Kongresi «Mësimi Hyjnor» në Etiopi: Një rast i veçantë gëzimi
NUK ishte i pari kongres krahinor i mbajtur lirshëm në Etiopi, por me të vërtetë ishte diçka e veçantë. Pasi fituan miratimin ligjor më 11 nëntor 1991, për të tretën herë Dëshmitarët e Jehovait u takuan në stadiumin më të madh të vendit, në qendër të Addis Abebas. Pasi ky mjedis nuk ishte fillimisht në dispozicion të dielën dhe nuk mund të gjendej një lokal tjetër kaq i madh, programi u përmblodh në tri ditë, nga e enjtja 13 janar deri të shtunën 15 janar 1994.
Në këto tri ditë mund të gëzoje jo vetëm një mot të butë e të mrekullueshëm nën qiellin blu, por edhe dritën frymore të «Mësimit hyjnor» me të gjithë ndikimin e tij. Në anë të podiumit, rrethuar nga një dekoracion tërheqës lulesh, binte në sy tema e kongresit e shkruar në gjuhën amharike.
Por, çfarë e bëri të veçantë këtë kongres? Përveç programit të pasur, mendimet dhe ndjenjat e gjithkujt u përqendruan mbi vëllazërinë tonë të dashur ndërkombëtare dhe në shfaqjen e qartë të bekimeve të Perëndisë mbi popullin e tij në formën e rritjes së Mbretërisë. Gjendeshin afërsisht 270 delegatë të huaj nga 16 vende, duke përfshirë edhe ata nga Xhibuti dhe Jemeni. Më shumë se gjysma erdhën nga moti dimëror i Evropës dhe i Amerikës së Veriut. Midis vizitorëve ishin edhe dy anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, Loid Berrei dhe Daniel Sidlik.
Mikpritja tradicionale e etiopianëve bashkë me dashurinë e përzemërt për vëllezërit e tyre vizitorë, solli si rezultat një gjallëri që mposhti pengesat që dilnin për shkak të ndryshimit të gjuhëve. Përshëndetjet nuk ishin thjesht shtrëngime duarsh, por përqafime dhe puthje që përsëriteshin edhe gjashtë herë me radhë! Shumë vizitorë kishin lexuar rreth veprës së Mbretërisë në Etiopi dhe e dinin se vëllezërit e tyre etiopianë e kishin ruajtur integritetin e tyre nën sprova dhe kishin duruar burgjet apo format e tjera të persekutimit.a Por delegatët e huaj, habiteshin tek shihnin kaq shumë të rinj me fytyra të lumtura që tregonin një mirësjellje që nuk ekziston në shumicën e vendeve sot. Shumë motra etiopiane, mbanin veshur kostumet e tyre të bardha tradicionale, të qëndisura nga duar të shkathëta, duke i kontribuar kështu një fryme me të vërtetë festive.
Pagëzimi ditën e premte, ishte me të vërtetë rrëqethës. Vargu i gjatë i 530 të dedikuarve të rinj, nga mosha 10 deri 80 vjeç, zuri gjysmën e fushës së lojës së stadiumit. Kjo ishte shumë më tepër se ç’mund të pritej—më shumë se 1 për çdo 7 Dëshmitarë në vend. Çfarë dëshmie e bekimit të Jehovait mbi popullin e tij në këtë vend. Shumë lot gëzimi u derdhën tek shiheshin kaq shumë që pagëzoheshin, ndërsa këngët e mrekullueshme të rreth 40 delegatëve italianë e bënin atmosferën edhe më prekëse. Shumë menduan mbi fjalët profetike të Isaisë 60:5: «Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vijë tek ti.»
Arsye të veçanta për gëzim
Bekimet e Jehovait dolën më shumë në pah ditën e premte, ku nëpërmjet intervistave u përkujtuan fillimet e para të veprës së Mbretërisë në Etiopi. Të intervistuarit ishin një grup misionarësh që kishin shërbyer atje në vitet ’50 dhe ’70. Më shumë se 8.000 persona dëgjuan Rai Kasën, Xhon Kamfës dhe Haivud Uard, tek përshkruanin veprën e tyre të arsimimit biblik, që filloi më 14 shtator të vitit 1950, kur arritën në Addis Abeba. Qeveria perandorake e asaj kohe u kërkoi që të zhvillonin një arsimim të përgjithshëm. Kështu, ata hapën një shkollë për arsimimin e të rriturve në qendër të qytetit, ku trajtonin çështje të ndryshme. Por në kohën e lirë, këta misionarë kërkuan që të përparojnë në arsimimin që bazohej në mësimin hyjnor. Ata duhej të bënin përpjekje që të mësonin gjuhën amharike, që ishte mjaft e komplikuar me një alfabet të përbërë nga 250 shkronja. Kaluan gati 6 muaj derisa ia dolën mbanë të drejtonin të parin studim biblik në shtëpi. Sot, rreth 43 vjet më vonë, ata takojnë në rrugë njerëz që i mbajnë mend mend këta ish-mësues. Megjithatë, në kongres, ata u gëzuan tek bashkoheshin përsëri me dhjetëra e qindra ish-studentët e tyre biblikë, që mbetën të patundur në besim dhe që tani ua paraqesin ata, fëmijëve dhe nipërve të tyre frymorë.—1. Selanikasve 2:19, 20.
I gëzuar dhe mjaft i vëmendshëm, auditori duartrokiti për një kohë të gjatë jo vetëm të intervistuarit së bashku me ish-misionarët, por edhe raportet dhe përshëndetjet nga Britania, Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Italia, Kenia, Nadhërlends dhe Shtetet e Bashkuara, të sjella nga përfaqësuesit e huaj. Kjo përsëri flet për vëllazërinë e dashur ndërkombëtare të popullit të Perëndisë. Fjalimi kryesor i paraqitur prej vëllezërve të mirosur nga Trupi Udhëheqës si edhe lutjet e tyre të përzemërta, gjithashtu e prekën thellë auditorin. Të rinjtë në stadium mundën të shihnin veten në personazhet e dramës me temë për të rinjtë që kujtojnë Krijuesin e tyre, e cila u paraqit në mënyrë shumë të natyrshme dhe të gjallë. Përveç botimeve të reja në anglisht, tri botime të reja në gjuhën amharike shkaktuan shumë entuziazëm.b
Gjatë intervaleve dhe momenteve të tjera, kishte mundësi të shkëlqyera për t’u njohur me shumë vëllezër të dashur. Për shembull, pikërisht në rreshtin e parë, me një shkop të bërë me dorë, qëndron ulur lajmëtari më i vjetër në Etiopi, Tulu Mekuria. Vitin e fundit, në një moshë të shkuar, 113 vjeç, ai u pagëzua si një Dëshmitar i Jehovait. Në këtë kongres ai pati gëzimin të shihte gruan e tij 80 vjeçare të ndiqte shembullin e tij, duke u bërë kështu edhe motra e tij frymore. Prania e tij gjatë gjithë programit ishte një frymëzim i mrekullueshëm për të rinjtë. Njëri prej tyre ishte Johanes Gorems, 16 vjeç, akoma një nxënës shkolle, ka tashmë katër vjet që shërben si pionier i rregullt. Ai dhe bashkëmoshatarët e tjerë pionierë, që janë edhe më të rinj, kanë mësuar të rezervojnë kohën e duhur për të predikuar, si p.sh. duke dhënë dëshmi herët në mëngjes gjatë rrugës për në shkollë, apo duke shfrytëzuar intervalet dhe orët pas mësimit.
Çfarë shembujsh integriteti!
Qindra nga auditori kanë përjetuar burgime dhe tortura nën qeveritë e mëparshme. Mandefro Yifru, kujton rreth pesë vitet e kaluara në burg, por tani gëzon shërbimin në Addis Abeba në zyrën e re të krijuar, e cila kujdeset për përkthimin, shtypjen dhe transportimin e literaturës. Një tjetër i ri shërben me të, Zekares Eshetu, i cili e ruajti integritetin e tij tetë vjet më parë, kur babai i tij u vra për ruajtjen e asnjanësisë së krishtere gjatë tri viteve të burgimit. Zekares, një prej pesë fëmijëve, ishte dhjetë vjeç kur i ati i tij u burgos. Mesuat Germa dhe motra e tij, Joalan, tani rreth të njëzetave dhe që akoma shkon në shkollë, e kujtojnë babanë e tyre vetëm nga fotografia sepse ata ishin shumë të vegjël, kur ai papritur u ekzekutua për shkak të asnjanësisë së tij. Besnikëria e tij i frymëzoi ata dhe tani të dy shërbejnë si pionierë të rregullt, siç shërbente edhe babai i tyre në kohën kur vdiq.
Një tjetër që e kish ruajtur integritetin e tij, ishte edhe Tamirat Jadet, që tani shërben si pionier special në rajonin e bukur të Rift Valleit. Për shkak të asnjanësisë së tij të krishtere, ai kaloi tre vjet në shtatë burgje të ndryshme, shpesh herë i lidhur me zinxhirë duke iu nënshtruar rrahjeve të ashpra. Megjithatë, në burg, ai ndihmoi mbi një duzinë njerëz që të radhiteshin në anën e Mbretërisë së Perëndisë.
Tesfu Temelso që tani shërben si mbikëqyrës qarkor, u burgos 17 herë gjatë viteve kur shërbente si pionier special. Ai ka shenjat e rrahjeve në trup, por është i mallëngjyer tek sheh kongregacionet në të cilat më parë ishte i emëruar. Duzina vëllezërish dhe motrash nga kongregacioni i Akakit, vuajtën burgimin dhe egërsinë, megjithatë kongregacioni u rrit me mbi njëqind lajmëtarë. Ata ndërtuan të parën Sallë të Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait në Etiopi. Nga Dasa, një qytet në një vend piktoresk, rreth 300 km në veri të kryeqytetit, erdhi një grup prej pesë vetash, që kishin qenë shumë afër vdekjes dhe kishin parë një vëlla të zonës të vdiste nga torturat që kish pësuar. Një plak midis tyre, Maseresha Kasa, shpjegoi se kish qëndruar besnik gjatë gjashtë viteve burgim, jo sepse kishte ndonjë cilësi të veçantë, por thjesht sepse mësoi të mbështetej në Jehovain.—Romakëve 8:35-39; krahaso Veprat 8:1.
Kohët e fundit, edhe të tjerë kanë treguar besnikëri gjatë sprovave. Një grup i madh erdhi në kongres nga një vend fqinj, ku për shkak të asnjanësisë, Dëshmitarëve iu mohuan mbrojtja e policisë, dokumentat e udhëtimit, çertifikatat martesore, trajtimi shëndetësor dhe e drejta për t’u punësuar . Ndërsa lufta po bënte kërdinë pranë Mesavës, një port eritrean mbi Detin e Kuq, i gjithë kongregacioni i përbërë gjithsej nga 39 persona bashkë me fëmijët, jetoi për rreth katër muaj poshtë një ure të ulët, në një vend të braktisur, për t’i shpëtuar bombardimit të shtëpive tyre nga qeveria e mëparshme. Në këtë vend të nxehtë dhe të privuar nga liria, ata trajtuan tekstin e ditës dhe zhvilluan mbledhjet e tjera, gjë që u dha një forcë të madhe dhe i lidhi ngushtë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin. Dy motra pioniere speciale që shërbenin pranë burimit të Nilit Blu, duruan kërcënimet dhe ngacmimet e turmave të njerëzve të nxitura nga Kisha Ortodokse. Por të dyja qëndruan dhe panë disa studentë biblikë, të simbolizonin dedikimin e tyre me anë të pagëzimit në këtë kongres.
Një vëlla tregoi për provën e tij, duke qenë i izoluar në një vend pune të thellë, në rajonin e thatë të Ogadenit jo larg nga Somalia. Ai mundi të qëndronte gjallë frymësisht duke predikuar dhe pastaj duke mbajtur mbledhje me të interesuarit, midis të cilëve kishte edhe mjekë, të cilët përfituan nga mësimi hyjnor dhe tani mësojnë të tjerët. Një tjetër shembull i shkëlqyer i ruajtjes së integritetit, ishte edhe një pionier special në Addis Abeba, i cili në 1992-shin u godit në mënyrë brutale dhe gati për vdekje nga një turmë njerëzish e nxitur prej priftërinjve ortodoksë. Lumturisht, ai e mori veten përsëri dhe vazhdoi të shërbente në të njëjtin territor. Një buzëqeshje rrezatuese në fytyrën e tij, nuk zbulon gjurmë hidhërimi. Për të, si për gjithë të sprovuarit e tjerë dhe për më të rinjtë, kongresi «Mësimi Hyjnor», ishte një festival gëzimi.
Organizimi i kongresit funksionoi siç duhej duke i bërë vizitorët të mendonin se vullnetarët kishin shumë vite përvojë. Në fakt, ata patën bërë një përparim të shpejtë gjatë dy viteve të kaluar. Të tri ditët e kongresit mbaruan më shpejt se ç’ishte dëshira. Maksimumi i pjesëmarrësve të shtunën ishte 9.556 persona. Radiotelevizioni, dhe shtypi i bënë një jehonë pozitive kongresit. Të gjithë mundën të shihnin se Jehovai po e bënte të pasur nga ana frymore popullin e tij. Në auditor, përfshiheshin mijëra të interesuar, të cilët filluan të përfitonin nga «Mësimi Hyjnor». Një fushë e gjerë u hap për Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend me rreth 50 milionë njerëz dhe kongresi i forcoi të gjithë që me vendosmëri të përdorin kohën e mbetur të këtij sistemi gjërash, për të ndihmuar njerëzit e sinqertë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi hyjnor.
[Shënimet]
a Shiko Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, për vitin 1992, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Si të arrish më të mirën në rininë tënde, Si të bëhet e lumtur jeta familjare dhe Dëshmitarët e Jehovait—Të bashkuar për të kryer vullnetin e Perëndisë në të gjithë botën.
[Figurat në faqen 23]
Addis Abeba, 13-15 janar 1994
[Figurat në faqen 24]
Një grup pionierësh në Addis Abeba (djathtas); vëllezër që e ruajtën integritetin në burg (poshtë); Dëshmitari 113 vjeçar dhe gruaja e tij