Lajm i mirë nga Malaivia!
MË 15 NËNTOR 1993, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania u regjistrua zyrtarisht në Malaivi, një vend juglindor i Afrikës. Kjo gjë do t’u jepte Dëshmitarëve të Jehovait njohjen ligjore dhe lirinë për t’u predikuar të vërtetat e Biblës njerëzve në Malaivi.
Kohë më parë, në 1948-ën, në Malaivi u vendos një zyrë e degës së Shoqatës Watch Tower, për të koordinuar punën e Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend. Më 8 janar 1957, Shoqata Watch Tower u regjistrua për herë të parë. Për disa vite Dëshmitarët e Jehovait gëzuan një rritje të shpejtë. Por në 1964-ën shpërtheu një persekutim i ashpër. Përse?
Duke iu bindur Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një asnjanësi të fortë për sa i përket politikës. (Gjoni 17:16) Me sa duket, disa nuk e kuptuan këtë qëndrim biblik dhe i keqparaqitën Dëshmitarët si një fe radikale dhe të jashtëligjshme. Prandaj, disa u ndien të justifikuar për të persekutuar këta të krishterë paqedashës. Shumë Dëshmitarë u flakën nga puna, u rrahën dhe u poshtëruan. Disa të tjerë u ndanë me forcë nga fëmijët e tyre.
Në 1972-shin, më shumë se 30.000 Dëshmitarë dhe disa veta që studionin Biblën me ta, u detyruan të linin vendin nga frika se mos humbnin jetën. Me mijëra u vendosën nëpër kampet e refugjatëve në Mozambikun fqinj. Por në vitin 1975, këta refugjatë i rikthyen në Malaivi, ku iu desh të përballonin persekutime të mëtejshme. Shumë prej tyre u çuan nëpër kampe përqendrimi. Midis këtij pështjellimi, Shoqatës Watch Tower iu hoq emri nga lista zyrtare e organizatave legale në Malaivi. Prej atëherë, Dëshmitarët e Jehovait dhe organizatat e tyre legale kanë qenë të ndaluara në atë vend.
Pavarësisht nga gjithë këto zhvillime, Dëshmitarët nuk kërkuan shpagim. Ata asnjëherë nuk formuan turma dhe as nuk shpërthyen në protesta kundër qeverisë. Përkundrazi, duke vazhduar me lutje, ata mbajtën detyrimin e krishterë për të treguar nderimin dhe respektin e duhur për «autoritetet më të larta» qeveritare. (Romakëve 13:1-7, BR; 1. Timoteut 2:1, 2) Gjithashtu, Dëshmitarët mbështetën standardet e larta të jetës së krishterë të shkruara në Bibël dhe lanë kështu një shembull të shkëlqyer në sjellje.
Me këtë liri të re që fituan, Dëshmitarët e Jehovait në Malaivi janë të vendosur për të vazhduar predikimin e të vërtetave të Biblës me urgjencë, «në kohë të favorshme».—2. Timoteut 4:2.
[Figura në faqen 31]
M. G. Henschel me familjen Bethel në Malaivi, në 1960-ën