BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/10 f. 14-17
  • Çfarë i ka ndodhur autoritetit?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çfarë i ka ndodhur autoritetit?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Autoriteti në krizë
  • Kërkimi i njeriut për autoritet legjitim
  • «Dy fuqi», «dy shpata»
  • Legjenda e sovranitetit popullor
  • Legjenda e sovranitetit kombëtar
  • Dështimi i përpjekjeve njerëzore
  • Pikëpamja e krishterë për autoritetin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Respekti për autoritetin: Përse është thelbësor?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Sovraniteti
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Sovraniteti i Jehovait dhe Mbretëria e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/10 f. 14-17

Çfarë i ka ndodhur autoritetit?

NJERËZIT që mendojnë ndiejnë nevojën e autoritetit. Pa disa lloje të strukturës së autoritetit, shoqëria njerëzore shpejt do të përfundonte në kaos. Kështu, një tekst francez i të drejtave kushtetuese deklaron: «Në çdo grup njerëzor, gjenden dy kategori njerëzish: ata që komandojnë dhe ata që binden, ata që japin urdhra dhe ata që i zbatojnë, udhëheqësit dhe anëtarët, qeveritarët dhe të qeverisurit. . . . Ekzistenca e autoritetit mund të vihet re në çdo shoqëri njerëzore.»a

Megjithatë, qëndrimet ndaj autoritetit kanë ndryshuar që nga Lufta II Botërore dhe veçanërisht që nga vitet ’60. Duke komentuar atë periudhë, një enciklopedi franceze flet për një «krizë antihierarkike dhe antiautoritare». (Encyclopœdia Universalis) Një krizë e tillë nuk është surprizë për ata që studiojnë Biblën. Apostulli Pavël paratha: «Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj.»​—2. Timoteut 3:1-4

Autoriteti në krizë

Kjo profeci përshkruan mirë kohën dhe epokën tonë. Autoriteti kundërshtohet në të gjitha nivelet​—familje, shkollë publike, universitet, ndërmarrje tregtare dhe qeveri lokale e kombëtare. Revolucioni seksual, muzika rap i rëndë, demonstratat e studentëve, grevat e punëtorëve, mosbindja njerëzore dhe aktet e terrorizmit janë të gjitha shenja të mungesës së respektit për autoritetin.

Në një simpozium të organizuar në Paris nga Instituti Francez i Shkencave Politike dhe e përditshmja pariziane Le Monde, profesor Iv Meni tha: «Autoriteti mund të ekzistojë vetëm nëse mbështetet nga legjitimiteti.» Një arsye e krizës së sotme është se shumë nuk kanë besim në legjitimitetin e atyre që janë në fuqi. Pra, nuk janë të bindur për të drejtën e tyre për të ushtruar autoritet. Një sondazh zbuloi se në fillim të viteve ’80, 9 për qind e popullsisë në Shtetet e Bashkuara, 10 për qind në Australi, 24 për qind në Britani, 26 për qind në Francë dhe 41 për qind në Indi, i konsideronin qeveritë e tyre si jo legjitime.

Kërkimi i njeriut për autoritet legjitim

Sipas Biblës, njeriu fillimisht ishte nën autoritetin direkt të Perëndisë. (Zanafilla 1:27, 28; 2:16, 17) Por shumë shpejt, njerëzit kërkuan pavarësi morale nga Krijuesi i tyre. (Zanafilla 3:1-6) Meqenëse kishin hedhur poshtë teokracinë, pra sundimin e Perëndisë, ata duhej të gjenin sisteme të tjera autoriteti. (Eklisiastiu 8:9) Disa e shpallën autoritetin e tyre me forcë, duke menduar se pushteti ua jepte këtë të drejtë. Mjaft që të ishin aq të fortë, sa për të imponuar dëshirën e tyre. Megjithatë, pjesa më e madhe ndienin nevojën për ta përligjur të drejtën e tyre për të qeverisur.

Që në kohët më të lashta, shumë qeveritarë e bënë këtë, duke thënë se ata ishin perëndi apo se kishin marrë fuqi nga perënditë. Ky është koncepti legjendar i «mbretërimit të shenjtë», të shpallur nga sundimtarët e Mesopotamisë dhe faraonët e Egjiptit të lashtë.

Edhe Aleksandri i Madh, mbretërit helenistikë që e zëvendësuan atë dhe shumë perandorë romakë pohuan se ishin perëndi dhe madje kërkuan të adhuroheshin. Sistemet nën këta sundimtarë njiheshin si «kultet e sundimtarëve» dhe qëllimi i tyre ishte të përforconin autoritetin e sundimtarëve tek popujt e ndryshëm që kishin mundur. Mospranimi i adhurimit të sunduesit dënohej si akt kundër shtetit. Profesor Earnest Barker shkroi: «Hyjnizimi i perandorëve [romakë] dhe besnikëria që ata merrnin në saje të hyjnisë së tyre, janë në mënyrë të qartë themeli apo çimentoja e perandorisë.»​—The Legacy of Rome.

Kjo vazhdoi të ishte kështu edhe pasi «krishterimi» u njoh ligjërisht nga perandori Kostandin (që sundoi gjatë 306-337 të e.s.) dhe më vonë u adoptua si fe shtetërore në perandorinë romake nga perandori Teodosiu I (që sundoi gjatë 379-395 të e.s.). Disa nga perandorët «e krishterë» adhuroheshin si perëndi deri në shekullin e pestë të e.s.

«Dy fuqi», «dy shpata»

Pak nga pak që sundimi i papës fuqizohej, problemet midis kishës dhe shtetit u bënë më të mprehta. Kështu, në fund të shekullit të pestë të e.s., papa Gelasius I shpalli parimin e «dy fuqive»: autoriteti i shenjtë i papëve bashkëjetonte me fuqinë mbretërore të mbretërve—me nënshtrimin e mbretërve ndaj papëve. Ky parim u shndërrua më vonë në doktrinën e «dy shpatave»: «Shpata frymore e papëve përdorej nga vetë ata, duke ia dhënë atë të përkohshmen qeveritarëve laikë, por ama, duhej ta përdornin shpatën e përkohshme sipas urdhërave të papëve.» (The New Encyclopœdia Britannica) Në bazë të kësaj doktrine, Kisha katolike shpalli gjatë mesjetës të drejtën e kurorëzimit të perandorëve dhe të mbretërve, për të përligjur kështu autoritetin e tyre, duke përjetësuar legjendën e lashtë të «mbretërimit të shenjtë».

Megjithatë, kjo nuk duhet ngatërruar me të ashtuquajturën të drejtë hyjnore të mbretërve, një zhvillim i mëvonshëm që shënoi lirimin e qeveritarëve politikë nga nënshtrimi ndaj sundimit të papës. Sipas teorisë së të drejtës hyjnore mbretërit e merrnin autoritetin e tyre për të sunduar direkt nga Perëndia dhe jo përmes papës së Romës. Një enciklopedi katolike deklaron: «Gjatë një periudhe kur papa ushtronte një fuqi frymore universale dhe madje të përkohshme mbi krerët e shteteve, ideja e së drejtës hyjnore i vuri mbretërit e shteteve nacionale në një pozitë të tillë, ku mund të justifikonin autoritetin e tyre si barashyjnor me atë të papës.»b​—New Catholic Encyclopedia.

Legjenda e sovranitetit popullor

Me kalimin e kohës, njerëzit sugjeruan burime të tjera autoriteti. Një prej tyre ishte sovraniteti i popullit. Shumë besojnë se kjo ide kishte zënë fill në Greqi. Megjithatë, demokracia e lashtë greke praktikohej vetëm në pak qytet-shtete, madje edhe atje votonin vetëm qytetarët meshkuj. Gratë, skllevërit dhe banorët e huaj​—pak a shumë gjysma e katër të pestave të popullsisë—​ishin lënë jashtë. Zor se mund të konsiderohet sovranitet popullor!

Kush e mbështeti idenë e sovranitetit të popullit? Për habi, ajo ishte futur nga teologët katolikë gjatë mesjetës. Në shekullin e 13-të, Tomas Akuini pohoi se megjithëse sovraniteti kishte ardhur nga Perëndia, ai i ishte veshur popullit. Kjo ide u pranua më pas nga shumë njerëz. Një enciklopedi katolike thotë: «Kjo ide e popullit si burim i autoritetit u mbështet nga pjesa më e madhe e teologëve katolikë të shekullit të 17-të.»​—New Catholic Encyclopedia.

Përse teologët e një kishe përkrahën idenë e sovranitetit të popullit, kur vetë populli nuk mund të nxirrte zë lidhur me zgjedhjen e papëve, peshkopëve apo priftërinjve? Sepse disa mbretër evropianë ishin gjithnjë e më shumë të shqetësuar nën autoritetin e papës. Teoria e sovranitetit popullor i jepte papës pushtet për të përmbysur një perandor ose monark, nëse dukej e nevojshme. Historianët Uill dhe Ariel Dyra, shkruan: «Mbrojtësit e sovranitetit popullor përfshinin shumë jezuitë, të cilët shihnin në këtë koncept një mjet për të dobësuar autoritetin mbretëror kundër atij të papës. Nëse,—argumenton kardinali Berlamin,—autoriteti i mbretërve vjen nga populli dhe i nënshtrohet atij, pra popullit, në mënyrë të dukshme i nënshtrohet autoritetit të papëve . . . Luis Molina, një jezuit spanjoll, nxori përfundimin se populli, si burim i autoritetit shekullor, me të drejtë rrëzon një mbret të padrejtë, por sipas një procedure të disiplinuar.»

Sigurisht që «procedura e disiplinuar» do të vendosej nga papa. Lidhur me këtë, një vepër katolike franceze (Histoire Universelle de l’Eglise Catholique) citon nga një libër (Biographie universelle): «Berlamin . . . mësoi si doktrinë të përgjithshme katolike se princat e marrin pushtetin e tyre nga zgjedhja e popullit dhe se populli mund të ushtrojë të drejtën e tij vetëm nën ndikimin e papës.» (Kursivi është yni) Sovraniteti popullor u bë kështu mjeti që papa duhej të përdorte për të ndikuar në zgjedhjen e tyre dhe nëse do të ishte e nevojshme, t’i rrëzonte ata. Gjatë kohëve të fundit, hierarkisë katolike i është lejuar të ndikojë votuesit katolikë në përfaqësuesit e demokracisë.

Në demokracitë moderne, legjitimiteti i qeverisë është bazuar në atë që quhet «miratimi i të qeverisurve». Megjithatë, ndër më të mirat merret «miratimi i shumicës» dhe për shkak të plogështisë së votuesit e dredhive politike, kjo «shumicë» në fakt paraqet vetëm një pakicë të popullsisë. Sot, «miratimi i të qeverisurve» do të thotë pak më shumë se «pranimi në heshje apo nënshtrimi i të qeverisurve».

Legjenda e sovranitetit kombëtar

Legjenda e mbretërimit të shenjtë e përkrahur nga papët e hershëm u kthye kundër sundimit të papës, kur u shndërrua në një të drejtë hyjnore të mbretërve. Teoria e sovranitetit popullor, edhe kësaj here i dha një goditje të fortë Kishës katolike. Gjatë shekujve të 17-të dhe 18-të, filozofët shekullorë të tillë si anglezët Tomas Hobes e Xhon Loke dhe francezi Zhan Zhak Ruso, pasqyruan idenë e sovranitetit popullor. Ata zhvilluan versione të teorisë së «kontratës sociale» ndërmjet qeveritarëve dhe të qeverisurve. Parimet e tyre nuk bazoheshin në teologji, por në «ligjet natyrore» dhe nga ky koncept lindën ide që e dëmtuan seriozisht Kishën katolike dhe sundimin e papës.

Pak pas vdekjes së Rusoit, shpërtheu revolucioni francez. Ky revolucion shkatërroi disa ide lidhur me legjitimitetin, por krijoi një të re, atë të sovranitetit kombëtar. Një enciklopedi thotë: «Francezët e hodhën poshtë të drejtën hyjnore të mbretërve, epërsinë e fisnikërisë dhe privilegjet e Kishës katolike të Romës. Por,—thotë kjo enciklopedi,—revolucioni e kishte çuar drejt pjekurisë shpikjen e re, shtetin kombëtar.» (The New Encyclopœdia Britannica) Revolucionistët kishin nevojë për këtë «shpikje» të re. Përse?

Sepse në teorinë e nxjerrë nga Rusoi, të gjithë qytetarët kishin të drejta të barabarta për zgjedhjen e qeveritarëve. Kjo do të çonte në një demokraci të bazuar në votim​—diçka që udhëheqësve të revolucionit francez nuk para u pëlqente. Profesor Dyverzhe shpjegon: «Pikërisht për të shmangur këtë rezultat, të gjykuar si të padëshirueshëm, që nga 1798 deri në 1791 borgjezët e Asamblesë Kushtetuese shpikën teorinë e sovranitetit kombëtar. Populli përcaktohej si «komb», të cilin ata e konsideronin si një qenie të vërtetë, të ndarë nga pjesët e tij përbërëse. Vetëm Kombi përmes përfaqësuesve të tij, është titullari i sovranitetit . . . Doktrina e sovranitetit kombëtar në dukje demokratike, nuk është në të vërtetë aspak ashtu, sepse mund të përdoret në fakt për të justifikuar çdo formë qeverisjeje, në veçanti autokracinë.» (Kursivi është yni)

Dështimi i përpjekjeve njerëzore

Pranimi i shtetit kombëtar si burim legjitim i autoritetit çoi në nacionalizëm. Një enciklopedi deklaron: «Shpesh mendohet se nacionalizmi është shumë i vjetër; ndonjëherë shikohet gabimisht si një faktor i përhershëm në sjelljen politike. Në të vërtetë, revolucioni francez dhe ai amerikan mund të shihen si manifestimet e para të saj më të fuqishme.» Që në kohën e atyre revolucioneve, nacionalizmi ka përfshirë Amerikën, Evropën, Afrikën dhe Azinë. Në emër të nacionalizmit janë justifikuar luftëra të ashpra.

Historiani anglez Arnold Toinbi shkroi: «Fryma e nacionalizmit është një tharm i thartuar i verës së re të demokracisë në shishet e vjetra të mentalitetit fisnor. . . . Ky kompromis i çuditshëm ndërmjet demokracisë dhe mentalitetit fisnor ka qenë shumë më i fuqishëm në praktikat politike të botës moderne perëndimore, sesa në vetë demokracinë.» Nacionalizmi nuk ka sjellë një botë paqësore. Toinbi tha: «Pas një pushimi të shkurtër, luftërat fetare janë ndjekur nga luftërat nacionaliste dhe në botën moderne të perëndimit, fryma e fanatizmit fetar dhe e atij nacional janë dukshëm i njëjti pasion i dëmshëm.»

Përmes legjendave të «mbretërimit të shenjtë», «të drejtës hyjnore të mbretërve», «sovranitetit popullor» dhe «sovranitetit kombëtar», qeveritarët janë përpjekur të përligjin autoritetin e tyre mbi njerëzit e tjerë. Megjithatë, pasi të shqyrtojë historinë e qeveritarëve njerëzorë, një të krishteri nuk i mbetet gjë tjetër veçse të jetë në një mendje me mendimin e shprehur nga Solomoni: «Njeriu sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.»​—Eklisiastiu 8:9.

Në vend se të adhurojnë shtetin politik, të krishterët adhurojnë Perëndinë dhe e njohin atë si burimin legjitim të çdo autoriteti. Ata janë të një mendjeje me psalmistin David, i cili tha: «Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është Mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka.» (1. Kronikat 29:11) Megjithatë, për respekt ndaj Perëndisë, ata tregojnë respektin e duhur për autoritetin në fushën frymore dhe jofrymore. Dy artikujt vijues do të shqyrtojnë si dhe përse të krishterët mund ta bëjnë këtë me gëzim.

[Shënimet]

a Droit constitutionnel et institutions politiques, nga Moris Dyverzhe.

b Një enciklopedi tjetër deklaron: «Kjo ‘e drejtë hyjnore e mbretërve’ (shumë e ndryshme nga doktrina, sipas së cilës të gjitha autoritetet, qofshin monarkike apo republikane, janë nga Perëndia), kurrë nuk është aprovuar nga Kisha katolike. Me Reformën erdhi edhe një formë jashtëzakonisht armiqësore ndaj katolicizmit, monarkëve si Henri VIII dhe Jakovi I i Anglisë, duke kërkuar autoritetin e plotë si frymor, ashtu edhe civil.»—The Catholic Encyclopedia.

[Figura në faqen 15]

Kisha katolike kërkoi pushtet për të kurorëzuar perandorët dhe mbretërit

[Burimi]

Shenjtërimi i Karlit të Madh: Biblioteka kombëtare, Paris

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo