Ata lanë një shembull për ne
TREGUAR NGA KREG ZANKER
Që prej tetë vjetësh, gruaja ime, Geil dhe unë jemi pionierë, shërbëtorë në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjashtë vjetët e fundit kemi shërbyer në popullsinë vendase australiane. Thjesht, po ndjekim shembullin e shkëlqyer të lënë për ne nga prindërit dhe prindërit e prindërve.
MË LEJONI t’ju tregoj diçka veçanërisht për gjyshin dhe gjyshen. Gjithmonë i kemi thirrur ata me dashuri Opa dhe Oma, që në hollandisht u përkasin fjalët gjysh dhe gjyshe. Gjyshi im, Çarls Harris, akoma shërben me zell në Melburn, ku jeton që prej 50 vjetësh.
Njohja me të vërtetat biblike
Opa lindi në një qytet të vogël në Tasmani, shtet-ishull i Australisë. Në vitin 1924, kur ai ishte 14 vjeç, i ati bleu në ankand një arkë që i përkiste një marinari. Në kuptim frymor, rezultoi se ishte një arkë vërtet e çmuar, sepse ajo përmbante një seri librash të shkruara nga kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, Charles Taze Russell.
Duket se i ati i Opas nuk tregoi ndonjë interes të veçantë për ato libra, kurse Opa filloi t’i lexonte dhe menjëherë kuptoi se ato përmbanin të vërteta të çmuara biblike. Kështu, ai filloi të kërkonte Studentët Ndërkombëtarë të Biblës—përfaqësuesit e botuesve të librave që sot njihen si Dëshmitarë të Jehovait. Ai donte të fliste me ta që të mund të merrte shpjegime të mëtejshme mbi të vërtetat e Biblës që po mësonte.
Pas shumë kërkimesh, gjeti tri gra të moshuara që i mësonin aktivisht të tjerët. Ato patën një ndikim të jashtëzakonshëm tek i riu Çarls. Përfundimisht, në vitin 1930, iu dedikua Perëndisë Jehova dhe u pagëzua në ujë. La punën e tij si kasap dhe shkoi në Sidnei, në veri, ku mori detyrën e ungjilltarit në shërbim të plotë kohor.
Si pionier në Australi
Gjatë viteve të mëvonshme, territoret e predikimit të Çarlsit përfshinin Bondin, periferi në bregdetin e Sidneit si dhe zona të tjera fshatare në shtetin e Uellsit të Ri Jugor. Më pas, u caktua në Perth, në Australinë Perëndimore, mijëra kilometra larg nga ana tjetër e kontinentit. Për gjashtë muaj me radhë ai dëshmoi në zonën tregtare të Perthit dhe më pas, bashkë me dy pionierë të tjerë, u caktua në zonën e hapur dhe të madhe të Australisë veriperëndimore.
Sipërfaqja e territorit të kësaj tresheje—Artur Uillis, Xhorxh Rollsten dhe Çarls—ishte një zonë katër herë më e madhe sesa sipërfaqja e Italisë! Popullsia ishte e shpërndarë, toka jopjellore dhe vapa shumë e madhe. Kohë pas kohe duhej të përshkonin më shumë se 500 km nga njëra fermë në tjetrën, të njohura si qendra të rritjes së gjedhëve. Automjeti që përdornin ishte i shkatërruar—edhe me ato të viteve ’30 nuk mund të krahasohej, megjithatë ata gëzonin besim të fortë dhe shumë vendosmëri.
Rrugët e ngushta, të paasfaltuara e plot me gropa, përshkoheshin nga rrugë devesh dhe aty-këtu pluhuri i imët fshihte trungjet e rrezikshme të pemëve. Nuk është për t’u habitur se përse balestrat prisheshin aq shpesh. Boshti i prapmë ishte thyer në dy a tri vende dhe rrotat ishin shpuar disa herë. Shpesh, për të vazhduar udhëtimin pionierët nxirrnin rripa nga gomat e vjetra dhe i ngjisnin ato me bulona përbrenda gomave që përdornin.
Kur isha akoma fëmijë, e pyeta një herë Opan se çfarë e shtynte të vazhdonte përpara pavarësisht nga kushtet e vështira. Ai më shpjegoi se kur ishin të veçuar ndiheshin më afër Jehovait. Ato që ndonjëherë ishin vështirësi fizike,—thoshte ai,—u kthyen në bekime frymore.
Pa asnjë aluzion superioriteti apo pa i dhënë të drejtë vetes, Opa shprehte habi që kaq shumë njerëz duken tepër të përqendruar në grumbullimin e të mirave materiale. «Në jetë,—më tha ai,—sa më pak valixhe të kesh, aq më mirë udhëton. Nëse Jezui ishte i gatshëm të flinte nën dritën e yjeve kur ishte e nevojshme, edhe ne duhet të jemi të gëzuar të bëjmë të njëjtën gjë, nëse e kërkon detyra.» (Mateu 8:19, 20) Ai dhe shokët e tij po e bënin në të vërtetë.
Ftesa në një fushë të huaj
Në 1935-ën, Opa mori një caktim të ri—t’u predikonte banorëve në ishujt e Paqësorit Jugor. Me gjashtë të tjerë, ai hipi në barkën me vela, me gjatësi 16 metra, Mbajtësit e dritës, të Shoqatës Watch Tower.
Njëherë, në Detin e Koraleve, në Australinë e veriut, motori ndihmës i barkës u prish. Nuk ndihej gjëkund as edhe një frymë ere, prandaj mbetën të bllokuar shumë milje larg nga bregu. Megjithëse kishte rrezik të përplaseshin në Pengesën e Madhe të shkëmbinjve nënujorë, Opa ishte i mallëngjyer nga kthjelltësia e përkryer. «Deti ishte i qetë si vaj,—shkroi ai në ditar.—Kurrë nuk do t’i harroj perëndimet e diellit mbi atë det të qetë. Pamja ishte aq e bukur, saqë më është ngulitur në kujtesë përgjithmonë.»
Lumturisht, para se rryma t’i shtynte drejt shkëmbinjve nënujorë, era filloi të frynte dhe ata arritën me vela të ngritura në portin Morsbai, në Papua Guinea e Re, ku duhej të riparonin motorin. Nga porti Morsbai, u nisën për në ishullin Thëzdi dhe më pas për në Java, një ishull i madh në Indonezi. Opa u dashurua shumë pas këtij vendi që ishte përshkruar si «një gjerdan perlash rreth ekuatorit». Në atë kohë, Indonezia ishte koloni hollandeze, prandaj gjyshi mësoi përnjëherësh hollandishten dhe indonezishten. Por në veprën e predikimit literatura që ai ofronte ishte në pesë gjuhë: hollandisht, indonezisht, kinezçe, anglisht dhe arabisht.
Opa ishte shumë i suksesshëm në shpërndarjen e literaturës biblike. Njëherë, Klem Deshamp, që ishte përgjegjës i magazinës Watch Tower në Betavi (tani Xhakarta), u thirr para një funksionari hollandez, i cili e ndiqte nga afër veprën tonë të predikimit. «Sa persona e kryejnë veprën tuaj në pjesën lindore të ishullit të Javës?»—e pyeti funksionari.
—Vetën një,—iu përgjigj vëlla Deshamp.
—Kujton se të besoj,—këmbënguli funksionari.— Atje duhet të keni gati një ushtri, po të gjykosh nga sasia e literaturës që shpërndahet gjithandej!
Opa i mban si komplimentet më të bukura që i kanë bërë gjatë gjithë jetës. Por në të vërtetë i meritonte, pasi nuk ishte e pazakontë për të që të shpërndante nga 1.500 deri në 3.000 botime në muaj.
Martesa, ndalimi dhe lufta
Në dhjetor 1938, Opa u martua me një vajzë indoneziane me emrin Vilhelmina, e cila u bë gjyshja ime. Oma ose gjyshja, ishte e dashur, e sjellshme, punëtore dhe gojëmbël. E them këtë, sepse gjatë fëmijërisë për mua ajo ishte mikja më e ngushtë.
Pas martesës, Opa dhe Oma vazhduan së bashku shërbimin si pionierë. Që atëherë, anëtarët e tjerë të ekuipazhit Mbajtësit e dritës u transferuan në vende të tjera të botës ose u kthyen në shtëpi. Kurse Opa e kishte bërë Indonezinë shtëpinë e tij, prandaj ishte i vendosur të qëndronte.
Me afrimin e Luftës II Botërore, autoritetet hollandeze në Indonezi, nën presionin e klerit filluan t’i vinin kufizime aktivitetit të Dëshmitarëve të Jehovait, derisa përfundimisht e ndaluan veprën tonë. Kështu, predikimi bëhej me shumë vështirësi, duke përdorur vetëm Biblën. Gati në çdo qendër të banuar që vizitonin, Opa dhe Oma dorëzoheshin para funksionarëve dhe merreshin në pyetje. Trajtoheshin si kriminelë. Jo shumë pasi u ndalua vepra, kunati i Omas u burgos për asnjanësinë e tij të krishtere. Vdiq në një burg hollandez.
Opa dhe Oma jetonin në një kamion me një furgon të sajuar në të. Me këtë shtëpi të lëvizshme ata predikuan në të gjithë ishullin e Javës. Në 1940-ën, kur kanosej pushtimi nga ushtria japoneze, ata u bekuan me një vajzë që u bë nëna ime. Ia vunë emrin Viktoria (Fitore), sipas titullit të temës së mbajtur dy vjet më parë nga kryetari i atëhershëm i Shoqatës Watch Tower and Tract, J. F. Rutherford. Vazhduan të kryenin shërbimin e pionierit derisa lindi fëmija.
Në fillim të viteve ’42, Opa, Oma dhe Viktoria gjendeshin në një anije hollandeze mallrash për t’u kthyer nga Borneo, kur u dëgjua një e shtënë e zhurmshme nga një luftanije japoneze. Të gjitha dritat u fikën dhe njerëzit filluan të bërtitnin me të madhe. Kështu, lufta hyri në jetën e familjes sime. Megjithëse arritën shëndoshë e mirë në port, disa ditë më pas japonezët pushtuan Javën dhe një funksionar hollandez spiunoi tek ushtarët japonezë vendndodhjen e Opas dhe Omas.
Kur i gjetën, japonezët u morën atyre gjithçka që kishin, duke përfshirë edhe lodrat e Viktorias së vogël dhe i çuan në dy kampe të ndryshme përqendrimi. Viktorias iu lejua të qëndronte me Oman, kështu Opa nuk i pa më për tre vjet e gjysmë.
Jeta në kampet e përqendrimit
Gjatë internimit, Opa u transferua nga njëri qytet në tjetrin—nga Surabaja në Ngavi, Bandang dhe përfundimisht në Çimahi. Këto transferime të vazhdueshme prishnin çdo përpjekje për ndonjë plan për arratisje. Të burgosurit ishin kryesisht hollandezë, pak anglezë dhe disa australianë. Në këto kampe, Opa mësoi profesionin e berberit, zanat që akoma e vë në punë ndonjëherë. Libri i vetëm fetar që iu lejua të mbante, ishte Bibla—përkthimi King James Version.
Ndërkohë, edhe Oma e Viktoria transferoheshin nga njëri kamp në tjetrin. Në këto kampe, gratë dërgoheshin nga komandanti i kampit të shërbenin jashtë për «shërbime sociale». Megjithatë, për disa arsye, Oma nuk u dërgua asnjëherë. Më vonë, ajo mësoi se ato gra detyroheshin të bëheshin prostituta për ushtarët japonezë.
Për të evituar problemet me ushtarët japonezë, Oma gjithmonë e vishte Viktorian si djalë dhe e mbante me flokë të shkurtra. Emri Viktoria (që do të thotë fitore) shkaktoi një problem të madh, kur komandanti i kampit deshi të dinte se çfarë donte të thoshte ky emër—fitore për ushtrinë e perandorisë japoneze apo fitore për amerikanët?
«Fitore për Mbretërinë e Perëndisë mbi të gjitha qeveritë tokësore»,—iu përgjigj gjyshja ime me krenari.
Si dënim se nuk pranoi të thotë «Fitore për ushtrinë e perandorisë japoneze», Omën dhe vajzën e saj pesë vjeçare i detyruan të qëndronin nën mbikëqyrje për tetë orë nën rrezet përvëluese të diellit tropikal. Pa asnjë çikë hije, pa asnjë pikë ujë, pa u ulur dhe pa u kërrusur përpara. Por me ndihmën e Jehovait ato mbijetuan në këtë provë të tmerrshme.
Një vit pas internimit të Omas, komandanti i kampit i tha se i shoqi kishte vdekur. E trishtuar, ajo e vendosi fotografinë e Opas në fund të valixhes së saj të shkatërruar si mos më keq dhe vazhdoi, pavarësisht nga dhimbja që ndiente.
Jeta në kampin burg ishte e vështirë. Racioni ditor për çdo person ishte një filxhan çaj manioke për mëngjes, më pak se 200 gramë bukë sagoje për drekë dhe një tas oriz të zier në një supë të holluar perimesh për darkë. Për shkak të racionit të pamjaftueshëm, të ushqyerit e keq ishte i zakonshëm dhe çdo ditë vdisnin njerëz nga dizanteria.
Gjatë internimit, Opa u sëmur nga avitaminoza PP dhe edema e urisë. Edhe Oma gati vdiq, sepse ajo shpesh ia jepte racionin e saj Viktorias për të mos e lënë të vdiste nga urija. Egërsia dhe uria u bënë shokë të përhershëm. Mundën të mbijetonin, vetëm duke i qëndruar afër Perëndisë së tyre, Jehovait.
Më kujtohet mirë një nga thëniet e preferuara të Opas: «Liria është të jesh në harmoni me Hyjnorin, Jehovain.» Kështu, Opa e konsideronte veten vërtet të lirë edhe pse ishte i burgosur e vuante. Dashuria që ai dhe Oma kishin për Jehovain, me siguri i ndihmoi ata të ‘duronin të gjitha gjërat’. (1. Korintasve 13:7) Ajo lidhje e ngushtë me Perëndinë është ajo që Geil dhe unë përpiqemi të mbajmë.
Liri dhe një bashkim i papritur
Më në fund, në vitin 1945, Lufta II Botërore përfundoi. Jo shumë kohë pas kapitullimit të Japonisë, Opa gjendej në një tren. Gjatë rrugës nga Xhakarta për në Bandag, treni u ndalua nga ushtarët indonezianë. Megjithëse armiqësia me japonezët kishte përfunduar, indonezianët luftonin për pavarësinë nga hollandezët. Opa u zbrit nga treni kaq shpejt, saqë në vend se të fliste anglisht, filloi të fliste hollandisht. Për indonezianët, hollandishtja ishte gjuha e armikut dhe armiku duhej të vritej.
Lumturisht, ndërkohë që po kontrollonin Opan, ushtarët gjetën patentën e tij australiane, që ai as nuk e mbante mend se e kishte me vete. Indonezianët nuk ishin në luftë me australianët. Edhe sot, Opa ia atribuon ndërhyrjes hyjnore gjetjen e patentës që vërtetonte nënshtetësinë e tij australiane, sepse pak orë më pas, në po atë stacion, të njëjtët ushtarë vranë 12 pasagjerë hollandezë.
Pak pas këtij incidenti, Oma dhe Viktoria po prisnin të transferoheshin nga zonat e shkretuara të luftës. Gjatë kohës që ishin të ulura në anë të rrugës, kaloi një autokolonë e pafundme kamionësh të ngarkuar me ushtarë e civilë. Befas, pa ndonjë arsye të dukshme, autokolona u ndal. Oma rastësisht shikoi anën e prapme të hapur të një kamioni aty afër dhe atje për habi të saj, pa një njeri të tretur të cilin e njohu menjëherë. Ishte i shoqi! Nuk mund të përshkruhet me fjalë emocioni i bashkimit të tyre.
Përsëri në Australi
Kur gjyshi u kthye në Australi me familjen e tij në 1946-ën, pasi kishte jetuar për 11 vjet në Indonezi, jeta për ta nuk ishte e lehtë. Ata u kthyen si refugjatë lufte—të këputur, të ushqyer keq, që shiheshin me dyshim nga shumë njerëz në vend. Oma dhe Viktoria duhej të përballonin paragjykimet raciale kundër emigrantëve aziatikë. Opa duhej të punonte shumë dhe me orë të zgjatura për t’u kujdesur për familjen dhe për t’u siguruar atyre një shtëpi. Pavarësisht nga këto vështirësi, ata duruan dhe vazhduan përpara me një frymë të pacënuar.
Tani pas 48 vjetësh, Opa jeton në Melburn, ku akoma merr pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Ka parë Viktorian dhe fëmijët e saj të pranojnë të vërtetën, t’ia dedikojnë jetën e tyre Jehovait dhe të fillojnë njëri pas tjetrit shërbimin e plotë kohor si pionierë.
Des Zanker—babai im—dhe Viktoria u pagëzuan në fillim të viteve ’50. Në vitin 1958, Des u bë anëtar i familjes Bethel në Australi. Pasi u martua me Viktorian që shërbente si pioniere speciale, ata vazhduan shërbimin si pionierë për disa kohë dhe pastaj u ftuan në shërbimin udhëtues. Pastaj linda unë, kështu atyre iu desh ta linin veprën e udhëtuesit për të më rritur mua. Megjithëse kanë kaluar 27 vjet, babai shërben akoma si pionier.
Në fillim të 1990-ës, Oma vdiq e qetë në shtëpi, në po atë shtëpi ku ishte rritur edhe nëna ime. Edhe unë u rrita në atë shtëpi, në Melburn si dhe motra dhe vëllai im më i vogël. Ka qenë një bekim i vërtetë për familjen tonë të jetonim nën një çati. Ndonjëherë ishim pak ngushtë, por nuk mbaj mend të jem shqetësuar. Edhe gjatë katër viteve të para të martesës, unë dhe gruaja ime Geil kemi banuar aty dhe ajo ndihej si në shtëpinë e vet. Kur u nisëm për në caktimin tonë të ri, qava. Në atë shtëpi kisha marrë shumë mbështetje dhe dashuri.
Megjithatë, tani Geil dhe unë kemi shkak për t’u gëzuar, sepse mund të bëjmë atë që bënë prindërit e mi dhe gjyshi e gjyshja para tyre. Kur u nisëm nga shtëpia, gjetëm ngushëllim në arsyen e ikjes, e cila ishte kryerja e vullnetit të Jehovait në shërbimin e plotë kohor. Përpiqemi të ndjekim shembullin e shkëlqyer të paraardhësve tanë që gjetën të njëjtin ngushëllim, duke e kryer veprën në territore të vështira, shpeshherë në varfëri të jashtëzakonshme dhe madje për vite me radhë në kampe përqendrimi japoneze.—2. Korintasve 1:3, 4.
Opa gjithmonë ka gjetur ngushëllim në fjalët e frymëzuara që mbreti David i drejtoi Jehovait: «Mirësia jote vlen më tepër se jeta.» (Psalmi 63:3) Dëshira e zjarrtë e gjyshit ka qenë shijimi i kësaj mirësie përgjithmonë. Dëshira e gjithë familjes është që ta gëzojë bashkë me të.
[Figura në faqen 21]
Oma e Opa Harris
[Figura në faqen 23]
Kreg Zanker (mbrapa) me gruan, prindërit dhe vëllain e motrën e tij më të vogël