BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/8 f. 15-20
  • Të rinj​—Mësimet e kujt po ndiqni?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rinj​—Mësimet e kujt po ndiqni?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Demonët dhe mësimet e tyre
  • Përkrahja e mësimeve të demonëve
  • Bëni një vetëshqyrtim
  • Rezistojuni mësimeve të demonëve
  • Përfitoni nga mësimi hyjnor
  • Bëni zgjedhjen e drejtë
  • Mësimi hyjnor kundër mësimit të demonëve
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Jezui është më i fuqishëm se demonët
    Të mësojmë nga Mësuesi i Madh
  • E vërteta rreth engjëjve
    Çfarë na mëson Bibla?
  • Cilët janë demonët?
    Zgjohuni!—2010
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/8 f. 15-20

Të rinj​—Mësimet e kujt po ndiqni?

«Disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin . . . doktrinave të demonëve.»​—1. TIMOTEUT 4:1.

1. (a) Cila zgjedhje u paraqitet të rinjve? (b) Në ç’mënyrë mëson Jehovai?

PYETJA që u është drejtuar këtu të rinjve, është: Mësimet e kujt po ndiqni? Kjo të bën të mendosh se ju si të rinj, duhet të bëni një zgjedhje. Zgjedhja është ndërmjet pranimit të mësimit hyjnor dhe ndjekjes së mësimeve të demonëve. Jehovai mëson përmes Fjalës së tij, Biblës dhe përmes shërbimit të atyre që ai përdor si përfaqësuesit e tij në tokë. (Isaia 54:13; Veprat 8:26-39; Mateu 24:45-47) Por, a ju habit fakti se edhe demonët mësojnë?

2. Përse është e domosdoshme që veçanërisht në këtë kohë të jemi vigjilentë ndaj mësimeve të demonëve?

2 Apostulli Pavël shkroi: «Në ditët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.» (1. Timoteut 4:1) Meqenëse jetojmë në «ditët e fundit», kur Satanai dhe demonët e tij janë veçanërisht aktivë, a e kuptoni se përse pyesim: Mësimet e kujt po ndiqni? (2. Timoteut 3:1-5; Zbulesa 12:7-12) Duke pasur parasysh se Satanai dhe demonët e tij janë kaq dinakë, kaq të aftë për të mashtruar, është e domosdoshme që ta konsideroni seriozisht këtë pyetje.​—2. Korintasve 11:14, 15.

Demonët dhe mësimet e tyre

3. Kush janë demonët, cili është qëllimi i tyre dhe si përpiqen ata t’ia arrijnë qëllimit?

3 Njëherë e një kohë demonët ishin engjëj të Jehovait, por u rebeluan kundër Krijuesit të tyre dhe kështu u bënë çeta e Satanait. (Mateu 12:24) Qëllimi i tyre është të korruptojnë njerëzit dhe t’i largojnë ata nga shërbimi i Perëndisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, demonët përdorin mësuesit njerëzorë, të cilët përkrahin një mënyrë jetese imorale dhe egoiste, që dënohet nga Jehovai. (Krahaso 2. Pjetrit 2:1, 12-15.) Po të kujtoni se si u bënë demonë këta engjëj që njëherë e një kohë ishin besnikë, do të keni një ndihmë për të identifikuar mësimet e tyre dhe mënyrën e jetës që këto mësime përkrahin.

4. (a) Përse erdhën në tokë engjëjt e pabindur gjatë ditëve të Noes? (b) Çfarë u ndodhi engjëjve të ligj dhe pasardhësve të tyre gjatë Përmbytjes?

4 Në ditët e Noes, disa engjëj u tërhoqën aq shumë pas bijave të bukura të njerëzve, saqë këto krijesa frymore i lanë pozitat e tyre në qiell për të ardhur në tokë. Nga bashkimi i tyre me gratë lindën pasardhësit hibridë, nefilimët. Meqenëse për krijesat frymore është e panatyrshme të bashkëjetojnë me njerëzit, ajo që engjëjt e pabindur bënë me ato gra ishte po aq e gabuar, sa edhe veprat homoseksuale të kryera më vonë nga burrat dhe djemtë e Sodomës. (Zanafilla 6:1-4; 19:4-11; Juda 6, 7) Megjithëse bashkëshortet e engjëjve u zhdukën bashkë me fëmijët e tyre hibridë në ujërat e përmbytjes, engjëjt e ligj i braktisën trupat e tyre të materializuar dhe u kthyen në qiell, ku u bënë shokët demonikë të Satana Djallit.​—2. Pjetrit 2:4.

5. Ç’krijesa janë demonët dhe si përpiqen ata t’i përmbysin ligjet e Perëndisë?

5 Nën dritën e këtyre fakteve historike, a e kuptoni se ç’krijesa janë në të vërtetë demonët? Janë korruptues që prapa skene e manipulojnë këtë botë të dhënë pas kënaqësive seksuale. Megjithëse u është ndaluar të materializohen përsëri në trupa njerëzorë, ata nxjerrin kënaqësi nga mbrapshtitë seksuale të atyre që ata mund të korruptojnë në tokë. (Efesianëve 6:11, 12) Demonët përpiqen të përmbysin ligjet e Jehovait për dëlirësinë dhe moralin, duke i bërë më kot të duken të kufizuara. Këta engjëj të ligj e përkrahin imoralitetin seksual si një mënyrë jetese të këndshme dhe normale.

Përkrahja e mësimeve të demonëve

6. Përse nuk na habit fakti se demonët e përkrahin mësimin e tyre me dinakëri?

6 Fakti që demonët i përkrahin mësimet e tyre me dinakëri nuk ka pse na habit, sepse kjo është metoda që drejtuesi i tyre, Satana Djalli përdori për të mashtruar Evën. Mbani në mend se ai i foli asaj sikur donte ta ndihmonte. Ai pyeti: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» Më pas, me dinakëri u përpoq të minonte mësimin e Perëndisë, duke i thënë Evës se ajo do të kishte dobi, nëse hante nga pema e ndaluar. «Që ditën që do t’i hani,—premtoi Satanai,—sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:1-5) Kështu, Eva u gënjye, po, u mashtrua dhe u nxit për të mos iu bindur Perëndisë.​—2. Korintasve 11:3; 1. Timoteut 2:13, 14.

7. Cila ka qenë pasoja e mësimeve dinake të demonëve dhe çfarë mësimi nxjerrim?

7 Edhe kohët e fundit shumë njerëz janë mashtruar. Demonët e kanë përkrahur imoralitetin seksual me aq dinakëri, saqë tashmë pranohet edhe nga shumë njerëz që më parë e dënonin atë. Për shembull, kur iu përgjigj një pyetjeje lidhur me marrëdhëniet seksuale ndërmjet të pamartuarve, një titullare e një rubrike këshillash në një gazetë amerikane, shkroi: «Kurrë nuk e mendoja se do të ndryshoja mendim për këtë çështje. Tani jam e mendimit se çiftet që mendojnë seriozisht për martesë, duhet të bëjnë ndonjë udhëtim gjatë fundjavëve për të shijuar pajtueshmërinë midis tyre.» Më pas shtoi: «Nuk më besohet se e shkrova unë këtë.» Edhe ajo vetë nuk mund ta besonte se kishte rekomanduar kurvërinë, por në fakt e kishte bërë një gjë të tillë! Është e qartë se duhet të jemi të kujdesshëm që mësimet e demonëve të mos ndikojnë në mënyrën tonë të të vështruarit të gjërave që Perëndia i dënon.​—Romakëve 1:26, 27; Efesianëve 5:5, 10-12.

8. (a) Si përdoret fjala «botë» në Bibël? (b) Kush sundon mbi botën dhe si duhej ta konsideronin ithtarët e Jezuit botën?

8 Kurrë nuk duhet të harrojmë se Satanai është «sundimtari i kësaj bote». Në fakt, apostulli Gjon tha se «mbarë bota gjendet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 12:31, BR; 1. Gjonit 5:19, BR) Vërtet, nganjëherë Jezui përdori fjalën «botë» për të treguar të gjithë njerëzimin. (Mateu 26:13; Gjoni 3:16; 12:46) Megjithatë, më shpesh e përdori fjalën «botë» kur i referohej gjithë shoqërisë njerëzore të organizuar jashtë kongregacionit të vërtetë të krishterë. Për shembull, Jezui tha se ithtarët e tij nuk duhej «të ishin pjesë e botës» (shoqëria e padrejtë njerëzore) dhe pasi nuk do të ishin pjesë e botës, bota do t’i urrente. (Gjoni 15:19; 17:14-16) Bibla lajmëron më tej se nuk duhet të bëhemi miq të kësaj bote që sundohet nga Satanai.​—Jakovi 4:4.

9, 10. (a) Cilat gjëra botërore nxitin dëshira seksuale të paligjshme? (b) Si mund të identifikohet se kush fshihet pas mesazheve nga bota e spektaklit?

9 Apostulli Gjon nxiti: «Mos e doni botën, as gjërat që janë në të.» Gjithashtu, ai shtoi: «Gjithshka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati.» (1. Gjonit 2:15, 16) Mendoni pak mbi këtë. Çfarë gjërash që ushqejnë dëshira të gabuara ka sot në botë, si për shembull për marrëdhëniet e paligjshme seksuale? (1. Selanikasve 4:3-5) Ç’mund të themi për pjesën më të madhe të muzikës botërore? Një polic stazhier, në Kaliforni, tha: «Kryesisht, muzika të mëson të mos dëgjosh prindërit dhe të jetosh ashtu siç të pëlqen.» A e kuptoni se nga vjen mësimi që përmban kjo lloj muzike?

10 Në fakt, mbani në mend se Satanai i tha Evës: ‘Po e privon veten nga diçka. Jeto siç të pëlqen. Vendos vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Përse të dëgjosh Perëndinë?’ (Zanafilla 3:1-5) A nuk është po ky mesazh që gjendet në pjesën më të madhe të muzikës botërore? Mirëpo demonët nuk mësojnë vetëm përmes muzikës. Ata, gjithashtu, përdorin për të mësuar programet televizive, filmat e videot. Në ç’mënyrë? Mjetet e komunikimit të botës paraqesin spektakle që e bëjnë mësimin e moralshëm të Perëndisë të duket shtypës. Ato përkrahin kurvërinë, duke e vënë në dukje dhe duke e treguar si të dëshirueshme.

11. Çfarë mëson shpesh televizioni në fushën morale?

11 Një revistë thotë: «Në 1991-shin, tri rrjetet televizive [SH.B.A.] transmetuan më shumë se 10.000 skena me seks gjatë kohës më të ndjekur nga shikuesit; për çdo skenë që paraqiste marrëdhënie seksuale ndërmjet të martuarve, rrjeti televiziv transmetoi 14 skena që tregonin marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.» (U.S.News & World Report) Çfarë mund të mësojë sipas jush televizioni, që vetëm në një vit transmeton më shumë se 9.000 skena me marrëdhënie seksuale të paligjshme në orarin më të ndjekur? Barry S. Sapolsky, bashkautor i artikullit «Seks në orarin më të ndjekur nga shikuesit e televizorit: 1979 kundër 1989», deklaron: «Në qoftë se një adoleshent shikon për vite me radhë spektakle televizive ku personazhet janë të dhënë pas shfrimit të dashurisë ose kanë marrëdhënie seksuale, nga mijëra pamje të grumbulluara me kalimin e kohës do të mësojë se seksi është i këndshëm dhe pa ndonjë pasojë.» Nuk ka dyshim: bota e spektakleve u mëson të rinjve se nuk ekzistojnë rregulla, se kurvëria është e pranueshme dhe se mund të jetohet një mënyrë jetese që dënohet nga Perëndia, pa pasoja të dëmshme.​—1. Korintasve 6:18; Efesianëve 5:3-5.

12. Përse zbavitjet e botës paraqesin një kërcënim, veçanërisht për të rinjtë e krishterë?

12 Muzika, filmat dhe videot e botës janë bërë për të tërhequr të rinjtë. Ato përhapin mësimet e korruptuara të demonëve! A është për t’u habitur? Mendoni pak për këtë. Nëse feja e rreme dhe politika janë pjesë e botës së Satanait​—gjë që është e padiskutueshme—​a do të ishte e logjikshme të besonit që bota e spektaklit nuk e ndien ndikimin demonik? Në veçanti, ju të rinj duhet të jeni vigjilentë ‘që të mos konformoheni me këtë botë’.​—Romakëve 12:2.

Bëni një vetëshqyrtim

13. Çfarë vetëshqyrtimi duhet bërë?

13 Se cilat mësime ndiqni, përcaktohet jo vetëm nga mënyra e të folurit, por edhe nga veprat. (Romakëve 6:16) Prandaj, pyetni veten: «A janë tepër të ndikuara qëndrimi im dhe mënyra ime e jetesës nga ajo që mësoj përmes kanaleve propagandistike të botës? A po e drejtojnë në një rrugë të shtrembër jetën time mësimet e demonëve?» Që të mund t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve, përse të mos krahasoni sasinë e kohës dhe përpjekjet që i kushtoni studimit të Biblës, pjesëmarrjes në mbledhjet e krishtere dhe mundësisë për të folur me të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë, me atë që harxhoni duke parë televizor, duke dëgjuar muzikë, duke ndjekur sportin e preferuar apo aktivitete të tjera të ngjashme? Meqenëse është në lojë diçka shumë e shtrenjtë​—në të vërtetë jeta juaj—​bëni një vetëshqyrtim të sinqertë.​—2. Korintasve 13:5.

14. Çfarë ndikon mbi shëndetin tonë frymor dhe cilën të vërtetë duhet të kemi parasysh?

14 Ju e dini mirë se ushqimi material që hani, ndikon në shëndetin tuaj fizik. Ngjashëm, shëndeti frymor ndikohet nga ajo që përdorni për të ushqyer mendjen dhe zemrën. (1. Pjetrit 2:1, 2) Edhe pse mund të gënjeni veten lidhur me interesat tuaja të tanishme, nuk mund të gënjeni Gjykuesin tonë, Jezu Krishtin. (Gjoni 5:30) Prandaj, pyetni veten: «Nëse Jezui do të ishte në tokë, a do të vihesha në pozitë të vështirë po ta ftoja në dhomën time dhe të dëgjonte muzikën apo të shikonte atë që unë po shoh?» E vërteta është se Jezui po na sheh dhe i njeh veprat tona.​—Zbulesa 3:15.

Rezistojuni mësimeve të demonëve

15. Përse të krishterët duhet të bëjnë një luftë të ashpër për t’u rezistuar mësimeve të demonëve?

15 Presioni që demonët ushtrojnë mbi të rinjtë për të ndjekur mësimet e tyre është i tmerrshëm. Këto frymëra të liga ju ofrojnë një jetë plot me kënaqësi të aty për atyshme, një jetë kënaqësish e zbavitjesh. Për t’i pëlqyer Perëndisë, Moisiu në lashtësi nuk pranoi «të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit» si anëtar i shquar i familjes së Faraonit. (Hebrenjve 11:24-27) Nuk është e lehtë të mos pranosh atë që të ofrojnë demonët, prandaj duhet të bëni një luftë të ashpër për të bërë atë që është e drejtë. Kjo ndodh në radhë të parë, sepse kemi trashëguar mëkatin dhe zemrat tona dëshirojnë të bëjnë atë që nuk është e mirë. (Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12) Për shkak të prirjeve mëkatare edhe apostulli Pavël duhej ta trajtonte veten me ashpërsi dhe të mos i lejonte dëshirat e tij trupore të mbizotëronin tek ai.​—1. Korintasve 9:27; Romakëve 7:21-23.

16. Si mund t’u rezistojnë të rinjtë presioneve për t’u përzier në sjellje të pamoralshme?

16 Megjithëse mund të jeni tunduar që ‘të shkoni pas shumicës për të bërë të keqen’, Perëndia mund t’ju ndihmojë për t’u rezistuar presioneve nga bashkëmoshatarët, për të ndjekur sjelljen e tyre të gabuar. (Të Dalët 23:2; 1. Korintasve 10:13) Por ama, duhet t’ua vini veshin mësimeve të Perëndisë, duke i ruajtur fjalët e tij në zemër. (Psalmi 119:9, 11) Duhet të kuptoni se kur të rinjtë izolohen, dëshirat seksuale mund të intensifikohen dhe të çojnë në thyerjen e ligjit të Perëndisë. «Kur jam vetëm për vetëm me të dashurin, trupi më thotë të bëj një gjë, kurse truri më thotë të bëj një gjë tjetër»,—tha një vajzë e re. Prandaj, kini parasysh kufizimet dhe mundohuni të kuptoni se zemra është mashtruese. (Jeremia 17:9) Mos u izoloni! (Proverbat 18:1) Vendosni kufizime në shfaqjen e përzemërsisë. Dhe gjëja më e rëndësishme, shoqërohuni vetëm me ata që e duan Jehovain dhe kanë respekt të thellë për ligjet e tij.​—Psalmi 119:63; Proverbat 13:20; 1. Korintasve 15:33.

17. Çfarë mund t’i ndihmojë të rinjtë e krishterë të fitojnë forcën për t’u rezistuar mësimeve të demonëve?

17 Një studim i kujdesshëm i botimeve të krishtere të përgatitura për forcimin tuaj frymor do t’ju ndihmojë. Për shembull, shqyrtoni librin Të rinjtë pyesin​—Përgjigje praktike (angl.) dhe kapitullin «Lufta për të bërë atë që është e drejtë» në librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. Lejoni që mësimi i siguruar nga Shkrimet të rrënjoset thellë në mendjet dhe në zemrat tuaja dhe ato do t’ju forcojnë. Kurrë nuk duhet të harroni se në këtë botë të sunduar nga demonët, nuk është e lehtë të bësh atë që është e drejtë. Prandaj, duhet të bëni një luftë të ashpër. (Luka 13:24) Rriteni forcën frymore! Mos imitoni të dobëtit, frikacakët që shkojnë pas turmës.

Përfitoni nga mësimi hyjnor

18. Cilat janë dobitë nga ndjekja e mësimit hyjnor?

18 Gjithashtu, mos harroni se duke ndjekur mësimin e Jehovait, kurrë nuk humb ndonjë gjë që ia vlen ta kesh. Ai vërtet ju do, prandaj dhe ‘ju mëson për të mirën tuaj’. (Isaia 48:17, BR) Prandaj, ndiqni mësimin e Jehovait dhe mos i krijoni zemrës dhimbje nga një ndërgjegje e shkatërruar, nga humbja e respektit për veten, nga shtatzënitë e padëshirueshme, nga sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale apo nga probleme të tjera si këto. Jehovai gëzohet kur shërbëtorët e tij i japin mundësi t’i përgjigjet sfidës së Satanait, sipas së cilës njerëzit nuk do t’i mbeteshin besnikë Perëndisë gjatë provave. (Jobi 1:6-12) Në qoftë se e gëzoni zemrën e Jehovait duke i mbetur besnikë, do të mbijetoni kur ai të kryejë gjykimin e tij kundër kësaj bote dhe të gjithë ata që tallen me ligjet e tij do të zhduken.​—Proverbat 27:11; 1. Korintasve 6:9,10; 1. Gjonit 2:17.

19. Ku qëndron vlera e shoqërimit me ata që i çmojnë dobitë e mësimit të Jehovait?

19 Nëse shoqëroheni me individë që e çmojnë atë që Jehovai ka bërë për ta, mund të mësoni nga përvoja e tyre. Një vajzë që kohë më parë drogohej dhe bënte një jetë imorale, shpjegoi: «Po të mos ia vija veshin fjalëve të Jehovait, tani nuk do të isha gjallë. Djali me të cilin do të martohesha vdiq nga SIDA. Të gjithë miqtë e mi të mëparshëm nga bota vdiqën nga SIDA ose i janë nisur asaj rruge. I shoh shpesh nëpër rrugë dhe e falënderoj Jehovain çdo ditë për ligjet që drejtojnë popullin e tij dhe na ndihmojnë të mbetemi të shenjtë, nëse i vëmë në praktikë. Kurrë më parë nuk kam qenë kaq e lumtur, e kënaqur dhe e sigurt në jetën time.» Me të vërtetë, ndjekja e mësimeve të Jehovait është gjithmonë e dobishme!

Bëni zgjedhjen e drejtë

20, 21. (a) Cilat dy zgjedhje u paraqiten të rinjve? (b) Cili bekim i qëndrueshëm merret duke ndjekur mësimin hyjnor?

20 Të rinj, ju nxitim: Bëni zgjedhjen e drejtë, atë të shërbimit ndaj Jehovait. Pastaj, jini të vendosur për t’i qëndruar besnikë këtij vendimi. (Josiu 24:15) Në fakt, mund të zgjidhni vetëm njërën nga të dyja. Jezui tha se ekziston rruga e gjerë dhe e bollshme​—ajo e lehta në të cilën bën çfarë të pëlqen. Ajo rrugë të çon në një përfundim vdekjeprurës, në shkatërrim. Rruga tjetër është e ngushtë. Është rrugë e vështirë për t’u përshkuar në këtë botë të shthurur, të sunduar nga demonët. Por, në fund kjo rrugë i çon ata që e përshkojnë në botën e re madhështore të Perëndisë. (Mateu 7:13, 14) Cilën rrugë do të zgjidhni? Mësimet e kujt do të ndiqni?

21 Jehovai ju jep mundësinë të zgjidhni. Ai nuk ju detyron me forcë t’i shërbeni atij. «Të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes»,—tha profeti i Perëndisë, Moisiu, duke nxitur: «Zgjidh, pra, jetën.» Kjo zgjedhje bëhet ‘duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke iu bindur zërit të tij dhe duke qëndruar të lidhur ngushtë me të’. (Ligji i përtërirë 29:2; 30:19, 20) Veproni me mençuri dhe zgjidhni ndjekjen e mësimit hyjnor, që të gëzoni jetën pa fund në botën e re të lavdishme të Perëndisë.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Kush janë demonët dhe çfarë mësojnë ata?

◻ Si i përkrahin demonët mësimet e tyre sot?

◻ Si mund t’u rezistohet mësimeve të demonëve?

◻ Çfarë dobish nxirren kur ndiqen mësimet e Jehovait?

[Figura në faqen 16]

Përpara Përmbytjes, engjëjt e pabindur dhe pasardhësit e tyre përkrahën dhunën dhe shthurjen

[Figura në faqen 18]

A do të viheshit në pozitë të vështirë po ta dëgjonte Jezui muzikën tuaj të preferuar

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo