtu me meteorët që zbritën në tokë. Ose disa të tjerë thonë se ndoshta asteroidët u copëtuan në tokë dhe ndryshuan atmosferën, duke provokuar procesin jetësor. «Sikur një asteroid i madh hekuri të përplasej me tokën,—thotë një studiues,—me siguri që do të ndodhnin gjëra interesante.»
Edhe kushtet në të cilat mund të ketë filluar jeta janë diskutuar disa herë me radhë. «Jeta nuk lindi në kushte të favorshme dhe të qeta, siç mendohej njëherë e një kohë,—ngre hipotezën revista Time,—por nën qiejt skëterrë të një planeti të tronditur nga shpërthimet vullkanike dhe të kërcënuar nga kometat dhe asteroidët.» Disa shkencëtarë tani thonë se që jeta të mund të zhvillohej në një kaos të tillë, i gjithë procesi duhej të ndodhte brenda një periudhe kohe shumë më të kufizuar seç mendohej më parë.
Disa shkencëtarë kanë pikëpamje të ndryshme edhe mbi faktin se çfarë roli ka luajtur në gjithë këtë Perëndia «nëse ai ekziston». Disa thonë se jeta filloi pa ndërhyrjen e një Krijuesi, ndërsa të tjerë sugjerojnë se Perëndia e filloi këtë proces dhe ia la vendin evolucionit që të vazhdonte zhvillimin e jetës.
Si ndodhi evolucioni pasi filloi jeta? Edhe këtu shpjegimet janë kontradiktore. Në 1958-ën, 100 vjet pasi u botua Origjina e Specieve, evolucionisti Xhulian Hakslei deklaroi: «Zbulimi i madh i Darvinit, parimi universal i përzgjedhjes natyrore, është vendosur përfundimisht në mënyrë të qëndrueshme si mekanizmi i vetëm i ndryshimeve themelore në evolucion.» Megjithatë, 24 vjet më vonë, evolucionisti Mikel Ryz shkroi: «Një numër gjithnjë e më i madh biologësh . . . argumentojnë se çdo teori evolucioni e bazuar në parimet darviniane—veçanërisht ato teori që e shikojnë përzgjedhjen natyrore si faktorin vendimtar të ndryshimeve në evolucion—është e gabuar dhe e paplotë.»
Revista Time, ndërkohë që thotë se ka «shumë fakte bindëse» që mbështesin teorinë e evolucionit, pranon se evolucioni është një histori komplekse me «shumë cene dhe jo pa teori kontradiktore mbi faktin se si t’i mbushin pjesët e tjera të provave që mungojnë». Në vend që të thonë se çështjes i është vënë kapak me kaq, shumë evolucionistë të bindur po kërkojnë tani me zhurmë një rishqyrtim të plotë të origjinës së jetës.
Prandaj, çështja e evolucionit—veçanërisht për fillimin e jetës sipas teorisë së evolucionit—nuk bazohet në prova të qëndrueshme. Shkencëtari T. H. Janabi vëren se ata që përkrahin evolucionin, «gjatë viteve kanë zhvilluar dhe kanë braktisur shumë teori të gabuara dhe deri tani asnjëra nga këto teori nuk ka fituar pëlqimin e shkencëtarëve».
Fakt interesant është se Çarls Darvin e kishte parashikuar këtë konflikt. Në parathënien e librit Origjina e llojeve ai shkroi: «E di mirë se janë shumë të pakta argumentet e trajtuara në këtë vëllim, të cilave nuk mund t’u kundërvihen fakte që shpesh të çojnë në përfundime krejt kontradiktore me ato që kam nxjerrë unë.»
Në të vërtetë, dëshmi të tilla kontradiktore e vënë në dyshim besueshmërinë tek teoria e evolucionit.
A është një zgjedhje intelektuale evolucioni?
Një libër vëren se që në fillim teoria e evolucionit «bëri për vete shumë njerëz, sepse dukej më shkencore se teoria e krijimit të veçantë».—Milestones of History.
Përveç kësaj, pohimet dogmatike të disa evolucionistëve mund të jenë kërcënuese për ndonjë. Për shembull, shkencëtari H. S. Shelton thotë se koncepti i krijimit të veçantë është «shumë qesharak për t’u marrë seriozisht». Biologu Riçard Dokenz tha troç: «Nëse takon dikë që thotë se nuk e beson evolucionin, ai njeri është injorant, i çmendur dhe i trashë.» Ngjashëm, profesor Rëne Dybo thotë: «Tani shumica e njerëzve më të arsimuar pranon si fakt se çdo gjë në kozmos—duke filluar që nga trupat qiellorë deri tek qeniet njerëzore—janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen përmes proceseve të evolucionit.»
Nga këto pohime duket se kushdo që ka njëfarë inteligjence duhet ta pranojë menjëherë evolucionin. Në fund të fundit, duke bërë kështu tregojnë se janë «të arsimuar» dhe jo «të trashë». Megjithatë, ka shumë burra e gra me arsim të lartë që nuk e përkrahin teorinë e evolucionit. «Kam hasur shumë shkencëtarë që kanë dyshime personale,—shkroi Fransis Hitçing në një libër të tij,—dhe disa prej tyre kanë arritur të thonë se teoria darviniane e evolucionit nuk është treguar aspak shkencore.»—The Neck of the Giraffe.
Çandra Wikramasing, një shkencëtar britanik me autoritet, qëndron në të njëjtën pozitë. «Nuk ka asnjë provë që të mbështesë ndonjë parim themelor të evolucionit darvinian,—thotë ai.—Një forcë shoqërore përfshiu botën në 1860-ën dhe mendoj se që atëherë shkenca pësoi katastrofë.»
T. H. Janabi analizoi argumentet e paraqitura nga evolucionistët. «Kuptova se situata është krejt ndryshe nga sa na është paraqitur,—tha ai.—Provat janë të pamjaftueshme dhe shumë të copëzuara për të mbështetur një teori të tillë komplekse si ajo e origjinës së jetës.»
Prandaj, ata që hedhin poshtë teorinë e evolucionit nuk duhet të përcaktohen pa u menduar si «injorantë, të çmendur dhe të trashë». Në lidhje me opinionet që sfidojnë evolucionin, edhe evolucionistit më të vendosur, Xhorxh Geilord Simpsonit, iu desh të pohonte: «Me siguri do të ishte e gabuar t’i hedhim poshtë këto pikëpamje me një buzëqeshje apo duke i përqeshur ato. Ata që i kanë propozuar ishin (dhe janë) studiues të aftë dhe të thellë.»
Një çështje besimi
Disa mendojnë se ai që beson tek evolucioni bazohet në fakte, kurse ai që beson tek krijimi kryen një akt besimi. Është e vërtetë se askush nuk e ka parë Perëndinë. (Gjoni 1:18; krahaso 2. Korintasve 5:7.) Megjithatë, teoria e evolucionit nuk ka përparësi në këtë aspekt, pasi bazohet mbi ngjarje të papërsëritshme që askush nuk i ka parë ndonjëherë.
Për shembull, shkencëtarët nuk kanë parë kurrë mutacione—dhe aq më tepër të një natyre dobiprurëse—që sjellin forma të reja jete dhe prapëseprapë janë të bindur se kjo është pikërisht ajo që i dha jetë specieve të reja. Ata kurrë nuk kanë parë lindje spontane të jetës, megjithatë këmbëngulin se jeta filloi në këtë mënyrë.
Kjo mungesë provash e shtyu profesorin T. H. Janabi ta quante teorinë e evolucionit «thjesht ‘besim’». Ndërsa fizikanti Fred Hoil e quajti «Ungjilli sipas Darvinit». Dr. Evan Shut bën një pohim edhe më të fuqishëm. «Dyshoj se ai që beson tek krijimi, ka më pak mistere për të shpjeguar sesa evolucionisti i bindur»,—tha ai.
Ekspertë të tjerë janë dakort. «Kur mendoj natyrën e njeriut,—pohon astronomi Robert Jastrou,—shfaqja e kësaj qenieje të jashtëzakonshme nga substancat kimike në një pellg uji të ngrohtë më duket një mrekulli po aq sa edhe tregimi biblik i origjinës së tij.»
Përse atëherë shumë njerëz akoma e hedhin poshtë mendimin se jeta u krijua?
[Figura në faqen 3]
Pohimet dogmatike të disave mund të jenë bindëse