«Dora e Jehovait» në jetën time
TREGUAR NGA LORENC TOMPSON
NJË mbrëmje të vitit 1946, unë dhe babai ishim ulur në makinë, për të parë dritat e agimit polar që kërcenin në qiell. Flisnim për madhështinë e Jehovait dhe vogëlsinë tonë. Kujtonim episode nga vitet kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada ishte ndaluar. Babai më nguliti në mendje se si Jehovai e kishte mbështetur dhe e kishte udhëhequr popullin e tij gjatë atyre viteve.
EDHE pse isha vetëm 13 vjeç, e çmoja të vërtetën për të cilën babai po më fliste. Ai, gjithashtu, më ndihmoi të kuptoja urgjencën dhe shtrirjen e madhe të veprës së predikimit që akoma duhej bërë. Babai citoi Numrat 11:23 dhe theksoi se vërtet dora e Jehovait kurrë nuk është shkurtuar. Vetëm mungesa e besimit dhe e mbështetjes në të, e kufizon atë që ai do të bëjë për ne. Ishte një bashkëbisedim i vlefshëm babë e bir që kurrë nuk do ta harroj.
Studimi i botimeve të Kullës së Rojës, veçanërisht i librit Shpëtimi (Salvation), i botuar në vitin 1939, ndikuan gjithashtu shumë në vitet e para të jetës sime. Kurrë nuk do ta harroj shembullin dramatik me të cilin fillonte libri: «Treni ekspres i mbushur plot e përplot me pasagjerë, ecte me shpejtësi 160 km në orë. Ai duhej të kalonte lumin mbi një urë e cila bënte një kthesë gati 180 gradë, aq sa njerëzit në vagonin e prapmë të hapur të trenit mund të shikonin lokomotivën . . . Dy njerëz që gjendeshin në vagonin e prapmë . . . panë se një hark në skajin e urës ishte ndezur dhe po binte në lumë. E kuptuan se gjendeshin përballë një rreziku të madh. Ishte një urgjencë e vërtetë. A do të mund të ndalej treni në kohë, që të shpëtonte jeta e shumë pasagjerëve që transportonte?»
Duke zbatuar shembullin, libri përfundonte: «Ngjashëm sot, të gjitha kombet dhe popujt e tokës gjenden përballë urgjencës më të madhe. Ata janë lajmëruar, siç urdhëron Perëndia, se katastrofa e Harmagedonit është përpara. . . . Duke qenë se janë lajmëruar, secili tani duhet të zgjedhë drejtimin që do të marrë.»
Treni me shpejtësi të madhe, ura në flakë dhe urgjenca e veprës së predikimit ishin gdhendur në mënyrë të pashlyeshme në mendjen time.
Predikimi që në moshën e fëmijërisë
Fillova të marr pjesë në veprën e predikimit në vitin 1938, kur isha pesë vjeç. Henri dhe Alis Tuid, dy pionierë (shërbëtorë plotkohorë), e kishin zakon të më merrnin me vete dhe u flisnim njerëzve për 10 deri 12 orë në ditë. Isha shumë i kënaqur që mund të dedikoja ditë të tëra në shërbim të Jehovait. Kështu, vitin tjetër isha shumë i emocionuar, kur babai dhe nëna më lejuan të bëhesha lajmëtar dhe të bëja raportin e aktivitetit tim.
Në atë kohë, bëheshin tabela informacionesh, ecnim në këmbë nëpër rrugët kryesore të qyteteve, duke veshur afishe me parrulla që demaskonin fenë e rreme dhe lajmëronin Mbretërinë e Perëndisë. Përdornim, gjithashtu, gramafonë dore për t’u treguar njerëzve pikërisht në pragjet e shtëpive të tyre, mesazhe të bazuara në Bibël. Përdornim disqe me fjalimet e J. F. Rutherfordit, kryetarit të Shoqatës Watch Tower, disa prej të cilëve i dija përmendësh. Akoma mund të dëgjoj fjalët e tij: «Shpesh është thënë se feja është një grackë dhe një dallavere!»
Ndalimi i veprës sonë në Kanada
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kanada vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua, ashtu siç ishte ndaluar në Gjermaninë naziste dhe në vende të tjera. Prandaj përdornim vetëm Biblën, por e vazhdonim veprën tonë të autorizuar nga Perëndia në bindje të mësimeve biblike. (Mateu 28:19, 20; Veprat 5:29) Mësuam të ndesheshim me sulmet policore në mbledhjet dhe shtëpitë tona. Gjithashtu, u aftësuam për të dhënë dëshmi para gjyqtarëve dhe për t’u përgjigjur kur kundërshtoheshim.
Unë dhe vëllai im Xhim u bëmë ekspertë në lënien e broshurave, nga mjetet lëvizëse të transportit, në pragjet dhe verandat e shtëpive. Përveç kësaj, bënim punën e korrierit dhe shpesh të rojës për ata që kalonin kufirin për të qenë të pranishëm në kongreset që zhvilloheshin në Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia jonë ishte në periferi të Port Arturit (tani Thunder Bay) në Ontario, në një terren rreth 2 hektarë, të rrethuar nga pemë e shkurre. Kishim një lopë, një viç, derra dhe pula—që shërbenin si një maskë e shkëlqyeshme në veprën tonë për të ndihmuar bashkë të krishterë të rinj, që ndiqeshin për t’u burgosur për shkak të predikimit të Mbretërisë së Perëndisë.
Gjatë natës, makina, kamionë dhe shtëpi rimorkio të ngarkuara me të rinj të krishterë iknin e vinin nga oborri ynë i veçuar. Ne i strehonim, i fshihnim, i ushqenim këta të rinj dhe pastaj ata vazhdonin rrugën e tyre. Babai dhe nëna ime bashkë me punëtorë të tjerë të asaj kohe, shërbenin me gjithë shpirt, gjë që ndikoi në zemrën time të re për t’i shërbyer dhe për ta dashur Jehova Perëndinë.
Në gusht të 1941-shit, ia dedikova jetën Jehovait dhe u pagëzova në një liqen të vogël në pyll. Me këtë rast, disa prej nesh u mblodhën natën vonë në një kasolle me dritë. Policia e cila siç duket diç kishte dyshuar, kishte patrulluar gjithë kohën, duke e kontrolluar liqenin me projektor, por nuk na zbuloi.
Faza të ndryshme të shërbimit të plotë kohor
Në vitin 1951, mora diplomën e shkollës së mesme dhe bëra një udhëtim rreth 1.600 kilometra që të shkoja për të shërbyer si pionier në Kobourg, në Ontario. Kongregacioni ishte i vogël dhe unë nuk kisha një partner pionier. Por, duke kujtuar se dora e Jehovait nuk ishte shkurtuar, mora një dhomë me qira, mësova të gatuaj dhe isha i lumtur në shërbim të Jehovait. Vitin tjetër më ftuan të shërbeja në zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower, në Toronto. Atje mësova shumë gjëra të çmueshme që më përpunuan për shërbimin e mëtejshëm të Mbretërisë.
Pasi shërbeva si pionier në Toronto për më shumë se një vit, u martova me Lusi Trudou dhe në dimër të vitit 1954, u caktuam si pionierë në Levis, Kuebek. Moti karakterizohej nga një i ftohtë i hidhur, bandat dhe shqetësimet nga policia na kërcënonin dhe të mësoje frëngjishten ishte një sfidë. Në gjithë këtë, dora e Jehovait nuk u shkurtua kurrë, prandaj edhe pse po kalonim kohë të vështira, morëm gjithashtu shumë bekime.
Për shembull, na u kërkua të kontrollonim dy anije (Arosa Star dhe Arosa Kulm) që Shoqata mendonte t’i përdorte për të transportuar delegatët në kongreset ndërkombëtare që duhej të mbaheshin në Evropë në vitin 1955. Pasi kishin dëshirë për të bërë një punë për Shoqatën, drejtuesit e shoqërisë së lundrimit ndonjëherë tregonin mikpritje ndaj nesh, e cila ishte një çlodhje e këndshme nga shërbimi i vështirë në atë kohë në Kuebek.
Në vjeshtë të vitit 1955, më ftuan të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues dhe atë dimër e kaluam duke vizituar kongregacionet e largëta në Ontarion e ftohtë veriore. Vitin tjetër morëm pjesë në Shkollën Biblike të Galaadit (Watchtower Bible School) në Shtetet e Bashkuara dhe pas kësaj u caktuam si misionarë në Brazil, në Amerikën Jugore.
Në caktimin tonë të ri iu përveshëm punës me mish e me shpirt dhe shpejt mundëm të predikonim dhe të mësonim në portugalisht. Në fillim të vitit 1957, përsëri u caktova për të shërbyer si mbikëqyrës udhëtues. Tani, në vend të të ftohtit të hidhur të veriut, duhej të luftonim me vapën që të zinte frymën. Shpesh duhej të ndalonim për të hequr rërën e nxehtë nga këpucët ose të pritnim kallamsheqerin që ta hanim për të rimarrë forcat. Por bekimet nuk mungonin.
Në qytetin Rezhanti Fezhu, fola me shefin e policisë, i cili urdhëroi mbylljen e të gjitha dyqaneve dhe u tha njerëzve të shkonin në sheshin e qytetit. Nën hijen e një peme gjethegjerë të lulëzuar, mbajta një fjalim biblik para të gjithë qytetarëve. Sot, në atë vend ka një kongregacion Dëshmitarësh.
Rritëm fëmijët në Brazil
Në vitin 1958, kur Lusi mbeti shtatzënë, u vendosëm në Zhuiz de Fora si pionierë specialë. Gjatë dy viteve të tjera, lindën dy vajzat tona Suzana e Kim. Ishin një bekim i vërtetë në shërbim, pasi ngjallnin kureshtje tek njerëzit. Kur ecnim me to me karrocë nëpër rrugët me kalldrëm, njerëzit dilnin për t’i parë. Pasi kishte shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë në Recife, pikërisht jugu i ekuatorit, u transferuam në këtë vend tmerrësisht të nxehtë.
Në 1961, jo vetëm ndihmova në organizimin e transportit me aeroplan të Dëshmitarëve që do të shkonin në kongres në Sao Paolo, por edhe isha i pranishëm në atë kongres të paharrueshëm. Kishim 20 minuta në fluturim, kur aeroplani papritur filloi të binte drejt tokës, duke hedhur pasagjerët andej-këtej nëpër kabinë. Brenda, aeroplani ishte si një gërmadhë; ndenjëset ishin shkulur nga vendi dhe pasagjerët ishin të plagosur dhe të mbytur në gjak. Lumturisht, piloti mundi ta shpëtonte aeroplanin nga rënia dhe kështu u ulëm të sigurt në tokë. Asnjë prej nesh nuk ishte aq keq i plagosur, sa të mos vazhdonte për në Sao Paolo me një aeroplan tjetër. Gëzuam një kongres të mrekullueshëm, por thashë me vete se kurrë nuk do të fluturoja më.
Megjithatë, pas kongresit, kur arrita në shtëpi, më priste një tjetër caktim. Duhej të organizoja një kongres në mes të xhunglës, në Terezina, në shtetin Piaui. Duhej të nisesha me aeroplan për atje. I tmerruar siç isha e pranova caktimin, duke besuar në dorën e Jehovait.
Në vitin 1962, në Recite lindi djali ynë Greg. Megjithëse nuk mund të kryeja më shërbimin e pionierit, pasi tani kisha një familje më të madhe, mund të ushtroja një ndikim pozitiv në kongregacionin e vogël. Fëmijët gjithmonë mezi pritnin të merrnin pjesë bashkë me ne në shërbim, pasi ua bënim atë interesant. Që në moshën 3-vjeçare, secili prej tyre mund të bënte një prezantim në derë. E bëmë zakon që kurrë të mos mungonim në mbledhje ose në pjesëmarrjen në fushë. Edhe kur dikush në familje ishte i sëmurë dhe një tjetër rrinte në shtëpi me të, të tjerët duhej të ishin të pranishëm në mbledhje apo të merrnin pjesë në shërbimin në fushë.
Me kalimin e viteve, diskutonim rregullisht si familje për shkollën që do të bënin fëmijët dhe për synimet e tyre në jetë, duke i përgatitur ata për një karrierë në organizatën e Jehovait. Ishim të kujdesshëm që të mos i ekspozonim ndaj ndikimeve të dobëta si televizori. Në shtëpi nuk kishim televizor derisa fëmijët arritën moshën e adoleshencës. Megjithëse i kishim mjetet e nevojshme, nuk i llastuam me gjëra materiale. Për shembull, blemë vetëm një biçikletë që përdorej nga të tre.
Bashkëpunonim sa më shumë që të ishte e mundur: luanim basketboll, notonim dhe udhëtonim si familje. Udhëtimet lidheshin me pjesëmarrjen në kongreset e krishtere ose me vizitat në shtëpitë Bethel në vende të ndryshme. Këto udhëtime na jepnin kohë për të folur lirshëm së bashku, kështu që unë dhe Lusi mund të kuptonim se çfarë kishte në zemrat e fëmijëve tanë. I jemi shumë mirënjohës Jehovait për ato vite të gëzuara!
Në fund, dhjetë vjetët që kaluam në tropik, afër ekuatorit patën një ndikim të dëmshëm në shëndetin e Lusit. Kështu, pranuam me kënaqësi një detyrë tjetër në vendet e jugut me klimë më të butë, në Kuritiba, në shtetin Paraná.
Kthimi në Kanada
Në vitin 1977, pas gati 20 vjetësh në Brazil, unë dhe Lusi u kthyem bashkë me fëmijët në Kanada, për t’u kujdesur për babanë tim që ishte i sëmurë. Ç’mjedis i ndryshëm kulturor ishte për familjen tonë! Por nuk ishte një mjedis i ndryshëm në kuptim frymor, sepse ruajtëm të njëjtat zakone me vëllazërinë e dashur të krishterë.
Në Kanada, shërbimi i plotë kohor u bë një aktivitet i familjes, pasi në fillim njëra nga vajzat tona pastaj dhe tjetra filluan shërbimin e plotë kohor si pioniere. Gjithsecili kontribuonte për punën e marrë përsipër nga familja. Çdo e ardhur nga puna jonë e pjesshme vendosej në fondin e kursimeve, për të mbajtur shtëpinë dhe tri makinat që na nevojiteshin për të përshkuar territorin tonë të shpërndarë. Çdo javë, pas studimit biblik të familjes, diskutonim për planet e familjes. Këto diskutime ndihmonin secilin prej nesh të përcaktonte mirë se cilat ishin synimet tona dhe se si do ta përdornim jetën tonë.
Djali ynë, Gregu, ashtu si motrat më të mëdha, gjithashtu kishte si synim shërbimin e plotë kohor. Që kur ishte pesë vjeç, ai shprehu dëshirën për të punuar në zyrën e degës së Shoqatës, të quajtur Bethel. Ai kurrë nuk e hoqi nga mendja këtë synim dhe pasi mori diplomën e shkollës së mesme, më pyeti mua dhe nënën e tij: «Mendoni se duhet të bëj kërkesën për të shkuar në Bethel?»
Edhe pse nuk na vinte mirë të ndaheshim nga djali ynë, iu përgjigjëm pa ngurruar: «Në asnjë vend tjetër nuk do ta ndiesh dorën e Jehovait më shumë sesa në Bethel—vetë zemra e organizatës së Jehovait.» Brenda dy muajve ai shkoi në Bethelin e Kanadasë. Ishte viti 1980 dhe që atëherë shërben atje.
Vitet ’80 sollën sfida të reja për mua dhe Lusin. Gjendeshim në pikën e fillimit—kishim mbetur dy. Suzana ishte martuar dhe kryente shërbimin e pionierit bashkë me të shoqin, ndërsa Kimi e Gregu shërbenin së bashku në Bethel. Çfarë do të bënim? Kësaj pyetjeje iu dha menjëherë përgjigje, kur na ftuan për të shërbyer në një qark portugez, që shtrihej rreth 2.000 km në territorin e Kanadasë. Akoma jemi të lumtur në veprën udhëtuese.
Ndërkohë Kim u martua, mori pjesë në Galaad dhe tani shërben me burrin e saj në shërbimin qarkor, në Brazil. Suzana dhe i shoqi janë akoma në Kanada, duke rritur fëmijët e tyre, ndërsa i shoqi i saj shërben si pionier. Edhe pse familja jonë në vitet e fundit ka qenë e ndarë fizikisht, për shkak të caktimeve të ndryshme në shërbimin e plotë kohor, jemi gjithmonë afër me frymë e me zemër.
Lusi dhe unë shikojmë përpara drejt një të ardhmeje të shkëlqyer me familjen tonë në tokën e pastruar. (2. Pjetrit 3:13) Ashtu si Moisiu në lashtësi, kemi përjetuar individualisht vërtetësinë e përgjigjes së pyetjes retorike që gjendet tek Numrat 11:23: «Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo.» Vërtet, asgjë nuk mund ta pengojë Jehovain të bekojë shërbëtorët e tij për shërbimin e tyre me gjithë zemër.
[Figura në faqen 25]
Me gruan time, Lusin