«E ruajta besimin»
TREGUAR NGA MIQTË E BRUNELA INKONDITIT
«E SHTUNA ishte një ditë shumë e ngadaltë dhe e vetmuar. Isha vetëm në dhomë dhe ndihesha e pashpresë. Më dukej sikur ecja përmes një korridori. Gjithçka po shkonte mirë, derisa dikush papritur ma përplasi derën në fytyrë dhe pavarësisht nga përpjekjet e mia, nuk kishte asnjë mënyrë për të dalë.»
Një zhgënjim i madh rëndoi thellë në zemrën e 15-vjeçares Brunela Inkonditi. Ditët më të rëndësishme në jetën e saj të re po mbaronin. Në fillim të atij viti, dashuria e saj në rritje për Jehovain dhe Biblën e nxiti për t’ia dedikuar jetën atij. Në korrik të 1990-ës, ajo duhej të pagëzohej në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait, «Gjuha e pastër», në Montreal, Kanada. Në vend të kësaj, Brunelës iu desh të përballonte një provë të besimit të saj, që do të vazhdonte deri në fund të jetës.
Dy ditë përpara se ta simbolizonte dedikimin e saj me pagëzimin në ujë, Brunela mësoi se kishte leucemi. Doktorët në spitalin lokal të fëmijëve, deshën të fillonin menjëherë trajtimin, kështu Brunela qëndroi në spital.
Fjalët e saj i prekën mjekët
Brunela e dinte se gjaku është i shenjtë për Perëndinë Jehova. (Levitiku 17:11) Prindërit e saj, Edmondi dhe Nikoleta, kishin vënë si kusht që asnjë transfuzion gjaku të mos përdorej në trajtimin e vajzës së tyre. «Brunela donte që doktorët ta dëgjonin këtë edhe prej saj, edhe pse ishte e mitur,—kujton babai i saj.—Ajo me vendosmëri u tha atyre se nuk donte një trajtim që do të dhunonte urdhrin e Biblës për t’u ‘përmbajtur nga gjaku’.»—Veprat 15:20.
Më 10 korrik 1990, tre mjekë dhe një punëtor social u takuan me prindërit e Brunelës dhe dy shërbëtorë nga kongregacioni lokal i Dëshmitarëve të Jehovait. Analizat nxorën si përfundim se Brunela kishte leucemi akute limfoblastike. Mjekët shpjeguan planin e tyre për të luftuar sëmundjen. Me takt, ata përshkruan se ishte shumë e vështirë për t’u trajtuar. «Sjellja dhe vendosmëria e Brunelës për t’iu bindur Perëndisë, i preku mjekët dhe punëtorin social. Ata u impresionuan nga dashuria e prindërve të saj dhe mbështetja e miqve nga kongregacioni i krishterë. Gjithashtu, ata e vlerësuan faktin se ne e kuptonim dhe e respektonim pozitën e tyre»,—kujton një nga pleqtë e kongregacionit.
Mjekët pranuan të shmangnin transfuzionin e gjakut. Brunela do të merrte kimioterapi të zgjeruar, por që do të ishte më pak vepruese se e zakonshmja. Kjo do të zvogëlonte humbjen e qelizave të gjakut, që mund të ndodhte gjatë trajtimit. «Mjekët i morën parasysh nevojat fizike, emocionale dhe frymore të Brunelës,—shpjegon Nikoleta.—Kur u kërkuam që të këshilloheshin me një mjek me përvojë në trajtimin pa gjak të leucemisë tek fëmijët, ata pranuan.» Brunela dhe personeli i spitalit formuan një lidhje të ngrohtë dashurie.
Synimet frymore
Megjithëse trajtimi fillestar solli rezultate të mira, prova e rëndë për Brunelën sapo kishte filluar. Në nëntor të 1990-ës, sëmundja e saj ishte në përmirësim, kështu u pagëzua pa ngurruar. Duke menduar mbi disa muaj më parë, Brunela pranoi: «Nuk ishte aspak e lehtë. Të nevojitet shumë forcë dhe të duhet të mendosh pozitivisht. . . . Besimi im ishte në provë. Por unë mbeta e vendosur dhe akoma mendoj që të shërbej si pioniere e rregullt [në shërbim të plotë kohor].»
Në fillim të vitit 1991, Brunela pësoi një përsëritje të sëmundjes së saj. Ajo pothuajse vdiq ndërsa bënte kimioterapinë, por për çudinë dhe gëzimin e të gjithëve e mori veten sërish. Gjatë gushtit ishte mjaft mirë për ta kaluar muajin në shërbimin publik si pioniere ndihmëse. Sëmundja e saj u keqësua përsëri dhe nga nëntori i vitit 1991, trupi i saj u prek në vende të ndryshme nga kanceri. Një tjetër ekip mjekësor i të një spitali tjetër, filloi ta trajtonte me radioterapi.
Edhe në rrethana të tilla të vështira, Brunela qëndroi e palëkundur dhe i vuri synime frymore vetes. Kur mësoi së pari rreth leucemisë, iu tha se mund të jetonte vetëm gjashtë muaj. Tani, pothuaj një vit e gjysmë më vonë, Brunela akoma bënte plane për të ardhmen. «Ajo nuk shpenzoi kohë kot për të arritur synimet e saj,—vuri në dukje një plak kongregacioni.—Besimi i Brunelës në parajsën e premtuar të Perëndisë, e mbështeti atë gjatë provës së rëndë. Ajo u rrit në pjekurinë e krishterë edhe pse e re në moshë. Sjellja dhe qëndrimi i saj frymëzoi kongregacionin dhe fitoi zemrat e atyre që e njohën, duke përfshirë edhe personelin e spitalit.» Nëna e saj kujton: «Ajo kurrë nuk u ankua. Kur dikush e pyeste se si ndihej, ajo i përgjigjej, ‘Shkëlqyeshëm’ ose, ‘Jo keq, po ç’kemi nga ty?’»
Një e ardhme e sigurt
Brunela planifikoi të ndiqte kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait, «Bartësit e Dritës», që u mbajt në korrik të 1992-shit. Megjithatë, në kohën e kongresit, Brunela u shtrua në spital dhe jeta e saj po shuhej. Megjithatë, ajo e ndoqi kongresin e ulur në një karrocë invalidësh, me qëllim që të shihte dramën Duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Jehovait.
Ajo u kthye në shtëpi pranë familjes së saj, gjatë atyre pak ditëve të fundit të jetës. «Deri në fund, ajo ishte më shumë e shqetësuar për të tjerët sesa për veten,—thotë Nikoleta.—Ajo, i inkurajonte ata që të studionin Biblën, duke u thënë: ‘Do të jemi së bashku në Parajsë.’»
Brunela vdiq më 27 korrik 1992, e vendosur në shpresën e saj për një ringjallje jete në parajsën mbi tokë. Megjithëse vetëm sa kish filluar të ndiqte qëllimet e saj, planifikoi të vazhdonte dedikimin e saj edhe pas ringjalljes. Vetëm pak ditë para se të vdiste, Brunela shkroi letrën e mëposhtme, e cila u lexua në funeralin e saj.
«Të dashur miq:
Ju falënderoj për ardhjen. Prania juaj do të thotë shumë për familjen time.
Me njerëzit që më qëndruan pranë, kemi kaluar mjaft çaste së bashku. Kemi pasur mjaft momente të këqija, por edhe disa të gëzueshme. Ishte një luftë e gjatë dhe e vështirë, por nuk ndihesha e dështuar. Sikurse thuhet në Shkrimet: ‘Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.’—2. Timoteut 4:7.
Unë, gjithashtu, mësova shumë, u rrita shumë dhe shokët e mi bashkë me ata që ishin përreth meje e panë ndryshimin. Dua të falënderoj të gjithë ata njerëz që më mbështetën.
Ju që besoni në sistemin e ri dhe në Jehovain, e dini se do të ketë një ringjallje, ashtu siç thotë Gjoni 5:28, 29. Prandaj, mbahuni fort në të vërtetën dhe do të kemi mundësi ta shohim përsëri njëri-tjetrin.
Dua të falënderoj ata njerëz që e dinë se çfarë kam kaluar. I jap secilit prej jush një përqafim dhe një puthje të gjatë. Ju dua të gjithëve.»
Brunela nuk lejoi që rinia apo sëmundja të shtynin dedikimin e saj ndaj Perëndisë. Shembulli i saj i besimit dhe i vendosmërisë i inkurajon si të rinjtë ashtu edhe të vjetrit, që të shmangin çdo gjë që mund t’i pengojë në garën e vrapimit të jetës.—Hebrenjve 12:1.