BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 15/4 f. 10-15
  • Jehovai sundon: Nëpërmjet teokracisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai sundon: Nëpërmjet teokracisë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Lind një teokraci
  • Autoritet nën teokracinë
  • Veprime dhe qëndrime jo teokratike
  • Fundi i një teokracie
  • Një teokraci e re
  • Të qëndrojmë të lidhur ngushtë me teokracinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Barinj dhe dele në një teokraci
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Kullotja e deleve me Krijuesin tonë të Madh
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Rritja e Teokracisë
    Këndojini lavdi Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 15/4 f. 10-15

Jehovai sundon: Nëpërmjet teokracisë

«Jehovai do të jetë mbret në kohë të pafundme.»​—PSALMI 146:10, BR.

1, 2. (a) Përse kanë dështuar përpjekjet e njeriut për të sunduar? (b) Cila ka qenë forma e vetme vërtet e suksesshme e qeverisjes?

PREJ kohës së Nimrodit, njerëzit kanë provuar rrugë të ndryshme për të qeverisur shoqërinë njerëzore. Ka pasur diktatura, oligarki, monarki dhe forma të ndryshme demokracish. Të gjitha këto i ka lejuar Jehovai. Në fakt, pasi Perëndia është Burimi i fundit i çdo autoriteti, në një farë mënyre ai i vendosi sunduesit e ndryshëm në vendet e tyre përkatëse. (Romakëve 13:1) Megjithatë, të gjitha përpjekjet e njeriut për të qeverisur kanë dështuar. Asnjë sundimtar njerëzor nuk ka siguruar ndonjë shoqëri që të zgjatë në kohë, të qëndrueshme dhe të drejtë. Shumë shpesh, «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar».​—Eklisiastiu 8:9.

2 A duhet të na befasojë kjo? Sigurisht që jo! Njeriu i papërsosur nuk është bërë për t’u vetëqeverisur. «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Për këtë arsye, gjatë gjithë historisë njerëzore, vetëm një formë e qeverisjes ka qenë vërtet e suksesshme. Cila? Teokracia nën Perëndinë Jehova. Në greqishten biblike, «teokraci» do të thotë qeverisje [kra’tos] nën Perëndinë [the·os’]. Cila qeveri tjetër mund të jetë më e mirë se ajo e vetë Perëndisë Jehova?​—Psalmi 146:10.

3. Cilët ishin disa shembuj të vjetër të teokracisë që ka ekzistuar mbi tokë?

3 Teokracia sundoi për një kohë të shkurtër në Eden, derisa Adami dhe Eva u rebeluan kundër Jehovait. (Zanafilla 3:1-6, 23) Në kohën e Abrahamit, teokracia duket se ka ekzistuar në qytetin e Salemit, me Melkicedekun si mbret-prift. (Zanafilla 14:18-20; Hebrenjve 7:1-3) Megjithatë, teokracia e parë në rang kombëtar nën Perëndinë Jehova u vendos në shkretëtirën e Sinait në shekullin e 16 p.e.s. Në ç’mënyrë? Si funksionoi ajo qeveri teokratike?

Lind një teokraci

4. Në ç’mënyrë e ngriti Jehovai kombin teokratik të Izraelit?

4 Në vitin 1513 p.e.s Jehovai i liroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt dhe shkatërroi ushtritë e Faraonit që ishin në ndjekje në Detin e Kuq. Pastaj, Ai i udhëhoqi izraelitët në malin Sinai. Kur kishin fushuar në këmbë të malit, Perëndia u tha atyre me anë të Moisiut: «Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje. Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve.» Izraelitët u përgjigjën: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.» (Të Dalët 19:4, 5, 8) U bë një besëlidhje dhe lindi kombi teokratik i Izraelit.​—Ligji i përtërirë 26:18, 19.

5. Përse mund të themi se Jehovai sundoi në Izrael?

5 Në ç’mënyrë, pra, u qeveris Izraeli nga Jehovai, i cili është i padukshëm për sytë njerëzorë? (Të Dalët 33:20) Në atë mënyrë që ligjet dhe priftëria e kombit u vendosën nga Jehovai. Ata që iu bindën ligjeve dhe adhuruan në përputhje me rregullimet e urdhëruara hyjnore i shërbyen Teokratit të Madh, Jehovait. Veç kësaj, kryeprifti kishte Urimët dhe Tumimët, me anë të të cilëve Perëndia Jehova drejtonte në kohë urgjence. (Të Dalët 28:29, 30) Më tej, pleq të kualifikuar ishin përfaqësues të Jehovait në teokraci dhe kujdeseshin për zbatimin e Ligjit të Perëndisë. Nëse shqyrtojmë jetën e disa prej këtyre njerëzve, do të kuptojmë më mirë se si duhet t’i nënshtrohen njerëzit sundimit të Perëndisë.

Autoritet nën teokracinë

6. Përse për njerëzit është një sfidë të kenë autoritet në një teokraci dhe ç’lloj njerëzish nevojiteshin për këtë përgjegjësi?

6 Ata që kishin një pozitë autoriteti në Izrael, kishin një privilegj të madh, por ruajtja e ekuilibrit për ta ishte një sfidë. Ata duhej të ishin të kujdesshëm që egoja e tyre personale të mos bëhej kurrë më e rëndësishme se shenjtërimi i emrit të Jehovait. Deklarata e frymëzuar se «njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij» ishte po aq e vërtetë për izraelitët, sa edhe për pjesën tjetër të njerëzimit. Izraeli lulëzoi vetëm kur pleqtë nuk harronin se Izraeli ishte një teokraci dhe se ata duhej të bënin vullnetin e Jehovait, jo të vetin. Pak pas themelimit të Izraelit, vjehrri i Moisiut, Jetroi, e përshkroi mirë se ç’lloj njerëzish duhej të ishin, d.m.th., «njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë».​—Të Dalët 18:21.

7. Në ç’mënyrë Moisiu është shembull i mirë në mbajtjen e autoritetit nën Perëndinë Jehova?

7 I pari që ushtroi autoritet të lartë në Izrael ishte Moisiu. Ai ishte një shembull i shkëlqyer i një figure teokratike me autoritet. Është e vërtetë që në një rast shfaqi dobësi njerëzore. Megjithatë, Moisiu besoi gjithnjë në Jehovain. Kur lindnin çështje që nuk ishin zgjidhur më parë, ai kërkonte udhëheqjen e Jehovait. (Krahaso Numrat 15:32-36.) Si i rezistoi Moisiu tundimit që të përdorte pozitën e tij të lartë për lavdinë e vet personale? E pra, megjithëse udhëhiqte një komb prej miliona vetash, ai ishte «një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Ai nuk kishte ambicje personale, por shqetësohej për lavdinë e Perëndisë. (Të Dalët 32:7-14) Moisiu kishte edhe një besim të fortë. Duke folur për të, para se të bëhej udhëheqës kombëtar, apostulli Pavël tha: «Ai kishte parasysh Perëndinë e padukshëm dhe për këtë nuk pranoi të kthehej.» (Hebrenjve 11:27, ECM) Është e qartë, Moisiu nuk harroi asnjëherë se Jehovai ishte Sunduesi i vërtetë i kombit. (Psalmi 90:1, 2) Sa shembull i shkëlqyer për ne sot!

8. Çfarë urdhri i dha Jehovai Josiut dhe përse meriton vëmendje?

8 Kur mbikëqyrja e Izraelit u bë e tepërt vetëm për Moisiun, Jehovai vendosi frymën e tij mbi 70 pleq që do ta mbështetnin në gjykimin e kombit. (Numrat 11:16-25) Në vitet e mëvonshme, çdo qytet do të kishte pleqtë e vet. (Krahaso Ligji i përtërirë 19:12; 22:15-18; 25:7-9) Pas vdekjes së Moisiut, Jehovai bëri Josiun prijës të kombit. Mund të imagjinojmë se me këtë privilegj Josiu kishte shumë për të bërë. Megjithatë, Jehovai i tha se vetëm një gjë nuk duhej të harronte kurrë: «Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar.» (Josiu 1:8) Vër re se, megjithëse Josiu kishte mbi shpatulla më shumë se 40 vjet shërbim, ai duhej të vazhdonte të lexonte Ligjin. Edhe ne duhet të studiojmë Biblën dhe të freskojmë mendjet tona me ligjet dhe parimet e Jehovait, pavarësisht se për sa kohë shërbejmë apo se sa shumë privilegje kemi.​—Psalmi 119:111, 112.

9. Çfarë ndodhi në Izrael gjatë kohës së gjykatësve?

9 Josiu u pasua nga një varg gjykatësish. Mjerisht, gjatë kohës së tyre izraelitët vazhdimisht «bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit». (Gjykatësit 2:11) Në lidhje me periudhën e gjykatësve, tregimi thotë: «Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.» (Gjykatësit 21:25) Secili merrte vendimet e veta mbi sjelljen dhe adhurimin, dhe historia tregon se shumë izraelitë morën vendime të gabuara. Ata ranë në adhurimin e idhujve dhe disa herë kryen krime të tmerrshme. (Gjykatësit 19:25-30) Megjithatë, disa treguan një besim shembullor.​—Hebrenjve 11:32-38.

10. Në ç’mënyrë qeverisja e Izraelit ndryshoi rrënjësisht gjatë kohës së Samuelit dhe ç’gjë çoi deri në këtë pikë?

10 Gjatë jetës së gjykatësit të fundit, Samuelit, Izraeli kaloi një krizë në fushën qeveritare. Të ndikuar nga kombet armiqësore përreth, që sundoheshin të gjitha prej mbretërve, izraelitët arsyetuan se edhe ata kishin nevojë për një mbret. Ata harruan se e kishin tashmë një Mbret, se qeveria e tyre ishte një teokraci. Jehovai i tha Samuelit: «Ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.» (1. Samueli 8:7) Shembulli i tyre na sjell ndër mend se sa e lehtë është të humbim pamjen tonë frymore dhe të ndikohemi nga bota përreth nesh.​—Krahaso 1. Korintasve 2:14-16.

11. (a) Pavarësisht nga ndryshimi në qeverisje, përse mund të themi se Izraeli vazhdoi të ishte teokraci edhe nën mbretërit? (b) Çfarë urdhri u dha Jehovai mbretërve të Izraelit dhe me çfarë qëllimi?

11 Megjithatë, Jehovai e pranoi kërkesën e izraelitëve dhe zgjodhi dy mbretërit e tyre të parë, Saulin dhe Davidin. Izraeli vazhdoi të ishte një teokraci, e sunduar nga Jehovai. Në mënyrë që mbretërit e Izraelit të mos e harronin këtë, secili prej tyre ishte i detyruar të bënte kopjen e tij personale të Ligjit dhe ta lexonte çdo ditë, me qëllim «që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve, me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij». (Ligji i përtërirë 17:19, 20) Po, Jehovai dëshironte që individët me pozitë në teokracinë e tij të mos ngrinin veten dhe veprimet e tyre të pasqyronin Ligjin e tij.

12. Çfarë shembulli besnikërie la mbreti David?

12 Mbreti David kishte një besim të jashtëzakonshëm në Jehovain dhe Perëndia bëri një besëlidhje se ai do të bëhej ati i një dinastie mbretërish që do të zgjaste përgjithmonë. (2. Samueli 7:16; 1. Mbretërit 9:5; Psalmi 89:29) Nënshtrimi i përulur i Davidit ndaj Jehovait, meriton të imitohet. Ai tha: «O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!» (Psalmi 21:1) Edhe pse Davidi dështoi disa herë, për shkak të dobësisë trupore, si sundues ai besoi në fuqinë e Jehovait dhe jo në të tijën.

Veprime dhe qëndrime jo teokratike

13, 14. Cilat ishin disa nga veprimet jo teokratike që ndërmorën pasuesit e Davidit?

13 Jo të gjithë prijësit izraelitë ishin si Moisiu dhe Davidi. Shumë prej tyre treguan një mungesë të madhe respekti për rregullin teokratik, duke lejuar adhurimin e rremë në Izrael. Edhe disa nga sundimtarët besnikë në disa raste vepruan në mënyrë jo teokratike. Shumë tragjik ishte rasti i Solomonit, të cilit i qe dhënë mençuri dhe lulëzim i madh. (1. Mbretërit 4:25, 29) Megjithatë, duke mos përfillur ligjin e Jehovait, ai u martua me shumë gra dhe lejoi adhurimin e idhujve në Izrael. Me sa duket, sundimi i Solomonit në vitet e fundit ishte shtypës.​—Ligji i përtërirë 17:14-17; 1. Mbretërit 11:1-8; 12:4.

14 Birit të Solomonit, Roboamit, iu kërkua që të lehtësonte peshën mbi nënshtetasit e tij. Në vend që ta përballonte situatën me butësi, ai e deklaroi autoritetin e tij në mënyrë luftarake; dhe humbi 10 nga 12 fiset. (2. Kronikat 10:4-17) Mbreti i parë i mbretërisë së 10 fiseve të ndara ishte Jeroboami. Në përpjekje për t’u siguruar që mbretëria e tij të mos bashkohej kurrë me kombin vëlla, ai ngriti adhurimin e viçit. Kjo mund të jetë dukur si një lëvizje e zgjuar politike, por tregoi një mospërfillje vetëlavdëronjëse për teokracinë. (1. Mbretërit 12:26-30) Më vonë, në fund të një jete në shërbim besnik, mbreti Asai lejoi që krenaria të njolloste kujtimin e tij. Ai e keqtrajtoi profetin që vajti tek ai me një këshillë nga Jehovai. (2. Kronikat 16:7-11) Po, edhe të rriturit ndonjëherë kanë nevojë për këshilla.

Fundi i një teokracie

15. Kur Jezui ishte mbi tokë, në ç’mënyrë krerët hebrenj dështuan si figura me autoritet në teokraci?

15 Kur Jezu Krishti ishte mbi tokë, Izraeli ishte ende një teokraci. Mjerisht, shumë prej pleqve me përgjegjësi nuk kishin një mendje frymore. Sigurisht ata dështuan në kultivimin e butësisë që tregoi Moisiu. Jezui e theksoi korruptimin e tyre frymor kur tha: «Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët dhe farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.»​—Mateu 23:2, 3.

16. Si treguan krerët hebrenj të shekullit të parë se nuk kishin respekt për teokracinë?

16 Pasi e dorëzuan Jezuin tek Ponc Pilati, krerët hebrenj treguan se sa shumë kishin dalë nga udha e nënshtrimit teokratik. Pilati e mori në pyetje Jezuin dhe nxori përfundimin se ai ishte një njeri i pafajshëm. Duke e nxjerrë Jezuin para hebrenjve, Pilati tha: «Ja, mbreti juaj!» Kur hebrenjtë kërkuan vdekjen e Jezuit, Pilati pyeti: «Ta kryqëzoj mbretin tuaj?» Kryepriftërinjtë u përgjigjën: «Mbreti ynë i vetëm është perandori në Romë.» (Gjoni 19:14, 15, ECM) Ata pranuan Çesarin si mbret, jo Jezuin, «që erdhi në emër të Jehovait»!​—Mateu 21:9, BR.

17. Përse Izraeli fizik nuk ishte më një komb teokratik?

17 Duke hedhur poshtë Jezuin, hebrenjtë hodhën poshtë teokracinë, sepse ai duhej të bëhej figura kryesore në rregullimet e ardhshme teokratike. Jezui ishte biri mbretëror i Davidit dhe do të mbretëronte përgjithmonë. (Isaia 9:6, 7; Luka 1:33; 3:23, 31) Prandaj, Izraeli fizik nuk ishte më kombi i zgjedhur i Perëndisë.​—Romakëve 9:31-33.

Një teokraci e re

18. Cila teokraci e re lindi në shekullin e parë? Shpjego.

18 Megjithatë, hedhja poshtë e Izraelit fizik nga Perëndia, nuk ishte fundi i teokracisë. Me anë të Jezu Krishtit, Jehovai vendosi një teokraci të re. Ky ishte kongregacioni i mirosur i krishterë, që në fakt ishte një komb i ri. (1. Pjetrit 2:9) Apostulli Pavël e quajti «Izraeli i Perëndisë» dhe më në fund pjesëtarët e tij dolën prej «çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi». (Galatasve 6:16; Zbulesa 5:9, 10, BR) Edhe pse ishin nënshtetas të qeverive njerëzore nën të cilat jetonin, pjesëtarët e kësaj teokracie të re qeveriseshin në fakt prej Perëndisë. (1. Pjetrit 2:13, 14, 17) Pak kohë pas lindjes së teokracisë së re, sundimtarët e Izraelit fizik u përpoqën të detyronin disa dishepuj që të mos i bindeshin një urdhri që Jezui u kishte lënë. Cila ishte përgjigjja? «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar më parë sesa njerëzve.» (Veprat 5:29, BR) Me të vërtetë një pikëpamje teokratike!

19. Përse kongregacioni i krishterë i shekullit të parë mund të quhet një teokraci?

19 Si funksiononte, pra, teokracia e re? Kishte një mbret, Jezu Krishtin, që përfaqësonte Teokratin e Madh, Perëndinë Jehova. (Kolosianëve 1:13) Edhe pse mbreti ishte i padukshëm në qiej, sundimi i tij ishte i vërtetë për nënshtetasit e tij dhe fjalët e tij qeverisnin jetën e tyre. Sa për mbikëqyrjen e dukshme, ishin emëruar pleq të kualifikuar frymësisht. Në Jeruzalem, një grup i tillë burrash funksiononte si një trup udhëheqës. Përfaqësues të këtij trupi ishin pleqtë udhëtues, si Pavli, Timoteu dhe Titi. Dhe çdo kongregacion ishte nën kujdesin e një grupi pleqsh. (Titit 1:5) Kur lindte ndonjë problem i vështirë, pleqtë këshilloheshin me trupin udhëheqës ose me ndonjë nga përfaqësuesit e tij, si p.sh. Pavli. (Krahaso Veprat 15:2; 1. Korintasve 7:1; 8:1; 12:1.) Veç kësaj, çdo anëtar i kongregacionit luante rolin e tij në mbështetjen e teokracisë. Secili ishte përgjegjës para Jehovait për zbatimin e parimeve nga Shkrimet në jetën e tij.​—Romakëve 14:4, 12.

20. Çfarë mund të themi për teokracinë në kohët mbas apostujve?

20 Pavli paralajmëroi se pas vdekjes së apostujve do të zhvillohej apostazia, gjë që ndodhi në të vërtetë. (2. Selanikasve 2:3) Me kalimin e kohës, numri i atyre që quheshin të krishterë u rrit në miliona dhe pastaj në qindra miliona. Ata zhvilluan lloje të ndryshme qeverisjesh kishtare, si hierarkike, presbiteriane dhe kongregacionale. Megjithatë, as sjellja dhe as bindjet e këtyre kishave nuk pasqyruan sundimin e Jehovait. Ato nuk ishin teokraci.

21, 22. (a) Si e ka rivendosur Jehovai teokracinë gjatë kohës së fundit? (b) Cilave pyetje mbi teokracinë do t’u përgjigjemi në vijim?

21 Gjatë kohës së fundit të këtij sistemi gjërash, duhej të ndodhte ndarja e të krishterëve të vërtetë nga të krishterët e rremë. (Mateu 13:37-43) Kjo ndodhi në 1919-ën, një vit kulmor në historinë e teokracisë. Në atë kohë, profecia e lavdishme e Isaisë 66:8 u plotësua: «Kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti?» Përgjigjja e këtyre pyetjeve ishte një po kumbuese! Në 1919-ën, kongregacioni i krishterë edhe një herë ekzistoi si një «komb» i ndarë. Një «vend» teokratik lindi në fakt si brenda një dite! Ndërsa koha e fundit shkon përpara, organizimi i këtij kombi të ri u perfeksionua për ta bërë sa më të ngjashëm të ishte e mundur me atë që ekzistonte në shekullin e parë. (Isaia 60:17) Por ai ishte gjithnjë një teokraci. Në sjellje dhe në besim ai pasqyroi gjithnjë ligjet e frymëzuara hyjnore dhe parimet e Shkrimeve. Dhe gjithnjë ishte i nënshtruar ndaj Jezu Krishtit, mbretit të ulur në fron.​—Psalmet 45:17; 72:1, 2.

22 A shoqërohesh edhe ti me këtë teokraci? A ke ndonjë pozitë autoriteti brenda saj? Nëse po, a e di se ç’do të thotë të veprosh në mënyrë teokratike? A e di se ç’gracka duhen shmangur? Dy pyetjet e fundit do të diskutohen në artikullin vijues.

A mund të shpjegosh?

◻ Çfarë është një teokraci?

◻ Në ç’mënyrë Izraeli ishte një teokraci?

◻ Çfarë rregullimesh bëri Jehovai për t’u kujtuar mbretërve se Izraeli ishte një teokraci?

◻ Në ç’mënyrë kongregacioni i krishterë ishte një teokraci dhe si ishte organizuar ai?

◻ Cili organizim teokratik është vendosur në kohën tonë?

[Figura në faqen 12]

Përpara Ponc Pilatit, sundimtarët hebrenj pranuan Çesarin në vend të Mbretit të emëruar në mënyrë teokratike nga Jehovai

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo